| E diele, 10.04.2016, 03:33 PM |
CIKËL POEZISH
VARGJET-HISTORI QË SHËROJNË PLAGË E HAPIN DYER TË MËDHA
Sejdi BERISHA:
NDOSHTA EPITAF I HARRUAR...
Në një rrasë guri
Jo i asaj as i kësaj kohe
As i kohës së gurit
Por i atij vaktit
Kur toka kishte zënë vend
Pasi ia hoqa pluhurin e kohërave
Në te shkruante:
Duajeni njëri-tjetrin
Nëse dëshironi
Stinët të prarohen...
Nuk di a ishte epitaf
Apo këshillë për njeriun
Ky shkrim në rrasë guri
Që aq shumë pëlqehet e urrehet
E nuk ruhet askund...
NJË DITË…
Ndoshta një ditë
Në ulësen e lulishtes
Vetëm me vetveten do qëndrosh
Dhe askush nuk të vëren
As nuk do të shoqërojë
Kurse Ti
Shikimin do ta varësh
Mbi qepallat e syrit
Që nuk I sheh
E shiu
Deri në palcë do të lagë…
NË KËTË MËNGJES...
Pse ky shikim kaq i trembur
Si zogu në acar
E behari kudo ngre mall
Është kjo pritje
Apo etje për përqafim...
VARGU IM M’I NGJANË...
Nganjëherë
Vargu im m’i ngjanë
Lutjes që nuk kërkon përgjigje
Lulishtes që nuk i do muret
Më ngjanë në dorën e vogël
Që hapë dyer të mëdha
Në buzë të plasaritura
Që as akulli nuk ua heq shkrumbin
Më ngjanë në fjalën
Që vetëm pajton
Më ngjanë
Në beharin e të gjitha pranverave
Po çfarë bën kështu
O vargu im
Po edhe pati herë tjetër
Nuk di si do isha ndryshe
Prapë do të isha
Njeri i zakonshëm
Sepse ky është betimi im
Ky është hidhërimi im...
KUR BIE SHI...
Kur bie shi
Duke buzëqeshur
Ëmbël shtrihem
Mbi sytë e mi
Dhe më zë gjumi
Duke mikluar etjen
Për fjalën
Të pastër si loti
NË KËTË TERR KOHE...
...Në këtë terr kohe
Nuk di se çfarë të bëj
S’më mbetet gjë tjetër
Përveçse me dritën e diellit
Llambat e atdheut t’i pastroj...