| E hene, 09.05.2016, 07:05 PM |
KUSH E VRAU DON DEDË MALAJ ?!
Nga Fritz RADOVANI
DOSJA NR. 2199...
?24 PRILL 1959 Ditë hane. Rigonte pak shi... Altoparlantët ishin hapë në të gjitha rrugët e Shkodres, per me tranmetue gjyqin e “armikut të Popullit” Don Dedë Malaj.
Ishim tue pritë një grup i vogel tek streha e teneqexhijve, perballë Xhamisë së Parrucës, kur u ndigjue zani i prokurorit Rrapi Mina, që hapi seancen mbas hymjes në kinema “Republika” të kriminelit Hilmi Seiti, i shoqnuem nga ambasadori jugosllav...
?Prokurori pyeti të parin Don Deden: “Që kur jeni armik i komunizmit i pandehur?”
Don Deda me zanin e Tij burrnor, po edhe pa Ju tutë syni u pergjegjë: “Unë jam anmik i komunizmit që në moshen 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sepse, unë jam brumosë me ato ide!”... Në një heshtje të plotë që kishte ra n’ atë rrugë të Parrucës së vjeter, krejt pranë meje, u ndigjue zani i një Burri në moshë po, që pa pikë frike tha: “Hallallë ta baftë Zoti qumështin e Nanës, se Ajo, paska rritë djalë per Shqipni!..”, dhe iku në drejtim të rrugës Zdralej. Kurrma nuk e kam pa atë Burrë Trim e as, nuk e njoha.
?Don Dedë Malaj asht le në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj, me daten 16 Nandor 1917, prej ku mbas pak vitesh kanë zbritë në Velipojë, e nen kujdesin e Don Alfonsit, u brumos me kulturen Europjane, dhe në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali.
U këthye në Shqipni dhe ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit dhe së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku edhe u arrestue në vitin 1958, ato ditë kur u pushkatue Miku i Tij Don Ejëll Kovaçi, edhe Ai pse nuk pranoi me firmue “Statutin e Kishës së vitit 1951”.
?Don Dedë Malaj ishte kundershtar i vendosun i firmosjes së “Statutit të Kishës”, aqsa në letren që i pat shkrue Vatikanit, ishte vetem një pyetje: “Ipeshkvijtë e shuguruem mbas vitit 1951, a janë të aprovuem nga Vatikani?”... Tjerat “shtesa” janë jo të verteta! Letra ka shkue deri tek Don Ivo Bozhiq, po jo ma larg... Këte e ka vertetue At Konrrad Gjolaj, kur ishte në Vatikan mbas vitit 1992, dhe asht interesue per letren e Don Dedës.
?Interesimi i Sigurimit të shtetit komunist per zhdukjen e Don Dedë Malaj, ishte shumë i madh aqsa edhe perkushtimi i një grupi aq të madh, që interesohej per vrasjen e Tij.
I pari mërrijti në Dajç, oficeri i njohun Çesk Shoshi, i cili bashkpunoi me kriminelët ma të poshter të Degës së Mbrendshme të Shkodres, drejtue nga terroristi Hilmi Seiti.
E po ti rreshtojmë agjentët e sigurimit tue fillue nga Xheudet Miloti, Mustafa Qilimi, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Dul Rrjolli e sa vrasës të tjerë, do të fillohej me u dyshue edhe Figura e Paster dhe Burrnore e Don Dedë Malaj, që asht pushkatue i Pafajshem!
?Don Deda njihej si mik dhe “bashkpuntor” i Don Kolec Prennushit, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, të gjithë kundershtarë të firmosjes së “Statutit të Kishës Katolike të 1951”, pra meqë asnjeni nuk pranonte këputjen e lidhjeve me Vatikanin dhe Papen:
?Me daten 29 Prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, dhe perfundimisht Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim.
***
?Don Dedë Malaj ishte fëmijë kur mbeti jetim pa Babë. Në ditët e para të Dhjetorit të 1944, brigadat partizane i patne pushkatue vllaun Nikollin, ndersa Frani, kur ishte i arrestuem Don Deda në vitin 1948, vdiq papritmas, dhe la një vajzë të vogel Dranden, që e mori nën kujdes Gjyshja e vet, pra Nana e Don Dedës, Lula. Kur Drandja ishte 7 vjeç,
Nana Lulë vdiq dhe Dranden e mori në qelë Don Deda, që në moshen 13 vjeç Drandja mbeti pa asnjë njeri të aferm... Edhe Don Deda, pritej me u pushkatue...
?Drandja e vogel 13 vjeçare do të interesohej me i “shpetue” jeten axhës së vet.
Në këte fatkeqësi kaq të madhe Drandes Ju gjetën dy Klerikë të njohun të Don Dedës, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që u pushkatue në vitin 1969, dhjetë vjet mbas Mësuesit të vet, dhe Don Pjeter Gruda, mik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në kampin e shfarosjes së Sarandës, i paralizuem në vitin 1989... Tre muej para lirimit.
Me ndihmen e këtyne dy Priftenëve, Drandja u nis në Tiranë me daten 1 Maji 1959, me mujtë me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje, as Haxhi Lleshin, kryetar’ i Kuvendit Popullor. Mujti me takue sekretaren e tij Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë. Drandja e vogel tue e kujtue veten para një “gjyshes”, ra në kurthen e asaj që populli e ka quejtë “pantera e zezë”, dhe vajza jetime me lot përfaqe i kerkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. ?Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”
?Me daten 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres: “Lutja yte refuzohet.”
Besoj e kujton mirë vrasësja e fëmijëve Nexhmije Hoxha, kur ka nenshkrue Vendimin: “Të pushkatohet Don Dedë Malaj...vjeç 42...Klerik Katolik Shqiptar”!
?11 MAJI 1959 Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit u ruejt nga një Vlla Musliman, që e kishte në kopshtin e vet...
?Don Dedë MALAJ mbeti i perjetshëm me perkufizimin filozofik të komunizmit:
“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!” (Në gjyqin e Tij, në kinema “Republika” Shkoder, Prill 1959).