| E marte, 31.05.2016, 07:29 PM |
Jaçja
dhe Metani
Tregim
Nga Përparim Hysi
As që do ta kisha shkruar këtë tregim, sikur sot, krejt befasisht, tek varesha nga rrruga "Myslim Shyri" për në shtëpi, të mos kisha parë Jaçen. Epo kanë shkuar mbi 50-vjet që nuk e kisha parë, por, sidoqoftë, atë, Jaçen, do ta njihja edhe në mes një turme me njerëz. Sado që është plakur ( tani po shkon drejt nëntëdhjetë vjetëve), unë do ta njihja vetëm nga të folurit ,se, kur flet ai, duket sikur sokëllin apo sikur ka frikë se ai, me të cilin flet, i ka të zënë ata të shkretë veshë me dyllë. E ka patur këtë huq Jaçja qëkur ka qenë djalë në vaktit dhe, në ndodhi kështu me Jaçen, ky nuk qe faji i tij, por i një sëmundjeje që kaloi në fëmijëri dhe e la me cen. Dhe jo cen sido kudo, por e goditi në"taketuke", kur thoshte ndjesëpastë, Nazmiu, i ati i tij. Që atëherë për Jaçen, thoshin, se është eksiq nga mendja. Kështu nga "kalliri"( nga trupi, pra), nuk kishe se ç'i thoshe. Qe bërë rrumbullak dhe me ca faqe të mbushura që, po të guxoje që t'i bije njërës, me vrap dhe tjetrës, se ndryshe kjo, tjetra, do pëllciste. Qe apo nuk qe në rregull nga "taketukja" Jaçja, ky cen nuk e la që mos rritej si gjithë moshatarët dhe, pse ndryshe prej tyre, xhëku i priste drutë pak shkurt.
Së pari, i thoshte gjërat copë dhe nuk e vriste fare mendjen (taketuken, pra), në iks fjalë duhej thënë apo, ndonjëherë, lipsej dhe të kafshoje gjuhën. Për këtë as të falte apo kur thoshin në fshat: Jaçja i ka sahanët pa kapak. Pa erdhi një ditë dhe Jaçen e morën ushtar. E çuan tutje nga Korça dhe se si e shtyu ushtrinë, Jaçja, as ne dimë gjë, por dhe ai sos se molloiste ndonjë bëmë nga ato të ushtrisë. Por fare, ashtu dy hunj e purtekë. nuk e kaloi jo,se u hap fjala se një ditë, tek ishin shtruar në sofër për të ngrënë drekë si familje (se në sofër hanin në fshat aso kohe), Jaçja sokëlliu:- Çohu!!! Ky tërsëllëm, ardhur si rrufe që bie për së kthjellti, i bëri që familjarëve t'u shpëtonin lugët nga duarët dhe, të alarmuar, po prisnin më të keqen (se kot nuk qe eksiq nga taketukja), por Jaçja u shpjegua:- Ja, kështu, na bënin në ushtri! - Ah, të goditët mu në kokë, më keq seç të ka goditur!- mallkoi i ati. I ati, se e ëma kish vdekur mote e mote larg dhe nuk arriti ta rriste, Jaçen.
* * *
U rrit Jaçja. Bëri ushtrinë dhe tani, pas ushtrisë, Nazmiu, i ati, provoi që t'i blinte mendjen. Ashtu siç ishin ulur në konakun e ndënjes si familje, ashtu si pak me terezi (se mos sokëllinte, de!), i thotë: - Ore Jaçe, ti ushtrinë e bëre, tani sikur të ka ardhur koha që të gjejmë dhe ndonjë nuse? E hapi kështu muhabetin plaku Nazmi dhe priste kur Jaçja, siç ndoh me gjithë djemurinë në fshat, të zërë e të vërvis pleshta, si" dale , baba, se është shpejt" e ku të di unë. Mirë, o të keqen, mirë.Gjete kishë se ku mund të falesh? Sa dëgjoi propzimin e të atit, Jaçja, sokëlliu:- Baba, nusen e begenis unë edhe sikur çupë të jetë!!! Familjarët, sa dëgjuan përgjigjen e Jaçes, ranë përmbys.
- Epo qenke keq nga mideja, o eksiq,- foli jo pa shpoti i ati.
Fjala, po doli nga dhëmballa, merr njëzet e shtatë mëhalla. Ndërsa "sokëllima" e Jaçes erdhi deri tek ne, Nazmiu, i ati, bastunin në dorë dhe shkoi për të gjetur nuse. Për mos e zgjatur, nusja u gjet dhe,sakaq, u bë dasma. Nusen e quanin Selime. Epo u martuan dhe të trashëgohen!
* * *
Fshati ynë qe terrenthyer dhe sikur të provoje që ta hidhje në hartë, duhet të ishe topograf i zoti. Një fshat i vogël (nisur nga banorët) me shumë tokë dhe, kjo sasi toke, sikur ish marrë hua si simbol ku përfshihej, pak fushë; goxha kodra të buta; një kodër goxha e lartë që ndante një pjesë të fshatit dysh; një përrua gjysëm i thatë që gjallërohej vetëm në dimër; nja dy-tri puse dhe, veç tyre, nja dy burime. Në i bëj pak përshkrim si gjeografik fshatit, e bëj enkas në funksion të tregimit tim. Ndërsa Jaçja e familja e tij ishin në anën e majtë të kodrës së madhe, Metani qe në anën e kundërt. Po Metani nga na doli? Edhe Metani qe bashkëfshatar yni. Qe jetim. Nuk kish as babë dhe as nënë. Rronte vetëm dhe qe i vetmi në fshat që nuk kish shtëpi. Rronte në një kasolle me kashtë. Kisha hyrë shpesh tek ajo kasolle-shtëpi dhe çuditesha se qe aq e ngushtë,sa mezi nxinte dy njerëz. Se si jetonte Metani atje, vetëm ai e di. Por Metani, sado djalë në vakt dhe sado rronte vetëm, punonte si argat me mëditje në shtëpitë e fshatit dhe qe i ndershëm. Rasstiste, kur vinte në shtëpinë tonë dhe na gjente duke ngrënë mëngjes apo drekë, dhe gjyshja ime aq e mirë, me vrap e zinte në qafë si ta kishte njerinë e saj dhe tentonte ta ulte në sofër me ne. Tentonte, por qe e kotë. Gjithmonë këmbëngulte: sapo kam ngrënë! Dhe jo vetëm gjyshja, por të gjithë e dinim që ishte esëll. Eh, ku ta gjesh sot një si Metani! Për festa, si: ditëvere, Novruz apo për bajramllëk isha unë që me porosi të gjyshes, i ngarkuar me gatime, mësyja tek kasollja e Metanit. Dhe ai më jepte njëmijë falnderime për gjyshen. Jo. Jo. Jam i bindur se Metanit nuk i gjendej shoku për ndershmëri.
* * *
Nuk kish shkuar shumë kohë nga martesa e Jaçes me Selimenë, kur në fshat plasi një sherr i madh. Kurrë nuk kish patur sherre ndër ne. As nga gratë, por dhe as nga burrat. Mirëpo jo vetëm që ish bërë sherr, por "sherrxhinjtë" kishin qenë Jaçja dhe Metani. Po mirë Jaçja se ashtu i priste dhogat,- tha gjyshja,- por ky ditëziu ynë ( e quante tonin se e kish kasollen më afër nesh,de), Metani, si u pleks në sherr.
Siç u mor vesh, sherrin e kish nisur Jaçja. Ky, birbollani, na kish marr një kopaçe në dorë, kish kapërcyer atë "kodrën e madhe" dhe jo vetëm kish dhënë ballë para kasolles së Metanit, por si eksiq nga "taketukja" kish sokëllitur:
- Dil se po të pret Jaçja!
Se ç'ke bërë, ta ndreq kopaçja!
Epo pikë e zezë. Të jesh mirë e bukur në punëzën tënde dhe të të vjen tjetri e të zë frymën. Metani vërtet në kasolle rronte, por nuk është se qe frikacak dhe ia hanin kafshatën nga dora. Doli dhe kur pa që tjetri iu vërvit që t'i binte sa t'i hante krahu, iu shmang goditjes dhe, kur pa që tjetri doli huq, përfitoi dhe jo vetëm i rrëmbeu kopaçen nga dora, por ia bëri Jaçes kurrizin më të butë se barkun. I dha dhe dy shqelma dje Jaçja vajti për lesh dhe u kthye i qethur. Sherrin e pa Alimeja e Shefitit dhe, pasi vuri kujen, siç bëjnë gratë kur shohin burrat që zihen, ia numëroi një për një të shoqit. Ky, Shefiti, ia tregoi plakut të urtë e të zgjuar, Ismet Koritës. Ismeti e pa tek kthehej Jaçja si qen i rrahur nga ky sherr i kot dhe, për ta shpotitur apo më mirë për ta rrahur me pambuk siç dinte ai dhe asnjë tjetër, i thirri Jaçes.
-Pa qasu pak këtu. Jaçja u qas dhe që atje tej, i dukeshin "plagët e trimërisë" që kish marr në sherr.
- Po si vajte dhe "rrahe" djalin e botës, kot së koti?- pyeti provokueshmë Ismeti.
Dhe Jaçja si të gjithë trimat që ngrefosen kot, flakë për flakë u përgjigj:
- E rraha po. Ia bëra kurrizin më të butë se barku!!!
- Por kë rrahe, more ditëzi e punëzi, po ai të bëri copë, mor të rënçin krahët fije-fije!
Dhe iku Jaçja dhe më, ca kohë, nuk doli në shesh.
* * *
Kodra na ndante, por burimi qe buzë përroi dhe aty graria mbushnin ujë. Metani qe vet burrë dhe vet grua. I detyruar dhe ai shkonte tek burimi. Linte të iknin gratë dhe pastaj mbushte shtëmbën e tij dhe një gjym. Atje kish parë dhe Selimenë e Jaçes, por as që i kish shtirë çikë. Se nuk qe i tillë Metani. Por Jaçja e kish parë që, ndërsa Selimeja mbushte enët, Metani priste ca çape larg. Ëhë,- i dha dum,- Jaçja ma ka hak një kopaçe ky, birbollani që m'i rri sime shoqe mbi kokë. Ndaj dhe gatoi gjithë atë sherr. Kur u mor vesh beteja e "trimërisë" së Jaçes, Selimeja, u bë hundë e buzë dhe vendosi të hakmerrej.
As një muaj pas atij sherri, në fshat sikur ra bomba! Selimeja i ka lënë shëndenë Jaçes dhe ka ikur me Metanin. Se ku kanë shkuar: hajde zërë lepurin e t'i mbathësh opingat. Ikën dhe më nuk u kthyen në fshat...