Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hyqmet Hasko: Krijimtaria e shkrimtarit Agron Shele

| E marte, 21.06.2016, 06:22 PM |


Rreth krijimtarisë së shkrimtarit dhe kritikut Agron Shele

Letrari që grish kujtesën estetike të historisë dhe përditshmërisë drejt Perëndimit

Nga Hyqmet B Hasko

Individualiteti i një krijuesi matet me hapësirën që ai krijon në komunikimin me lexuesin dhe publikun, me të veçantat dhe risitë që ai sjell në raport me krijuesit e tjerë dhe me vetë prirjet bashkokore të letrave tona kombëtare. Sot, në kohën e hapjes së madhe dhe çlirimit të letërsisë nga të gjitha kufizimet dhe paranojat jashtëletrare, origjinaliteti i këtij krijuesi, i këtij individi estetik shfaqet dhe në vendin që ai zë në raport me autorët e tjerë jashtë kufijve, në Evropë e gjetkë.

Vështruar në këtë prizëm, krijimtaria e autorit të njohur Agron Shele dallohet për forcën e ngjyrës dhe trajtëzimit estetik, për gravitetin emocional të rrëfimit në prozë dhe figurës e imazhit në poezi, për konstruktet moderne të prurjeve të tij në gjini, lloje e zhanre letrare, ku përveçësitë e tij përshfaqen e përcillen dukshëm te lexuesit dhe qarqet letrare, mediatike e kritike mbarëshqiptare e më gjërë.

Në lidhje me kritikën e tij letrare mund të themi se estetika kritike e tij anon nga poetika, duke gërshetuar faktet estetike me ato jetësore, diskursin analitiko-shkencor me atë letraro-artistik. Për të nuk është në modë terminolgjia analitike, por depërtimi në thellësi të objektit që merr në shqyrtim, duke tentuar të japë një pamje të thellësisë së saj, me mjete të thjeshta gjuhësore e stilistike, por pa rënë në shtampa e thjeshtëzime.

Në të gjitha shqyrtimet e tij kritike, si bie fjala për krijimtarinë në prozë e poezi të Dhimitër Mitit, për poezinë e Irena Gjonit, për autorin me “prirje estetike globale” Jeton Kelmendin etj, kritiku ynë di të gërshetojë bukur faktet dhe detajet letrare me ato jashtëletrare, duke e shkrirë gjithçka në një qëndrim të hollë e të ngjeshur rreth tekstit letrar, që për autorin është alfa dhe omega e krtikës letrare.

Agron Shele, kur merr penën për të shkruar për krijimtarinë e një shkrimtari (shkrimtareje), duket se më së pari është një shijues i krijimtarisë së tij (saj), një dikush që e ka përvetësuar thellë këtë shpirt krijues, duke rrokur dhe nxjerrë në pah tendencat më autentike të autorit dhe krijimtarisë së tij.

Spektri vëzhgues, analitik dhe kritik I Sheles ka përfshirë mjaft shkrimtarë të kohës sonë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, duke ditur të analizojë qoftë në rrafshin tekstor qoftë në atë krahasues faktorët dhe prirjet më të veçanta estetike në raport me gjithçka që është shkruar e vazhdon të shkruhet në botën shqiptare, në iks apo ypsilon gjini e zhanër letrar.

Në romanet e tij të mirëpritura nga lexuesi dhe kritika, jo vetëm shqiptare por dhe më gjërë “Hapat e Klarës”, “Përtej perdes gri” dhe “Imazh i rremë”, prozatori na shpërfaq me një rrëfim spontan, por të thyer e të beftë, shoqërinë bashkëkohore shqiptare, ngjyrimet e saj të skajshme, rrethin ekzistencial ku përpëlitet individi shqiptar, veçanërisht intelektuali dhe eilta kombëtare, në karuselin e çmendur të këtij tranzicioni primitiv e të vrazhdë.

Saga rrëfimtare e Sheles është një depërtim në psikologjinë e shpirtit shqiptar të një kohe që kërkon të çlirohet nga paranojat e së kaluarës së afërt, me të cilën na lidhin shumë fije të dukshme e të padukshme, të cilat shfaqen e zhduken në mënyrë misterioze në veprën romaneske të shkrimtarit.

Rrefimet e prozatorit janë të çliruara nga klishetë dhe kushtet sociologjike, nga etiketimet e njohura “personazh negative”, “personazh pozitiv”, “hero”, pasi në karuselin e ndjenjave dhe pasioneve njerëzore janë bashkë e mira dhe e keqja, realiteti dhe ëndrra, e kaluara, sotmja dhe e nesërmja.

Poezia është një grishje që poeti i bën kujtesës, historisë, udhëve të tij, të ndidhurave të tij dhe atyre që e rrethojnë, dashurisë, idilit, mallit, zhgënjimit të ëndrrave, trillit etj., thënë ndryshe, është një diskurs drejt thelbit ekzistencial të unit dhe jashtësisë së tij.

Konfliktet e brezave, konflikti me s dukjes dhe thelbit, midis asaj që shpërfaqet dhe asaj që rri e fshehur apo gjysëm e fshehur në thellësi, në raportet njerëzore e në të ndodhurat e historisë, përbëjnë vektorin kërkimtar të shpalimit narrative-estetik të shkrimtarit.

Poezia e Sheles është një komunikim i ndjesive të tij, i unit dhe “aksesorëve të jashtëm” strukturorë me psikolgjinë e Perëndimit, vështruar nga një poet i një vendi të vogël ballkanik, që e ka të shkruar çdo varg e strofë në poret e lëkurës së tij dhe të brezit të tij.

Në poezinë “Rikthim”, me tone lirike të ngrohta dhe ngjyra plot pjalmim e erëmim malli, dëshire e flirti, poeti shkruan jo sikur shkruan mbi letrën e bardhë, por mbi lëkurën e tij:

E mallkova shiun për ëndrrën e dëbuar,

Sytë e përgjumur kërkonin flokët tuaj,

buzëqeshjen,

shkujdesje hapash.

Hija jote tretej natën e vonuar.

Të kërkova kudo gjurmëve të jetës,

diku humbe,...

Ku?...

Ndoshta mallit tim

u struke e heshtur.

“Pasazh i pafaj” (Innocent episode) është një vëllim me poezi, përkthyer në Greqisht nga revista Qeleno, Italisht nga revista Artista a Confronto dhe në Anglisht; “Antologji poetike /Korsi e hapur” (Bashkëautor) me një poezi të shkruar me shije dhe kadenca të forta liriko-dramatike. Vëllimi “Pasazh pa faj” është vëllimi i parë poetik i Agron Sheles, por poezitë e tij janë botuar në disa shtete dhe dallohen nga risi strukturore e kompozimi, elemente të muzës poetike që, siç thotë me të drejtë një kriitik i tij, i ngjajnë vargjeve mbreslënese të Sharl Bodler, një poet Francez i lindur në Paris më 1821, i cili bëri emër me vellim e tij të parë me poezi, botuar me 1857 dhe titulluar “Lulet e Djallit” (“Les Fleurs du mal”). Njësoj si Baudelaire, Shele i këndon dhimbjes, vdekjes, depresionit shpirtëror, korruptimit të strukturave të shoqërisë e të shtetit por dhe të vetë mendjes njerëzore, plagëve si droga, alkoli, paranojat seksuale etj.

Ky shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë poetike, risinë e riciklimit të magjisë dhe bukurisë trandenshente, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë farë buzëqeshjesh, dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…Në qendër të këtij fokusimi është fjala njeri, raportet e tij me të ngjashmin, me kohën, me bashkëkohësin, me anën hyjnore të botës, me filozofinë e mbijetesës dhe të ecurisë së brezave; janë raportet e vendit të tij, e brezave të humbur dhe atyre që vazhdojnë të ushqejnë prushërimin e ëndrrës, me metropolet perëndimore, me vetë erën globale të integrimeve që po përjeton sot bota jonë.

Agron Shele ka lindur më 7 tetor 1972, në fshatin Leskaj, Rrethi Përmet. Pas shkollës 8-vjeçare, përfundoi studimet e mesme dhe të larta në Tiranë. Që në moshë të herët ka qënë i apasionuar dhe impresionuar pas letërsisë, rrugë të cilën e bëri lajmotiv të jetës dhe përgjegjësi të zhvillimit intelektual të tij. Është autor i veprave letrare: “Hapat e Klarës” (roman), “Përtej perdes gri” (roman) , “Imazh i rremë” (roman), si dhe vëllimit poetik: “Pasazh i pafaj” (poezi). Gjithashtu është bashkëautor dhe mundësuesi i publikimit të Antologjive Ndërkombëtare: “Korsi e hapur -1, Korsi e hapur-2, Pegasiada dhe Korsi e hapur -2. dhe Revistës "ATUNIS". Në kritikë dhe studime letrare janë të njohura shkrimet dhe kritikat e tij të spikatura, me nje sens të fortë shqyrtues, krahasues dhe analitk, si një pasuri e kritikës dhe e mendimit estetik shqiptar. Është antar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, antar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Botës (IËA) me qendër në Ohajo (SHBA) dhe antar i Poetëve Bashkohorë të Globit (ËPS), Poets del Mundo si dhe pëfaqësues për UMP- ËUP, Shqipëri . Ka qënë Sekretar i Pergjithëshëm i Lidhjes se Poeteve dhe Shkrimtarëve Ndërkombëtare “Pegasi” Albania, deri në momnetin e shpërbërjes së kësaj lidhjeje letrare dhe tashmë është Kryetar i Bordit Drejtues Galaktika Poetike "ATUNIS" . Proza dhe poezia e tij kanë tërhequr vëmendjen e kritikës letrare, për tematikën psiko-sociale dhe risinë krijuese, dhe si pjesë e mesazhit artistik por dhe individualitetit kreativ të shafqur, është publikuar në shumë gazeta, revista letrare kombëtare dhe Ndërkombëtare, si dhe është përfshirë në antologjitë botërore: Almanak 2008, ËORLD POETRY YEARBOOK 2009, 2013, 2014; The Second Genesis, etj. Ka qënë pjesë aktive e Shoqërisë Civile në Shqipëri duke u trajnuar për menaxhim, projekte dhe lidership nga shumë Fondacione Ndërkombëtare, si : SOROS, REC, USAID, PNUD, UNICEF etj. Ështe Kryetar i Shoqatës "Rinia dhe Fëmijet" si dhe "Mjedisi në Komunitet". Aktualisht jeton në Belgjikë dhe vazhdon me përkushtim publikimin e vlerave letrare universale.

Emri i shkrimtarit, poetit, kritikut Agron Shele, sot në këtë epokë të çlirimit të letrave nga sistemi i kufizimeve dhe shterpëzimeve dogmatike, në një komunikim të ngjeshur me Perëndimin dhe botën e lirë ku vijon ta përvijojë potretin e tij befasues prej letrari, është një emër i nderuar, jo vetëm për shkak të vëmendjes që ka tërhequr tek qarqet kritike dhe kulturologjike perëndimore, por mbi të gjitha për sharmin jetësor që përcjell, të ngritur në një kult estetik, që komunikon aq shumë ndjesi dhe emocion.