Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Për çështjen çame

| E premte, 17.06.2016, 09:00 PM |


PËR ÇËSHTJEN ÇAME

Nga Resmi Osmani

Në stadiumin ku luhej ndeshja Shqipëri –Zvicër, u pa një banderolë, ku Greqia bëhej përgjegjëse për genocidin e ushtruar ndaj popullatës së çamërisë. Autoritetet greke nuk vonuan të reagojnë dhe protestojnë nëpërmjet Ministrisë së Jashtëme, duke përsëritur se nuk ka një çështje çame. Presidenti i atij vendi,shkoi edhe më tej duke i quajtur çamët, në bllok, bashkpuntorë të fashizmit. Janë formula standard, që kemi njëzet e pesë vite që i dëgjojmë.

Nuk dua në këtë shkrim të bëj jetëshkrimin e familjes sime,nuk është ky qëllimi, por nepermjet një historie personale, tu rrëfej politikanëve grekë, nëse ekziston apo jo problemi çam.

Kam lindur më 1940 në fshatin Mazrek të Çamërisë, një fshat i madh dhe me histori. Më poshtë po rrëfej pësimet nga mardhëniet çamo-greke, fill pas aneksimit të Çamërisë më 1913.

Më 1913, gjyshi nga babai, Osman Taipi, ra dëshmor në betejën e Bezhanit, në luftë me grekët, për mbrojtjen e Janinës. E veja rriti jetimët.

Familja e nënës, u shpërngul me dhunë në Turqi, në stepat e Anadollit, në këmbim me grekët e Azisë së Vogël.

Nga reforma agrare, familjes sonë iu sekuestruan pjesa me e madhe e tokave dhe e pasurisë së paluajtshme, duke e lënë në vështirësi të madhe ekonomike.

Në vjeshtën e vitit 1940, babai im, pa shkak u internua në ishullin e Mitilinit në detin Egje, duke na lënë në mëshirën e fatit dhe dhunës së banditëve, për të vuajtur në kampet e atjeshme të burgimit. Prej aty u liruan pas pushtimit gjerman të greqisë.

Babai nuk u përzje apsolutisht në çështjet e luftës, qëndroi mënjanë dhe pa punën e vet.

Pas masakrave zerviste në Paramithi, kur çamëria u mbyt në gjak dhe u kall në flakë, i gjithë trungu ynë familjar, la gjithëçka në shpëtim të jetës dhe u shpërngul për t’u vendosur përkohësisht në Kllogjer e Mursi të Sarandës.

Nga vuajtjet e shpërnguljes, të ftohtit, urija, malaria, uji i papishëm vdiqën: gjyshja dhe një motër e vogël, dy xhaxhallarë dhe tre fëmijë të tyre. Në Kllogjer familja jonë hapi gjashtë varre.

Në dimrin e 1945, pas përhapjes së një lajmi të rrem se çamët mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe se”Nuk do t’u binte pikë gjaku nga hunda”,babai, që nuk ndjehej fajtor për asgjë na mori dhe u kthyem në Filat. Aty u organizua masakra e fundit e dramës çame. Babanë, dhe 80 burra të tjerë, na e therën para syve. Ishte 32 vjeç dhe tërësisht i pafajshëm, përveç asaj që ishte shqiptar. Nuk e dimë nëse i varrosën apo jo.

Në mars 1945,tok me nënën, pesë fëmijë, më i madhi 13 vjeç, kapërcyem kufirin dhe erdhëm në shqipëri. Sesi u rritëm dhe e përballuam jetën, lexuesi e merr me ment.

Ky ishte rasti i vetëm një familjeje, që u gjysmua dhe vuajti gjithë mjerimet e luftës dhe genocidin megalideist grek. Po sa qindra e qindra të tjera kanë pësuar këtë fat? Si mund të quhet kjo përveçse  genocid?

Përgjigja  është direkte për palën greke: Çështja çame, doni apo nuk doni, ekziston. Jemi ende gjallë ne që e kemi pësuar dhe fëmijët tanë të cilëve ua lemë amanet.Janë gjithë bashkatdhetarët tanë ngado e kudo ndodhen, kauza jonë është një kauzë mbarëshqiptare.

Tiranë, më 13.06.2016.