| E hene, 11.07.2016, 06:45 PM |
Të nderuar lexues!
Me këtë poezimesazh, me titull “Fundrrugëtim” përshëndes gjithë bashkëmoshatarët e mi, të gjithë ne që jetojmë “Rininë e tretë”, pasi lindëm, jetuam e punuam, por jo gjithçka e kemi bërë mirë dhe bukur. Fëmijët dhe nipat tanë që kemi lënë e do të vijnë më pas, do të reaëlizojnë ato që ne nuk mundëm t’i bënim! Ju uroj të gjithëve ditë të bardha!
Fundrrugëtim
Jeta njihet si rrugëtim pa fund
gjithsesi
çdo rrugë dhe nismë ka një cakfat
një kufi...
të cilin nuk e tejkapton asnjë njeri
dhe kur...
nuhat se mbërriti fundrrugëtimi i tij
thërret ndërgjegjen
Vetëqenies t’i japë llogari e me të...,
të lajë hesap,
por...
dilema që s’fal..., fjalëzvargur pyet,
se cila prej tyre vallë ka faj
ndërgjegjja e atrofizuar apo qenia e ngratë?!
Papritur Nevetja e ndal...
e detyron ta kthejë kokën andej nga ka ardh
që të shohë se ç’ka lënë pas...
Në kohëgjëmën që shkoi pa e ç’nuk pa
kryqëzim rrugësh... një konglomerat
sheh veten
ndërecje në eter në rrugë e parrugë të gjatë...
çuditet..., se si nuk paska marrë flakë?
ngërthyer në udhëkryqe pambarim,
nëpër labirinte koklavitur dhe pakthim
ndesh sa e sa fëmijë pa fëmijëri...
i dhemb për të rinj..., pa rini..., pa dashuri
breza të tërë shpresavrarë e ëndrratretur,
në qelitë e ftohta... të ligur e të dergjur
etër dhe bijë... zemërtharë e kockatretur
as të gjallë e as të vdekur
në hone shpirtrash për liri etur,
sa jetimë me lotë në faqe ende pa terur.
Dilema e të nesëmes pyet përsëri:
-Ti Qenie që mbërrite në fundrrugëtim...
s’ pe asgjë të bukur apo s’bëre diçka të mirë?
-Me shpirt ndër dhëmb jetova ferrin,
i përdëllyer prita lindjen e agimeve të dlirë
ngrohtësinë e varfër e të mekur të diellit
në dhembje gjeta e jetova aromën e dashurisë
dhe tani që mbërrita këtë fundrrugëtim
e di se ç’bëra keq e në këtë botë ç’bëra mirë,
por për ndryshim është vonë e s’ka kthim
edhe këtë e kam të qartë dhe e di mirë!
Veç është bukur
që brezat do ta vazhdojnë këtë rrugëtim!
Respekt për thinjat e bardha! Vivra