| E diele, 01.05.2016, 04:13 PM |
VEPËR ME MISION MË SHUMË SE EDUKATIV
Osman Grabovci: “Erseka në Ersekë”- tregime për fëmijë, Pejë, 2015
Nga Ryzhdi Baloku
Shkrimtari i mirënjohur në shkallë kombëtare prof. Osman Grabovci, autor i 12 veprave në prozë, poezi, dramë etj., kësaj here vjen edhe me një libër tjetër me tregime që u referohet fëmijëve, të cilin e ka titulluar: “Erseka në Ersekë”.
Prof. Grabovci në këtë libër i ka përmbledhur dhe radhitur 25 tregime të përzgjedhura, përmbajtja e të cilave e ka vlerën e saj letrare si tërësi dhe fuqinë e mesazhit që enkas u dedikohet lexuesve të vegjël.
Mesazhe me rezon perceptues që mendja e fëmijëve të vendosë drejt
Duke marrë parasysh zhvillimin e shpejtë të teknologjisë informative, mund të thuhet se krahas këtij trendi kemi një avancim progresiv të mendësisë njerëzore, e në këtë kontekst edhe te fëmijët.
Në këtë kuptim mund të konkludohet se mentaliteti i sotëm i fëmijëve nuk është i njëjtë si i gjeneratave të mëhershme. Përparimi tekniko-teknologjik e ka ndryshuar edhe formën dhe mënyrën e lojës së tyre, krahasuar me të kaluarën. Paraqitja e pajisjeve të dedikuara për video lojëra dhe filmat vizatimorë televizivë me tematikë dhune, po ndikojnë dukshëm në paraqitjen e dukurisë së agresivitetit te fëmijët.
Në mbështetje të kësaj teze mund të konstatohet se të shkruash libra për fëmijë është më vështirë se të shkruash vepra letrare për të rritur, ngase duhet depërtuar në psikologjinë e sotme të grupmoshave të tyre, duke kapur tema që rezoni perceptues i mendjes së kësaj kategorie lexuesish t’i konceptojë dukuritë pozitivisht dhe të vendosë drejt.
Si duket autori i këtyre tregimeve, i ka pasur parasysh të gjitha këto ndryshime dhe përparime tekniko-teknologjike, andaj edhe në tregimet e tija shihet se është përpjekur që përmbajtja e tyre të jetë sa më edukative, humane, por edhe artistike, ngaqë lexuesit e kësaj moshe janë në formim e sipër të personalitetit.
Mesazhe me formulime të kuptueshme, të karakterit edukativ, arsimor dhe zbavitës
Që në fillim të leximit mund të vërejmë se libri i autorit Grabovci me titull: “Erseka në Ersekë” ka karakter edukativ. Megjithëkëtë, pas leximit të kujdesshëm dhe vështrimit gjithëpërfshirës të kësaj vepre që u dedikohet fëmijëve, mund të shihet se në tregimet e prezantuara ai e zgjedh shijen, shprehjet dhe formulimet e kuptueshme për moshën e tyre, kundruall kapacitetit mendor që kanë ata.
Në këtë përmbledhje tregimesh, autori na sjell një botë të pasur shpirtërore nga jeta e përditshme e tyre, ku kryesisht mbisundon ndjenja e humanitetit, dashuria për atdhe dhe për njerëzit e tij, ku kryesisht zënë vend temat sociale e historike të gërshetuara me tipare këshilluese dhe të atdhedashurisë, por gjithnjë duke pasur parasysh edhe karakterin arsimor dhe zbavitës.
Me qëllim të një vështrimi gjithëpërfshirës të librit “Erseka në Ersekë”, do t’i trajtoj radhazi disa nga tregimet e përmbledhura në këtë vepër.
Tregime me simbolikë për barazi dhe humanizëm
Këtë vepër, autori e fillon me tregimin: “Takimi i rastësishëm”, i cili në fillim të bën të mendosh se tema e parashtruar ka të bëjë thjesht me një rrëfim të ngjarjes për një takim të rastësishëm në mes shokëve të dikurshëm. Mirëpo, mesazhi i këtij rrëfimi nuk mund të nxirret nga interpretimi i titullit, sepse, nga analiza e përmbajtjes shihet se ideja e shkrimit përçon një mesazh të qartë me ngarkesë kuptimore për barazi dhe humanitet ndaj fëmijëve “me aftësi të kufizuara”.
Ngjarjen në këtë tregim autori e përshkruan me një stil tërheqës, të kuptueshëm dhe elokuent për moshën e lexuesve që u dedikohet. Në mes tjerash ai shkruan: “Aty diku në një skaj pranë, qëndronte një fëmijë ulok i ulur në një karrocë. ... E mora topin dhe ia dhashë në dorë. Ai gjuante, kurse unë e zija topin dhe ia ktheja prapë atij.
Luajtëm një kohë të gjatë, derisa unë dhe ai u lodhëm ca. E vërejta se ai u kënaq shumë, por unë e ndjeja veten të lumtur që i solla kënaqësi fëmijës me nevoja të veçanta”.
Tregime me tematikë sociale të ndihmesës dhe bamirësisë
Tregimin me titull: “Fqiu ynë”, autori e fillon me një diskurs të zgjedhur dhe të ndjeshëm poetik të peizazhit të lagjes në stinën e dimrit. Përshkrimi i pamjes krijon imazhin e stinës kur: “Bora kishte mbuluar pullazet e shtëpive dhe nga ajo bardhësi qartas dallohej tymi nga oxhaqet që valëvitej lart, derisa humbte në lartësi, thua se e sfidonte borën që nuk kishte të ndalur”.
Me një diskurs të ngjashëm poetik e fillon edhe tregimin “Skamnori” kur shkruan: “Retë të mbarësuara me shi ndiqnin njëra-tjetrën në udhëtimin e gjatë, derisa për një çast filluan ta lëshojnë barrën e vet. Në fillim ranë disa pika të rralla shiu, por pas pak u lëshua një rrebesh i vërtetë që shoqërohej me erë të fortë që çdo gjë përlante”. Ky përshkrim i natyrës përkon me përmbajtjen e tregimit dhe gjendjen në të cilën ishte katandisur personazhi i këtij tregimi. Tematikë të ngjashme ka edhe tregimi me titull: “Saja e Stasit”.
Në këto tri tregime mbisundon tema sociale, nëpërmjet të cilës shkrimtari synon që ta kultivojë ndjenjën e solidaritetit për ndihmesë dhe bamirësi, ndjenjë kjo që duhet të ngjizet në mendje qysh në fëmijëri.
Tregime me motive lufte
Në tregimet e titulluara: “Xha Demiri”, “Komandant Korabi” dhe “Atdhetari i vogël-Mikel”, autori trajton motivin e luftës, gjithnjë duke pasur kujdes të veçantë shtresën psikologjike-emocionale të kategorisë së lexuesve që u dedikohet kjo vepër.
Tregime edukative që nxisin emocione dhe respekt ndaj më të vjetërve
Në kategorinë e rrëfimeve të karakterit edukativ që nxisin emocione dhe respekt ndaj më të vjetërve, gjegjësisht ndaj të moshuarve, mund t’i radhisim tregimet: “Nëna e dëshmorëve “, “Xha Velua fal” dhe “Gjoni zemërbardhë”.
Tematika e këtyre tregimeve është e ndryshme, por indi edukativ që i përshkon është i përbashkët dhe ka të njëjtin qëllim.
Tregime me karakter arsimor dhe zbavitës
Në tregimet me karakter arsimor dhe zbavitës mund të radhitën: “Dhëmbi i Dhimitrit”, “Albani fluturon në Amerikë”, “Gjyshja e Arlindit”, “Sokoli trimosh”, “Trumcaku në dritare”, “Në panairin e librit”, “Dhurata e vitit të ri” , “Një ditë në piknik”, “Ëndrra” dhe “Petriti pendohet”.
Po ashtu edhe në këto tregime, autori ka përdorur një gjuhë të zgjedhur e cila natyrshëm dhe pa imponime përçon mesazhe edukative, për lexuesit të cilëve u dedikohet kjo vepër letrare.
Tregime që nxisin atdhedashurinë dhe dashurinë për njerëzit
Tregimet që reflektojnë dashurinë për mësuesin apo mësuesen, për shokët, prindërit, vendlindjen dhe trevat e atdheut, përmbajnë tematikë që parapëlqehet nga lexuesit e vegjël. Të këtij karakteri janë: “Dhurata e Tomit për nënën”, “Dita e mësuesit”, “Mërgimtari”, “Shqiponja e Jonit” dhe “Erseka në Ersekë”.
Shkrimtari Osman Grabovci në librin “Erseka në Ersekë” ka shfaqur një imagjinatë të pasur krijuese, e cila reflektohet në përmbajtjen dhe tematikën e tregimeve që u dedikohen fëmijëve.
Megjithatë, mund të themi se krahas imagjinatës krijuese të shkrimtarit disa nga tregimet burim të tyre e kanë jetën e përditshme, ballafaqimin e njeriut me problemet jetësore, të cilat shkrimtari i trajton artistikisht me qëllim që fëmija të maturohet duke u përballë me problemet që i sjell jeta në situata të ndryshme.
Përmbajtja dhe tematika e tyre nuk e lë indiferent lexuesin. Pas leximit të këtij libri fëmija do të pasurohet me ndjenjën e respektit dhe dashurisë për atdheun, për të moshuarit, për skamnoret, për fëmijët me nevoja të veçanta, për prindërit, mësuesin etj. Ai do të ndiejë nevojën për solidaritet me të tjerët.
Të gjitha këto tema dhe dukuri autori i ka trajtuar dhe shkruar me një gjuhë të pasur artistike por edhe afirmative dhe lehtësisht të kapshme për botën e fëmijës.
Secili tregim, me gjuhën e zgjedhur dhe të ngritur artistike, të përshtatur moshës së lexuesve që u dedikohet, përçon natyrshëm dhe pa imponim mesazhin edukativ.
Libri “Erseka në Ersekë” është vepër cilësore si në rrafshin përmbajtësor ashtu edhe në atë artistik. Me tematikën e trajtuar ndikon ndjeshëm në pasurimin e botës imagjinative dhe artistike të fëmijës.