| E diele, 19.06.2016, 10:11 PM |
Armando Sadiku më në fund i tha ''jo mallkimit'' dhe është shqiptari i parë që shënon për Shqipërinë në një europian.
Ermir Lenjani nuk deshi të hynte në histori pasi humbi një rast të pastër për shënim.
Fitorja historike e Kombëtares së Kombit Shqiptar, në fushë dhe jashtë saj, ishte e merituar.
Shqipëria përfundon në vendin e tretë në grupin A dhe ka shpresa për të vazhduar më tej. Rezultatet në grupet e tjera duhet të priten me emocion por në asnjë rast me dëshpërim.
Në dy ndeshjet e para Shqipërisë i kishte munguar goli por jo edhe shpirti luftarak sportiv.
Nga tranieri deri tek futbollisti që refuzon shkronjat ''B i rr a P e j a'', ekipi ynë kombëtar dha maksimumin në të gjitha ndeshjet. Maksimumin dhanë dhe tifozët tanë, të jashtëzakonshëm, të cilët, bashkë me futbollistët, krijuan një imazh tjetër për Shqipërinë e vogël me probleme të mëdha.
Në fund të fundit futbolli është vetëm një lojë, por kjo lojë mund të shërbejë pozitivisht për të prezantuar një Shqipëri tjetër përpara botës: Shqipërinë e kronikave të bardha.