| E diele, 19.06.2016, 09:29 AM |
INTERVISTË EKSKLUZIVE ME VEPRIMTARIN, ATDHETARIN, MESUESIN dhe POETIN HAMZA HALABAKU
Nga Ramiz DERMAKU
Një intervistë me mësuesin e mësimit plotësues të Shkollës Shqipe në Bavarinë Veriore të Gjermanisë, krijuesin letrar, veprimtarin, atdhetarin dhe humanistin, Hamza Halabaku, pjesëmarrës i mbledhjes historike të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u shpall Deklarata Kushtetuese e Kosovës e 2 korrikut të vitit 1990, siç njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë.
Bota sot: z. Hamza Halabaku për fillim, ju lutëm, na shpaloni në pika të shkurta për lexuesit biografinë tuaj.
Hamza Nazif Halabaku u lind në fshatin Pozharan në vitin 1947. U shkollua në Pozharan, Gjilan dhe në Prizren. Mbaroi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë punoi mësues në fshatin Ballancë të Vitisë, pastaj në Gjykatën Komunale në Viti.
Prej vitit 1973 punoi në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës.
Në qershor të vitit 1982 është emëruar ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Mori pjesë në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, në rolin e sekretarit të Kuvendit të Kosovës pasi që atë kohë ishte në funksionin e ndihmës sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Që në shkollën fillore filloi të botoj punimet e veta në revistën e shkollës “Ideali” si dhe në atë të shkollës së mesme “Shprehja e të rinjve”.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Ka marre pjese ne “Takimet e vendlindjes” në Gjilan pastaj në “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit” në Stubëll të Vitisë, në “Karvanin e Shkrimtarëve për fëmijë” nëpër Kosovë etj.
Është prezantuar në “Libri që po shkruhet”, panoramë letrare e Luginës së Moravës së Kosovës, 1979, në “Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001”, të Hasan Hasanit, në “Orët e duartrokitjeve”, të Agim Devës e Xhevat Sylës, 2001, në “Antologji e poezisë moderne shqipe – Antologie der modernen albanischen Lyrik” të autorit Ferdinand Laholli në Gjermani etj. Pjesë nga krijimtaria e tij letrare janë përkthyer në gjuhën gjermane, arabe, serbokroate etj. Që nga viti 1995 e deri më 30 shtator të vitit 2010 ishte mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Bavarinë Veriore. Nga 1 tetori i vitit 2010 e deri në 30 shtator 2012 ishte në fazën e para pensionit, kurse u pensionua më 1 tetor të vitit 2012.
Krijimet letrare të Hamza Halabakut i gjejmë të botuara në gazetat dhe revistat e ndryshme në Prishtinë, Shkup dhe në diasporë, si në: “Rilindja”, “Bujku”, “Gëzimi”, “Bota sot”, “Pionieri”, “Doruntina” etj.
Bota sot: Jemi në prag të 2 Korrikut, një date të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, datë kjo kur u shpall Deklarata Kushtetuese e Kosovës, e cila njihet edhe si Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1990. Ju nga pozita e ndihmës sekretarit të Kuvendit të Kosovës keni marrë pjesë në atë mbledhje të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, e cila ka hyrë në historinë e Kosovës për rëndësinë që kishte dhe për guximin, vendosmërinë dhe sakrificën qe bënë ish-delegatët (deputetët) e Kuvendit të Kosovës, të cilët pas shpalljes së kësaj deklarate kushtetuese e shpallen edhe Kosovën Republikë. Çka mund të na thoni për atë mbledhje, rrethanat në të cilat u zhvillua dhe pjesëmarrësit e saj?
Edhe pse kanë kaluar 26 vite nga ajo ditë e 2 korrikut të vitit 1990, vërtetë historike për kohën e rrethanat dhe rëndësinë që kishte, më kujtohet si sot se ishte një ditë me diell. Një ditë e ngrohtë, që e dhuronte natyra dhe shumë e nxehtë në planin politik, sepse atë ditë po mbahej një mbledhje shumë e rëndësishme, në rrethana sa të jashtëzakonshme aq edhe të rrezikshme, në të cilën pritej të miratohej një akt juridik që do të hynte në analet e historisë sonë kombëtare.
Forcat policore serbe atë ditë kishin rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës për të mos i lejuar delegatët e Kuvendit të Kosovës të hynin në ndërtesë për ta mbajtur mbledhjen e paralajmëruar. Mirëpo, para kësaj pengese të forcave policore serbe po mbizotëronte guximi dhe këmbëngulësia e delegatëve për ta mbajtur atë mbledhje qoftë edhe jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës.
Dhe mbledhja u mbajt para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Më kujtohet si sot ajo ditë historike, kur në orën 12:25, në hapësirën para hyrjes së ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, filloi mbledhja, të cilën e udhëhoqi delegati i Dhomës së Punës së Bashkuar, Bujar Gjurgjeala. Në mbledhje, sipas listave të nënshkruara, ishin 115 delegatë, 4 prej tyre ishin delegatë shqiptarë nga Kosova në Kuvendin e Serbisë, të cilët kishin të drejtë pjesëmarrjeje, por jo edhe të drejtë votimi. Në mesin e pesë pikave të rendit të ditës për këtë mbledhje ishte edhe Deklarata Kushtetuese, të cilën e lexoi delegati Muharrem Shabani.
Mbledhja po zhvillohej nën një shtetrrethim policor të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe nën vëzhgim edhe të snajperistëve jo vetëm nga ndërtesa e Kuvendit, por edhe nga ajo e Postës së Kosovës.
Bota sot: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut ishte një nga momentet e rëndësishme historike në orvatjet titanike të patriotëve shqiptarët të Kosovës për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Çka, sipas jush, duhet të dinë dhe të mbajnë mend gjeneratat e reja për këto ngjarje historike?
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut për Pavarësinë e Kosovës, e miratuar nga delegatët e atëhershëm të Kosovës, pa dyshim ishte një akt i rëndësishëm politik dhe juridik, që shprehte aspiratat e popullit të Kosovës për të vendosur vetë për fatin e vet, ishte, siç thuhet, një embrion nga i cili më vonë lindi pavarësia e Kosovës, e njohur edhe ndërkombëtarisht.
Bota sot: Në librin tuaj, “Një ditë midis dy epokash”, pasqyroni atë që ka ndodhur me 2 korrik të vitit 1990, me rastin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, me të cilin juridikisht Kosova ndahej nga Serbia. Në atë libër ju theksoni se ishit njëri prej atyre pak personave që e pati rastin të shohë se çka po ndodhte brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrik të vitit 1990.
Po, ashtu është. Isha njëri prej atyre pak shqiptarëve që e pati rastin të shohë se çka po ndodhte brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrik të vitit 1990. Këtë ma mundësoi pozita që e kisha, ajo e ndihmës sekretarit të Kuvendit të Kosovës dhe nuk u pengova shumë nga policia të hyj në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës e të dalë nga ajo disa herë gjatë asaj dite. Në librin tim “Një ditë midis dy epokash” jam përpjekur që të përshkruaj gjithë atë që ka ndodhur atë ditë në atë mbledhje që është mbajtur para ndërtesës së Kuvendit dhe gjithë ajo që ka ndodhur edhe brenda në ndërtesën e Kuvendit, natyrisht, ashtu si e kam parë vet.
Bota sot: Cili ishte konkretisht roli i pozitës së ndihmës sekretarit të Kuvendit dhe personalisht roli i juaj në atë pozitë, në kohën kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës?
Sipas akteve normative të atëhershme, sekretari i Kuvendit të Kosovës kishte dy ndihmës. Unë isha ndihmës i sekretarit dhe udhëhiqja me Byronë e sekretarit. Byroja e sekretarit të Kuvendit, me punëtorët profesionalë dhe administrativë, kryente punët profesionale, juridike-organizative dhe punë të tjera për nevojat e Kuvendit dhe të sekretarit të Kuvendit. Në atë pozitë u emërova në qershor të vitit 1982, ndërsa deri atëherë isha bashkëpunëtor profesional i Sekretariatit, atëherë Krahinor, të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Sipas dispozitave të akteve normative, unë nga ajo pozitë duhej të isha aty ku mbaheshin mbledhjet e përbashkëta të të tri dhomave të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974 kishte Dhomën e Punës së Bashkuar, Dhomën e Komunave dhe Dhomën Shoqërore-Politike.
Bota sot: Shpallja e Republikës së Kosovës, respektivisht miratimi i Kushtetutës të Republikës së Kosovës në Kaçanik, ishte vazhdimësi e miratimit të Deklaratës Kushtetuese. Çka mund të na thoni për këtë diçka konkrete?
Unë nuk kam qenë pjesëmarrës i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës në Kaçanik, ku u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por mund të them se ajo ishte vazhdimësi e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, edhe vazhdimësi e rezistencës së organizuar të delegatëve dhe personelit tjetër të Kuvendit të Kosovës ndaj tendencave hegjemoniste e shoviniste serbe që kulmuan me suprimimin e Kuvendit të Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, më 5 korrik të vitit 1990, natyrisht pa asnjë bazë ligjore e kushtetuese.
Në atë kohë mbisundonte një homogjenizim i paparë i popullit shqiptar të Kosovës për t’u pavarësuar plotësisht nga Serbia dhe Jugosllavia. Ishte koha kur gati të gjithë shqiptarët kishin shprehur dëshirën, siç thoshin ata, për “t’u bërë me Dr. Ibrahim Rugovën” i cili atë kohë ishte në krye të LDK-së, të bindur se ai me mençuri po udhëhiqte një lëvizje të gjerë për pavarësinë e Kosovës, e cila një ditë do të arrinte dhe dr. Ibrahim Rugova do të hynte në histori si një ndër personalitetet e njohura të kombit shqiptar.
Sa i përket punës së delegatëve dhe shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës pas Deklaratës Kushtetuese, pra pas dy korrikut 1990 mund të them se kishte gatishmëri të plotë për t’u përballur me të gjitha sfidat në drejtim të ecjes përpara, materializimit të Deklaratës Kushtetuese.
Komisioni për Çështje Kushtetuese i Kuvendit të Kosovës me sekretarin Halit Muharremi, po i kryente punët e veta. Halit Muharremi punonte ditë e natë. Takoheshim thuaja çdo ditë në mëngjes dhe nëse Haliti na ngarkonte me ndonjë detyrë atë e kryenim pa hezitim.
Disa anëtarë të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese nga radha e punëtorëve shkencorë si: (Prof. Dr. Kurtesh Saliu, Prof. Dr. Ejup Statovci, Prof. Dr. Ismet Salihu, Mr. Fatmir Fehmiu, Prof. Dr. Rizah Smaka) dhe Halit Muharremi, sekretar i Komisionit, po punonin, pa ndërprerë, në hartimin e Kushtetutës të Republikës së Kosovës, e cila u miratua në Kaçanik më 7 shtator të vitit 1990.
Bota sot: z. Halabaku, në kohën kur regjimi serbo-çetnik filloi të shkatërrojë çdo gjë shqiptare, duke i helmuar e përzënë fëmijët nga shkolla dhe punëtorët nga puna, rezistenca kombëtare sikur u rrit edhe më shumë. Si i përjetuat dhe si i komentoni ato rrethana?
Po në mesin e dekadës së tetë të shekullit të kaluar kishte filluar një fushatë e egër kundër çdo gjëje që ishte shqiptare në Kosovë. Fushata diferencuese kundër shqiptarëve pas demonstratave të vitit 1981, me arrestime e linçime të shqiptarëve, kulmoi më 23 mars të vitit 1989, kur Kosovës iu mor, me dhunë, autonomia që e kishte sipas Kushtetutës së vitit 1974. Ishin ato vite të rënda për shqiptarët. Në atë kohë u helmuan një numër i madh i fëmijëve në shkolla, u përzunë nxënësit nga shkollat, pastaj punëtorët nga puna, u izoluan shumë shqiptarë, intelektualë e afaristë të suksesshëm të Kosovës. Nga torturat e keqtrajtimet që kishin përjetuar të izoluarit kishte edhe të vdekur. Atëherë ishte një tmerr që tani brezat e tashëm vështirë mund ta marrin me mend. Mirëpo, shqiptarët ishin shumë të bashkuar rreth kryetarit të LDK-së, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, për të ushtruar rezistencë të hapur, në fillim paqësore, ndaj pushtuesit serb.
Bota sot: Ishte e vështirë asokohe për një shqiptar të kishte një pozitë në organet e pushtetit?
Atë kohë e tërë Kosova ishte në gjendje të jashtëzakonshme. Asgjë nuk funksiononte në kushte normale. Ishin kufizuar edhe liritë e qarkullimit të njerëzve në tërë territorin e Kosovës. Ishte një kohë e vështirë për gjithë shqiptarët kudo që gjendeshin, qofshin ata nxënës, studentë, ushtarë, apo politikëbërës. Ishte shumë vështirë për të gjithë ata që ishin të punësuar në organet e administratës së shtetit e më së vështiri e kishin ata që ishin në organet e administratës së shtetit në nivelin krahinor në përgjithësi e në veçanti ata që ishin në shërbimin profesional të Kuvendit të Kosovës.
Bota sot: Secili njeri ka situata e ngjarje në jetë dhe në veprimtari që i kanë lënë mbresa, përjetime dhe kujtime, që nuk do t’i harron kurrë, ose së paku do t’i mbajë për një kohë të gjatë në kujtesë. Çka do të veçonit ju për lexuesit tuaj nga ato?
I takoj një brezi që jetuam e vepruam në një kohë ku më shumë patëm përjetime të këqija sesa kujtime të mira. Nuk mund ta harroj asnjëherë 23 marsin e vitit 1989, kur ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte e rrethuar me tanke dhe autoblinda ushtarake e policore, ndërsa në këto rrethana shtetrrethimi mbahej mbledhja e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të votoheshin ndryshimet e Kushtetutës së RS të Serbisë, me të cilat praktikisht Kosovës i merrej autonomia. Në sallë mund të hynin shumë njerëz të policisë, shoferë e përcjellës dhe të votonin, pa të drejtë vote, për fatin e Kosovës.
Për mua ishte shumë e rëndë, pasi i njihja shumë mirë Kushtetutën e atëhershme të Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës, ndërsa isha dëshmitar se pa i numëruar fare votat kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, Vukashin Jokanoviq, konstatoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë.
Por nga ai vrer me të cilin isha mbushur më 23 mars të vitit 1989 sikur u çlirova më 2 korrik të vitit 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës. Jam i lumtur që kam qenë prezent në atë mbledhje dhe e kam hartuar procesverbalin, si dhe e kam dërguar për botim në “Gazetën zyrtare të Kosovës”, siç thuhet me dorën time, Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.
Sa herë që kam shkruar diçka rreth ngjarjes së 2 korrikut të vitit 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese, e cila në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, gjithmonë më kanë kapluar emocione të mëdha.
Bota sot: Veprimtaria juaj duket të jetë e bujshme dhe ajo përfshinë disa sfera, edhe atë letrare. Cila ishte pikënisja në hullinë e krijimtarisë letrare, ai çasti vendimtar që ju grishi të merreni me letërsi dhe a mund të flitet për ndonjë autor që ka qenë frymëzues konkret?
Të ju them të drejtën veprimtarinë letrare, me të cilën merrem kohë pas kohe, e kam filluar, si thuhet zakonisht nga shumica e krijuesve, që në shkollën fillore në fshatin tim të lindjes. Atëherë në shkollën tonë botohej fletushka “Ideali” dhe arsimtarët na motivonin që të provonim të shkruanim ndonjë varg apo ndonjë tregim të shkurtër. Pastaj gjatë shkollimit të mesëm kam qenë mik i ngushtë i Zejnullah Halilit, një krijues i mrekullueshëm për fëmijë. Po ashtu, kam pasur kontakte edhe me Beqir Musliun, i cili që në fillim krijonte poezi të një niveli të lartë. Ishte një mjeshtër i madh i metaforave dhe simboleve. Beqir Musliu ishte poet, tregimtar, romansier, dramaturg dhe kritik letrar. Më kujtohet që në vitin 1965, kur revista letrare “Jeta e re” ia kishte botuar përmbledhjen e parë me poezi “Rima të shqetësuara” Beqa ma dhuroi me përkushtim atë përmbledhje, të cilën edhe sot e kësaj dite e ruaj me xhelozi.
Bota sot: Në krijimtari letrare u paraqitët para opinionit me librin e parë. Cila është historia e këtij libri, si u prit ai dhe çka ndryshoi në raportet tuaja me rrethin?
Libri im i parë është përmbledhja me poezi “A ka zot“, të cilën e ka botuar Shtëpia botuese “Asdreni” në Shkup. Edhe recensenti i kësaj përmbledhjeje, poeti dhe eseisti i mirënjohur, tani më i ndjerë, Abdullah Konushevci, po edhe kritikë të tjerë kanë shkruar se titulli i kësaj përmbledhjeje është shumë domethënës dhe nuk shpreh, ashtu si duket në të parë, dyshimin, apo mosbesimin.
Si te çdo krijues, libri i parë është si fëmija i parë. Kështu disi më dukej edhe mua.
Bota sot: Keni disa vite përvojë në punën e mësuesit të mësimit plotësues në Shkollën Shqipe në Gjermani, si ndodhi që të merreni me këtë punë dhe cili është mendimi juaj për mësimin plotësues në diasporë në përgjithësi dhe në Gjermani në veçanti?
Ndonëse nuk është se nuk e kam dashur profesionin e mësuesit, si mësues kam filluar të punoj menjëherë pas kryerjes së shkollës së mesme, në shtator të vitit 1967, por me këtë profesion në Gjermani u mora më shumë nga zori sesa nga dëshira. Pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik dhe suspendimit të autonomisë më 5 korrik 1990 u pezulluam nga puna. Edhe ndaj meje sikur ndaj shumë shqiptarëve u vërsul edhe sigurimi shtetëror serb dhe u detyrova të marrë rrugën e mërgimit. Fati më buzëqeshi që zura punën e mësuesit të mësimit plotësues në Shkollën Shqipe në Gjermani.
Janë disa vite që në diasporë dhe veçmas në Gjermani u puna me përkushtim të madh me fëmijët e bashkatdhetarëve tanë për ta zhvilluar dhe avancuar mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe. Mendoj se rezultatet nuk kanë munguar. Tani, kur i takoj ish nxënësit e mi ata më falënderohen dhe ndihen shumë mirë që kanë mësuar ta flasin rrjedhshëm dhe ta shkruajnë drejtë gjuhën e tyre. Mësimi plotësues në gjuhën shqipe për mërgimtarët tanë është i nevojshëm aq sa edhe buka që e hanë dhe uji që e pinë. Pa këtë mësim fëmijët e mërgimtarëve tanë nuk mund të kenë të ardhme të ndritur. Sepse, nuk mjafton që fëmijët shqiptarë që rriten në mërgim të dinë, vetëm se janë shqiptarë, por ata duhet të marrin dituri nga gjuha amtare, historia e gjeografia kombëtare, arti e kultura dhe tradita jonë e begatshme. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Gjuha ruhet aty ku shkruhet”!
Bota sot: Ju tani jeni i pensionuar dhe bëni një jetë ndërmjet Nyrnbergut (Gjermanisë) dhe Prishtinës (Kosovës), por duket se nuk ndaleni nga puna letrare e publicistike. Nëse nuk është ndonjë sekret, çka konkretisht po punoni në këtë plan dhe çka mund të presin nga ju lexuesit në një të ardhme të afërt?
Gjatë dimrit më shumë jam në Nyremberg, e gjatë verës më shumë në Prishtinë. Por, shpirtërisht gjatë gjithë kohës jam në Kosovë e më së shumti në Prishtinë. Nuk rri kot as në Nuremberg e as në Prishtinë. Vazhdimisht, siç thuhet, shkarravis diçka. Nëpër dorë kam edhe poezi, edhe tregime, por edhe diçka nga publicistika. Mirëpo, nuk do të doja të premtoj diçka konkrete. Preferoj që këtë t’ia lë kohës.