Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Dy fjalë për mikun tim, Eqerem Shehu

| E enjte, 26.05.2016, 07:50 PM |


Dy fjalë për mikun tim, Eqerem Shehu

Nga Reshat Kripa

Dy ditë më parë u nda nga jeta miku dhe vëllai ynë i paharruar, Eqerem Shehu, anëtar i Kryesisë Kombëtare të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë.  Ishe fare i ri kur u detyrua të përballesh me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ai nuk u thye. Ato dallgë i përballoi me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një  familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Eqeremi  i  mbijetoi  asaj  kohe  barbare, i  mbijetoi  sepse    venat  e tij rridhte gjak fisniku. Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.

Biri i Zenel Shehut, komisarit të batalionit partizan “Baba Abaz”, që në Kongrasin e Përmetit pati kurajon t’i kundërvihej diktatorit Enver Hoxha duke i thënë:

- Ne morëm armët dhe dolëm në mal dhe vumë në dispozicion të luftës pasurinë dhe jetën tonë e të familjes, për të hequr spatat e fashizmit nga flamuri ynë dhe jo për të vendosur në vend të tij simbolin sllav të yllit të kuq.

Pas fjalës së tij Tahir Kadareja e tërhoqi mënjanë dhe i tha:

-Çfarë bëre kështu  more  Zenel?  Nuk  luftohet kështu si ti, se të mer plumbi ose në ballë ose prapa koke.

Tahir Kadareja e njihte strategjinë e hienave.

Këto fjalë diktatori nuk ia harroi kurrë. Më 14 janar 1948 Zenel Shehu së bashku me komandantin e batalionit ballist “Tafil Buzi“,  Syrja Vasjari dhe shenjtorët At Gjergj Suli, Baba Ali Tomori dhe Baba Shefqeti Koshtani, me urdherin direkt te tij, ekzekutohen në bazë të vendimit të marrë më 17 nëntor 1947.

Kështu Eqëeremit iu desh të priste gati një gjysmë shekulli deri sa të vinte dita e përmbysjes së diktaturës komuniste. Qysh në ditët e para u hodh familjarisht përkrah së djathtës shqiptare duke luftuar për çrrënjosjen e sistemit totalitar. Por, përsëri e pagoi shtrenjtë. Në shtator 1998, një dorë e zezë komuniste qëlloi për vdekje vëllanë e tij, Adem Shehun që së bashku me Skënder Kalenjën dhe Isuf Ukën u bënë martirët e asaj dite të zezë terrori Megjithatë, përsëri ai ishte në ballë të luftës për një Shqipëri demokratike dhe europiane.\

Së fundi më lejoni të tregoj një histori intime, lidhur me këtë ngjarje:

Po shkonim për në Libohovë për të kremtuar 80 vjetorin e lindjes së mikut tonë Tomor Alikos. Isha me mikun tim Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli Fejzit, që drejtonte makinën:

- Ndale pak të lutem!

Makina ndaloi dhe ne zbritëm.

- Këtu është pushkatuar babai me shokët e tij, - tha Eqeremi

Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë sepse më kujtoi legjendën e Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të “armiqve të popullit“.

- Fejzi, bjeri bories! – foli përsëri Eqeremi.

Dhe boria ushtoi në ato brigje si kushtrim

Pas dy muajsh ai vendosi të bënte varrin e së ëmës, që kishte vdekur një vit më parë. Shkoi përsëri në vendin ku ishte pushkatuar i ati, mori dy grushta dhe, i futi në një qeskë dhe i vendosi në varrin së ëmës të pambuluar me pllaka mermeri. Mbi pllakën e atij vari tashmë është mbishkrimi:

Zenel dhe Ervehe Shehu

Dhe më poshtë epitafi:

Të kërkuam në tokë dhe  s’të  gjetëm. Engjëjt  na thanë se  je  lart    qiell  tek  i  madhi  Zot.  Aty u  preftë shpirti juaj!

Eqerem Shehu i përkiste asaj plejade që kishte një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonte i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tij. Donte të jetonte në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetonte në një epokë të gabuar. Jetote në atë epokë kur nuk mund të shprehte dot ato që ëndërronte, ato që i buronin nga zemra e madhe. Jetonte në atë epokë kur nuk mund të shprehte mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër. Jetonte në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Ne i falëm tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që  i  ra përsipër!