| E hene, 23.05.2016, 09:04 PM |
MEHMET AGA BIÇAKÇIU PËRBALLË
NJË PROÇESI GJYQËSOR NË VITIN 1598
DHE FERMANIT TË SULLTAN MURATI IV, NË VITIN 1627.
Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA
Familja fisnike Biçaku e Elbasanit, nga shekulli XVI, deri në gjysmën e parë të shekullit XX, u shqua në jetën politike, ushtarake, ekonomike, kulturore dhe shoqerore të atyre kohëve të vështira. Disa pjestarë të kësaj familje, ndonëse për kohë të gjatë ishin në shërbim të Perandorisë Osmane, ku me aftësi dhe merita fituan tituj, grada e ndere, në fakt nuk e braktisën Elbasanin, por punuan për vendlindjen, duke i kulmuar kontributet me patriotin Aqif Pashe Elbasani, i cili krah Ismail Bej Vlorës, u shqua në organizmin dhe drejtimin e Kryengritjes së Përgjithëshme, që u konkretizua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor 1912.
Ndër pinjollët e kësaj familje, në fund të shekullit XVI dhe fillim të shekullit XVII, shquhet dhe Mehmeti II Biçakçiu. Ishte 12 vjeç kur i vdiq i ati Isuf Aga Biçakçiu dhe me që ishte i mitur, Sharia e Elbasanit vendosi tutor të tij, Balli Beun e Manastirit, i cili ndihmoi në administrimin e pronave të mëdha të Biçakçijeve, që shtriheshin nga Elbasani, deri në Çermë të Lushnjës.
Mehmeti II u arsimua në qytetin e lindjes dhe shpejt u impenjua në administrimin e pronave të gjëra të familjes dhe në administratën e Kazasë të Elbasanit.
Mehmeti Aga u martua me Rabihan Vlora, e bija e Sinan Pashë Vlorës, sanxhakbeu i Vlorës.
Gjatë viteve që ishte funksionar në kazanë e Elbasanit, Mehmet Aga Biçaku ndërtoi ujësjellësin e qytetit, vepër e rëndësishme, që ka funksionuar deri në vitet 60’ të shekullit XX.
Djali i madh i Mehmetit, Hasan Beu shërbente Spahi në Sanxhakun e Elbasanit.
Si komandant i repartit të kavalerisës të garnizonit turk në Sanxhakun e Elbasanit, Hasan Beu lëvizte vazhdimisht nëpër nahijet e Sanxhakut dhe gjatë ekspeditave në Val të Martaneshit, njohu Martën, një vajzë e krishterë, të cilën e pëlqeu për bukurinë dhe zgjuarsinë.
Familja e Biçakëve të Elbasanit, kishte lidhje të vjetra miqësie me valatosët, madje kjo lidhje miqësie, nuk u trondit asnjëherë dhe nga viti në vit u forcua dhe me krushqinë, por më shumë u shpreh me Aqif Pashë Biçakun, të cilin malësorët martaneshas e mbështetën masivisht gjatë viteve të kryengritjes së përgjithëshme për Pavarësinë e Shqipërisë, ashtu si dhe në vitet e më pasme.
Njohja dhe idili i dashurisë me Martën, u konkretizua me fejesën dhe më pas, Hasan Beu u martua me këtë vajzë të bukur malësore të besimit të krishterë (raja).
Nuk dihet nga cila familje ishte Marta, nuk dihet çfarë ecurie pati jeta e tyre bashkshortore, sa vite jetuan së bashku, në se kishin apo jo fëmijë, por dimë se Marta nuk u konvertua në myslimane, por vazhdonte të kryente rregullisht ritet e krishtera dhe të frekuentonte kishën e Shen Thanasit. Ndofta kjo “divergjencë” fetare mes Hasan Beut dhe Martës, i shembi kufijt e dashurisë, sa ndikoi të mos funksiononte martesa, por nuk përjashtohet dhe ndikimi i rrethanave shoqërore të kohës, sidomos presioni i autoriteteve turke dhe i klerit mysliman, që në ato vite, e kishin intensifikuar politikën islame të proselitizmit.
Nuk dihen motivet e vërteta të prishjes së martesës, por njohim vendimin e gjykatës për divorcin.
Në vjeshtën e vitit 1598 (muaji i fundit Dhul-Hixhah i vitit 1014 i Hixhrit), Mehmet Aga Biçakçiu dhe i biri Hasan Bej Biçakçiu, ishin në gjykatën e Elbasanit, për ndarjen e Hasanit me Martën.
Proçesi gjyqësor që u zhvillua në Elbasan në vitin 1598, mbyllet me vendimin e gjykatës, dokument që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit:“Akt çkurorëzimi i Biçakçiut Hasan, me Martën”, i shkruar në gjuhë osmanishte, Dosja Nr 1, vitet 1498 – 1933, kapitulli I, faqe 126.
Në këtë dokument, përshkruhet proçedura e ndjekur dhe sentenca përfundimtare, e shpallur nga Kadiu, në përfundim të seancës gjyqësore, ku shkruhet:
“Biçakçiu Mehmet, erdhi në sallën e gjyqit dhe deklaroi: I quajturi Biçak Hasan, që është njeriu i im, e ndanë gruan e tij Rajen, të quajtur Marta, por i kërkoj pleqësisë, të degjoi dëshmitarët e mi dhe të regjistrohet ndarja.
Rreth kësaj kërkese, spahiu Hasan Biçakçiu deklaroi: Ne të dy, jemi dakort të ndahemi.
Dëshmojmë se i sipërpermenduri Hasan Biçaku, e ndanë bashkëshorten e tij Marta.
Me që është dëshirë e tyre e përbashkët, pranohet ndarja e Martës.
Ky vendim u shënua në regjistrin përkatës në Hanën e Dhul Hixhas, viti 1014”.
(AQSH: Kapitulli 1498 – 1933, faqe 126).
Si kuptohet, në shekullin e XVI, ndarja e gruas nga burri, kryhej me proçes gjyqësor, i kryesuar nga Kadiu, i cili vinte nga rradhët e ulemave dhe përfaqësonte drejtësinë në emër të sulltanit.
Në regjistrat e Sharijes të Elbasanit, shënoheshin të gjitha veprimtaritë juridike të së drejtës civile, familjare dhe penale, natyrisht regjistroheshin dhe divorcet, por pak nga këto dokumenta, kanë mbetur në arkivat tona dhe një prej tyre është akti i divorcit i Hasan Bej Biçakut me Martën.
Nga ky akt gjyqësor, rezulton se proçedura dhe sentenca e këtij proçesi bazohej në Sharia, pra në kompleksin e normave fetare, juridike dhe sociale, të bazuar në doktrinat e Kuranit, të cilat në tërësi, shprehnin të drejtën private, penale, civile, familjare, proçeduriale dhe normat fiskale.
Ky legjislacion kompleks i aprovuar nga Sulltan Sulejmani I i Madhërishmi - Kanuniu, ishte aktiv dhe veproi për shumë shekuj në Perandorinë Osmane, si kuptohet zbatohej dhe në trevat shqiptare. Duke e analizuar këtë akt gjyqesor, rezultojnë disa aspekte të paqarta, që vlen t’i diskutojmë.
Në aktin e gjykatës theksohet: “Biçakçiu Mehmet, u paraqit në zyrën e Sharies të Elbasanit, për ndarjen e Hasan Biçakçiut, me gruan e tij raja (e krishtera) Marta”.
Lind pyetja: Pse duhej të paraqitej Mehmet Aga Biçakçiu me kërkesën për divorc dhe jo Hasani, bashkëshorti i Martës? Ndofta Mehmet Aga, nuk miratonte qëndrimin e Martës, që vazhdonte të praktikonte ritet fetare të krishtera, ose si funksinar i Elbasanit, përfitonte të përdorte autoritetin e tij, për të imponuar një vendim të shpejtë të ndarjes të Hasanit me Martën.
Në aktin gjyqesor theksohet se Mehmet Aga Biçakçiu dëshmon: “I quajturi Biçaku Hasan, që është njeriu i im, e ndanë gruan e tij raja, të quajtur Marta...”
Rreth kësaj dëshmie lind pyetja: Pse thuhet “...është njeriu im” dhe nuk deklaron është djali im? Ndofta është një gabim i shkruesit të aktit, por nuk përjashtohet fakti se mund të jetë dhe gabim në përkthim, pasi në turqishten e vjetër fjala “evlati”, ka përdorim ekuivalent me “djali im”.
Sipas ligjeve të Sharies, në gjyq duhej të paraqitej çifti, pra burri dhe gruaja – Hasani dhe Marta, ndërsa rezulton se u prezantuan Mehmet Aga Biçakçiu dhe i biri Hasan Bej Biçakçiu, të shoqëruar nga dëshmitarët, madje Mehmet Biçakçiu i kërkon Kadiut të degjohen dhe dëshmitarët.
Pse Marta nuk ishte e pranishem gjatë proçesit gjyqësor, pse nuk u thirr të dëshmonte?
Ndonëse nuk shkruhen cilat ishin argumentat, apo natyra e mosmarrëveshjeve, apo akuzat, që diktuan ndarjen e Hasan Beut me Martën, nuk pasqyrohen as argumentat e dëshmitarëve, por të tërheq vemendjen fakti se Mehmet Aga, Hasan Beu dhe dëshmitarët e tyre, shprehen për ndarje konsensuale, pra Hasani dhe Marta e pranojnë prishjen e kurorës bashkëshortore.
Ky aspekt shprehet në sentencën: “Me që është dëshirë e përbashkët, pranohet ndarja e Martës”.
Një enigëm tjetër rreth këtij proçesi është se nuk flitet per praninea e Martes, e në se nuk ishte në sallën e gjyqit, kush e përfaqësonte, a kishte dëshmitarët e saj në këtë proçes?
Akti gjyqësor nuk jep informacione për Martën dhe është e kuptueshme për pozicionin inferior, që kishte gruaja në ato vite mesjete, andaj nuk mund të pritet të flitej e të shkruhej më shumë.
Ndofta ndarja ishte konkretizuar paraprakisht, pra ishte kryer “de facto” dhe Marta ishte larguar në vendlindjen e saj dhe ky proçes, zhvillohej vetëm për të ligjëruar (de juris) ndarjen e Hasanit me Martën. Ky është varianti më bindës rreth këtyre inkonveniencave proçedurale dhe mungesës të informacioneve për këtë divorc.
Këto paqartësi e prezantojnë plot mistere dhe enigma këtë ngjarje, por nga ana tjetër, të zgjojnë dhe një ndjenjë krenarie për kulturën tolerante, që ekzistonte ndër shqiptaret në mesjetën e errët nën pushtimin e egër otoman, që imponoi diskreminim dhe nënshtrimin e grave.
Pas kësaj ngjarje të vitit 1598, Mehmet Aga Biçakçiu përmendet në dy fermane të Sulltanit, ku shpallej dënimi i tij me vdekje, si një ndër organizatorët e revoltës të jeniçereve.
Në vitet e para të shekullit XVII, Mehmet Aga Biçakçiun e thirrën në Stamboll, ku e ngarkuan me detyrën komandant prapavije i reparteve të jeniçerëve.
Në vitin 1623, Mehmet Aga Biçakçiu mori pjesë, madje ishte një ndër organizatorët e rrebelimi të jeniçerëve kundër Sulltan Muratit IV. Kjo revolte dështoi e për t’i shpëtuar ndëshkimeve dhe burgut, u arratis së bashku me disa oficera të tjerë, mes tyre dhe miku i tij i krishterë Koço Zadeja.
Pas shumë peripecishë, Mehmet Aga u kthye në Elbasan dhe u dorëzua në besë te miku i familjes Shishko Ahmet Beu, i cili e strehoi dhe e mori në mbrojtje, madje për këtë vendim të guximshëm, pati mbështetje të madhe dhe nga populli i Elbasanit. Në muajt e verës shkonte në bjeshkët e Martaneshit, ku malesorët e trajtonin me nderime dhe e mbronin nga xhandarmeria turke.
Sulltan Murati IV, i akuzoi organizatoret për tradhëti ndaj Perandorisë dhe i dënoi me vdekje. Këtë vendim e shpalli në fermanin e vitit 1623, që ia dërgoi për zbatim Ali Pashë Vlorës sanxhakbeut te Elbasanit. Ky urdheri i Sulltanit nuk u zbatua nga sanxhakbeu.
Si tregonte Ibrahim Bej Biçaku, rreth kësaj ngjarje të Mehmet Aga Biçakçiut dhe përndjekjeve të vazhdueshme të tij nga turqit, Lef Nosi dispononte dokumenta si dhe fermanin e parë të Sulltanit, por për fatin e keq nuk dihet ku kanë përfunduar.
Sulltan Murati IV, i egërsuar për mos zbatimin e urdhërit, në vitin 1627 shpalli fermanin e dytë, që ia dërgoi Ali Pashë Vlorës Sanxhakbeut të Elbasanit.
Origjinali i fermanit ndodhet në arkivin e Dervish Bej Biçakçiut në Elbasan. Dokumenti Nr. 150. Ngjarje e Mehmet Aga Biçakçiut, është përshkruar saktësisht nga Eqrem Bej Vlora dhe Baronesha Marie Von Godin, në librin “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri".
Në vazhdim po prezantoj tekstin e Fermanit të dytë të vitit 1627 të Sulltan Murati IV, për dënimin me vdekje të Mehmet Biçakçiut:
“O ti më i larti i Emirëve të mi të ndritur, më i zgjedhuri ndër të mëdhenjtë e perandorisë sime, mbartës i vetive më të pëlqyeshme për mua, mjeshtër i ligjërimeve të shkëlqyeshme, Sanxhakbeu im i fuqishëm dhe besnik i Elbasanit, Ali, që Allahu i plotëfuqishëm ta shoftë lavdinë, t’i plotësoftë dëshirat, të ruajtë pushtetin dhe ju, krerët më të shquar, ju kadilerët e sanxhakut tim të Elbasanit, zoti ua ruajtë dijet dhe emrin, dhe ju, dijetarët e drejtësisë dhe të urtët, që zoti ua ruajtë virtytet, dhe ju, të nderuarit e popullit, ju agallaret dhe jeniçerët e mi besnikë, dhe ju kështjellarë dhe mbrojtës të kështjellave të mija, që Zoti ua shtoftë zellin dhe vëmendjen: kur kjo letër e shkruar me dorën time të lartë të arrijë tek ju, mësoni se me një ferman të mëparshëm perandorak, u kisha urdhëruar ta quanit si detyrën tuaj më të rëndësishme asgjësimin përfundimtar të tradhë-tarit të Zotit dhe perandorisë , Mehemet Biçakoglu, që shpirti i tij i qelbur të dëbohej sa më shpejt nga kjo jetë dhe trupi i tj të zhdukej nga kjo tokë.
Por për ta sabotuar këtë urdhër tim të pakundërshtueshëm, përrreth tradharit u mblodhën dhe guxuan të thonë se fermani im i shenjtë nuk ishte i vërtetë, por i rremë. Këta gënjeshtarë dinakë dhe rebelë janë Sulejman Bejzade (i biri i beut), Ahmet Shishko (trashaluqi), Ibrahim Solomon-zade (i biri i Solomonit, çifuti të kthyer), Hysen dhe Kurt Imami dhe shokët e tyre. Për tu dhënë fund njëherë e mirë të gjitha sajimeve të këtyre tradhëtarëve dhe yshtësve, po ju dërgoj këtë letër të dytë dhe urdhëroj: Pa humbur kohë duke u menduar gjatë dhe pa lejuar t’u trembin me llafe të kota, t’i kapni nxitësit e trazirave të kësaj lëvizje kriminale dhe t’i varni menjëherë si shembull tmerrues për të gjithë njerëzit e tjerë të pabindur.
Ndërsa për të arrestuar tradhëtarin e gjithë këtyre trubullirave, Mehmet Biçakoglu dhe për ta sjellë atë në oborrin tim të ndritur, kam ngarkuar dhe derguar tek ju Kapuxhibashin Hysenin (oficer i gardes se pallatit), i denjë për të gjitha nderet dhe për besimin tuaj të plotë , që zoti ia shpërbleftë mundimin dhe ai do të jetë zbatuesi i vullnetit tim të lartë.
Sapo vullneti im i ndritur të bëhet i ditur, urdhëroj : ti mëkëmbësi im, ju paria e vendit, ju dijetarë të ligjit, mblidhni ushtarët dhe popullin dhe kapni dhe varni ata që guxuan e thanë se Fermani im i parë ishte i rremë.
Urdhëroj që me gjithë mjetet që keni, ta kapni tradhëtarin Biçakoglu e t’ia dorëzoni kapuxhibashit tim......Sepse dijeni, se po vepruat ndryshe, u betohem mbi shpirtin e shejtë të të parëve të mi të ndritur, se do tua pres kokat të gjithëve. Dhe mos kërkoni pastaj të lypni mëshirë. Asnjë pendim i mëvonshëm nuk do të pranohet.
Ju të gjithë e keni për detyrë t'i kapni nxitësit e këtyre trazirave, tua dorëzoni shpatës së drejtësisë që ata të varen në sheshet e lagjeve tuaja. Ndërsa Biçakoglun duhet t’ia dorëzoni Portës time të Lartë, që të marrë vendimin e merituar.
Ky është vullneti im i lartë, që përmban ky ferman perandorak, andaj duhet t’i jepni besim të plotë dhe të bëni ashtu siç thotë ai.
I lëshuar në pallatin tim të lumturisë.
Sulltan Murati IV
Më 17 të muajit Sheval të vitit 1003 (Viti 1627 sipas kalendarit Gregorian)
Edhe pse fermani i dytë ishte kërcënues, Ali Pashë Vlora, sanxhakbeu i Elbasanit nuk e ndryshoi qëndrimin e tij në mbrojtje të kunatit Mehmet Aga Biçakçiut dhe pse me dy fermane ishte i dënuar me vdekje për tradhëti ndaj Perandorisë.
Mehmet Aga Biçakçiu vazhdonte të strehohej në Elbasan, duke lëvizur me kujdes nëpër shtëpiat e miqëve dhe sidomos në trevat malore. Kështu do të kishte vazhduar gjatë, në se nuk do te ishte mashtruar, ose me saktë i tradhëtuar nga një renegat shqiptar, në shërbim të perandorisë turke. Pikërisht në vitin 1628, Veziri i Madh Merre Hysen Pasha, shqiptar nga Ohri, e mashtroi Mehmet Biçakçiun, duke e ftuar në Stamboll, me premtimin se do të ndërhynte personalisht për ta falur Sulltan Murati IV, por sapo Ai arrijti në Stamboll e arrestuan dhe e vranë.
Mehmet Aga Biçakçiu nuk ishte as i pari dhe as i fundit, që u prè në besë, që u tradhetua dhe u ndëshkua nga bashkatdhetari, që e mbylli kalvarin e persekutimeve dhe mundimeve në mënyrë tragjike, por që kujtohet me nderime dhe respekte.