| E marte, 07.06.2016, 09:04 PM |
SHKRIMTARI DHE PUBLICISTI, SEJDI BERISHA KA LËVIZUR PARA KUFIRIN E ARTIT TË FJALËS SË SHKRUAR NË KOSOVË DHE MË GJËRË
Nga
Reshat Nurboja
Me rastin e 40-vjetorit të krijimtarisë së shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha
… Sejdi Berisha, në veprat e tij asnjëherë nuk ec me kohën, por ai gjithmonë është shumë para saj….
__________
Zonja dhe zotërinj, të nderuar bashkëqytetarë,…
Kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin të jem pjesë e promovimit
të veprës jubilare, të njëzetën me radhë të Sejdi Berishës, i cili opinionit
mbar shqiptarë i është i njohur jo vetëm si gazetar e korrespondent i
Radiotelevizionit të Prishtinës, por edhe si publicist, poet, dramaturg,
romansier, eseist, redaktor e recensent i dhjetëra e dhjetëra librave të
botuara këtu tek ne dhe në diasporë.
Duke mos dashur që me fjalë të tepërta eventualisht ta zbeh koloritin kohor dhe
përmbajtjesor të librit “Shpërputhje Kohe”, dua vetëm të them se shkrimtari
Sejdi Berisha me këtë vepër ka arritur kulmin e krijimtarisë së tij letrare dhe
po ashtu ka lëvizur para kufirin e artit të fjalës së shkruar në mesin e
krijuesve kosovarë e më gjërë…
Shkrimtari, krijuesi Sejdi Berisha që nga vepra e tij e parë ”Tronditje” e deri tek libri që sot promovohet, ka arritur gjithnjë të mbetet i njëjtë, gjegjësisht, ka arritur të mbetët njeri, krijues i përkryer. Fakt ky që krijimtarisë së tij dhe jo vetëm të tij i jep një vlerë të veçantë, një origjinalitet që ia mundëson lexuesit të mos jetë pasiv gjatë leximit të këtyre veprave. Deshe ti apo jo, gjatë leximit duhet ta pranosh bashkëbisedimin në relacionin: lexues-autor-libër.
E veçanta e veprave të Sejdi Berishës në përgjithësi, e i
librit “Shpërputhje Kohe” në veçanti, qëndron në faktin se autori për asnjë
çast nuk tenton lexuesit të ia imponojë mendimin e tij rreth temës që
shtjellon. Përkundrazi, i jep hapësirë, mundësi, mos të them, insiston që vetë
ai të vjen deri tek mendimi i tij vetanak… Autori në fjalë, në veprat e
tij kërkon bashkëbisedues rreth çështjeve, të cilat e preokupojnë, e të
cilat janë me interes të veçantë për shoqërinë të cilës Ai i takon, por, për
dallim nga krijuesit tjerë, ky këtë e bënë me një mjeshtri të rrallë por të
lehtë për t’u kuptuar…
Vepra “Shpërputhje Kohe”, pa kurrfarë modestie mund të thuhet se është një
antologji e veprave të shkruara të krijuesve pejanë, edhe pse në te ka të
prezantuar edhe krijues të tjerë.
Libri “Shpërputhje Kohe” ngërthen në vete njëzetë e tetë libra, gjashtë ndijime
dhe dymbëdhjetë ese, të cilat bashkërisht, apo edhe veç e veç, ofrojnë dhe u
mundësojnë të gjithë atyre që nuk e kanë mundim leximin ta shohin dhe njohin
botën që luan me ne e me të cilën përballemi, në kohë e hapësirë reale e
sfiduese, ashtu si është e nuk duhet të jetë…
Në fund, zonja dhe zotërinj, mikun tim të nderuar, Sejdi
Berishën,
e përgëzoj për botimin dhe organizimin e këtij promovimi madhështor të
librit “Shpërputhje Kohe” me dëshirë që të mos i pushojë pena dhe ngjyra edhe
për një kohë të gjatë…!
Njëherësh, dëshiroj të mos demoralizohet krejtësisht me padrejtësitë dhe
moskuptimet që i bëhen vlerave të mirëfillta krijuese nga paria aktuale e
shoqërisë sonë, se niveli vlerësues i tyre është i tillë çfarë është. Ata nuk
mund ta kuptojnë se janë pengesë e ecjes përpara… Të vetmen gjë që ata mund ta
kuptojnë, dhe atë vetëm instinktivisht, është fakti se kjo nënkupton ndërrime
të shumta pozitive dhe ecje para, por pa ta…! Për rezistencën e tyre që kjo të
mos ndodhë, logjikisht ata nuk mund të fajësohen …Fajtor, kush është fajtori…
Ky nuk është vështirë të identifikohet por me këtë rast nuk është as koha e as
vendi që ai të emërtohet…
Për këtë arsye, nëse më lejoni, krejtësisht në fund, zonja dhe zotërinj, më
duhet të them se Sejdi Berisha, në veprat e tij asnjëherë nuk ec me kohën, por
ai gjithmonë është shumë para saj….
Shpresoj dhe dua të besoj, se familja e tij është e vetëdijshme se ai
gjithnjë i tillë është edhe në jetë. Ne shokët, këtë e dimë, të
tjerët këtë mund ta vërtetojnë nëse i kanë lexuar apo i lexojnë veprat e
tij…