| E diele, 19.06.2016, 08:54 AM |
ALBERT HABAZAJ
DASHNOR I POEZISË SË VESUAR
HIMN PËR ALI ASLLANIN
I.
Lirika e ëmbël
e Asllan Aliut-
kristalin’ si ëndërr,
si zemr’ e njeriut.
Si lule zambaku
u plake i bukur,
me vargje meraku
sherbet ngjyrë purpur.
II.
Symenduar si profet,
me shpuzë, prush përralli,
mendjekthjellët-qiell prilli,
princ në mbretërinë e mallit.
Dashnor i paepur, elegant
i poezisë së vesuar;
ti je Atdhetari brilant,
Shën Valentinas i rëgjuar.
III.
Eja, Burr i Dheut,
o dhè ëmbëlsuar;
eja pak, pa kthehu,
sa për t’u takuar!
Eja, se kanë ardhur
Serembja dhe Mjeda,
Dritëroi i mplakur
me një gotë te dera...
IV.
Te port’ e Panteonit Letrar
Azem Shkreli Lasgushin pret,
leje nga Pegasi kanë marrë
ta pastrojnë qiellin nga retë.
Te port’ e Panteonit Letrar
Koçi Petriti me balada
trëndafil- Lirikat e Majit
i mbjell në lulishten përpara.
V.
Eja xha Ali
takohu me miqtë,
pastaj ti e di
shpërfilli të liqtë...
Eja dhe gostiti
vet’ nga dora jote
me lirika shpirti
porsi mjaltë zoge!...