| E enjte, 14.04.2016, 05:44 PM |
E bukura ekziston kur e ndajmë midis nesh
Nga Dr. sc. Bardhyl Maliqi
Përsiatje rreth librit “Lulet e heshtjes” të poetes bullgare Albena Dekova dhe poetit shqiptaro-grek Vangjel Zafirati, libër që e ka sjellë aq bukur në shqip Olimbi Velaj dhe botuar këndshëm shtëpia botuese “Neraida”.
Përshendetje Albena! Ndihem mirë që jam miku yt, ndihem shumë mirë me krijimtarinë tënde në poezi dhe në prozë. Ti, mikja jonë poete, e ke kapërcyer ka herë Plevenin tënd të mrekullueshëm, qytetin magjik të shirave dhe gjelbërimeve të praruara, të muzeve të shumtë dhe shëtitoreve të gjera plot zhurma rinore, hoka djemsh e të qeshura vajzash.
Kam lexuar e sjellë në shqip disa nga poezitë e tua të bukura, impresionuese, por sot do të them dy fjalë për librin e përbashkët me poetin shqiptaro-grek, mikun tim, Vangjel Zafiratin. Kjo vepër është padyshim një dhuratë e bukur për çdo lexues, është padyshim një vepër epistolare dhe eseistike e pazakontë, akohore dhe njëkohësisht kohëintegruese. Ky libër është një sfidë e mrekullueshme filozofiko-psikologjike dhe letraro-artistike që ju të dy si krijues origjinalë e të njemntë i bëni kohës. Leximi I këtij libri tregon se sa anemike janë rrjetet sociale, ku njerëzit shkruajnë si të belbër, si autikë të lindur, por të paedukuar. E ç’janë insagramet, facebookët, tuiterët e të tjera marrina pseudosociale. Duke lexuar librin tuaj të përbashkët të shkruar në kushtet e pamundësisë ekstreme, ju keni kapërcyer kyfijtë e njohjeve, kufijtë e shteteve dhe të kohëve. Ti Albena nuk di as shqip as greqisht, Vangjeli nuk di as bullgarisht, as anglisht. Një mikesha jonë e përbashkët, poete emigrante bullgare, anëtare e klubeve të UNESKOS, Emilia, të cilën edhe unë e kam njohur në Greqi, në Kongresin e Atalantit, lidhi fijet e përbashkëta të gjuhës së munguar përms greqishtes, u bë ura ndërmjetëse ku ju të komunikonit lirshëm në takimet tuaja shpirtërore, meditative dhe si të ëndërrta, gjysmëmagjike, në takimet e mungesës së komunikimit fizik. Kjo është e rrallë, gati e pabesueshme, për të mos thenë e magjishme.
E lexova me etje librin. I keni kapërcyer kufijtë tanë të pritshmërisë. Nuk e prisja, jam i lumtur për Vangjelin, por edhe xheloz, pasi aty isha edhe unë. Pse zoti e ruajti këtë fat për Vangjelin dhe jo për mua? Edhe unë të njoha dhe të ndjeva po aq, bëmë edhe disa komente për emrin tënd, Albena, Albana, Albania... A të kujtohet,? Me siguri të kujtohet, por vetëm kaq. Emilia ishte përkthyesja që me fjalën e saj qëndroi midis jush si midisëse, si një Jezu femëror. Tani edhe unë bindem se bota ekziston kur jo vetëm e perceptojmë, por kur e ndajmë midis nesh, përndryshe njeriu mbetet një Robison Kruzo i kohëve moderne. Kështu edhe e bukura, shpirtërorja dhe e magjishmja. Ne, si qenie njerëzore kemi tërheqje intriguese drejt të panjohurës, kjo na ka bërë të zbulojmë Amerikën apo Australinë për të mos mbetur monumente të kufijëve të pritjes. Ne shihemi në sy dhe heshtim, mjafton magjia e pasqyrave të Narcizit, jo për t’u dashuruar me veten, por me sivllamin tonë, tjetrën mashkullor apo tjetrën femërore. Ndodh si në dashuri, si në vargjet lazgushjane “Se s’dashuroja as unë, as ti, po dashuronte dashuria”. Shihemi në sy dhe heshtim dhe heshtja është si uji i bekuar. Heshtja është si shi rrëfimi, shuan etjen e dheut dhe etjen tonë njerëzore, për të pirë një kupë shpirt prej buzëve të çelura në prologun e fjalëve të tjetrit. Kjo na bën të themi se ne jemi çelësmbajtësit e parajsës, se ne nuk e provojmë poetin, ne e përcjellim atë brenda vetes me të gjithë receptorërët tanë, që janë tepër të ndjeshëm, veçanërisht si antena të perceptimit të heshtjes, të luleve të saj. Çakejtë në pyllin e fshatit apo breshka në oborrin tim, janë vetm shkaku për të deshifruar veten, veten tonë të mistershme, veten tonë magjike.
Vera është një pije e bekuar në librat e shenjtë, ajo ka një kod hyjnor, magjik, të mrekullueshëm, t’i hap me lehtësi portat e gëzimit, portat e parajsës. Pra metaforikisht vera është çelsi magjik i parajsës në duart tuaja Albena, në duart tuaja Vangjel! Jo më kot popujt në besimin e tyre politeist kanë nga një perëndi të posatshme pikërisht për verën, për vreshtin, për magjinë e lëngut të kuq. Vera të bën të thuash se e bardha është e zezë dhe e zeza është e bardhë, jo pa arsye ky është titulli i njerit prej librave poetikë të Vangjelit. Vera na bën që edhe delfinët, megjithëse e kemi të vështirë të ua indetifikojmë gjininë, t’i shohim si qenie të dashuruara, si qenie njerëzore. Kështu një punë skulpturore në mermer e Niko Godrolit bëhet shtysë që njeriu ta kapërcejë vetveten përmes përsiatjes dhe meditimin, të shkojë në qiellin e shtatë. Dhe kur mbrin aty infektohet nga virusi i dritës, bëhet inkadishent, përmbytet prej dritësimit. Kështu marrin vlerë edhe objektet e tjetërsuara edhe mistifikimet. Kështu lind urtësia, prej tepricës së dritës, ose prej ulërimave të vetmisë së çakallit. Dhe ulërima si realitet pa dorashka na bën të thërrasim vdekjen, ose të strukemi në zhguallin tonë, se ne nuk jemi perëndi, por qenie të vdekshme, por edhe të perëndishëm të ishim, theqafjes do t’i trembeshim njësoj, ndaj do ta mallkonim Zeusin edhe ne, ashtu si Prometeu.
Qenia jonë prometejane, apo thjesht qenia jonë njerëzore na lidh me yjet. Jo më kot në poezitë simboliste të Poradecit dhe Migjenit tonë, te Vallja e yjeve apo Baladë qytetëse, yjet janë në mos protagonistë të dashurisë, spektatorë të pafajshëm ndaj pabesisë sonë, medoeos. Të lidhesh me yjet është magjike, të ndjekësh vallen e tyre do të thotë se je me fat dhe nuk është e thënë që kur kafshon mollën të jesh fatkeq, ka më shumë shans të jesh fatlumë, se nuk ishte fajtore molla për Adamin dhe racën njerëzore, as për Herën dhe Afërditë. Një ditë Troja do të binte, Helena nuk ishte shkaku, por preteksti i luftës. Trojën do ta vriste begatia e vet. Shtëpitë e të pasurve vidhen, plaçkiten e mandej digjen se shtëpitë e të varfërve i ka mallkuar fati.
Mos u vërtitni në hapsira miqtë e mi, Albena e Vangjel, mos kërkoni “Tre elemente dhe një tjetër”. Elemetet e kozmogonikë janë gjithmonë katër: Toka, Uji, Zjarri dhe Ajri, elementët e botëformimit ekzistojnë në përmasat shumëdimensionale të hapsirës, kohës dhe lëvizjes apo në daçi në përmasat e dashurisë, paqes dhe harmonisë. Në kopshtet e varura të Babilonisë apo në kopshtin e Edenit, në kopshtin antik të athinasit të përvuajtur Sokrat apo kopshtin e ditëve tona, ne njerëzit përjetojmë të njejtat dashuri dhe të njejtat brenga. Elegjia e flautit dhe epitalmi i lirës, megjithëse njeri frymon e tjetri tringëlllin, përmes vibrimeve të ajrit si valë zanore mbrrijnë në magjinë e dëgjimit si unitet zanor, atje ku breron një shi i artë, në Pleven, në Selanik apo në Sarandë. Dhe këngët tona, dhe librat tanë poetikë dhe buzëpërkitjet apo duartrokitjet s’janë gjë tjetër, veçse një notë më tepër në pentagramin e shiut.