Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Kadiu: Më i rëndë bishti se sqepari

| E enjte, 02.06.2016, 08:44 PM |


KUR ËSHTË MË I RËNDË BISHTI SE SQEPARI

Nga Dr. Kadri Kadiu

Kjo Botë është e mbushur me njerëz të mirë që sjellin gjithnjë mirësi e dashuri. Por ka dhe monstra e bastardë që mos e dhëntë Zoti të piqesh me ta e mos o Zot të jesh nën hyqmën e tyre. E mua më ra fati i keq që për një kohë të kisha mbi krye dy të tillë e të hiqja të zitë e ullirit prej tyre.

Në kohën që unë kam qenë Pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, në vitet 1971-1981, për një pjesë të kësaj periudhe, Rektor kam patur Lufter Xhuvelin dhe Zv. Rektor Syrja Hysin. Të dy janë personazhe të njohur jo aq për zotësi por më shumë për pelivanllëqe, për ndërrim flamurësh ose si i thonë ndryshe për kameleonllëqe. Për Lufter Xhuvelin kanë shkruar shumë njerëz, duke e trajtuar figurën e tij si personazh grotesk humori e poezie satirike, duke dhënë komente e opinione në media dhe në studime sociologjike për këtë personazh pa taban, pa din e pa iman, që për pushtet të shkel me këmbë dhe ha në çdo sahan. Por portretin e tij më të plotë e ka bërë Poeti Kombëtar Arben Duka i cili i ka kushtuar këtij një Libër me dy volume, të titulluar "Sa doli xhuvelëria, plasi sheshit kurvëria". Po kështu edhe për Syrja Hysin, megjithse më pak, është shkruar e është treguar. Kështu përshembull Shkrimtari Skraparli Vetëtim Bejko, në Librin "Desha të çmallesha me ty", shprehet se Skrapari ka nxjerrë burra, por ka nxjerrë edhe Syrja Hysin.

Unë sot po shkruaj për disa aspekte fare të pjesëshme, ashtu si i kam njohur unë këta dy personazhe:

Lufter Xhuveli është nga një fshat i Vlorës. Siç kam dëgjuar nga rëfimet e shumë vlonjatëve, e siç kam lexuar e shikuar në mediat e shkruara dhe ato  vizive, babai i tij ka qenë një eksponent i njohur i Ballit në atë Zonë, por që kur ia deshte puna, e dridhte dhe herë herë ai bëhej edhe me partizanët. (Nuk i thonë kot "bëmë o baba të të ngjaj"). Për shkak të të atit, kur Lufteri mbaroi shkollën e mesme, Komiteti Ekzekutiv i Vlorës nuk i dha të drejtë studimi për në shkollë të lartë. Mirëpo e ëma e Lufterit kishte të bënte me Fisin Kapo (Hysni Kapos) kështu që e rregulluan punën në Tiranë dhe Lufteri erdhi student në Institutin e Lartë Bujqësor për agronom, pa e marrë vesh fare Komiteti Ekzekutiv i Vlorës. Pasi mbaroi Institutin, kuptohet që Lufterin nuk e pranonin në Vlorë kështu që ai filloi punën si agronom në Kooperativën Bujqësore të Perondisë së Beratit. Kooperativa e Perondisë në atë kohë ishte e njohur për rendimente të larta në prodhimet bujqësore e blegtorale. Aty nga fillimi i viteve 70 në Rrethin e Beratit u zhvillua një aktiv ekonomik për problemet e intensifikimit të Bujqësisë. Në këtë aktiv merrte pjesë edhe Sekretari i Parë i KQ të Partisë, Enver Hoxha. Ndërmjet shumë diskutantëve, diskutoi aty edhe Lufter Xhuveli, ku reklamoi rezultatet e Kooperativës së Perondisë.

I pëlqeu Enver Hoxhës diskutimi i Xhuvelit dhe kur dolën për të bërë një pushim, në hollin ku po pinin kafe, i thotë Sekretarit të Parë të Beratit: "Ma thërrisni këtu atë Agronomin e Perondisë"!

Erdhi Xhuveli dhe, me përulësi, e takoi Shokun Enver. Pastaj aty u bë ky dialog:

Prej nga je mo djalë?

Nga Vlora jam, Shoku Enver.

I kuja je nga Vlora mo?

Jam nip i kapove Shoku Enver.

Uau, uau, po ti qenke djali jonë more? Bravo të qoftë, diskutove shumë mirë.

(Enveri e pyeti se "i kujt je", pra Xhuveli duhej të thoshte emrin e të atit, mirëpo duke e ditur se Enveri ia njihte bëmat e të atit, Xhuveli u tregua pelivan dhe me këtë pelivanllëk ia hodhi Enver Hoxhës kështu që qysh atë ditë Xhuvelit filloi t'i pjellë gjeli dhe karriera e tij mori të përpjetën ).

Në mbarim të aktivit mbajti një fjalim Enver Hoxha, ku ndërmjet të tjerave lavdëroi dhe Lufter Xhuvelin, duke thënë se "të tillë djem i duhen Partisë tonë".

Enveri u kthye në Tiranë, por kaq duhej. Të nesërmen u mblodh Byroja e Partisë e Rrethit të Beratit dhe Lufter Xhuvelin e bënë Zv. Kryetar të Komitetit Ekzekutiv për Bujqësinë. Pas ca kohësh e futën edhe në Parti dhe e dërguan në Kursin e Lartë të Shkollës së Partisë në Tiranë. Pasi mbaroi Kursin e Partisë, Xhuvelin e emëruan Kryeagronom të Ndërmarrjes Bujqësore "29 Nëntori" të Lushnjës. Pas nja një viti a dy, Xhuvelin e bënë tramba me Profesor Mentor Përmetin. Profesorin e dërguan Kryeagronom në Ndërmarrjen Bujqësore të Lushnjës kurse Xhuvelin na e sollën Rektor të Institutit të Lartë Bujqësor, në vend të Profesor Përmetit.

E vërteta është se në mbledhjen e përgjithëshme të pedagogëve dhe punonjësve të administratës së Institutit që u zhvillua për prezantimin e Rektor Xhuvelit, pati shumë pedagogë që u ngritën me kurajo dhe shprehën  papërshtatshmërinë profesionale e politike të këtij personi për të kryer një detyrë kaq të lartë, duke e vënë theksin sidomos në argumentet se ai nuk kishte aspak përvojë në arsim e aq më tepër, deri në atë kohë, nuk kishte asnjë veprimtari shkencore. Në përfundim të mbledhjes u vendos që t'i kërkohej Udhëheqjes së Lartë të Partisë që ta rishikonte këtë emërim.

Zievi ca ditë kjo çeshtja e emërimit dhe e refuzimit të Lufter Xhuvelit si Rektor, por përfundimisht ai mbeti Rektor dhe të parën gjë që bëri, që ditën e parë që hyri në Zyrën e Rektorit, ishte që në vendin më të dukshëm të Zyrës vari në mur Fjalimin e Enver Hoxhës në Aktivin e Beratit. Në këtë Fjalim ai kishte nënvizuar me bojë të kuqe ato rreshta ku Enver Hoxha kishte folur për Xhuvelin, kështu që kushdo që futej në Zyrën e tij, deshi s'deshi, do të duhej më parë të lexonte citatet e Enver Hoxhës për Lufter Xhuvelin dhe pastaj të mendohej kur të fliste me të.

E megjithatë, për ca vite, Xhuveli mbeti në pozita të dobëta dhe i pafuqishëm për drejtimin me kompetencë të atij Instituti. Dhe kjo dukej sheshit në disa aspekte. Kështu, dihet se në atë kohë shkollat e larta krahas procesit mësimor kishin dhe komponentin e përgatitjes ushtarake të studentëve. Instituti i Lartë Bujqësor, për këtë qëllim, ishte i organizuar në rang Brigade Ushtarake. Komandant Brigade ishte Zv. Rektori për anën ushtarake, i cili ishte oficer karriere, kurse Komisar Brigade automatikisht bëhej Rektori i Institutit. Në rastin e Xhuvelit ndodhi precedenti që Rektori nuk u emërua Komisar Brigade por i dhanë një detyrë të thjeshtë në Brigadë. Komisar i Brigadës u emërua Zv. Rektori për anën mësimore, Agron Reka. Kur bëhej rreshtimi i Brigadës, në krye qëndronin Komandanti e Komisari kurse Rektor Xhuveli ishte në rresht me togat e me kompanitë e studentëve dhe i paraqiste forcën duke qendruar gatitu para ZV Rektorit, Komisar Agron Rekës. Por kishte dhe një aspekt tjetër që tregonte ashiqare se Xhuveli nuk ishte sqepari por ishte bishti i sqeparit në atë Institucion. Kështu si Zv. Rektor i Institutit për anën shkencore në atë kohë ishte Syrja Hysi. Syrjain, po ta gjykoje nga ana e përgatitjes profesionale e shkencore, ishte byk fare; në jetën e tij jo vetëm që nuk kishte ndonjë punim shkencor, por nuk mund të gjeje as edhe një artikull të shkruar prej tij në organet e shtypit. Mirëpo ja që ndodhte që në këto detyra të larta të gjeje edhe njerëz që nuk vinin nga meritat e punës por nga rrethana të caktuara apo nga lidhjet nepotike. E karrierën e Syrjait e kishin përcaktuar pikërisht këto lidhje nepotike, pasi ai ishte i biri i Pasho Hysit nga Vërzhezha e Skraparit, mik i vjetër i Kryeministrit Mehmet Shehu, i cili e thoshte hapur se ndjehej borxhli ndaj Pasho Hysit pasi kishte ngrënë bukë në shtëpinë e tij. Pasi mbaroi shkollën e mesme Syrjain e dërguan për studime në Bashkimin Sovjetik, për agronom. Si u kthye nga studimet ai punoi ca vite si agronom në një fermë bujqësore të Lushnjës e më tej Mehmet Shehu e mori në Kryeministri si këshilltar për bujqësinë. Por shpejt u kuptua se nga Syrja Hysi nuk mund të merrje këshilla, ai ishte vetëm për llogje kavaje, nuk formulonte dot një shkresë, kështu që e larguan nga Kryeministria dhe e dërguan Drejtor të Ndërmarrjes Bujqësore "17 Nëntori" të Tiranës. Për 3-4 vjetë që e lanë në këtë detyrë ai e fundosi Ndërmarrjen, e nxorri me humbje apo "me këpucë të kuqe" si i thotë Populli, kështu që u detyruan ta heqin, duke ia bërë peshqesh Institutit të Lartë Bujqësor në detyrën e Zv. Rektorit për anën shkencore.

Në këtë detyre që i dhanë, Syrjai nuk kishte haber fare kështu që në Institut nuk merrej dot me shkencë por merrej me llafe, me intriga e me emërim e shkarkim pedagogësh, pasi sa ishte gjallë Mehmet Shehu atij i ecte kali mbi urë, i kishte krahët e ngrohta e nuk i delte përpara njeri, as edhe Rektor Xhuveli që në atë kohë i dridheshin këmbët.

Megjithatë, në Institut, krahas procesit mësimor bëheshin edhe mjaft punë të vërteta shkencore dhe kishte shumë pedagogë e punonjës shkencorë të përgatitur, me grada e me tituj shkencorë. Kjo traditë ishte krijuar aty nga rektorët shkencëtarë që që kanë drejtuar atë Institut, që nga Piro Dodbiba, Gaqo Tashko e Mentor Përmeti. Disa nga këta pedagogë, me dashamirësi i propozuan Syrjait, se do të kishte dhe ndihmën e tyre në mënyrë që ai të përgatiste një temë studimi me nja 60-70 faqe, sa të merrte të paktën gradën Kandidat i Shkencave, për të justifikuar vendin e punës që mbante. Përgjigja që iu dha Syrjai ishte proverbiale dhe e njohur nga të gjithë punonjësit e Institutit: "Jo more, tha Syrjai, të bëhem kandidat shkencash tani në këtë moshë unë, që kur të vdes njerëzit të thonë: I shkreti, jetoi si budalla dhe vdiq i mençëm".

Tabelat e pagave për punonjësit e shkollave të larta në atë kohë përcaktonin se paga mujore e Rektorit ishte 11000-13000 kurse për Zv. rektorin 10500- 11500 lekë.

Xhuvelit si Rektor, me që ishte i ri dhe që vinte nga detyra me paga më të ulta, ia caktuan pagën minimale, pra 11000 lekë në muaj. Zv. Rektorit Syrja Hysi, meqenëse në detyrat e mëparëshme kishte patur rroga të larta, ia kishin caktuar pagën maksimale, dmth 11500 lekë në muaj. Pra Zv Rektori e kishte rrogën më të lartë se Rektori kështu që edhe nga kjo pikëpamje Syrjai ndjehej superior ndaj Xhuvelit dhe, kur i vinte rasti, nuk e harronte për ta përmendur edhe këtë fakt. Ja, përshembull, një kolegu im, shkrimtari Fatmir Mborja, ishte në atë kohë pedagog i Gjuhës Ruse në Institut. Mirëpo Fatmirin e kërkuan me punë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. U paraqit Fatmiri tek Rektor Xhuveli dhe i kërkoi që ta lejonte për tu larguar nga Instituti. Lufteri ia preu shkurt duke i thënë: "Nuk jemi dakord me transferimin tënd pasi na dëmtohet komponenti ushtarak i Institutit". Ky refuzim lidhej me atë se Fatmiri mbante detyrën Shef Shtabi Batalioni në Institut me që ai kishte përgatitje të mirë nga ana ushtarake pasi kishte studjuar disa vite në Bashkimin Sovjetik për oficer marine.

I thanë shokët Fatmirit: "Po ç'të duhej Lufteri ty o i uruar? Shko ne Syrjai tani se ai nuk pyet për Xhuvelin dhe bën gjithmonë të kundërtën e asaj që thotë Xhuveli". Dhe Fatmiri i shkoi Syrjait, ia qau hallin, por i tregoi edhe se kishte qenë tek Rektori por ai e kishte refuzuar.

Mirë mo djalë, i tha Syrjai, nuk ke bërë gabim që ke shkuar tek Lufteri; unë vërtet rrogën e kam më të lartë, por ai është Rektor.

Që atë ditë Dosja e Fatmirit u nis për në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe pas një jave Fatmiri filloi punën aty si Kryetar i Degës së Administratës.

Lufteri bëri sikur nuk e mori vesh që këtë punë e kishte bërë Syrja Hysi.

Në një rast tjetër, Pedagogu i talentuar i Gjeodezisë në Fakultetin e Pyjeve, Remzi Fushekati, kishte shpikur një instrument teodoliti me precizion të lartë për matjet topografike. Deshte të mbronte disertacionin me këtë shpikje Remziu dhe të merrte patentën e instrumentit, mirëpo nuk kishtë përkrahje. Në Fakultetin e tij i thoshin se " nuk është fusha jonë konstruktimi i instrumentave pasi ne jemi Fakultet Pyjesh e jo Fakultet Inxhinierie Mekanike". Ishte paraqitur Remziu edhe në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Tiranës, por edhe ata nuk e pranonin, duke i thënë se "juve jeni Gjeodet dhe nuk kini punë me inxhinierinë Mekanike".

Atëhere Remziu, megjithëse e dinte që Syrjai nuk i honepste njerëzit e shkencës, u detyrua që hallin t'ia paraqiste edhe atij, pasi po të deshte ai ndërmjetësonte edhe në Fakultetin e Pyjeve por edhe në atë të Inxhinierisë Mekanike që problemi të merrte zgjidhje. E gjeti një ditë Syrjain që po dilte nga Kafja e Institutit dhe kish marrë shkallët përpjetë drejt Zyrës së vet, (se në Kafe e kalonte gjysmën e ditës Syrjai), dhe i kërkoi që ta priste në Zyrë për një problem.

Po hë, i tha Syrjai, ja ma thuaj këtu, si e ke hallin?

Filloi t'ia shpjegojë shkurtimisht Remziu problemin që kishte.

Syrjai, nuk pati durimin ta dëgjonte deri në fund dhe e ndërpreu duke i thënë: "Pa qendro pak këtu ku je ti Remzi" dhe vetë u ngjit edhe nja 4-5 shkallë më lart. Pastaj e shikoi Remziun nga lart dhe me qesëndi i tha: E shikon mor djalë se ku jam unë e ku je ti? Ti je atje poshtë e unë jam këtu lart. Që të arrish këtu tek unë duhet të ngjitësh tërë këto shkallë. Pra këtë problemin tënd duhet ta diskutosh më parë me Shefin e Katedrës tënde, pastaj me Zv. Dekanin e Fakultetit tënd, më tej me Dekanin tënd, pastaj duhet ta bisedosh edhe me nja dy ndihmësit e mij të Zyrës, e  në fund mund të vish tek unë. Hajt tungjatjeta, i tha, dhe nuk i dha asnjë përgjigje.

.....

E kështu, në raportet që nuk merrej vesh se kush ishte i pari e kush ishte i dyti, vazhdoi për disa vite bashkëjetesa e Xhuvelit me Syrjain. Por vdekja e parakohëshme, tragjike e Kryeministrit Mehmet Shehu e përmbysi krejt situatën. Syrjait tani iu prenë krahët dhe mbeti krejt i pafuqishëm në duart e Xhuvelit. Xhuveli ishte hakmarrës i pamëshirshëm dhe filloi ta spostojë e ta injorojë krejt Syrja Hysin deri sa më në fund ia përgatiti dokumentat dhe e nxorri në pension. Për ta tallur edhe më shumë, Lufteri i propozoi që me rastin e daljes në pension t'i bënin një mbrëmje e ta përcillnin me ceremoni.

"Jo more, i tha Syrjai, dashke ta bësh qejfin deri në fund ti, duke hedhur valle e duke kërcyer që po më përcjell mua ë"? Dhe nuk i vajti në mbrëmje, iku nga Instituti pa u takuar e pa u përshëndetur me asnjë njeri.

Pelivan Xhuveli tani mori superxhiro, në revanin e tij nuk kishte më pengesa që ta ndalnin dhe historia e mëvonëshme e tij njihet nga të gjithë. I gatshëm për t'i shërbyer çdo zotërie, Xhuveli ia mori mendjen edhe Ramiz Alisë dhe ai e bëri Ministër të Bujqësisë. Pas vitit 1990 kishte ardhur tamam koha e artë për xhuvelërinë, shpejt e shpejt ai ia mori Mëno Gjolekës Partinë Agrare, i shtoi asaj një mbiemër "Ambientaliste" dhe iu qep si këpushë e si rodhe Qeverisë. Herë Ministër i Ambientit e herë i Bujqësisë, Xhuveli nuk iu nda më Qeverisë, kërcente sa në të djathtë aq në të majtë sa që Shqipërisë iu bë baltë.

Denver, qershor 2016.