Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eqrem Canaj: Memorial lëvizës për historinë

| E diele, 03.07.2016, 09:17 AM |


“SHKËLQIM I TRISHTUAR”, MEMORIAL LËVIZËS PËR HISTORINË E DUKATIT

Nacionalisti Maliq Koshena, bir i denjë i këtyre trojeve, në penën e studiuesit Albert HABAZAJ

Nga Eqrem CANAJ, kritik, shkrimtar

Nuk ka bërë historinë e njerëzve të humbur apo e luftrave, zhvilluar, studiuesi, bibliografi dhe shkrimtari Albert Habazaj. Ai vetëm e ka shkruar, sistemuar, e ka ngjallur atë çka pati vdekur në kohra. Se historinë e ka bërë Dukati me trimat e vet pallëlarë. Një ndër të cilët: nacionalisti Maliq Koshena. Libri është i përfaqësuar në një kopertinë interesante: Heroi ulur mendueshëm mbi një karrige të thjeshtë, në gjysmë sfondi të kaltër, përballë diskut të diellit. Mbrapa, faqa e dytë, duket qartazi pamje nga virgjëria e natyrës së Dukatit.

Albert Habazaj me këtë monografi ka ngritur një memorial, por jo statik si ai që ngritën dukatasit, por memorial lëvizës. I tillë që shkon derë më derë, fshat e krahinë, kaza e qytet, brenda e jashtë atdheut, atje ku emigrojnë e militojnë bijtë e Dukatit.

Në rastet e mësipërm, në qendër të luftrave e të luftëtarëve të Dukatit, ka shkëlqyer figura e kreut nacionalist Maliq Koshena, bir i denjë i këtyre trojeve, ai që është ushqyer me bukën e kaut të parmendës, ushqyer e rritur me ndjenjat më të larta të pavarësisë, lirisë e atdhetarizmit, ai i cili s`përjetoi në qetinë e amshimit dy metra varr si gjithë njerëzit në botë. Ashtu siç e përshkruan z. Petrit Velaj (Mandela i Vlorës), bashkëvuajtësi në librin: “Një dritare burgu”: “Po kur nuk ka varr/ S`ke ku i vë lulet/ I drejtohesh qiellit/ E në gjunjë ulesh?”

Historinë e një vendi, gatuar nga bëmat e bëmatarët që bënë emër e mëson në kohë të ndryshme, vetvetiu, edhe pa i hyrë një pune të qëllimshme. Ps. Mete Jazo gjakatuar/ Kulla e kuqe u muar/ më tej: Ngreu Mete sha vëllanë/ Të shkosh me Cane Miftarë/ Se Cane Miftari shkoi/ E nguli bajrakun te kroi/ etj… Bëhet fjalë për betejat në kalanë e Beratit: vitet 1835 - ‘37.

Gjithashtu, shumë fakte, ngjarje, data dhe emra me të cilët ndeshem nëpër faqet e librit “Shkëlqim i Trishtuar” që tashmë e kemi në dorë, i kam mësuar qyshherët prej një makine elektronike që ishte e montuar në kafkën trurore të një burri, intelektual i papërsëritshëm, për kujtesën fenomenale që zotëronte, Gani Iljaz Habazaj. Për Maliq Koshenën, trimat e rrallë të Dukatit, luftrat e zhvilluara, përpjekjet të gjithkahut për të mbrojtur Dukatin, këtë kështjellë jorrënimtare, ai më fliste me zjarr patriotizmi.

Këto doza, që i kam marrë qysh herët nga burime të ndryshme, unë i gjej, të realizuara më së miri në librin e shkrimtarit A. Habazaj. Por, dua të kumtoj mendimin se shkrimi në fjalë nuk ka bërë historinë e njerëzve të humbur apo e luftrave, zhvilluar, ai vetëm e ka shkruar, sistemuar, e ka ngjallur atë çka pati vdekur në kohra. Se historinë e ka bërë Dukati me trimat e vet pallëlarë. Një ndër të cilët: nacionalisti Maliq Koshena.

Po le të kthehemi tek libri, realizimi teknik i tij: ç`portretizim, ç`përshkrim, ç`mesazhe përcjell, ç`gjerësi tematike, ç`thellësi mendimi spikat, ç`mbresa emocionale ngre peshë libri  “monografi” në të vërtetë, studim historik për figura të caktuara, në një zonë të caktuar.

Libri, ashtu siç ka dalë në dritë, është i kompletuar: standart 185 faqe, i ndarë në tre pjesë, pjesët në kapituj e nënkapituj. Ndarja përkon edhe kohët e ndryshme: zhvillimi i ngjarjeve, ç`tregojnë të tjerët për heroin - faktikat reale dhe qëndrimi që mbajnë të gjallët aktualisht. Gjithashtu, pjesa e fundit: kumtime, ku përfshihen ndjenja e mendime, lidhur me përfaqësimin e lartimin e figurës së Maliq Koshenës. Libri është i përfaqësuar në një kopertinë interesante: Heroi ulur mendueshëm mbi një karrige të thjeshtë, në gjysmë sfondi të kaltër, përballë diskut të diellit. Mbrapa, faqa e dytë, duket qartazi pamje nga virgjëria e natyrës së Dukatit. Nga gjithçkaja të jep të kuptosh: Alberti ka punuar me përkushtim, me përgjegjësi e finesë. Sepse libri është vepër, mbi të duhet të sundojnë ligjet e përkryershmërisë. Berti ia ka arritur mbarë e bukur.

Autori e njeh mirë jo vetëm historinë në përgjithësi, por, gjithashtu, edhe atë pjesë të historisë, zhvilluar në Dukat, luftrat veçanërisht dhe bëmat e luftëtarëve trima dukatas, të drejtuar me maturi e logjikë të ftohtë nga kryetrimi M. Koshena.

Përfytyruar artistikisht, shkrimtari në fjalë është ngulur diku në Thilipat, e ka çarë malin e Dukatit mespërmes, kryq e tërthorë, kësisoj ka vëzhguar së brendshmi se sa thellë tokës kanë ikur rrënjët e pishave e lisave, rrënjët e valanidhit e të rrepeve, si janë mpleksur rrënjët e shkorretave brenda njëra - tjetrës, ç`rrënjë kanë zënë në shkëmb e ç`të tjera në ballë. Sepse rrënjët e këtij trolli janë vaditur në gjak, ata të cilët ka ringjallur Alberti për t`i sjellë në kujtesën tonë dhe të brezave: të freskët, frymëzues në kohët që shkojnë e do të vinë.

Parë ndryshe: studiuesi në fjalë ka hapur këtu faqe të bardha. Dhe ka shkruar hapur historinë ashtu siç është. Kjo ka të bëjë me sinqeritetin e shkrimtarit.

Po, lind pyetja, ai i plotëson dot kënaqësitë e të gjithëve, shumë planëshe? Kjo është tjetër çështje. E rëndësishme për historianin është, t’u ruhet shtrembërimeve. Por, gjithashtu, syri sheh shumë gjasa, veshi dëgjon shumë zëra. Jo të tëra përbëjnë dhe i përkasin thelbit të objektit që përshkruan. Në këto raste s`është për t`u dridhur dora, por për t`i mëshuar penës tek e përgjithshmja, esencialja, e domosdoshmja. Mendoj unë, krahas punës së bukur që kanë nxjerrë duart e tij,  autori duhej të rrombullakoste paksa vogëlina, ato që përbëjnë pjesën e mediokritetit. Sepse, siç dihet, miellit i hiqen himet që buka të dalë e bardhë dhe e shijshme. Po ashtu, edhe kujtimet e njerëzve që, me aq mund e durim i ka grumbulluar, t`ua kalonte dorën redaktoriale.

Misioni i shkrimtarit është i madh, i rëndësishëm e tepër delikat. Por, një shkrim nuk mbulon gjithçkanë. Shkrime e libra të tjerë e ndjekin më pas, duke u plotësuar kësisoj kuadri i përgjithshëm i historisë së një vendi. Ky libër zë vend të meritueshëm nër arshivat kombëtare.

*) Habazaj, Albert: “Shkëlqimi i trishtuar”, monografi, nderim për Maliq Koshenën, Vlorë, Botimet Europrint, 2005,185 faqe.