| E diele, 08.05.2016, 09:44 AM |
LIBRAT
E URREJTJES SERBE NDAJ SHQIPTAREVE DHE DASHURISE FRANCEZE
Nga Nexhat Rexha
Me 3 maj 2016 ne Gjilan paraqiten 6 libra te rrallë të botuar nga shtëpia botuese Klubi i Poezisë, Tiranë.
Koha e njeriu, janë arkitektët e ndërtimit të botës në krijimin e ngjarjeve, të cilat ndërtojnë e ndryshojnë epoka. Bota shqiptare në këtë arkitekturë të ndërtimit të fatit e dukjes së atdheut të tij për fat të keq më shumë ishte ndërmjetësues se sa farkues për të.
Historia e veprimit dhe historia e ndërtimit i kanë labirintet e tyre, të cilat në të shumtën e rasteve kalojnë nëpër ngushticat e dhembjeve e sakrificave të mëdha.
Në këto zhvillime e procese ngjarjesh njeriu e kultura jonë në të shumtën e rasteve ka qenë e pozicionuar në udhëkryqin e kobshëm. A thua kush ka ndikuar?, që fati e pozicionimi në këtë udhëkryq të luaj rolin e shtegtimeve për vonesat e mëdha në momentet më vendimtare në përcaktimin e fatit tonë.
Konsiderojmë se për t`iu afruar këtyre dilemave e depërtimeve nëpër shumë ngjarje e kohë dhe për të ndriçuar arsyet e fluiditetit depërtues e përvetësues në autoktoninë tonë nga pushtues të ndryshëm, faktorgrafinë shumë funksionale e bindëse mund ta gjemë në aktivitetin, punën që kanë pasqyruar njerëzit e devotshëm në të gjitha periudhat historike.
Duke krijuar mundësi të realizuara konkrete, arrijmë të shpalosim këto vepra te “Klubi i poezisë” nga Tirana, të cilët në kohë të fundit kanë botuar libra që i kanë munguar kulturës sonë në gjuhën shqipe, ani pse ato kanë qenë të botuara në gjuhë të tjera, të cilat paraqesin, dëshmojnë fatin e ndarjes së tokave shqiptare. Këto libra na vijnë si rezultat i përpjekjeve me vullnet, profesionalizëm e dashuri për atdheun nga poetet e studiuesit Rexhep Shahu e Izet Duraku, në mbështetje financiare të biznismenit e njeriut të fjalës e veprës për të mirën e kombit z.Flamur Lutfi Hoxha.
Në këtë konstelacion veprash të shkruara e të botuara më parë, vijnë edhe librat e botuar nga “Klubi i poezisë”, të cilat sjellin njohje të reja për pjesën më të madhe të lexuesit shqiptarë. Duke e ditur e patur mundësi për lexim e njohje që prof Zekeria Cana pati botuar të plotë librin e Kosta Novakoviqit ” Katër muaj nëpër Shqipërinë e Mesme” si pjesë të saj në veprën “ Shpalime historike” në vitin 1982. Si dhe pjesë të librit të “Misioni politik i Ballukxhiqit në Shqipëri më 1913” Mirëpo, seria e botimit të librave nga “Klubi i poezisë”, për lexuesin e sotëm shqiptarë ka rëndësi të madhe, sepse në faqet e këtyre librave gjejmë ngjarje e ndodhi nga më të ndryshmet.
Libri i Vlladan Gjorgjeviçit “ Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, pastaj libri i Vasa Çubrilloviqit” Shpërngaulja e shqiptarëve” janë libra që janë cituar, përmendur e folur më shumë, kurse për lexuesin e lirë nuk kanë qenë pjesë leximit. Kurse, shkenca jonë historiografike nuk ka shpalosur ashtu si duhet këto libra antishqiptare, të shkruara me diktate të politikës serbe të asaj kohe, të cilat kanë luajtur edhe rolin e tyre shumë funksional në shpërnguljen e shqiptareve nga tokat e tyre.
Rexhep Shahu & Izet Duraku i kanë dhënë vetes misionin e njohjes konkrete për librat, që janë shkruar me prejudikim antishqiptar, ata rikujtojnë të kaluarën dhe çortojnë kohën e tanishme, se nuk duhet të harrohen projektet, ngjarjet e politikës serbe ndaj çështjes shqiptare. Edhe në këto vlime të demokracisë njeriu e politika shqiptare, sikur nuk kanë koordinimin e tyre kombëtar.
Prandaj, librat e botuar nga “Klubi i poezisë”, artikulojnë e sjellin mesazhin në ndërgjegjësimin e fatit tonë kombëtar, sepse politika është ajo që ndërton të ardhmen e një vendi. Në serinë e këtyre botimeve për lexuesin tonë botohet për herë të parë edhe libri i Justin Godart “Shqipëria në 1921”, i shqipërur nga Mirdash M.Shehu, që dallon nga librat tjerë të përmendur më lartë dhe si pjesë hyrse është botuar punimi i Nobelistit të Paqës e senator i Francës, D`Estournelles de Constant me titull “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” në brendi shihet se autori ka paraqitur ngjarje shumtë komplekse për copëtimin e tokave shqiptare, ato me Malin e Zi.E që kontributi i tij është shumë i rëndësishëm për fatin e Shqipërisë në vitet e më vonshme që bënë Constant në karrierën e tij diplomatike. ?shtë libër që dikton se si duhet shkruar historia dhe si duhet të jetë njeriu i shkencës, paqes nëpër proceset e mëdha kohore.
Historia shqiptare nëpër shekuj i ka trandjet e veta dhe në këto kapërcime me diversitet të kalkulimeve edhe më utopike,njeriu ynë nuk shteroi përkundër padrejtësive që iu bënë atij.
Personalitetet e dalluara kombëtare në raste të ndryshme arritën të pasqyrojnë e bartin mesazhin e vendit të tyre. Shkenca serbe luajti rolin më negativ në përhapjen e propagandës antishqiptare,duke mos zgjedhur mënyra e metoda të vazalitetit të tyre. Këto veprime i përhapën në dëm të çështjes shqiptare,duke qenë gjithnjë në koordinmin me fuqitë ndikuese të Evropës dhe përkrahjen ruse në të gjitha kohët. Ndikimi e fuqia e Rusisë luajtën rolin në të gjitha konferencat e nivelit më të lartë,ajo pa zgjedhur mjete në fuqizoi shtetin e politikën serbe. Në këtë betejë të pandërprerë kultura shqiptare u degradua në mënyrën më të pakuptimtë. Botërisht dihen elaboratet, projektet e shumta serbe.Në këtë seri të botimeve “Klubi i poezisë”, e autorët Rexhep Shahu& Izet Duraku kanë rikthyer për lexuesin e ditëve tona edhe njërën ndër veprat më antishkencore, më antinjerëzore atë të Vlladan Gjorgjeviqit “ Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, në këtë libër shqiptarët përshkruhen me virtyte nga më të këqijat deri në absurditet si, “njerëz me bishta”,duke mos e ndaluar turpin vetëm në shkollat serbe,por ata vazhdojnë edhe nëpër qendrat e ndryshme të Evropës,duke e përkthyer atë edhe në gjuhë tjera.
Ky libër e këto damkosje brenda faqeve të tija i detyruan intelektualët tanë që në konferenca Evropiane të paraqesin turpin e tyre. Si,Fan Noli e Gjergj Fishta duke prekuar këto faqe të turpshme të Vlladan Gjorgjeviçit në konferencat Evropiane i detyruan diplomatët serb edhe të ikin nga salla e konferencave.
Të nderuar të pranishëm .
Këto pesë libra që sot po i prezantojmë në Gjilan kanë rëndësinë e vlerësimit dhe të ruajtjes së kujtesës. Njeriu dhe faktori kohë krijojnë e ruajnë hallkat e kujtesës,sepse në këto hallka kujtojmë në qytetin tonë e më gjerë, se në vazhdën kur po shënojmë “Ditët e Agimit” lidhim fatet dhe personalitetet tona. Në këto ditë këto libra bashkë me protagonistët e tyre Rexhep Shahu& Izet Duraku ,na rikujtojnë historinë e dhembjeve të gjata njëqindvjeçare,kur propaganda serbe saldoi korozionin e librit tonë , këto libra rikthejnë të gjitha kohët. Sidoqoftë, zgjimi i ndërgjegjes vjen nga frymëzimet e ideologëve paraardhës,ajo ruan e komunikon në thellësi dashurinë që nuk shteron.
Këto libra që i kemi para nesh sot,të munguara për shumë shtresa të dijes për njëqind vjet,ato sot duhet të trokasin në verdiktin e institucioneve tona, të cilët mbajnë përgjegjësinë e stacionimit të tyre aty ku jeta buron dituri.
“Klubi i poezisë”, në kryeqytetin shqiptar i ka dhuruar këto libra njeriut tonë ,për të ngadhënjyer e mundur të djeshmen,për të rikthyer kujtesën, se mendja e fjala e njeriut në libër mund edhe fuqinë e armës. Ajo dikton udhën e fatit,ajo e fuqizon shtetin, e ruan stabilitetin kohor, ndërton e ngritë vetëdijen kombëtare.
Rishfaqja e dokumentaritetit ,ruan e shenjëzën të gjitha veprimet shkrimore më të cilat krijohen biografitë protokolare të njerëzve udhëheqës,kështu qenia kombëtare artikulon e kanalizon universin e gjeneratave në vazhdimësi, si dhe krijon filozofinë e lëvizjeve avancuese për shtetin e kombin.
Ndërsa, protagonistët e këtyre projekteve madhore te“Klubi i poezisë”, i përgëzojmë edhe për shuamë vepra të tjera me të cilat ndriçojnë rrugët e identitetit tonë.