| E enjte, 14.07.2016, 06:38 PM |
Humanistja Behide
Hasanaj - Shoqata “Nëna Terezë” në Thun (Zvicër)
Nga Dedë Bala
Me shumë respekt dhe krenari po filloj te shkruaj këtë koment dhe përshkrim duke u rikthyer edhe njëherë në vitet e para luftës në Kosovë në 1999. Unë jam nga Beci i Gjakovës. Si aktivist dhe veprimtar i kohërave te vështira duke filluar prej vitit 1970 dhe deri në vitin 1999 kur lufta në Kosovë triumfoi mbi okupatorët serbë që kishin terrorizuar çdo mundësi për jetë normale për popullatën shqiptare që jetonte në trojet e veta shekullore. Asnjëherë nuk jam ndalur së punuari për t’i realizuar qëllimet e çështjes kombëtare shqiptare, bashkë me veprimtarët tanë nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët autoktonë, e që kishin emigruar nëpër Evropë –Amerikë e në çdo skaj të botës. Asnjëherë nuk e harruam vendlindjen tonë, kombin, familjen, gjuhën e atdheun e të parëve dhe të trashëgimtarëve tanë.
Por gjithmonë e ngritëm zërin shkruam, kënduam e lavdëruam, demonstruam, studiuam, krijuam miq dhe përkrahës për të na ndihmuar, dhe më në fund luftuam me pushkë dhe me të gjitha mjetet diplomatike deri në realizimin e qëllimeve tona - çlirimi i Kosovës nga okupuesit serb. Gjatë kësaj periudhe të vitit 1997/98/99 kam pas rastin dhe fatin të punojmë me Zonjën Behide Hasanaj, e cila ishte si drejtoreshë e filialit të shoqatës “Nëna Terezë” në Thun të Zvicrës, e cila ishte me autorizim të plotfuqishëm nga drejtoria e përgjithshme “Nëna Terezë”-Luzern-Prishtinë.
Zonja Behide Hasanaj ishte e vetmja femër shqiptare me këtë autorizim dhe kompetenca të besueshme nga shoqata “Nëna Terezë”, e cila e organizonte gjithë popullin e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe Gjermani e më gjerë. Për me arritur qëllimin për aspiratën shqiptare (çlirimin e Kosovës), Zonja Behide e vuri gjithë potencialin e vet njerëzor, autoritetin e vet, shëndetin, jetën, kohën, familjen dhe gjithçka që kishte i vuri në interes të Kosovës dhe popullit të vet, vetëm për t’u çliruar nga okupuesit serbo-fashistë me tendenca gjenocidiale ndaj popullit shqiptar.
Zonja Behide Hasanaj ishte organizatore për grumbullimin e ndihmave në kuadër të shoqatës Nënë Tereza, dhe pastaj për transformimin në Kosovë përmes-transporteve që i organizonte shoqata etj. Në kuadër të këtij aktiviteti të shenjtë dhe të mrekullueshëm, Zonja e nderuar ishte shumë e gjallë dhe e guximshme, optimiste, trimëreshë dhe shumë e qartë se çka ishte duke vepruar për popullin i cili priste ndihmat dhe përkrahjen kryesore nga kjo shoqatë dhe aktivistët e saj, e këtu drejtpërdrejtë nga humanistja Behide Hasanaj. Zonja Behide Hasanaj ka organizuar dhe ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë gjatë luftës 1999 të popullatës shqiptare të dëbuar me dhunë nga Kosova 1999.
Ndihmat kanë qenë të ndryshme të përshtatshme për nevojat e kohës dhe këto ndihma kanë qenë me mija tonelata. Kujtoj rastet kur ngarkonim kamionat me materiale të ndryshme që ishin të dedikuara për popullin e torturuar nga lufta në Kosovë. Zonja Behide mbante shumë rregull të madh në magazinat që i kishte plot me materiale të ndryshme të dedikuara për ndihma humanitare. Gjithmonë aty fitonim plotësim të guximit, kur e shikonim Zonjën Behide se nuk trembej fare, por jepte urdhëra për ngarkesa, aty gjallëronte guximi për t’i dalë zot Kosovës dhe popullit të saj.
Aty edhe ne si veprimtare me përvojë dhe të kohës ishim shumë më të vegjël e më frikacak në krahasim me këtë femër trimëreshe – delikate dhe elegante, e përshtatur me kohën e civilizimit botëror. Shpesh në disa përshtypje vështruese, imagjinuese, na u krijonte ndjenja se kjo është “Zana e mrizeve të trojeve të Shqipërisë”, që kishte lindur nëna për ti dal zot atdheut të vet, e dërguar në zemër të Evropës, në Zvicër, ku në këtë vend me një gjuhë tjetër, gjuhë gjermane, franceze, italiane etj. Kishte arritur ta krijonte besimin,dhe i gjithë populli i Zvicrës ta thirrin në telefon dhe t’i ofrojnë ndihma për popullin e munduar shqiptar.
Zonja Behide ka dhënë kontribut dhe aktivitete të ndryshme vazhdimisht dhe e ka meritën e fituar, e meriton te shpallet “Veterane e luftës për lirinë e Kosovës 1999”. Zonja Behide e meriton të shpallet “Humaniste dhe Qytetare e Nderit e Kosovës dhe Diasporës”, duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuon nga diaspora, duke falënderuar të gjithë shqiptarët e veçanërisht një falënderim i veçantë duhet t’i bëhet popullit zviceran, të cilët e përkrahën Shoqatën ‘”Nëna Terezë” në Zvicër. Në kohën më të vështirë kur Kosova u digjte flakë e bëhej shkrumb e hi, në këtë kohë na duheshin njerëzit e fortë e besnikë, siç ishte vetë Zonja Behide hasanaj, bashkë me diasporën e shtetin zviceran.
“Në qoftese se dëshiron te dish se çka është miku e kupton kur të vjen armiku”. Njëqind vjet për ty me shkruar,e njëmijë këngë për ty me i kënduar prapë diçka kam me harruar. Zonja Behide Hasanaj të gjitha lëvdatat dhe dekoratat i ke shkruar dhe realizuar me veprat tua të mira, prandaj me shumë respekt të përshëndes përmes këtij komenti dhe bindjeve të mija, të dëshiroj shëndet e të gjitha të mirat në jetë! Nderime e respekt për veprën tënde!
Me respekt nga veprimtari dhe veterani i çështjes kombëtare shqiptare, Dedë Bala! (Mars, 2015, Gjakovë)