| E marte, 05.04.2016, 08:06 PM |
Sajmira
Laçi, drejtoresha e Shëndetësisë dhe kryetarja e LSI-së, që gëzon respektin dhe
mirënjohjen e pukianëve
Nga Dukagjin Hata, Ndue Dodani
Kushdo që shkon në Pukë, për punë apo për qejf, për të shijuar bukuritë e një turizmi sharmant e të beftë, nuk mund të mos dëgjojë për Sajmira Laçin, shefen e shëndetësisë dhe kryetaren e LSI-së së Pukës, e cila ka pesë vjet që si drejtuese e një sektori jetik dhe veprimtare politike ka bërë e vazhdon të bëjë aq shumë për pukjanët.
Motoja e jetës së saj si mjeke dhe si politikane bashkohen në të njëjtën pikë: në përkushtimin njerëzor për të sjellë sa më shumë shërbime kualitative në dobi të njerëzve në nevojë, për ta bërë shëndetësinë një art të dashurisë për njerëzit dhe politikën një art të komunikimit me nevojat e tyre.
Mjekja e apasionuar, e cila gjendej orar e pa orar të koka e të sëmurëve dhe shtëpia e të cilës hapej ditë e natë, kanat më kanat për nevojtarët, u “gjurmua” nga LSI-ja, e cila shikoi tek kjo vajzë një model përkushtimi qytetar dhe një mundësi që ky përkushtim të mund të çonte ujë dhe në mullirin e politikës, e cila ka aq shumë nevojë për figura dhe modele të tilla, për ta bërë atë më atraktive dhe më komunikuese me të gjitha shtresat e shoqërisë.
Kështu, në krye të LSi-së së Pukës, Sajmira u bë një nga protagonistet më aktive të kësaj partie në qytetin e vogël verior e më gjërë, duke ndikuar në rritjen e imazhit dhe të veprimit të kësaj force politike, në këtë trevë të vendit.
Kur e nisi rrugëtimin e saj si kryetare, LSI-ja në Pukë nuk kishte më shumë se 200 vota, por në dy zgjedhjet e radhës, në ato qendrore në qershor 2013 dhe në ato lokale një vit më vonë, kjo parti arriti të marrë 1500 vota, ndërkohë që po vjen gjithnjë e më shumë duke u rritur dhe strukturuar e mirëorganizuar. Kjo, sigurisht, dhe falë punës së kësaj vajze me vullnet të fortë dhe me shpirt iniciative, e cila e shikon politikën si një mundësi për të ofruar më shumë vlera e resurse tek qytetarët, që i shikon si të barbartë, pavarësisht nga përkatësitë politike dhe ngjyrat partiake.
Sajmira ka një shkallë përgatitje profesionale të lakmuar; pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë, ka kryer një specilaizim pasuniversitar në fushën e analizave, ndërkohë që vihet çdo ditë në kontakt të literaturës më bashkëkohore në fushën e mjekësisë, duke e vështuar gjithmonë këtë literaturë si një mundësi për të përmirësuar nivelin e shërbimit ndaj të sëmurëve në Pukë, nga fshati më i thellë deri në zemër të qytetit.
Bijë e një mësuesi veteran Adem Laçi, i cili ka bërë aq shumë për arsimin në Pukë dhe rrethinat e saj, Sajmira është rritur mes librave dhe me kulturën e librit, e cila është kultura e të nxënit dhe të selitjes së vlerave, kultura që e çon njeriun gjithmonë në kërkim dhe nuk e lë të zërë kurrë myk e të plogështohet, qoftë fizikisht, qoftë mendërisht e shpirtërisht.
Sajmira është mjaft e ngrohtë dhe komunikuese; ajo di t’i prekë aty ku “iu dhëmb” të sëmurëve e t’i kurojë, jo vetëm me vizita, ilaçe e terapi, por dhe me fjalët e ngrohta inkurakuese; ajo di të sillet me vartësit e t’iu ofrojë atyre përvojën e saj, t’iu lërë hapësirat e nevojshme për të qenë ploëtsisht të cliruar nga çdo frymë diktati dhe protokolli formal, me qëllim që punët të kapen nga koka e jo nga bishti, siç ndodh kur nuk ekziston klima e mirëbesimit në raportin epror-vartës dhe anasjelltas.
Kryerja e momografisë deri në skajet më të thella të rrethit, deri në fshatrat më në skaj e larg çdo rruge komunikimi, është një nga arritjet më të mëdha të Sajmirës, jo vetëm si mjeke, por dhe si shefe shëndetësie, duke u bërë shembull edhe në shkallë ministrie.
Kjo, sigurisht, që nuk ka qenë diçka e lehtë, sepse përveç vështirësive që lidhen me terrenin e thyer dhe mjaft të shpërndarë, që pengonte shkuarjen në bazë, ngrihej si barrierë e fortë dhe moskuptimi i femrës, paragjykimi i familjeve konservatore dhe pa njohuritë dhe informacionet e nevojshme
Shpërndarja e ndihmave për familjet më të varfëra, përballimi falas i nevojave të tyre më urgjente për vizita e kurim, kanë qenë dhe janë pjesë e angazhimit të saj profesional, si mjeke dhe drejtuese, duke bërë që të zgjojë mirënjohjen dhe respektin e njerëzve të këtyre anëve, që shohin tek ajo një mjeke të përkushtuar, një drejtuese të zonja dhe të pakorruptuar dhe një politikane, që tenton të ofrojë shanse e mundësi të barabarta për të gjithë, pavarëisht nga shkalla arsimore e niveli shoqëror, pavërësisht nga bindjet partiake dhe gjithçka tjetër me të cilat diferencohen njerëzit.
Shoqëria jonë e prekur nga defektet dhe pasojat më të skajshme të këtij tranzicioni dhe sidomos politika, e cila në këtë vend ka shumë mëkate, kanë nevojë për njerëz profesionistë, idealist e progresistë si Sajmira Laçi, kanë nevojë për shembëlltyra të tilla, që japin gjithçka për komunitetin ku banojnë e jetojnë dhe me sjelljen e tyre, me pasionin dhe përkushtimin politik e qytetar, behën për këtë komunitet modele shprese për një jetë më të mirë e më dinjitoze.