| E premte, 06.05.2016, 08:15 PM |
Emigracioni
në një ekspozitë…
Nga Entela Binjaku
Një Maji i këtij viti pasuroi jetën social-kulturore të kryeqytetit me ekspozitën me titull “Emigration/ off” duke prekur përmes kësaj teme ndjeshmërinë e qytetarëve që e duan artin dhe tregojnë vëmëndje ndaj tij.
Për 7 ditë qëndra Kulturore ASA i dhuroi kryeqytetit në një koleksion të përbashket punimet e të rinjve nga Kosova dhe Shqipëria që lëvrojnë artin pamor. Punimet në pikturë, stilim, dhe arkitekturë të krijuara prej tematikës së emigracionit dhe rreth saj bashkuan emra të rinjsh e të reja, të cilët ekspozuan kah emrave të të afirmuarve ndërkombëtarisht.
Ky aktivitet social-kulturor përkonte edhe me ditëlindjen e katërt të vetë qendrës organizuese dhe në këtë përvjetor ata zgjeruan hapësirën e pjesëmarrjes për shumë krijues edhe nga vende të ndryshme të botës.
Çelja e ekspozitës u parapri nga puna individuale por dhe e përbashkët njëkohësisht përgjatë tri ditëve e të rinjve nga Kosova dhe Shqipëria të cilët ndanë atmosferën e ngrohtë krijuese që ofron një nga qendrat tregtare të kryeqytetit, “Concord Center”. 50 punime në pikturë, skulpturë, veshje, instalacion dhe arkitekturë krijuan edhe njëherë për të pranishmit dhe për ndjekësit e kësaj ekspozite, dramën e emigracionit në të gjitha dimensionet e saj.
I konceptuar si një festival punimesh aktiviteti i çeljes mblodhi bashkë artistë, njerëz që shërbejnë në funksionet publike të kryeqytetit, drejtues vendorw etj. Për vlerësimin me çmime ishte kujdesur institucioni qëndror kulturor i vendit, Ministria e Kulturës.
Ndër punimet e paraqitura do të veçoja shtatë tablotë e artistit Agim Sulaj i cili solli përmes simbolikës së valixhes-simbol i emigrantit, këtë dukuri në disa dimensione. Me një thjeshtësi dhe dashamirësi që karakterizon qëndrimet e një artisti zemërgjerë dhe mendjehapur ndaj të rinjve që aspirojnë të zhvillojnë talentin, z. Sulaj nuk hezitoi t’i bashkohej këtij aktiviteti për të cilin vetë koha do të flasë.
Portreti i një fëmije, pikturë e artistes Shkurte Ramushi solli në vëmendje një tjetër dramë njerëzore që krijon dukuria e emigrimit: ajo e fëmijëve që nuk e njohin babain emigrant, që rriten pa një prind edhe kur ai është gjallë.
Artisti nga Prishtina Sadri Morina kishte sjellë në këtë ekspozitë një punimë në tre pjesë: valixhja me simbolin e flamurit të komunitetit evropian që qëndronte gjithmonë gati për të emigruar kudo në një nga vendet e BE-së, një trup – manekin i lidhur me tel me gjemba e që përkon me dhimbjen që krijon emigrimi dhe me shtrëngimin nën dhimbje të tej mundësive njerëzore për t’u cliruar dhe me pikturën ku Evropa shfaqej si një trup i përsosur femëror, me joshjen që krijon lakuriqësia dhe ku të varfërit e synojnë deri në ëndërrim.
Mesazheve të kësaj ekspozite i ishin bashkuar edhe 5 arkitetekte nga Ferizaj (Fatlinda Jusufi, Festina Avdiu, Gentiana Gerbeshi, Hatixhe Hoxha dhe Shprese Kamberi) të cilat në një maket të përbashkët kishin sjellë idenë e një shtëpie që lartësohet ndërsa shfrytëzon të gjithë hapësirën që ka në dispozicion..
Ky
aktivitet kishte mbledhur në po të njëjtën hapësirë edhe punimet e artistëve
nga 59 vende të ndryshme të botës në karikaturë ku sërish emigrimi përcillej
nën këndvështrimin e njerëzve që vijnë nga kultura të ndryshme dhe e përjetojnë
atë sipas përvojave personale dhe jo vetëm.
Dhjetra pjesëmarrës të ulur në dy krahët e pasarelës ndoqën ceremoninë zyrtare, të cilën e ka përshëndetur kuratori dhe drejtuesi i “ASA”-s, Olgert Rakipllari. Ai falenderoi në fjalën e tij Ministrinë e Kulturës, Qendrën Tregëtare “Concord” dhe të gjitha bashkëpunëtorët që mundësuan hapjen e kësaj ekspozite.
“Sot, ne jemi krenarë për “ASA”, këtë grup të rinjsh që ju shihni sot. Kujtoj se vite më parë na bashkonte pasioni për të prezantuar artin e të rinjve shqiptarë pa dallim etnie, por ndonëse na mungonte përvoja e fituam atë sëbashku me ju, që na ndihmuat në këtë rrugë. Sot, prezantojmë 150 vepra të krijuara në disa zhanre të artit dhe ju do të shihni vetë sesi artistët kanë përcjellë emocionet e tyre”, tha Rakipllari. Duke kthyer kokën pas kujtoj ekspozitat tona të para mes Tiranës dhe Prishtinës, ku përballë vështirësive nuk jemi ndalur, pasi besojmë fort në moton “sëbashku mund t´´ja dalim”, tha ai.
Mbi tapetin e pasarelës kanë performuar modele me veshje të krijuara nga artistët e “Qendrës Kulturore ASA”. Modelet parakaluan me veshje të stiluara me kujdes nga stilistët e rinj, të cilët jo vetëm i ishin përmbajtur në krijimet e tyre temës së emigracionit, por i kishin shoqëruar ato edhe me aksesorë të ndryshëm në harmoni me atë që simbolizon lëvizja e popullsisë.