| E diele, 29.05.2016, 01:00 PM |
Sekreti
i lavdisë
Ëndërron të bëhesh i famshëm?
Sekretin, a e di?
Qiriri bën dritë,
duke djegur veten e tij.
Mollët apo shporta?
Nisa të heq nga shporta mollët e kalbura,
por ato kush e di pse s`kishin të mbaruar,
kur më në fund gjeta shkakun, u befasova,
s`e kishin fajin mollët, qe shporta e infektuar.
Alarm!
Gardhin e parkut kapërceu një dre,
i lirë me erën nisi të vrapojë,
në pyje, livadhe e... shina treni,
... ekspresi i linjës, s`mundi të frenojë.
U shkrua në gazeta, u komentua në televizione,
intervista pa reshtur, debate pa pushim,
dreri që aksidentalisht e shtypi treni,
për një populli të tërë u kthye në shqetësim. 1).
1).Subjekti i poezisë është frymëzuar nga një episod i ngjashëm në Suedi
Ullinjtë e vjetër
Enden nëpër shekuj,
të rrudhur, të heshtur,
çdo njëri prej tyre,
një legjendë e vjetër.
Dea e Butrintit
Kur hyjnesha Dea 1). u kthye në vendlindje,
portën Skea 2). hapi Butrinti me gjëmim,
gurët antikë në themele u drodhën nga malli,
statujat kthyen kokat, iu përkulën me nderim.
1).Perëndesha e Butrintit (Dea), kokë mermeri burri në një shtat gruaje 2,5 m të lartë, është zbuluar në vitin 1928, gjatë gërmimeve arkeologjike të misionit italian në Butrint. Vepra me vlera të rralla u grabit dhe u dërgua në Itali. U rikthye në vitin 1981.
2).Porta u zbulua nga Misioni Arkeologjik Italian në vitet 20 dhe 30. Arkeologu që bëri gërmimet, Luixhi Maria Ugolini, e quajti porta Skea, si porta e madhe në Trojë, kopje të së cilës thuhej se e kishte parë Enea në Butrint.
Xhordano Bruno1).
Duke e djegur,
padashur e shndërruan në flakadan,
qielli e mori në kraharorin e tij,
yjet e vunë në ballë.
1). Xhordano Bruno (1548-1600): filozof, prift, kozmolog dhe okultist italian. U dogj për së gjalli në turrën e druve nga Inkuizicioni në Romë në vitin 1600. Pikëpamjet e Brunos mbështeteshin në mënyrë të veçantë në teorinë heliocentrike të N. Kopernikut. “Gjyqet” që bënte në Mesjetë inkuizicioni, ishin si “gjyqet” e xhihadistëve sot.
Vargjet që shkrova për ty
Le të mbeten vargjet,
në bllokun tim të thjeshtë,
s`të kam falur për tradhtinë,
por bllokun s`mund ta hedh.
-Hidhe bllokun tej,-
më tha një ditë mendja.
-Mua, ç`do të më bësh?-
më pyeti qetësisht zemra.
Nëse e ke shkruar me zemër
Vogëlushja diku ngatërroi vjershat,
që sapo i kishte shkruar,
vente dhe vinte në dhoma,
i kërkonte e nervozuar.
Mos u mërzit, o bij,
i tha nëna ëmbël,
nuk t`humbasin vjershat,
po t`i kesh shkruar me zemër.
Është jeta jonë
Është jeta jonë,
s`kemi pse e shkelim,
s`ka thënë kot “i pari”:
“Korrim çfarë mbjellim.”
Gri
Jashtë derës,
kishte mbërritur vjeshta,
punëtorët komunal pastronin rrugët,
nga gjethet e vyshkura, të zverdhura...