| E premte, 15.04.2016, 08:47 PM |
LIRIDONA
NGA KALOSH ÇELIKU
Patriotike, ë?!!!... E veshur, fundekrye kuqezi. Duartrokitje. Cucë me të cilën Nëna Parti shkon në zgjedhje lokale e parlamentare. I premton postin e deputetes, ministrit, kryetares së komunës, vendin e punës në Qeveri. Partizani i Nënës Parti, më guximtari edhe villë në bregdetin shqiptar me paratë e popullit. Lexuesit t’im besnik, i kërkoj falje që në këtë shkrim publicistik jam edhe pa “perde”, kur e shkrep penën: aty për aty ia jepë postin e shtratit në bregdet.
Përderisa, e marr “ilaçin” tim të përditshëm: një raki rrushi, përballë meje në tavolinën tjetër ulet një burrë i panjohur me moshë mesatare. Mendja ime e arratisur e shkrimtarit, gjithmonë mendon tek pusitë e Policisë politike e letrare: me siguri është i sigurimit shtetëror, CIA -së, KKB –ës ruse, UDBA -ës jugosllave, ose rrufjan i partive politike. “Mik”, ende i papërcaktuar nga përkatsia fetare dhe nacionale me këmbët dhe trutë në legen. Shkaku se, përditë shoh provokime të kësaj natyre “artistike”: me kësula të zeza leckë në kokë, ferexhe të zeza hedhur krahëve, shamia në kokë-fytyrë e tespie kuqezi nëpër Qytetin historik të shqiptarëve.
Kohën e fundit, edhe fatkeqësinë shtetërore historike: provokimet politike nga Pushteti dhe Opozita. Pushteti me këmbëngulje do ta mbajë pushtetin. Opozita me dhunë nga rruga do të vijë në pushtet. I provoi gati të gjitha “armët luftarake”: protestat “paqësore” në rrugë, kampingjet përpara Qeverisë, “bombat politike” në mjetet e informacionit. Kohën e fundit, edhe “bombën atomike” të kryetarit të Shtetit.
Populli, si popull: E kanë thënë moti kohë dijetarët nëpër shekuj, nuk kam të them unë asgjë të re në këtë shkrim publicistik. Problemi është se, ky popull nuk mëson e pranon asgjë nga historia. Përmëkeq, e harron shpejtë edhe të mirën edhe të keqen. Nevojë ka për vetëdije. Provokimet e sotshme politike, janë mu si ato të djeshmet. Nuk ka nevojë të trembemi nga një turmë e deleve të nënkryeme. Ose, me kokë të partive tona politike “demokratike”. Mbreti, kur ka heshtur populli, i ka lëshuar në popull kodoshët e tij besnik, hetojë pse heshtë populli?! E ka ditur se populli që heshtë, është i rrezikshëm për Mbretin dhe Shtetin. Ndërsa, populli që përditë çfryhet rrugëve duke thyer xhama e karrike dhe i manifeston qëllimet e tij politike përpara Qeverisë dhe Kuvendit, nuk është i rrezikshëm as për pushtetin e as për Shtetin. Tekefundit, shqiptarët në këtë dalldisje politike të “vëllezërve”, nuk kanë edhe çka të humbin si popull i ”barabartë” në Shtetin e “përbashkët”. Kurrë, gjatë këtyre viteve, nuk kanë pasur as pushtet e as shtet. Dy Qetë e zgjedhës të përrallës në Abetare, të cilët zihen me brirë me këshillën e “mikut” historik për barin e njomë, se: kau tjetër kullotë më shumë tërfojë në Livadh, erdhi koha t’i hajë që të dy Ujku.
Ende pa i hëngër Ujku Dy Qetë e Abatares, pas pak kohe nga brenda restorantit, delë një vajzë simpatike dhe i prezntohet më këmbë në gjuhën maqedonase të panjohurit: Unë jam Liridona. A ka mundësi të vini pak brenda në tavolinën tonë me ne të pini një kafe? I panjohuri u ngritë nga tavolina dhe hynë në sallën tjetër (brenda) restorantit. Edhe, e shtruan bisedën “patriotike - politike” për disa minuta, matanë xhamit kokë më kokë mbi tavolinë përballë filxhanave të kafesë.
Ditën e nesërme në një portal “mbarëkombëtar” me këmbët dhe trutë në legen, e shoh me fotografi kuqezi po të njëjtën vajzë simpatike se, qenka e pakënaqur me Bashkimin Demokratik për Integrim. Përmëtepër, Dega e BDI -së Tetovës ka shprehur pakënaqësi dhe revoltë lidhur me përzgjedhjen e ministrave, posaqërisht me pozitën e zëvendësministrit për Implentimin e Marrëveshjes Ohrit, pse u emrua Festim Halili dhe jo vajza simpatike intelektuale nga Shipkovica historike.
Qesha, vetmevete: Ali Ahmetit, siç duket i paska djegur tambëli dhe tash i fryen edhe kosit. Dorën në zemër, edhe veprim pozitiv për një parti politike. Mjaftë më bënë “politikë madhore” me Teuta Kuqezi e Mic Sokola që e rrokin topin për fyti. Koha është, tashti të bëjnë pak politikë kombëtare edhe me Shotë Galica e Bajram Curra.
Ironike, e kënaqi politikën shqiptare intelktualja e Shkupit, mangut i paska mbetur ta provoj veten edhe Intelektualja nga Shipkovica historike. Emërim politik, për të cilin paska mbetur i dëshpruar edhe krahu luftarak?! E pyes veten: I cilit krah, Luftës të 2001 -shit, apo i Ushkurit?! Edhe pse, intelektuales i është premtuar herë pas here se do të avancohet në parti, një herë si deputete, e pastaj si ministre.
Kulminacioni i ftakeqësisë kombëtare shqiptare, se: simpatikja e BDI -së, gëzoka edhe përkrahje pa rezervë nga faktori ndërkombëtar, duke e vlerësuar partizanen me kapacitete të forta për lidershqip?!
Imzot, me këto patriotë e patriote kuqezi nuk bëhet Parti Kombëtare Shqiptare, Shtet Shqiptar e as Shqipëri Etnike. Shqiptarët, deri kur do t’i turren përmbrapa Dashit me brirë si dhelpëra dinake fushave e maleve, herdhet na si vorba mos i bien udhës?!...