| E shtune, 23.04.2016, 05:57 PM |
Endrrën time në Shqipëri për mjeke dhe shkencëtare ma realizoi Amerika
Bisedë me Dr. Mariela Mitre. New York University dhe Departamenti i Shtetit Amerikan për Shëndetin i kanë dhënë një bursë të plotë akademike dhe jetese për tetë vitet e studimeve në programin e kombinuar për mjeke-shkencëtare. Personazh në librin "Zonjat Shqiptare në Nju Jork"
Bisedoi Kozeta Zylo
Dr. Mariela Mitre ka lindur në Korçë në vitin 1988, dhe është rritur në Durrës. Ka vazhduar dy vitet e fundit të gjimnazit në Amerikë, dhe më tej studimet universitare për Inxhinieri Kimike në universitetin “The Cooper Union”, ku falë rezultateve të larta arrin të pranohet në Universitetin e mirënjohur të Nju Yorkut “New York University” në një program të dyfishtë 8-vjeçar të Fakultetit të Mjekësisë për degën mjeke-shkencëtare, M.D. Ph.D. (Doktor per Mjekësi, dhe Doktor për Shkencat Biologjike). Dr. Mitre përfundoi studimet për doktoraturën e shkencave biologjike në Maj 2016 dhe gjithashtu po vazhdon degën e mjekësisë në shkollën e mjekësisë të Nju Jork University.
Kërkimet e saj shkencore përqëndrohen në fushën e shkencave te qelizave të trurit dhe pikërisht në efektin e hormonit oksitosinë në trurin e femrave pa eksperiencë lindjeje dhe se si ky hormon ndikon për ta transformuar femrën në mama. Studimet e saj përfshijnë efektet molekulare dhe fiziologjike të oksitosinës në qelizat e trurit, si dhe analizën e strukturave të trurit që shprehin receptorë të oksitocinës. Rezultatet e Dr. Mitre janë provuar te suksesshme nga grupe shkencëtarësh në vende të tjera të botës, që e kanë bërë atë të mirënjohur në qarqet shkencore ndërkombëtare. Dr. Mitre është autore e publikuar në disa revista shkencore prestigjioze në shkallë botërorë si Nature, Journal of Neuroscience, Nature Methods, Neurobiology of Disease, Neuron.
Le ta fillojmë me fëmijërinë tuaj, mbresa dhe kujtime të fëmijërisë ku e keni kaluar atë?
Në moshën 3 vjeçare jam larguar nga Korça për në qytetin e Durrësit, bashkë me prindërit dhe vëllain, ku kam kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë, e rritur në një mjedis familjar me përkujdesje të madhe. Kam kujtime shumë të bukura nga fëmijëria në Durrës e rrethuar nga dashuria e familjarëve dhe miqve te afërm. Përveç kënaqësisë që të jep natyra kur jeton në një qytet bregdetar, si plazhi apo shëtitjet tek Vollga, qyteti I Durrësit për mua është mishërimi i një potenciali intelektual, kulturor, dhe arsimor prej të cilave unë kam mësuar dhe përfituar shumë. Kam ndjekur shkollën private 8-vjeçare Vinçens Prendushi, që administrohej nga Motrat Italiane Benedektine, me një staf mësuesish të mrekullueshëm dhe të palodhur, respekti për të cilët do të më shoqërojë gjithë jetën. Kujdesi i prindërve ka qënë i pandarë, veçanërisht i mamës mësuese që më ka ndjekur dhe ndihmuar në çdo hap te jetës, dhe i babait inxhinier i palodhur që më ka ndjellur etikën e punës, dy modele që më kane drejtuar dhe frymëzuar për të realizuar ëndrrat e mia në jetë. Të tëra këto së bashku me përpjekjet e mia, krijuan atë bazë të fortë njohurish, etikën e punës, dhe më futën dëshirën për të studjuar dhe për të qënë e suksesshme në jetë.
Do të veçoj nga shkolla gjithashtu mundësinë për të mësuar dhe zotëruar gjuhën italiane që në moshë të vogël, si dhe mundësine për ta përdorur atë në shkollë, jo vetëm në komunikimin e përditshëm me murgeshat Italiane por edhe nëpër ato koncerte, dramatizime të bukura që bënim që vërtet kanë lënë mbresa të mrekullueshme në kujtesën time. Përveç mësimeve në shkollë dhe pianos, pata mundësinë të studioj gjuhë të tjera të huaja si anglishten, frëngjishten dhe më vonë gjermanishten. Që në vitet e para të shkollimit, mamaja na mësoi të bënim program javor për të organizuar detyrat dhe aktivitetet. Kështu, çdo natë pasi bëja lutjen fetare, shkruaja një listë të mësimeve që duhet të përsërisja në mëngjes, vija zilen e alarmit, dhe zgjohesha në orën 5:30 të mëngjesit duke mos e lënë veten të shkoja kurrë në shkollë me vonesë. Kjo disiplinë më ka ndihmuar në jetën time për të ndenjur e përqëndruar në qëllimet e mia profesionale.
Cfarë do të kujtoni nga shkolla në Shqipëri dhe a mund të bëni krahasimin midis edukimit këtu dhe në Shqipëri në disa drejtime?
Edukimi është çelësi që të hap oportunitete të mëdha pavarësisht se çfarë sistemi aplikohet. Asnjë njëri dhe asnjë komb nuk do të mundet të zhvillohet në tërë potencialin e tij nëse ai apo brezat e atij kombi, nuk arsimohen dhe nuk kërkojnë që te zotërojnë dijen që shoqëria njerëzore ka krijuar deri më sot dhe ta çojnë atë përpara e ta përdorin në favor të shoqërisë. Duke qënë se kam jetuar dhe kam eksperiencat e dy sistemeve të ndryshme arsimimi, atë të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të jap një mendim të përgjithshëm për to.
Përsa i përket sistemit arsimor në Shqipëri mendoj se metodologjia e përdorur ishte më shumë e bazuar në filozofinë e arsimit tradicional, ku mësimdhënia kishte si qëllim ti transmetonte brezave të ardhshëm njohuritë, faktet, dhe mjeshtëritë nga i njëjti program bazë, si dhe standarte të mirësjelljes morale dhe shoqërore. Në arsimin tradicional, mësuesi ishte instrumenti kryesor që jepte njohuritë bazë përmes leksioneve, ndërsa nxënësi mësonte përmes dëgjimit, vëzhgimit, studimit individual të teksteve, memorizimit të njohurive. John Dewey, filozof, psikolog, zbulues dhe inspirues i metodave progresiste në arsimin amerikan, e përkufizon arsimim tradicional si një arsim që "imponohet nga lart dhe nga jashtë".
Ndërsa sistemi arsimor në Amerikë është një sistem progresist, ku programi i shkollave është më i larmishëm dhe influencohet nga interesat e nxënësve. Nxënësi me nevojat dhe dëshirat e tij është në qendër të të gjithë procesit mësimor, dhe të mësuarit është veçse proçes i akumulimit të dijeve dhe mjeshtrive qe kanë vlerë. Studentët edukohen veçanërisht në mënyrën se si ti aplikojnë dijet në projekte, duke nxitur mënyrën kritike të të menduarit, dhe duke bërë kërkime shkencore dhe zbulime të reja. Ky sistem i hap rrugën zhvillimit të talenteve në fusha të ndryshme që në moshë të vogël. Nuk befasohem aspak që Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen ndër të parat në botë për kërkimet shkencore falë këtij sistemi arsimor që nxit krijimtarinë personale. Vlen të përmendet këtu që ky sistem përfshin në vetvehte edhe inkurajimin që i bën nxënësve në shkollë për tu përfshirë në projektet e shërbimeve komunitare, gjë që në sistemin arsimor shqiptar nuk është aplikuar gjerësisht duke krijuar një boshllëk apo mungesë në edukimin e brezave për përgjegjësinë për tu angazhuar dhe për të udhëhequr aktivitete për mirëqenien e komunitetit. Nga shkolla e mesme në Amerikë kujtoj pjesëmarrjen në klube të ndryshme në shkollë, që vërtet të hapin dimensione të tjera dhe të kompletojnë si njeri. Shërbimet komunitare ishin ato që më impresiononin më shumë: përshembull kur më duhej të gatuaja supë në shtëpi, dhe të shkoja tua shërbeja vullnetarisht të moshuarve në qendrën komunitare të qytetit të Nutley-it, një eksperiencë që nuk e kisha patur më parë në Shqipëri.
Personalisht i vlerësoj të dyja sistemet sepse kombinimi i tyre tek unë kanë patur një impakt tepër pozitiv. Sistemi tradicional në të cilin u edukova në Shqipëri më dha një bazë të konsoliduar dijesh dhe njohurish të cilat i përshtata dhe i zhvillova më tej në sistemin përparimtar amerikan për të ndërtuar një karrierë profesionale në kërkimet shkencore dhe në fushën e mjekësisë. Nga vitet e shkollës së mesme në Shqipëri kujtoj konkurset e ndryshme dhe olimpiadat e matematikës ku kam marrë pjesë, që ishin shumë të vështira dhe më jepnin bindjen dhe kurajon që do arrija të çaja edhe në një vend dhe ambjent të ri në Amerikë. Edhe sot mbaj si kujtim një libër matematike të autorit dhe profesorit tim Gjergj Frashëri, me dedikimin: "Kujtim Marielës për mendjen e saj analitike". Gjithashtu ruaj në kujtesë një thënie të profesor Gjergjit, i cili ishte i impresionuar nga rezultatet e vajzave të brezit tim dhe parashikonte se: "Ndoshta për një ose dy dekada, vajzat do të dominojnë në drejtimin e kombeve." Praktikisht, ky libër që Albania Excellence po sjell për publikun shqiptar dhe amerikan për të evidentuar arritjet e grave shqiptaro-amerikane në New York, është një tjetër dëshmi e aftësive të grave shqiptare kudo që ndodhen dhe kontributeve të tyre në të mirë të shoqërisë.
Kur erdhët në Amerikë, dhe si arritët të keni këto rezultate të shkëlqyera në edukim?
Amerika ka patur gjithmonë një vend të veçantë në familjen time. Gjyshi im Mihal Mitre, kishte lindur në Uorçester, Masaçusets nga prindër shqiptaro-amerikanë, por kishte qënë i detyruar të jetonte në Korçë, Shqipëri, për shkak të luftrave në politikat botërore dhe kombëtare. Pas vendosjes së demokracisë, gjyshi u rikthye në Amerikë, duke mundësuar edhe emigrimin tonë. Une isha 16 vjeçe kur erdha bashkë me familjen, në Qershor të 2004s, ku vendosëm të jetonim në Nutley, Nju Xhërsi. Pas tre ditësh në Amerikë dhe në këtë qytet, prindërit menjëherë na çuan në bibliotekën e qytetit ku u bëmë anëtarë të saj. Kujtoj që mamaja, me profesion mësuese, dhe duke qënë e ndërgjegjshme për vështirësitë që do te hasnim për shkak të gjuhës, kontaktoi drejtoreshën e bibliotekës, dhe i shprehu gatishmërinë tonë për të qënë vullnetar aty, ku une dhe vëllai të kishim mundësi të integroheshim dhe të mësonim sa më shumë. Unë për dy javë u punësova në bibliotekë, dhe ndërkohë isha e vetmja që punoja në familje deri sa prindërit gjetën punë. Gjatë gjithë viteve të shkollës së mesme dhe fakultetit të inxhinierise kimike, përveç studimeve kam punuar me kohë të pjesëshme për të ndihmuar familjen financiarisht.
Fillimi i jetës dhe shkollës në Amerikë ishte padyshim i vështirë. Ndonëse e njihja gjuhën, përsëri kisha vështirësi, por kjo nuk më pengoi që unë të integrohesha shpejt dhe te përzgjidhja lëndët shkencore të nivelit universitar gjatë gjimnazit që të arrija të isha në një nivel me studentët shumë të mirë amerikanë. Që në vitin e parë në Amerikë, fitova një konkurs në kimi-organike që u zhvillua në shkollën e mesme të Nutley-it nga Universiteti Columbia dhe që më dha të drejtën të ndiqja një klasë falas në këtë universitet. Rezultatet e shkëlqyera arrihen me punë dhe përkushtim për dijen, ambicjen për tu bërë i aftë për vehten, familjen, dhe shoqërinë, dhe me përkrahjen e pakursyer të prindërve, mbështetjen e rrethit profesional si organizatat lokale, drejtues të institucioneve ku kam punuar, si edhe miq amerikanë të familjes. Burimi i informacionit dhe ndihma profesionale e tyre kanë qënë një thesar i çmuar në studimet dhe karrierën time, dhe unë i kam vlerësuar me seriozitet e i jam shumë mirënjohëse.
Që në vitin e tretë të shkollës së mesme unë e kisha shumë të qartë ëndrrën time, doja të bëhesha mjeke dhe shkencëtare. Shumëkush mund te pyesë: "Por si mund të arrish deri këtu?" Për të realizuar një ëndërr të tillë rruga është shumë e gjatë dhe e vështirë sepse të paktën pas shkollës së mesme, duhet të jesh edhe pesëmbëdhjetë vjet të tjera në shkollë dhe trajnim. Duhet patjetër të bësh një plan strategjik afatgjatë, sepse një angazhim i tillë kërkon jo vetëm punë por edhe planifikimin e punës. Duhet të jesh e përgjegjshme për fazat që do të kalosh në mënyrë që të mos tërhiqesh përballë vështirësive që has. Kujtoj një moment të vështirë kur gjatë vitit të tretë të inxhinierisë kimike po ndiqja një konferencë në Akademinë e Shkencave të Nju Jorkut dhe shikoja në panel se nga gjashtë profesorë, vetëm njëra ishte grua. Në atë moment po dyshoja nëse pas një pune kolosale, mund të kishte vend edhe për mua në një fushë kaq konkuruese të dominuar nga meshkujt. Falë mbështetjes pa kushte që më ofroi familja, vendosa që të aplikoj për këtë program që është shumë selektiv, për të cilin më është dashur të kaloj nëpër një proçes të gjatë ekzaminimi si aplikante.
Si i keni filluar studimet tuaja shkencore, cilat universitete ju kanë ftuar në programet e ndryshme si studente me rezultate të larta?
Gjatë dy viteve të gjimnazit në Amerikë, kam ndjekur kurse dhe programe para-mjekësore tek Universiteti Columbia dhe Universiteti i Mjekësisë dhe Dentistrisë në Nju Xhersi. Pas mbarimit të shkollës së mesme në 2006, u pranova më bursë të plotë akademike në degën e inxhinierisë kimike në universitetin “The Cooper Union”, nga e cila u diplomova me titullin “Inxhiniere Kimike”. Përveç programit të inxhinierisë kimike që më dha një baze shumë të fortë si dhe kërkimeve shkencore në Cooper Union, kam ndjekur dy praktika shkencore në universitete të tjera: i pari ishte një program bashkëpunimi midis Instituti i Teknologjisë i Shtetit të Masaçusets (MIT, Massachusetts Institute of Technology) dhe Fakultetit të Mjekësisë në Harvard (Harvard Medical School), ku bëra kërkime shkencore për kancerin e trurit, dhe i dyti në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të New Jorkut, (NYU Langone Medical Center), ku vazhdoj studimet edhe sot. Pas diplomimit si inxhiniere kimike, fillova programin e kombinuar të mjekësisë dhe doktoraturës së shkencave, (M.D., Ph.D.) për mjeke - shkencëtare.
Ju keni fituar disa çmime a mund të na thoni disa prej tyre?
Në ceremoninë e graduimit nga shkolla e mesme më janë dhënë nëntë çmime nga organizatat lokale për rezultate të shkelqyera në formë ndihme financiare për universitet. Gjate kohës në universitet tek "The Cooper Union" kam fituar bursë të plotë akademike, si dhe bursën “Meredith Blaustein”. Kam qënë në listën e nderit të Dekanit dhe falë resultateve të larta jam zgjedhur si pjesëmarrëse në shoqatën e nderuar "Tau Beta Pi" për inxhinieri dhe Shoqatën Kombëtare të Dijetarëve Universitarë. "The Cooper Union" me dha titullin “Summa Cum Laude”, gjithashtu edhe çmimin “Lewis Gleekman Memorial Prize” për rezultate te shkelqyera në inxhinieri kimike. New York University dhe Departamenti i Shtetit Amerikan për Shëndetin më kanë dhënë një bursë të plotë akademike dhe jetese për tetë vitet e studimeve në programin e kombinuar për mjeke-shkencëtare.
Cilat janë projektet tuaja?
Mbas mbarimit të doktoraturës së shkencave, kam filluar fazën e fundit të programit për mjeke-shkencëtare që është viti i tretë dhe i katërt i shkollës së mjekësisë, ku nëpërmjet praktikës në fushat e ndryshme të mjekësisë, do zgjedh dhe do vazhdoj specializimin tim mjekësor. Planet afatgjata përfshijnë angazhimin në fushën akademike të mjekësisë dhe shkencave biologjike, duke pasur mundesinë të kuroj pacientë, por edhe të çoj përpara shkencën e mjekësisë nëpërmjet kërkimeve shkencore.
Sot çfarë është për ju Amerika?
Amerika për mua është vendi i mundësive të mëdha, ku puna dhe dedikimi im jane vlerësuar duke me hapur shumë dyer pa kërkuar të dijnë se nga cili vend vij, apo a kam fuqi potiliko-financiare. Amerika më ka dhënë mundësinë për të studiuar mjekësinë dhe për ta avancuar atë nëpërmjet kërkimeve shkencore, pra të realizoj ëndrrën time, gjë që nuk është e mundur në çdo vend të botës.
Ju keni vite në Amerikë, keni menduar se një ditë mund të ktheheni në Shqipëri dhe të sillni gjithë përvojën tuaj maksimale që morët në shtetin më demokratik të botës?
Në këtë proçes të zhvillimit në fushën e mjekësisë dhe shkencave, shpresoj të më jepet mundësia të ndihmoj dhe të bashkëpunoj me kolegët e mi në Shqipëri, për edukimin e brezave të ardhshëm nëpërmjet këmbimit të njohurive, teknikave, dhe aparaturave të disponueshme këtu në Amerikë.
Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit "Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut" ideuar nga "Albanian Excellence", libër qe do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?
Së pari ju falenderoj juve znj. Kozeta Zylo dhe Albanian Excellence për këtë iniciativë kaq domethënëse dhe vlerësuese të të gjitha përpjekjeve dhe arritjeve të grave shqiptaro-amerikane në Nju Jork, dhe mundësinë që po më jepni mua për tu bërë pjesë e saj. Mezi pres të lexoj më shumë për arritjet e grave të tjera shqiptare të intervistuara nga ju. Sinqerisht nuk e di nëse e meritoj këtë nder sepse mendoj që kam aq shumë për të bërë në karierën që kam zgjedhur si mjeke dhe shkencëtare pa anashkaluar këtu kujdesin për familjen time të re. Kam rastin të falenderoj bashkëshortin tim për mbështetjen e tij të pareshtur si partner jete dhe koleg. Këto histori suksesi janë të mbështetura në shumë sakrifica të brezit të prindërve tanë të cilët kanë qënë shumë të aftë, por nuk kane pasur të njëjtin fat dhe të njejtat mundësi. Ata janë heronjtë e padekoruar të kësaj kohe dhe do doja tja dedikoja prindërve të mi nderimin me pjesëmarrjen time në këtë libër.
Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?
E shikoj imazhin e gruas shqiptare në shekullin e XXI të suksesshëm në shumë fusha të jetës, duke ju perkushtuar jo vetëm familjes, por edhe shoqërisë nëpërmjet arsimimit dhe përparimit profesional. Shoqëria shqiptare ka nevojë për më shumë iniciativa si kjo e juaja për të vënë në dukje punën e palodhur, dedikimin, dhe guximin e grave shqiptare anembanë botës, për ti sjellë brezave të rinj keto eksperienca positive që janë rezultat jo vetëm i potencialit të pashtershëm intelektual, social e shpirteror të femrës shqiptare, por gjithashtu i këmbënguljes dhe vendosmërisë për të përparuar e për të krijuar vlerë kudo ku jane.
(New York, 2016. Zgjodhi për ZSH: Baki Ymeri)