Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Havzi Nela, martir i vargjeve të lirisë

| E merkure, 13.08.2008, 10:04 PM |


Havzi Nela

Një njollë turpi

Nga Ismail Kadare

Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme. Prej kohësh nuk ka patur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka patur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve. Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare.

Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar.

Një poet u lëkund në trikëmbësh për tri ditë rresht, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar. Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajo në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Pa krim shefat komunistë ndiheshin të dobët e të squllët. Me krimin ndiheshin trima, si gjithë fikacakët.

Poeti Havzi Nela, që po të ishte gjallë do të festonte së shpejti 75-vjetorin e lindjes së tij është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.

Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t'u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirnë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësine e tyre atje ku pushojnë. Eshtë shoqëria shqiptare ajo, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë.

JOKONFORMISTI HAVZI NELA

Nga Petrit Palushi (RD)

Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më shëmtuara të regjimtarisë komuniste, një "arenë vdekjeje", siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës.

Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të regjimtarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët.

Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij mu në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit n'Evropë.

I ndëshkuari rëndshëm i 10 gushtit 1988, qysh më herët kish kërkuar t'i ikej hakmarrjes dhe shoqëria të ecte sipas normave civilizuese, por vdekja tragjike e ndërpreu atë të shihte dritën e lirisë. Mu në zemër të ferrnajës as foli dhe as shkroi me mllef, por me padurimin e njeriut që priste ndryshimin e madh:

"Shpejt gjithçka ka me marrë fund. Ne do mbyllim shumë gjana dhe do sillemi si njerëz, se përndryshe nuk e merr kurrë vetin Shqipnija. Gjaku me gjak nuk lahet se bahet nji pellg tjetër gjaku që s'e lan e s'mundet me e la kurrën e kurrës të parin".

Me martirin H. Nela, ndodhi ajo që thoshte dikur A. Kamy se "Shoqëria ndihet më mirë kur heq qafe individë që nuk i përshtaten moralit të saj".

Të duket se ai, të gjitha stinët e vuajtjeve i ka marrë me vete, i ka tërhequr zvarrë dhe si rrëmujshëm për t'i ekspozuar nën dhé, vetëm atje ku trupi i tij ndoshta mund të ketë gjetë përfundimisht qetësi.

Të duket gjithashtu se në rastin e tij, rastësitë, enigmat, të fshehtat dhe pështjellimet sikur s'kanë të sosur.

Është fjala për Havzi Nelën.

Është fjala për njeriun që u sakrifikua për integritetin dhe dinjitetin njerëzor, dhe si i tillë, ai në vetvete, mbeti triumfi i moralit të njerëzishëm.

Është fjala pikërisht për atë njeri, i cili, aty kah vitet shtatëdhjetë, në burg-zgafellën ku e kishin ndry, i këndonte Frymës së Helsinkit, mirëkuptimit dhe paqes njerëzore, ndërsa Shqipëria e asokohshme po shkonte hijerëndë, plot këndellje dhe me duartrokitje drejt izolimit fatal:

Kështjella feudale tundet e lëkundet

Si një varkë e thyeme mbi valët përkundet;

Tirani mizor me detin sot po mundet

Thellë, gjithnji ma thellë, n'mes dallgëve po futet.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era

Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;

Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë

Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë.

Fati i H. Nelës është fati i njeriut nën diktaturë, është fati i njeriut të nëpërkëmbur deri në skajshmëri, por njëkohësisht është modeli i njeriut që reagoi vazhdimisht ndaj një bote të pajisur me çmos gjërash të rënda dhe tinzare.

Të mërkurën e 10 gushtit 1988

Në mëngjes, por dhe deri në orën 11 të paradites, në Kukës, në sheshin e vogël të agjencisë së automjeteve, mu atypranë ku kryqëzoheshin katër rrugë, njerëzit ndaleshin dhe mbanin frymën të shihnin një njeri të varur në një trekëmbësh të sajuar shkeleshko, që të krijonte përshtypjen se një trekëmbësh i tillë qe punuar natën, pa kurrfarë drite. Në anën e epërme të trekëmbshit qe vendosur një parullë e shkruar në karton:

HAVZI NELA, ARMIK I PARTISË DHE I POPULLIT

Emri dhe mbiemri i të ndjerit qenë shkruar me bojë guash ngjyrë blu, fjala: armik, me të zeza, ndërsa fjalët: i partisë dhe i popullit, me të kuqe. Shkrimi qe i rregullt, i shkruar në mënyrë më tepër se të përkujdestë, që të linte përshtypjen se qe shkruar nga një dorë e stërvitur dhe e kujdesshme dizenjatori, dhe, mesa dukej, ose siç mund ta marrim lehtas me hamendje tani, e miratuar më parë nga komisioni i organizimit të ceremonisë së marrjes së frymës.

Qe e mërkurë, 10 gusht 1988.

Qe zgjedhë pikërisht ai vend pranë të cilit kryqëzoheshin katër rrugë, që jehona e atij ekzekutimi t'ishte më i madh, që frika dhe ankthi tek njerëzit t'ishte më i shumëfishtë.

Një ditë më parë, në këndin e lojnave me dorë, qe organizuar festa e grurit dhe i deleguari nga ishulli i zotave komunistë nuk pat harruar të vinte në dukje se vendi po shkonte gjithnjë përpara, se në Shqipëri, si askundtjetër në botë, respektoheshin të drejtat e njeriut.

Është afërmendsh që fillimisht qe bërë parapërgatitja për gazmendin mortor: përgatitja e trekëmbëshit dhe e litarit dhe zgjedhja e vendit më të përshtatshëm ku do të ekspozohej i varuri.

Më mbrapa: marrja e frymës (pa fiksuar fjalët e fundit të njeriut, të cilit po i merrej fryma dhe pa bërë fotografinë e rastit sipas rregullave më elementare të një ekzekutimi).

Mbas gjithë kësaj, trupi i të ekzekutuarit sikur lodron në ajër, ndërsa ruajtësit që ruajnë me krenari dhe krejt zell të mbyturin, qetë-qetë presin të pikaderdhet drita e mëngjesit që atypari të mblidheshin vëzhguesit, të cilët, pa dyshim do t'ishin të shumtë dhe krejt të vëmendshëm ndaj asaj pamjeje të trishtë dhe të pazakontë për ta.

Vëzhguesit e shumtë, banorë të qytetit tejetprovincial, por dhe të rrethinave të tij, të zhytur në detin e humbtajës, n'atë marramendje indoktrinuese, sikur kishin ftesën më të veçantë në botë:

FTESË PËR NJË GAZMEND MORTOR

Sehirxhinj të tillë, me një lloj ftese mortore me vete, duhej të merrnin mësim sipas riteve të njohura komuniste, prandaj mu për atë gjë duhej t'ishin tepër të vëmendshëm dhe syçelët, të shkonin menjëherë aty dhe të largoheshin me rregull.

Por, viktima qe asgjësuar mu dy orë mbas mesit të natës.

Ruajtësit e tij, të dehur nga mbytja, më saktë, si të përhumbur nga avulli i mbytjes së atij njeriu që e kish larguar vdekjen çdo ditë me shpirtin e tij të rebeluar dhe të lirë, prisnin mëngjesin që të shihej gjahu, të cilin e ruanin me fanatizëm, prisnin me ngut që shefat e lartë partiakë dhe shtetërorë që administronin primitivisht jetën e asaj province, të shpërmalleshin dhe të këndelleshin ngutshëm me gjahun e tyre që e kishin kërkuar prej vitesh, prej dekadash, madje prej 22 prillit të vitit 1967, kur ai njeri (të cilin, të nesërmen do ta shihnin të varur), kish kërkuar me ngulm të frenohej rrënimi i jetës, duke realizuar kësisoj thuajse reagimin më unikal në Shqipëri ndaj atyre formave ndëshkuese që do shtronin shtresën e mjegullt mbi krejt jetën e atij vendi të vrazhdë.

Njëzet e një vjet më parë, ai kish reaguar haptas dhe bindshëm ndaj tri kërkesave të pushtetarëve, si futja në kooperativën bujqësore, prishja e kishave dhe xhamive, ndërrimi i veshjes:

"Populli asht i sëmurë, tri gjylpana menjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë..."

Kish kërkuar të mos prishej struktura shpirtërore dhe ekonomike e njerëzve dhe mu për atë, fjalët e tij shkaktuan një trazim në krejt mjedisin e indroktinuar, por dhe një lëvizje të ethshme të hallkave të pushtetit për të mbytur atë lloj drite që po përpiqej të dilte nga mesi i errësirës. Reagimi i tij qe një refuzim i plotë ndaj kërkesave të pushtetit të diktaturës; reagimi i tij është njëkohësisht kundërshtimi më i hapur që i bëhej ideve dhe praktikave të partisë-shtet. Kësisoj, ai kërkonte të kthente përmbys atë program të tillë fatal për zhvillimin e vendit. Por, këtu do të niste edhe drama e H. Nelës, do të nisnin vuajtjet që do të sosnin vetëm në natën e mbytjes së tij. Pra, është krejt e natyrshme të thuhet se qysh n'atë kohë, ai po kërkonte të kthente përmbys programin shkretues të partisë-shtet, të ngrihej kundër ideve të zeza të fjalimit të diktatorit Hoxha për revolucionin kulturor. Ndërsa, sot, shumë kohë mbasi ai është ndarë dhunshëm nga jeta, lehtësisht mund të shihet përpjekja ngulmuese e tij e asokohshme; ndërkaq, kooperativat bujqësore janë shkatërruar, kishat dhe xhamitë janë rihapë dhe veshja është krejt në shijen e vetë individit.

Megjithatë, n'atë 10 gusht të 1988-s nuk ndodhi ajo që pritej.

Viktima nuk po kundrohej nga lart-poshtë, d.m.th., jo si në amfiteatër, ku njerëzit të ulur nëpër shkallë, e kundronin me një ndjenjë hakmarrëse atë që shqyhej, pra si në lashtësi, kur për shumë kohë spektatorët kundronin viktimën që po i merrej fryma dhe mbasi kryhej kjo gjë, ngriheshin në këmbë e brohoritnin..

I mbyturi, i shqyer natën në fyt dhe që po ekspozohej ditën për diell, tashmë po kundrohej prej shikuesve nga poshtë-lart, pa britma a gjëra të tjera të këtij lloji. Duke qëndruar n'atë lartësi, dukej se do shkonte përfundimisht në sferën qiellore, për t'u bërë banor i përhershëm i saj, për të mos zbritur kurrë më prej andej, si për t'u larguar gjithherë prej tokës së njerëzve, ku qe trazuar gjithë jetën e lume.

Shikuesit, të urdhëruar për të parë, ose duke ardhur aty edhe me dëshirën e tyre, ndërsa shumë prej tyre edhe si për rastësi, kundrimin e kthyen thuajse në një ceremoni mortore, si për të bërë homazhe në heshtje, si për të ngushëlluar njëri-tjetrin, se ajo pamje e trishtë do të mbetej si gozhdë në mendjet e tyre, por dhe si për t'i thënë njëri-tjetrit se në ç'mesjetë, në ç'terr e humbje po e kalonin jetën e tyre. Refuzimi apo mospajtimi me një një akt të tillë mizorie, qe qortimi i parë publik i banorëve të qytetit dhe katundeve përreth ndaj regjimtarisë komuniste.

Në anën tjetër, ai qytet i vogël, i mbështjellë në një zymtësi dhe zbehtësi jete të përditshme, u tkurr nga e panjohura e trishtë. Ndoshta, qyshprej vitit 1962 kur u vu guri i parë për ndërtimin e tij, n'atë mëngjes gushti të 1988-s, ai qytet u gjend me pamjen më të deformuar e të zbrazët të tij: një pamje e vranët, me një ditë të kthyer krejt përmbys, thuajse pa frymë normale njerëzore. Shëmtia shtetërore pra ndodhi në një qytet për të cilin pushteti i asokohshëm me një vetëkrenajë absurde trumbetonte se qe i vetmi qytet i vetëm në botë pa asnjë ndërtesë private, se ky qytet njëkohësisht qe dhuratë e partisë për banorët e zonës (Ndërkaq, aty kah vitet tetëdhjetë dy parulla të mëdha me gurë ku shënonin emrin e diktatorit Hoxha kishin zënë vend dukshëm, njëra në malin e Gjallicës, tjetra në shpatmalin mbi katundin Brrut. Duhej, që në një formë a tjetër, syni i banorëve të mësohej vazhdimisht me germat stërmadhe që shënonin emrin e diktatorit. Por, aty pak kohë para se të përmbysej diktatura, dy parullat kishin marrë një pamje tjetër, të shpëlarë. Ato sikur e patën humbë jo vetëm shkëlqimin a dritën e parë, por thuajse edhe pamjen mashtruese të dikurshme. Atë në malin tashmë krejt të zhveshtë te Gjalicës e pat mbulue tymi i uzinës së shkrirjes së bakrit dhe germat ngjanin me do zvarranikë të zinj që qenë ngjitë përtokas, ndërsa atë në shpatmalin mbi katundin Brrut të dikurshëm e kishin mbulue shkurret dhe s'i kishte mbetë as nami as nishani).

Asnjë njoftim në shtypin qëndror për ekzekutimin e H. Nelës. As TV shqiptar dhe radio Tirana. As gazeta vendore, por as edhe Radio Kukësi, e cila në një farë forme atë ditë u shndërrua më tepër se kurrë në një shtëpi memecësh. Pamja e hirtë e asaj ndërtese atë ditë sikur mori pamje më të errët. Megjithatë, krejt jashtë dëshirës pushtetërore, këmbanat sikur kishin rënë që qyteti provincial, të dilte prej mesjetës, territ dhe humbjes.

N'atë mëngjes gushti të përvëlimtë, i ndëshkuari sikur po kërkonte të trazonte të fjeturit.

Fati s'e ndihu të punonte më si i gjallë, por edhe ashtu, po vazhdonte të trazonte të fjeturit, ata të përgjumshëm në ritin e tyre të zakonshëm, n'atë rit që dukej se nuk do të ndryshohej kurrën e kurrës.

Dënim, ridënim, internim dhe më në fund ndëshkimi fatal

Mbasi qe dënuar për të parën herë me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie dhe për të dytën herë me tetë vjet, në dënimin e tij të tretë (internimi), në vendimin përkatës shënohej se internimi i fillonte me datën 26. 9. 1987 dhe i mbaronte me datën 26. 9. 1992.A

Por s'ndodhi ta kryente krejt internimin. Diçka e tjetërsojtë do ta mbështjellte trupin dhe shpirtin e tij: vdekja do të vinte ngeshëm, madje si një makinë hijerëndë.

Dënimi i katërt qe fatal për të, dhe qyshprej verës përvëluese të 1988-s, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve.

Pushtetaria komuniste kësisoj kish menduar përjetësinë e vet. (Pra, njerëzit e këtij vendi le të qëndronin nën një mizori e përhershme, nën një tirani në të gjitha stinët! Rëndësi kish që ajo pushtetari të kish vijueshmërinë e vet dhe ku në rend të parë të kish shkeljen masive të të drejtave të njeriut).

Në këtë vorbull, R. Alia, firmosësi përfundimtar i ndëshkimit të H. Nelës, dy vjet pas asaj firme ndëshkuese, në korrik të 1990-s (kur 5800 shqiptarë u futën nëpër ambasada të huaja dhe 3200 prej tyre në territorin e ambasadës gjermane), deklaroi se "Njerëzit që kërkojnë strehim në ambasadat e huaja s'janë patriotë, as njerëz të ndershëm të këtij vendi", si një dëshmi se ai kërkonte ende të ruhej izolimi i Shqipërisë. Por tashmë jehona ngjarjeve të fillimkorrikut qe përhapë në gjithë Shqipërinë si një shenjë e dallueshme se regjimi komunist po i shtynte ditët me sot me nesër dhe qe krejtekrejt në grahmat e tij të fundit. Në dhjetor të 1990-s, lëvizja historike studentore i solli trandjen e pariparueshme regjimit diktatorial dhe e ndau atë për mesi, duke shënuar fillimin e ndarjes së madhe me atë të kaluar të terrtë të regjimit diktatorial, pothuajse më mizori ndër regjimet e mbasluftës së Dytë Botërore n'Europë.

(Në faqen 12 të dosjes, nr.1055, Prot. datë 18. 6. 88, me shënimin "SEKRET", në materialin që i dërgohej Hetuesisë së rrethit, Kukës (nënshkruar nga zv/kryetari i degës së Punëve të Brendshme, Kukës, Ali Turabiu), shkruhej:

"Me vendimin nr. 16, datë 26. 9. 1987, të Komisionit Qëndror të internim dëbimeve, është vendosur internimi i Havzi Nelës nga fshati Kollovoz i rrethit Kukës, për 5 vjet në fshatin Arrën të këtij rrethi. Zbatimi i vendimit u bë me datë 12. 10. 1987.

Theksojmë se internimi i fillon me datë 26. 9. 1987 dhe i përfundon me datë 26. 9. 1992.

Nga organi ynë të sipërpërmendurit nuk i është dhënë leje për largim nga vendi i internimit. Me datën 13. 6. 1988 është larguar nga vendi i internimit pa leje në drejtim të paditur").

Ndërkaq, si për ironi, i njëjti prokuror në gjyqin kundër Havzi Nelës në vitin 1967, në dënimin e parë të tij, do t'ish pjesëmarrës edhe në gjyqin kundër poetit Visar Zhiti më 1980. Visar Zhiti do të dënohej mu n'atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më fatal në qershor të 1988-s (pra, në qytetin e ndërtuar për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i Vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).

Mungesa e përnjëmendtë e refleksionit politik, historik e kulturor mbi të shkuarën, solli atë që asnjë mendje e kthjellët të mos kujtohej sadopak, së paku deri tani, që mu pranë vendit ku u realizua mbytja tragjike e H. Nelës, të vihej një pllakë përkujtimi a të ngrihej një përmendore, si një kujtesë e përhershme për një realitet dramatik.

Përndjekjet sistematike

Me shumë lehtësi mund të përfytyrojmë gropshtinën e vuajtjes të projektuar dhe të ndërtuar përmes një kujdesi a zelli të tepërt dhe e mbyllur në çdo qelizë të saj, por prapë e ruajtur me qindra dryna. Gropshtina nuk ka as hyrje dhe as dalje: brenda saj është i ndrymë H. Nela, një ndrymje për t'i marrë frymën, një lloj përpjekjeje si për ta bërë atë të pendohej pse kish ardhë n'atë botë. Atëherë, mund të marrim me mend gropshtinza të veçanta nëpër të cilat lëviz mundimshëm ai, ku njëra s'i ngjan tjetrës, por gjithkush mund të dallojë se njëra prej tyre është e zbrazët, ku s'duket gjë tjetër, veç një litar që lëkundet në ajrin mbytës.

Mu n'atë ferrnajë të vuajtjes vepron çdo qelizë e mendjes së tij ditë e natë. N'atë mbyllje e stërmbyllje, lirinë e gjen vetëm brenda mendjes së vet; këtu veprimi është i plotë, i krejtfuqishëm. Rrjedhimisht, e ngre dhe e ringre atë në përmasat e një institucioni me plot dyer të çelura: një zë që del nga errësira apo terrnimi i paskajshëm, një lloj dëshmie e vuajtjes dhe mbijetesës së tij dramatike; qyshprej aty mundohet të përcjellë një kumt që shpërfill terrin dhe ndrymjen.

Mundohet të shohë përmes skëterrës, aq sa mund të shihet.

Përpiqet të dallojë dritën, aq sa mund të duket, mu edhe prej aty ku ferri ka zonën e vet më të pushtetshme.

Në vitin 1916, mistikun rus G. Rasputin, e helmuan me një helm me të cilin mund të mbyteshin dhjetë vetë, por ai shpëtoi, më pas e qëlluan me revole në shpinë, por prapë shpëtoi, e qëlluan edhe tri herë të tjera dhe që të siguroheshin që ai kishte vdekur përnjëmend e hodhën në lumin e akullt Neva. Përpjekja për t'i marrë shpirtin Rasputinit pati një kohë të shkurtër fizike, ndërsa në rastin H. Nela, përpjekja shtrihet gjatë në kohë. Trupi i tij i stërmunduar po soset vazhdimisht nga viti në vit, sikur të mos jetë trup njeriu, por shtatore që zhvendoset nëpër gropa e gropëza të ferrit. Natyrisht, përmasat e vuajtjes dhe mbijetesës së tij, por njëkohësisht, edhe të një qëndrese thuajse epike, gjer në marrjen e frymës qenë jashtëzakonisht dramatike.

Mund të thuhet se kjo është vetëm pjesa e jashtme, si me thënë, orientuese për këdo, për të vëzhguar tablonë e mundimeve të tij. Në rast se e heqim kapakun për të parë ferrnajën e mundimeve, me lehtësi mund të vërejmë se fijet e saj janë futur në trupin e tij si gjilpëra tejpërtej.

E kish mbledhë veten dhe e kish parë më të arsyeshme që të mos kryeshtrohej, duke e ndjerë se kryeshtrimi mund të ish vdekje reale për të dhe jo vdekje e jashtme që mund t'i vinte nga gjëra të tjera, vdekje që do t'i vinte shumë kohë më parë se mund t'i vinte vdekja natyrore, me fjalë të tjera, ai tani e kish mbledhë veten se duhej të bënte sakrifica të vazhdueshme që nuk dihej se kur do të sosnin, siç pat menduar se do të kish edhe mundime të të tjerëve për të, dhe kjo do të vinte vetëm atëherë kur ai të kish vdekur, kur s'do t'ish më në atë botë, në atë mbledhnajë njerëzish që s'kish pranuar kurrsesi t'i përshpirtej kujt, dhe mundimet për të do t'ishin vetëm duke kërkuar varrin e tij, varrin që s'dihej se në ç'humnerë mund të hapej shkel e shko.

Më 16 shtator 1968, në burgun e Vlorës, shënonte:

"Unë i kam vu vehtes për detyrë të ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, të ruej pastërtinë e shpirtit dhe të zemrës dhe fytyrën të papërlyeme, ashtu si dje jasht, edhe sot këtu brenda, të rroj dhe të vdes si njeri".

Tashmë ka nisuë shtegtimin nëpër burgje, duke kaluar për rreth 20 vite, prej njërit burg në tjetrin: Elbasan, Vlorë, Spaç, Burrel, Ballsh, Qafë Bari.

Po citojmë vetëm një pjesë të fjalës së tij në debat me hetuesin në gusht të '75-s, kohë kur do të ridënohej edhe me tetë vite të tjera për "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor". Është po njeriu u vitit 1967, njeriu i rebelimit të madh ndaj hijes së keqe që po lëshohej nëpër Shqipëri, por tani, më i konsoliduar, më vizionar dhe vazhdon të mos tundohet para vuajtjeve të tjera që e prisnin:

(H. Nela: Lidhur me fenë, ajo duhet të ishte lënë e lirë nga shteti për ta ushtruar populli, mos të merreshin masa kaq të forta që ajo të zhdukej, por partia të bënte propagandën e saj gradualisht. Me një fjalë, unë jam njeri besimtar dhe besoj tek feja.

Përsa i përket kolektivizimit të bujqësisë, unë kam mendimin se është shpejtuar në zonën e malsisë, se atje është përdorur edhe forca për t'i futur njerëzit në kolektivizim edhe kur ata kanë kundërshtuar...

Përsa i përket rinisë: unë them se ajo duhet të lihet më e lirë në drejtim të veshjes, të gustos e të jetesës, e të mos i diktohet si të vishet e të qethet, por jam edhe me atë që ajo të mos rrëshqasë nga tabani kombëtar i saj...

Përsa i përket standartit të jetës, unë them se standart të mirë jetese kanë popujt e vendeve të perëndimit, si Amerika, Gjermania, Suedia, Franca, etj... gjithashtu atje njerëzit janë të lirë të shkojnë nga një vend në tjetrin pa ndonjë kufizim. Këtë e lidh edhe me atë se në Amerikë, një president zgjidhet me afat për 4 vjet, se atë mundet ta kritikojë cilido e nuk i thonë asnjë fjalë).

Gjithsesi, profili i tij, është profili i rezistuesit të shkëlqimtë, i njeriut që u përpoq të kallëzonte dritën në mes të terrnajës së pafundme, i njeriut të pakompromis me të shëmtuarën, të padrejtën, konformizmin dhe antinjerëzoren e diktaturës.

Përpiqet të gjejë energji të tilla në vetvete me qëllim që të kapërcejë atë mjedis mbytës. I vetëdijshëm se prej tij tashmë kërkoheshin sakrifica të vazhdueshme, dalngadalë në krejt qenien e tij modelohet dhe merr frymë prometeizmi, me fjalë të tjera, kthehet së brendshmi në një institucion pathyeshmërie.

Do thënë se s'është e vështirë të shihet se hetimi në parapërgatitjen e dënimit të fundit, ose në dënimin fatal për të, ka zgjatur pak, jashtëzakonisht pak: vetëm shtatë ditë, siç mund të vihet re me lehtësi se formulimi i vendimit për dënimin kapital është marrë dy ditë para se të zhvillohej seanca gjyqësore. Mekanizmi për realizimin e krimit në këtë rast ka vepruar në formën më të përsosur: aktivizimi i të gjitha hallkave të diktaturës për të përgatitur ditën e festës mortore, ndërsa ai, i vetmuar, i dëshpëruar deri në kulm, i pambrojtur prej askujt, priste në qeli ditën e ndarjes me botën e të gjallëve, me atë botë të shkretimtë që vazhdonte të vegjetonte në konformizmin dhe përgjumjen e saj.

Kodi i komunikimit

Friedrich Nietzsche pat shkruar: "Ndër ata që shkruajnë dua vetëm atë që shkruan me gjak. Shkruaj me gjak dhe do të mësosh se gjaku është shpirt". Ndoshta ka pasur të drejtë kur ka menduar për një kod të veçantë komunikimi, kod që mund të vinte realisht vetëm përmes gjakut dhe më mbrapa lehtë mund të dallohej se gjaku qe vetëm shpirt, apo si forma më e dukshme e shpirtit.

Në pamje të parë, kjo thënie e tij, sikur parasheh vuajtje dhe trandje të mëdha dhe jo vetëm në aktin e krijimit (krijuesi i zhytur në ftohmën e vuajtjes, si shenjë e parë paralajmëruese për të dhënë një krijim realisht të besueshëm). Në rast se krijuesi nuk e ka si të veten një ftohmë të tillë, me fjalë të tjera, në rast se i mungojnë ethet e mundimit të paprajshëm, atëherë krijimi është i jashtëm, i zbehtë dhe pa efektin që mund të pritet.

H. Nela nëpër burgje ka vazhduar të krijojë, por çdo varg duke e mbajtur natyrshëm brenda në tru, pa pasë mundësi ta hedhë në letër. Vargjet është përpjekur t'i rimojë me anë të gishtave. Kur ka gjetur mundësinë t'i hedhë vargjet në fletore, sikur është liruar prej etheve të gjata dhe të stërlodhshme të krijimit, por është mbushur me një ndjenjë gëzimi për materialin që po gjente mundësinë të shpëtonte.

Nga ana tjetër, më 5 shkurt 1983, në Qafë-Bari shprehte shqetësimin për krijimet e veta:

("I lutem atij që do të mund t'ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t'ia dorëzoj, të m'i ruej me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbaj pranë vetes").

Mund të thuhet se mendja e tij mbeti një zonë hyjnore, e pacënueshme dhe e paprekshme prej askujt. Fijet e ferrit s'mund të mbërrinin ose s'patën shteg të çeltë deri aty. Ajo s'mundi të izolohej dhe të mbyllej në shtatë dryna, siç e patën mbyllë trupin e tij. Ajo kish nisë shtegtimin dhe krejt e plotpushtetshme dhe sovrane, kapërcente muret e hekurta dhe të mjegullta.

(H. Nela: "Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsërit me vetveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. Këto janë sidomos ato që janë krijue në biruca të Rrëshenit, kur u arrestuesh për së dytu dhe disa të tjera në Burrel.

Kuptohet vetiu se këto që janë krijue pa laps e pa fletore, çalojnë dhe nga ana metrike…

Në këto ditë që mora guximin t'i hedh në letër, sigurisht jam nxitue dhe për ma tepër duke hedh sytë sa majtas djathtas se mos kam tërheq vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë. Në këtë punë jam nisë ma tepër t'i hedh si material bruto dhe nuk kam pasë parasysh as anën gjuhësore. Gjuhën letrare nuk e kam zbatue, herë tosknisht e ma shumë gegënisht; nuk kam pasë parasysh as anën ortografike dhe shenjat e pikësimit, etj. Shkurt, due që ta shpëtoj si material, se do të përpiqem, po munda me i nxjerrë jashtë, se u lodha së mbajtuni në mendje. Gjithashtu dhe titulli dhe ndamja në pjesë asht ba jo ashtu si mendoj unë të bahet. Këtë punë ia la të ardhmes, po qe se dal vetë i gjallë prej këtu - Rrëshen 1975).

Kësisoj, vetëm në mendjen e tij ai ish i lirë: e modelonte atë sipas shijes së vet, dhe mendimet shtegtonin prej burgut në vendlindje, tek njerëzit më të afërt, por edhe në vende të qytetëruara si Amerika, Franca, Austria, etj.

Krijimtaria e tij është një biografi poetike e të vuajturve nën diktaturë, është një lloj ditari lirik dhe epik i vuajtjes së madhe, të pamatë, një vizatim i ferrit të kohës, një ndriçim i pjesëve më të pandriçuara dhe të padukshme të këtij ferri.

Në këto poezi të shkruara me emocion, dhimbje dhe plagë, që mund të ndërtohen të tilla vetëm në kohë të humnershme, mund të shihet dukshëm arratisja prej ferrit, prej errësirës, dhe në vargjet e tij, H. Nela u përpoq të krijonte lirinë e vet, të pazëvendësueshme, të gjithëpushtetshme dhe të pacënuar prej askujt.

Vetëm këtu ai qe i lirë dhe kjo liri e çuditshme funksiononte realisht vetëm në trurin e tij.

Mund të thuhet gjithashtu se përpjekjet e regjimit për të ndërhyrë edhe aty, në mendjen e tij, aty ku ai kish zonën e tij më të pushtetshme edhe mbas gjithë atij stërmundimi fizik mbi trupin e tij, mbetën të zbehta, periferike. Kjo ndodhte se ai kish kapërcyer mbiprovën fizike dhe morale në mënyrën më të përkryer.

Ndërsa, ajo çka ruhet prej tij është pak, shumë pak, kur dihet se vriste trurin në mënyrë të pandalshme. Përveç humbjes fizike, kjo është pa dyshim një humbje tjetër e madhe. Kanë mbetur copëza rrëfimesh të bashkëvuajtësve të tij për të. Por kanë shpëtuar gjashtë fletore me poezi të viteve të burgut dhe një e vetme në kohën e internimit. Nga letrat e burgut (dërguar të shoqes L. Nela) ose letrat që çuditërisht kapërcyen ferrin, njihen, së paku tani për tani, vetëm 39. Kanë humbur shkrimet që kishte marrë me vete në arratisjen e '67-s, siç ka humbur edhe romani "Jeta e zezë", i shkruar në burgun e Burrelit. Ndërsa, dosjet hetimore dhe gjyqësore janë gjithashtu një dëshmi tjetër ku mund të gjykojmë mbi mendimet e tij rreth regjimit dhe moralit të kalbur të atij regjimi.

Nëse do t'i mëshonim prap mendimit të F. Niçes, do të vinim në dukje se sakrifica tek H. Nela është një sakrificë e sjellë nga rrethanat që mbërrin deri në cakun e një martirizimi. Të një martirizimi në emër të lirisë. Për shkak të kësaj lirie ai krijoi edhe kodin e veçantë të komunikimit, një komunikim përmes gjakut e shpirtit, kur i mungonin edhe kushtet më fillestare për të shkruar, saqë detyrohej t'i rimonte vargjet përmes gishtave. Për shkak të lirisë ai braktisi shumë e shumë gjëra. Për shkak të saj atë do ta futnin krejt dhunshëm në tokë.

Fragment nga libri "Havzi Nela, poeti i varur në litar", që së shpejti del nga shtypi

Paradoksi, gjykatësi që dënoi Havziun, në Gjykatën Kushtetuese

20-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela. Apel për pastrimin e instirucioneve shtetërore nga xhelatët e diktaturës

Salla e Muzeut Kombëtar oshëtinte dje nga thirrjet e Lavdije Nelës, për të çuar para drejtësisë ata që varën në litar bashkëshortin e saj, poetin Havzi Nela, ndërsa pak metra më larg, Gjykata Kushtetuese mban brenda saj atë që firmosi varjen e poetit, Fehmi Abdiun. Abdiu edhe dje u fut në zyrën e tij në Gjykatës Kushtetuese, ku prej disa vitesh vazhdon të japë leksione për drejtësinë, ndonëse mbi të rëndon pesha e rëndë e krimit më monstruoz të kryer në grahmat e fundit të diktaturës komuniste. Dje, në Muezun Kombëtar u përkujtua 20-vjetori i varjes në litar të poetit Havzi Nela. Bashkëshortja e tij, Lavdije Nela, tepër e pikëlluar dhe me një dhimbje që duket qartë në çdo qelizë të trupit të saj, me shumë thjeshtësi dhe vendosmëri kërkoi, që ata që urdhëruan dhe firmosën varjen e burrit të saj të dalin para drejtësisë, kërkoi që zyrat e shtetit shqiptar të pastrohen nga kriminelët që bënin ligjin dje, por vazhdojnë edhe sot të na mbushin mendjen "me leksione demokracie". Ajo grua e thjeshtë, por që mbart në vetvete kujtimin e bashkëshortit të saj, poeti Havzi Nela, nuk kërkoi hakmarrje, ndonëse burrin ia vranë për poezitë dhe pse ai kërkonte më shumë liri. Ajo thjesht kërkoi drejtësi, kërkoi që të pastrohen institucionet shtetërore nga ata njerëz, që kanë lyer duart me gjak. Dhe kjo është gjëja më normale në një shtet demokratik, por xhelatët nuk tunden nga istikami i tyre, pasi kanë pasur si mburojë politikën e majtë.

Mirëpo Fehmi Abdiu, gjykatësi që çoi në litar poetin Havzi Nela, jo vetëm që nuk ka shkuar para drejtësisë për krimin e kryer, por vazhdon të jetë në Gjykatën Kushtetuese. Ai jo vetëm që nuk është penduar për këtë krim makabër, por është shprehur publikisht se, "poetin e kishte dënuar me ndërgjegje të plotë". Havzi Nela u var në litar më 10 gusht 1988 në pragun e lirisë, kur diktatura me Ramiz Alinë, po kërkonin gjak për të mbajtur përsëri në këmbë regjimin e kalbur komunist. Ky fakt rrënqethës u soll dje nga mjaft ish-të burgosur politikë para të pranishmëve të shumtë, që kishin mbushur sallën e Muzeut Kombëtar në Tiranë.

Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni, i cili organzoi edhe këtë aktivitet përkujtimor të varjes së poetit Havzi Nela tha se, varja e poetit Havzi Nela, u krye dy vjet para shpalljes së pluralizmit dhe ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Ai tha se, Ramiz Alia kërkonte të mbante pushtetin me gjak, duke vrarë edhe poetët, por ai nuk mund të vriste kurrsesi poezinë dhe lirinë që kishte trokitur edhe në Shqipëri. Ndregjoni kërkoi që persekutorët dhe të gjithë ata që lyen duart me gjak, duke vrarë njerëz dhe poetë të pafajshëm të dalin para drejtësisë. Sipas tij, asnjeri prej tyre nuk ka vend në administratën shtetërore. Të gjithë diskutantët kërkuan hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe pastrimin e drejtësisë nga xhelatët e diktaturës.

Shkrimtari Agim Musta, ish-i burgosur politik tha gjatë fjalës së tij se, kishte kaluar një kohë të dënimit në burgjet komuniste me poetin Havzi Nela. "Unë kam qenë në burg dhe internim bashkë me Havziun. Ishte fundi i vitit 1987. Ne punonim si skllevër në ndërtimin e fabrikës së çimentos në Elbasan. Vjen autobusi dhe sjell skllevërit e punës. Midis tyre shikoj një njeri me një pamje shumë fisnike, por shumë të vuajtur. Me flokë të bardha, ishte vetëm 32-vjeç. Më thotë se kishte qenë 7 vjet mësues në jetën e lirë. U lidh me mua. Më tregoi fatkeqësinë e tij, se si u ngrit kundër shtetit diktatorial, etj. Se si shpërtheu si një vullkan dhe u largua menjëherë bashkë me bashkëshorten, kaloi për në Jugosllavi, por jugosllavët u hakmorën dhe e kthyen mbapsht. Nga Elbasani na çuan në Spaç dhe Havziu punonte. Pas punës shkatërruese nuk e linte librin. Ishte, mund të them, i vetmi nga të gjithë të burgosurit që s'e ndante kurrë librin nga dora. Kishte dashurinë dhe mirësinë me njerëzit. E varën në mes të Kukësit vetëm e vetëm për të tmerruar komunitetin", tha ndër të tjera Musta. Figurën e poetit të varur Havzi Nela e vlerësoi edhe sekretari i Përgjithshëm Presidencës, Aleksandër Flloko.

Poeti Havzi Nela ka lindur më 1934 në Kollovoz të Kukësit. Ai ishte njëri nga ata njerëz që s'u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij 50-vjeçar. Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të sistemit të kohës, nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të sistemit që po i ngrinte në sistem. Pasi kishte kryer shkollën pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Më 22 maj 1967 - dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet të lirisë. Më 8 gusht 1975 - ridënohet me 8 vjet heqje lirie. 19 dhjetor 1986 - lirohet nga burgu. 12 tetor 1987 - internohet në Arrën. 15 qershor -arrestimi në katundin Brekijë. 15 qershor, ora 12 e mesditës - nis procesi hetimor. 24 qershor 1988 - dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor - bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik - Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës. 2 gusht - Presidumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. 10 gusht 1988, ora 2:00 pasmesnate - ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobuzëve. 10 gusht, ora 11:00 e paradites - trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit. 11 gusht, ora l:00 pasmesnate - trupi futet në gropë.

Rexhep POLISI

 

NË QELITË E BURGUT

Havzi Nela

Në qelitë e burgut pa ajër e pa dritë,

Fryma po më merret, m'janë terrur sytë.

Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,

Jeta m'u randue, dëshirë nuk kam të vdes.

Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,

Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.

Pres t'afrohet ora, pres të hapet dera,

Pres t'më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.

Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,

Nuk qahem pse soset, skamjes s'i nënshtrohem;

I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,

Dhe po t'jesh lypsar, s'ke kujt t'ia shtrish dorën.

Dit' e netë i mbyllun, si zogu n'kuvli,

Për shtroje e mbloje me tri batani!

Batani të vjetra, as njena as tjetra,

Gjith pluhun e llum, janë ma trash se letra.

Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,

Mendja m'arratiset, shpërndahet si retë,

Po merr fushat, malet, ikën, më le mu t'zinë

Fluturon e s'ndalet, s'e duron robëninë.

Sa n'nji krah, në tjetrin, ikë nata, kalon,

Mpi e fort ligështue, polici më zgjon!

Lind nji ditë e re, krejt si ditët e tjera,

Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!

Ma cfilitin trupin, zemra s'ndihet fare;

Me durim përgjoj kur do t'ma hapin derën,

Po e pres lirinë si zogu pranverën!

 

Havzi Nela: "Vdekja për liri nuk më tremb aspak…" 
 
20 vjet më parë diktatura komuniste ekzekutoi mësuesin që i këndoi lirisë së munguar

Shkruan: Reshat NOKA

Eshtë një detyrim moral dhe tepër njerëzor, që buron nga shpirti dhe thellësitë e gati 50 viteve të shkuara të shkruaj për Havzi Nelën, ish-mësuesin tim, për poetin disident, i cili i këndoi dhe e kërkoi lirinë e munguar gjithë jetën, duke e paguar me çmimin më kapital-vdekjen me varje nga regjimi komunist me 10 gusht të vitit 1988. Mbi të gjitha e quaj detyrim jo thjesht për ta kujtuar, por për të evidentuar sadopak vlerat e tija si njeri, si intelektual, si mësues dhe edukator, si poet dhe këngëtar i lirisë, si patriot dhe demokrat i madh në këtë përvjetor të vdekjes tragjike të tij.

Për ne ish-nxënësit e tij, disa sot mësues dhe edukatorë, si ai dikur ka mbetur në kujtesën tonë i pashlyeshëm, model i tij prej mësuesi dhe edukatori dhe më vonë prej poeti dhe këngëtari i paepur i lirisë. Ai na dha, për dy vite që na mësoi dhe edukoi jo vetëm fjalën e ëmbël të gjuhës sonë amtare, por edhe një pjesë të jetës së tij, një pjesë të shpirtit të tij liridashës. Ishin vitet pas të '60-ve kur e sollën në shkollën e Shishtavecit. Sapo kishte mbaruar shkollën e lartë për gjuhë-letërsi. Një pjesë e nxënësve e njihnim si emër, sepse ishte nga fshati Kollovoz, fqinjë me ne, por më shumë se kishte filluar të bënte shpejt emër për; kulturën dhe intelektin e tij, për modelin e ri të mësuesit, pse jo edhe për zërin e veçantë dhe tepër melodioz që kishte. Sa për zërin, kur ia niste Havziu jo vetëm njerëzit që ishin afër ndalonin frymën, të tjerët më larg punën, por edhe zogjtë e malit këngën e tyre. Si duket bilbili-bilbilit ia njeh kodin, prandaj e respektonin njëri-tjetrin. Sidomos në natyrën e bukur të zones sonë, kur dilnim për shëtitje dhe ekskursione shpërthente me gjithë forcën dhe frymëzimin e tij. Ata që e kanë dëgjuar tek këndonte atëherë në rininë e tij, i pa plagosur akoma në shpirt, kanë mbetur rob i këngës dhe zërit të tij. Repertori i tij ishin: këngët e hershme të trimërisë, ato të vendlindjes dhe dashurisë, që i deshi aq fort. Ndërsa mësimin jo vetëm na e shpjegonte qartë, prerazi dhe me kompetencë profesionale (pak ishin kompetent në atë kohë), duke i shkrirë në një njohuritë e tekstit me interpretimin e tij elokuent, për të mos mbetur thjesht rob i librit, (kështu duhet të jenë edhe sot mësuesit tanë), por ia kishte ënda të mos i përsëriste shpesh fjalët, porositë dhe detyrat që na jepte. Dhe ne shpejt u mësuam me të, iu përshtatëm atij. Kurrësesi nuk mund t'i vinim në klasë pa detyra dhe pa e mësuar mësimin, sepse njëherë, që në fillim na kishte porositur prerë: "Gjuha shqipe dhe leximi janë çelësi i të gjitha lëndëve".

Me paraqitjen e tij, së cilës i kushtonte shumë kujdes, me veshjen shik, veç të tjerëve, por mbi të gjitha me vlerat intelektuale dhe qytetare që mbarte, ai zinte vend të veçantë në kolektivin e mësuesve tanë, duke u bërë shpejt lider i tyre. Duke e parë para klasës, gjatë shpjegimit të mësimit, apo duke shkruar në dërrasë me atë shkrimin e bukur dhe standard dhe të folmen me gjuhën e tekstit, në atë kohë nuk ekzistonte termi gjuhë letrare (të tillë duhet të jenë edhe sot mësuesit e gjuhës dhe lexi- mit), me atë trupin e drejtë dhe elegant dhe sytë e shkruar në të kaltërt, ne shpesh humbisnim vëmendjen, duke u dhënë pas tij dhe ëndërronim me vete: "A thua një ditë mund të bëhemi si ai"? Dhe si duket jo rastësisht 4-5 ndoqëm rrugën e tij, u bëmë mësues, disa ndoqën degë të tjera. Por edhe si mësues edhe në jetë morëm pjesë nga pjesa e tij për t'ua dhënë të tjerëve.

Nuk e lanë gjatë në shkollën tonë se ishte shkollë e qendrës dhe si duket filloi t'i prish punë regjimit, prandaj e larguan në një shkollë tjetër, në atë të Topojanit, ku do të ishte edhe fundi i tij si mësues. Ishte pranverë e vitit 1967. Përmbysjes dhe çmendurisë së regjimit komunist me: kolektivizimin e bujqësisë, prishjen e institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë, që kurrë se ndaloi dot, heqjen e veshjes "rëndë" në zonën tonë (e cila u hoq vetëm kur u krijuan kushtet dhe deshën vetë njerëzit pas viteve '90) iu kundërvu hapur, duke përdorë me mjeshtri fjalën, ligjëratën dhe privilegjin e tij: oratorinë. Këto kufizime dhe masa represive, që s'ishin parë dhe dëgjuar kund, ia kishin prekur dhe trazuar thellë shpirtin e tij liridashës. Me guximin dhe vendosmërinë që e karakterizonte ai do të deklaronte në mbledhjen e kolektivit: "…populli ashtë i sëmurë dhe tri gjilpana përnjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë". Kjo ishte shumë e rëndë për regjimin, sepse e godiste në palcë atë dhe se këto ide vinin nga një intelektual me shkollë të lartë. Havzi Nela, i pari kishte kuptuar dëmet dhe pasojat çnjerëzore të këtyre masave, ata drejtoheshin në radhë të parë kundër njeriut, duke e goditur për vdekje në tri shtyllat e jetës: në pronën, në besimin dhe në fjalën e lirë.

Por regjimi nuk do t'ia falte këtë Havzi Nelës për jetë. Filluan t'ia ngushtojnë lakun (siç do t'ia ngushtonin dhe shtërngonin përfundimisht pas 20 vjetësh po ai soj e sorollop njerëzish) dhe u detyrua me lotë në sy e dhëmbje të madhe në zemër për vendlindjen dhe atdheun, që aq shumë i deshi gjithë jetën, (letra që la në kufi i shprehte më së miri këto: "Lamtumirë Atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun…"), të arratiset një natë pranvere me shiun që resinte pa pushim, përzier edhe me lotët e tij. Por shpejt do ta kthenin serbët, se jo vetëm që nuk mundën ta përdorin për interesat e veta, por u prishte shumë punë. Ata e njihnin mire si dukej, se në kufi me ta jetonte e punonte, madje shkollën e mesme në Prizeren e kishte bërë pas viteve '45, e ndoshta që aty kishte shfaqur idetë e qëndrimet anti komuniste. Nuk ishte për t'u habitur, se edhe ata pothuaj të njëjtin regjim kishin, madje për njerëz të tillë si Havzi Nela kishte marrëveshje të fshehta midis Tiranës dhe Beogradit për t'i kthyer.

Për shumë kohë më ka munduar pyetja: Përse na çuan të organizuar në sallën e gjyqit të Havziut në maj të 1967, ne nxënësit e gjimnazit të Kukësit për dy ditë me radhë? Regjimi komunist e njihte mirë se me cilin kishte të bënte, prandaj, atë nuk e kishin mposhtur dot në hetuesi, prandaj fjalën e tij dhe mbrojtjen brilante që i bëri vetes, si dhe akuzat ndaj regjimit nuk duhej kurrësesi t'i dëgjonin njerëzit e thjeshtë, vetëm ata që i zgjidhnin: përfaqësues të organizatave të masave, edhe ata të instruktuar, sigurimsa dhe ne nxënësit, që pothuaj akoma ishim fëmijë, për të na dhënë një mësim të mirë dhe frikësuar që në djep, sepse ata e dinin që edhe ne intelektual si Havziu do të bëheshim.

Ishte tepër e vështirë, sidomos për ne dy-tre ish-nxënësit e tij të ulur në radhën e dytë tek e shikonim mësuesin tonë të dashur të gjykohej dhe dënohej për fjalën dhe mendimin e lirë që kishte shprehur. Shikimet tona përplaseshin me të mësuesit, një lëmsh i madh na ishte mbledhur në grykë, por lotët duheshin fshehur aty. Do të mbetej përjetë në kujtesën e shumicës në sallë fjala e tij (megjithëse shpesh e ndërprisnin, atë kishin në dorë, ballje tjetër nuk mund t'i bënin) e vendosur, e palëkundur. Si njohës dhe zotërues i shkëlqyer i gjuhës shqipe, pse jo edhe i oratorisë, ai përdori gjithë pasurinë e saj për të shprehur pakënaqësinë dhe urrejtjen për regjimin, por njëkohësisht edhe mendimet, idetë filozofike e demokratike për njeriun, jetën dhe lirinë. Tepër të vështirë e pati situatën trupi gjykues me Havziun, sidomos prokurori, të cilit si kishte mbetur armë tjetër veç të bërtiturës dhe fjalëve: pusho i pandehur, ulu! E në një rast, kur i tha armik i popullit, Havziu me gjakftohtësi iu përgjigj: "Hiqi dy shkronjat e para, tre të fundit më takojnë, d.m.th mik i popullit, ai më dhimset, prandaj kam folur dhe do të flas për padrejtësitë që i bëhen atij". Për nëpërkëmbjen që i bëri prokurorit pretencë e tij ishte edhe vendimi i gjykatës me 20 vjet burg. Më vonë e ridënuan për revoltën e Spaçit si një nga oganizatorët e saj. Por edhe pas lirimit në vitin 1986 e internuan përsëri në Arrën të Surrojt, ku kishte shumë gurë e lisa, madje edhe ndonjë ari e shumë pak njerëz.

Se njerëzit Havzi Nela i bënte për vete kudo ku shkonte, ia merrte regjimit, diktaturës. Por si gjithmonë, ai edhe këtë kufizim të lirisë së tij nuk e pranoi, prandaj u largua pa leje. E kapën përsëri dhe me procedurë të shpejtë dhe … për interesin e partisë në rreth dhe mospërhapjen e veprimtarisë armiqësore i dhanë dënimin kapital: vdekje me varje në mes të qytetit të Kukësit, aty ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët e fshatrave dhe qyteteve, për ta parë sa më shumë njerëz, të cilët në fakt vetëm se e admironin akoma më shumë edhe ashtu të varur. Dhe kjo ndodhi kur diktatura ishte në gramat e fundit, vetëm dy vjet para flladit të ri të demokracisë dhe lirisë së vërtetë, të cilat ai i deshi dhe i kërkoi gjithë jetën e tij. Në vjershën me titull: "O liri o vdekje" (janë akoma me mijëra vargje të Havzi Nelës pa botuar) poeti shkruan… "vdekja për liri nuk më tremb aspak…"

Dhe vërtetë se trembi aspak. Diktatura komuniste nuk e përkuli dot, nuk e theu nuk mundi asnjëherë t'ia mbyllë gojën, t'ia vrasë as fjalën e tij të lirë, as vargun poetik dhe as këngën.

Havzi Nela, martir i vargjeve të lirisë  

Nga Sejdi PEKA

Kaluan plot 20 vjet,kur ne nje dite Gushti te vitit 1988, qyteti i vogël i Kukësit u gdhi me një pamje të trishtuar.Në njërin nga sheshet kryesore,komunistët kishin varur në litar poetin disident Havzi Nela. Një autor i huaj ka shkruar se, “është me të vertetë fatkeqësi që njeriu të jetojë në një vend që është i pamëshirshëm ndaj njerzve të aftë dhe që dallojnë”. Poeti ishte një njeri që dallonte dhe kjo ishte arsyeja që regjimi komunist e kishte vendosur në grykën e pushkës.

Si demokrat, patriot dhe atdhedashës, ishte i pari që ndjente dëshirën për të qenë i lire në një vend të lire. Por fatkeqësisht poeti jetoi në një kohë që ishte e vështirë të jetonin martirët si ai. Jetoi dhe vdiq si hero në kohën e diktaturës komuniste. Në atë ditë të nxehtë gushti u ndodha në Kukës, si sot 20 vjet më pare. Po shkoja në drejtim të axhencisë së autobusëve. Ecja ashtu i shkujdesur duke menduar se vështirë do të kishte vende në të vetmin autobus rrangallë që udhëtonte në drejtim të Krumës. Kur më del përpara syve një pamje makabër; një trekëmbësh dhe një njeri i varur në litar. Një parullë ku ishte shkruar me gërma kapitale “Havzi Nela, armik i partisë dhe i popullit”. Trupi i poetit lëkundej mbi trekëmbësh nga një erë e lehtë që zbriste nga lugina e Drinit. Kalimtarët e rrallë largoheshin me vrap të tmerruar.

Ramiz Alia, me kriminelët e tijë komunist edhe në grahmat e fundit po kafshonin si egërsirë trupin e Atdheut. U afrova por nuk mund të mbaja lotët. Më dukej se edhe mali Gjallica ishte përkulur në atë shesh ogurzi përpara trupit të pajetë të Havzi Nelës. Dy pika gjaku i zbrisnin buzëve të holla. Disa policë, pis të zinj, lëvrinin si krimbat, të gufosur se diçka kishin bërë. E kam njohur Havzi Nelën në Krumë në vitin 1962. Kishte ardhur si mësues. Në Krumë, në vendin tim të lindjes, familja jonë jetonte në gjendje internimi dhe ca më keq akoma. Me mua njerëzit e kishin të ndaluar të flisnin. Sipas komunistëve unë isha i biri i armikut të popullit. Kishim qenë të burgosur, të internuar, ishim kulakë dhe mua nuk më lejonin të vazhdoja shkollën. Lexoja shumë libra, ishte i vetmi ngushëllim dhe prehje e imja. Në qendër të fshatit, atëherë ka qenë një bibliotekë e vogël, afër një mulliri, ku përgjegjës ishte Imer Muja, një djalë i ri me shpirt antikomunisti, të cilin e kisha shumë mik. Një ditë ai më njohu me Havziun. Filluam të bisedojmë dhe të shkëmbenim libra me njeri tjetrin. Trajtonim tema të ndryshme dhe u bëmë miq. I vinte keq prej meje, për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhesha dhe më jepte kurajo se ditë të mira do të vinin për të gjithë shqiptarët. Shpesh më recitonte poezitë e tij, ku pasqyrohej jeta e vështirë dhe falsiteti i propagandës komuniste nëpërmjet figurave letrare, me një mjeshtëri të rrallë, duke iu shmangur spiunëve që përgjonin kudo. Për një kohë të shkurtër në Krumë, Havziu kishte bërë shumë miq.

I sjellshëm me kolektivin e shkollës, i dashur me nxënësit e tij mospërfillës ndaj pushtetarëve komunistë, ishte mjaft superior karshi tyre dhe respektohej nga të gjithë shokët që e rrethonin. Por në të njejtën kohë dallonte edhe në mes të miqve të tij për thjeshtësinë e vlerat intelektuale. I pajisur me cilësi të jashtëzakonshme, shquhej për talentin e tijë politik. Komunistët shikonin tek Havziu një “njeri të rrezikshëm” dhe me të vertetë atë mundet ta ndalonte vetëm vdekja në rrugën që kishte nisur, te behej i pavdekshem në rrugën e vështirë të lirisë dhe demokracisë. Është i pari që ka shkruar poezi për Kartën e Helsinkit e të drejtave të njeriut, që në atë kohë njihej shumë pak nga shqiptarët. Më kujtohet se Havziu zbulonte kontradiktat në veprat e teoricienëve marksistë që aq shumë reklamoheshin në atë kohë. Engelsi - më thoshte Havziu - në librin e tij “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit”, shkruan se me lindjen e familjes,pas komunitetit primitiv, lindi prona private. Prona private është e lidhur me familjen në atë mënyrë saqë pa prone private nuk mundet të ketë familje. Nga ana tjetër komunistët i kanë shpallur luftë pronës private, pra në të njëjtën kohë luftë edhe familjes. Duan të na zmbrapsin prapa në disa mijëra vjeçarë. Nuk ka pë t’u ndërtuar kurrë socializmi, as komunizmi.

Teoria marksiste është një utopi”. Në vitin 1963 Havziu u largua nga Kruma. U ndamë me lot në sy duke i shtërnguar dorën njeri tjetrit. Më erdhi keq që nuk kisha patur mundësi që ta ftoja në shtëpinë time as për një kafe. Ishte e pamundur të vinte dikush për vizitë në shtëpinë tone. Më duket se e transferuan në fshatin e tij të lindjes në Kollovoz. Më vonë dëgjova se u dënua nga gjykata e Kukësit, pas arratisjes në Jugosllavi në vitin 1967. Qendrimi i tij burrëror përpara atij gjyqi famëkeq, bëri jehonë dhe u end gojë më gojë, në rrethet e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe më gjerë. Në vijën e kufirit kur po kalonte për në Jugosllavi së bashku me nusen e tij të re, Lavdijen, kishte lënë një letër të shkruar me fjalët lapidare: “Shqipëri e dashur, po të lë me zemër të plasur”.

Këtë letër pasi e kishin gjetur rojet e kufirit, kriminelët komunistë, e kishin arkivuar në dosjen hetimore dhe po e përdornin si armë të fuqishme kundër poetit. Në fjalën e tijë përpara gjyqit ai do të deklaronte se ishte antikomunist dhe kundërshtar i vendosur i diktaturës. Prokurori do ta akuzonte si bashkëpunëtor të UDB, por Havziu me guximin që tejkalonte kufinjtë e qëndresës i përgjigjet se “kjo është një gënjeshtër. Ju jeni bashkëpunëtorët e UDB-së jugosllave. Komunistët serbë më dorëzuan tek ju, se ju jeni bashkëpunëtorët e tyre”, do të deklaronte poeti në atë gjyq që e denoi 25 vjet burg. Sot pas 20 vjetëve, fjalët e poetit antikomunist bëjnë apel se dosjet duhen hapur. Këtu vertetohet katërcipërisht veprimtaria kriminale e ish-Sigurimit, e bashkëpunimit me UDB-në jugosllave në krime kundër popullit si në rastin e Havzi Nelës. Vitet kaluan. Poeti përshkoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgun komunist. Ish-të burgosurit politikë në të katër anët e Shqipërisë, ata që kanë ndarë në mes tyre kafshatën e bukës dhe vuajtjen, e kujtojnë me respekt djaloshin e vendosur në idealin e lirisë dhe të demokracisë. Ai u vra nga bisha komuniste në pragun e lirisë me 10 Gusht 1988, pikërisht atëherë kur ëndrra e poetit po bëhej realitet, kur akujt e diktaturës kishin filluar të shkrinin në të gjitha vendet e lindjes. Këtu në Shqipëri, kasta kriminale enveriste, “bijt’ e Stalinit”, me Ramiz Alinë në krye, bënin si gomari në ëndërr dhe nuk donin të pranonin shembjen e komunizmit.

Krimineli Fehmi Abdiu, që sot bën “drejtësinë” në gjykatën e lartë dhe i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri të klasit të pare”, nga Presidenti i Republikës, ka deklaruar se “dënimin me vdekje të Havzi Nelës e ka dhënë me ndërgjegje të plotë”. Po, xhelati komunist e vrau poetin me ndërgjegje komuniste. Me ndërgjegje vret ujku, gjarpëri, kanibali, me ndërgjegjen e qenies që i takon. Sigurisht urdhri për të vrarë poetin ishte i Ramiz Alisë,por ai që vret është njëlloj kriminel si ai që jep urdhërin për të vrarë. Ndërkohë një tjetër firmëtare e atijë vendimit të kobshëm është edhe gjyqtarja e atëhershme Fatmira Laskaj, deri para pak ditësh Kryetare e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurive, si për çudi edhe kjo e dekoruar këto ditë nga Presidenti “për merita të veçanta”. Po a vritet poeti o njerëz, a vriten vargjet e lirisë? A mundet të ndalohej Dielli që po lindëte në gjithë Europën? Ja këta ishin ata, xhelatët komunistë mediokër, që nuk besonin tek zoti dhe as demokracia.

Paradoksi i realitetit të sotëm në Shqipëri është se kriminelët e djeshëm, bashkëpunëtorët më të zellshëm të ish-Sigurimit janë konvertuar. Kameleonët kanë ndryshuar ngjyrën. Armiqtë e djeshëm të lirisë marrin dekorata nga Presidenti i Republikës. Mesazhet e Amerikës dhe Europës “për dënimin e krimeve të komunizmit” po injorohen në mënyrë sistematike duke rrezikuar seriozisht në rrugën e vështirë të demokracisë. A thua të jetë mungesë informacioni për Presidentin të marrin dekorata; Skënder Breca, prokurori që dërgoi përpara pushkatimit në vitin 1979, Xhelal Koprenckën, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, për “fajin” e vetëm se kanë patur guximin t’i shkruajnë letër diktatorit Hoxha? Po për Fatmira Laskajn e dinte Presidenti jonë i nderuar se kishte dënuar me varje në litar Havzi Nelën? Rastësi është vallë dekorimi i Njazi Jahos, Xhevat Hanës e co, ata që dënuan në mënyrën më barbare njerzit që aspironin për demokraci? Po Fehmi Abdiu që nuk tundet nga karrikja në Gjykatën e Lartë “nga reforma në drejtësi”. Po Diana Çuli, deputetja me “zërin si të qyqes” në Parlamentin shqiptar, bashkëpunëtorja që dërgoi përpara pushkatimit poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, tani na jep ne shqiptarëve “të urtë” leksione për demokracinë.

Si këta kameleonë ka me mijëra që kanë hyrë në politikën shqiptare dhe po i bëjnë gjëmën demokracisë. Prandaj politika dhe sidomos e majta ish-komuniste e frikësuar dhe e terrorizuar nga “hapja e dosjeve”, ia dolën përsëri të injorojnë dhe të sabotojnë rezolutat e KE dhe rekomandimet e Amerikës dhe Europës, dhe hapjen e dosjeve ta fusin edhe njëherë tjetër në “kalendat greke”. Dhe kriminelët e djeshëm na thonë se ata “paskan zbatuar ligjet e kohës”. Por ne ish-të përndjekurit politikë u themi këtyre “konstitucionalistëve të pazëvendësueshëm të shkollës staliniste”, se diktatura ndryshon nga demokracia pikërisht në faktin se diktaturat kanë ligje të shkruara që nuk zbatohen, por zbatohen urdhrat. Jo rastësisht Aranit Çela kur dënonte njerëzit nxirrte mbi tavolinë “veprat e diktatorit”. Ndërkohë demokracia funksionon në zbatimin absolut të ligjit.

Sot në Shqipëri demokracia është seriozisht e rrezikuar nga kriminelët e diktaturës që dje u kanë vënë litarin në grykë martirve të lirisë dhe sot japin leksione për demokracinë. Poeti Petrit Palushi,i cili ka përgatitur për botim poezitë e Havzi Nelës,në parathënjën e librit “Pa një ditë lumnije”, botuar në vitin 1996 shkruan se: “emisarët komunistë nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për atë që kryen me mizori mesjetare. Janë monstra të tilla që kurrsesi nuk mundet t’i zërë gjaku”. Ndërkohë Kadareja shkruan për këto monstra se“janë nga raca që flenë me ndërgjegje të përgjakur”. Si bleta që mbledh nektarin e vyer në korijet me lule shumëngjyrëshe shpateve të malit të Gjallicës, Petrit Palushi ka mbledhur poezitë e Havzi Nelës, të shpërndara në fletore dhe në copa letrash të zverdhura nga koha. Në poezinë “Më mire me mbyllë sytë”, nga burgu famëkeq i Burrelit në vitin 1977, Havzi Nela shkruan në kulmin e dëshprimit: “Më mire me mbyllë sytë/Më mire zemra t’më pushojë/Më mire mos me pa më dritë/Kur harbuti t’më mundojë. Poeti në birucën e ftoftë dhe me lagështi të burgut e kujton Nënën e tij me poezinë: “Po o Nanë, po”. “Po, o Nanë po, përsëri në emër të ligjit jam arrestueE duert m’i kthyen prapa policët e zinjNë hekur me tutjus m’i kan ngujue.Por poeti e gjen shpëtimin në kurajon dhe në luftën kundër diktaturës:Deri kurë durim,deri kurë ma shpresëJo,jo, këto fjalë mos m’i thoni,këto fjalë nuk i dueMe durim dhe shpresë nuk dua të vdesSe jeta dhe vdekja duhën meritue. Poeti si njeri me zemër të madhe nga qelia skëterrë e burgut,me mendjën dhe ëndrrën e tij fluturon si zog i lire dhe i këndon me mallë vendlindjes, i këndon lirisë; i këndon dashurisë që e kishte lënë të mjerë atje në Lumën e tij të dashur, gjen kohën dhe i këndon jetës që e deshi aq shumë. Poetit i qan zemra për Kosovën e robëruar në atë kohë. Në poezinë “Nusja e flamurit”, poeti shkruan: Lavdi çikës kosovareSi një shqerrë si një manareI del tankut i thot ndalRritet,ngrihet si një malPër Kosovën RepublikëLëshohem,ngjitem,nuk kam frikëJam shqiponjë me krahë e fletëEdhe ngjitem deri tek retë.

Politika shqiptare as nuk e ka vënë ujët në zjarr për të përkujtuar martirin e vargjeve të lirisë në 20 vjetorin e rënjës së tijë si hero. Instituti i Ish-të përndjekurve politikë, me shkresën nr.295 prot.dt.07.05.2003, i ka propozuar ish-Presidentit Moisiu, dekorimin e Havzi Nelës me titullin “Nderi i kombit”. Por propozimi ka rënë në vesh të shurdhër. Në vesh të shurdhër ka rënë edhe një propozim tjetër po nga ky institut drejtuar Presidentit aktual të Republikës. E gjithë jeta e Havzi Nelës është përpjekja titanike e një poeti, e një intelektuali të pashoq në historinë tone kombëtare, e një njeriu që luftoi gjithë jetën kundër komunizmit si fatkeqësi kombëtare, për një Shqipëri të lire dhe demokratike. Nga ana tjetër, varja në litar e poetit në pragun e lirisë nga kasta kriminale e Ramiz Alisë, përbën rastin e vetëm makabër në të gjithë Europën ish-komuniste. Historianët, intelektualët, institucionet shtetërore, Parlamenti i Shqipërisë, duhet të vlerësojnë veprën e këtij heroi. Jeta e tij plot vuajtje dhe sakrifica në emër të lirisë është një simfoni, një mesazh për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. Luma që e lindi është krenare për birin e sajë. Populli shqiptarë duhet të bëjë atë që të ulin kokën me turp kriminelët komunistë që e vranë Havzi Nelën. Askush më tepër se ai nuk e meriton ngritjen e monumentit te tij në një shesh të kryeqytetit. 

Ftese për të vajtur në Shqipërinë e Havzi Nelës

Nga Besim MUHADRI

Jetëshkrim

Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 - 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij(1945-1990) Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. I lindur në Kollovoz të Kukësit, në këtë fshat të humbur të Shqipërisë së "Veriut", atje afër "qytetit verior" të Kukësit, Havzi Nela, poeti i ardhshëm, që herët u ballafaqua me vuajtjet dhe padrejtësitë, të cilat u mundua t'i sfidonte në forma të ndryshme. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Pasioni i të shkruarit poezi nuk shuhet te djaloshi, i cili vazhdon të shkruajë vazhdimisht në formën e tij, pasion ky që përswri bëhet shkaktar i përjashtimit të tij nga Universiteti, ku kishte filluar të ndiqte studimet e larta. Në këtë kohë qi punon mësues në Has dhe Lumë, por njëkohësisht vazhdon studimet me korespondencë.

Pasionit të të shkruarit poezi i pagoi "haraçin"

Të shkruarit poezi te Havzi Nela ishte bërë tani një pasion i pashuar, ndonëse për këtë vazhdimisht ai po paguante një "haraç" të madh. Është fundi i viteve gjashtëdhjetë, kur në Shqipëri po bëheshin "reforma" të mëdha, të cilat populli me dhimbje po i përjetonte. Është koha kur jo rrallë njerëzit nuk pajtoheshin me ato që po ndodhnin. Kolektivizimi i përgjithshëm i vendit, mbyllja e institucioneve fetare, ndërrimi i veshjes dhe luhatja nga traditat vendore dhe emitimi i një ideologjie të huaj dhe shkatërruese për vendin dhe kombin mbarë, janë ato me të cilat nuk pajtohet dot mësuesi dhe poeti Havzi Nela. Në shenjë mospajtimi me atë që po ndodhte me vendin e tij, ku diktatura komuniste, si një hijenë e përshfaqur vdekjeje po gllabëronte shpirtin e tij. Me zemër dhe shpirt të vrarë, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin. Po ku të shkojë? Vendos të kalojë kufirin dhe "zbret" në Kosovën e shkallmuar nga një diktaturë tjetër, madje edhe më shfarosëse. Poeti po e braktiste atdheun me zemër të plagosur, të cilën brengë e shpreh përmes dy vargjeve të shkruara, të cilat i lë peng pranë piramidës kufitare.

Mbytja me vetmi vrasëse dhe varja trishtuese në mes të qytetit

Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për temerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të "pandreqshëm" të tij. Por, edhe dalja nga burgu, më 1986 dhe internimi dhjetëmuajsh në malet e Arrnit, nuk sollën ndonjë kënaqësi për poetin dhe mësuesin e papërmirësuar për pushtetin komunist që po jepte grahmën e fundit, sepse aty ai mbytet në një vetmi vrasëse. Pa kaluar as dy vjet, vjen një çast që trishtoi zemrat dhe shpirtrat e atyre që e duan jetën. Vjen një çast që trandi shpresat se mund të ndodhte diçka e rëndësishme në shtetin e lodhur e të nemitur nga diktatura pesëdhjetëvjeçare komuniste. Është koha kur duke mos u ngopur me të gjitha ato vuajtje, me të gjitha ato tortura ndaj tij, pushteti jep urdhër për të varur poetin. Është ky një urdhër makabër, ashtu siç ishte vetë sistemi dhe njerëzit që e udhëhiqin atë. Dhe varja ndodhte, jo më larg se në vitin 1988, atje në qendër të "qytetit verior" të Kukësit. Vetëm dy vjet para se të binte regjimi i egër komunist. Ishte një akturdhër për varje, për të trishtuar të vërtetën që kishte marrë udhën e daljes në dritë pas gjithë asaj errësire të tmerrshme që kishte gllabëruar e trishtuar vendin për pesëdhjetë vite me radhë. Atje, në qendër të qytetit verior të Kukësit, po varej poeti, simboli i fjalës së lirë dhe i dashurisë së pashuar, luftëtar për një liri të ëndërruar. Dhe " ai, më sa duket, pasi kishte humbur çdo shpresë se do të mund të jetonte, po ndërronte jetë, duke përswritur vetëmëvete katër vargje që po i fisnikëronin për herë të fundit shpirtin e tij të lodhur, që po sosej nga çasti në çast", do të shkruajë studiuesi letrar, kuksiani Petrit Palushi, duke cituar katër vargjet e poetit, në të cilat shpërfaqet parandjenja e një akti të tillë makabër, por jo të vetëm në historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri:

Kur të pyesni :"Ku e ka vorrin?"
Kur t`kërkoni me e gjetë,
Thoni:"Ai e urreu mizorin"
Thoni:"Dheu s`ka me e tretë".

Dhe është ky një mesazh për një vdekje të parandier nga poeti që po përjetonte diktaturën dhe të këqijat e saj, të cilat ia shkaktonin njerëzit që i shërbenin me aq përkushtim kësaj katrahure kombëtare: Poeti e kishte ndier një akt të tillë, sepse nuk priste ndonjë të mirë pas të gjitha atyre vuajtjeve të shkaktuara me dekada të tëra mbi të, mbi atë shpirt që nuk bindej dot të thyhej. Dhe është pikërisht kjo pathyeshmëri që atij i shkakton vdekjen e dhimbshme, aspak të natyrshme, ashtu me varje në mes të qytetit, për të trishtuar dhe frikur shpirtrat e tjerë, m'u në kapërcyell të shekullit njëzet. Poeti qëndron i varur atje në mes të qytetit, ndërsa njerëzit e shikojnë dhe nuk guxojnë ta thonë asnjë fjalë, por ashtu në heshtje shprehin pikëllimin dhe habinë e vogël se si kishte ngjarë. Poeti, ashtu i varur, valëvitej në shtyllën e vdekjes, por në atë kalvar vdekjeje qëndronte pathyeshmëria deri në amshim, përballë qyqarllëkut të pushtetarëve dhe "komisarëve" të errësirës mesjetare që ua kishte pushtuar shpirtërat.

Poezia që buronte thellë nga shpirti i sfilitur i poetit të persekutuar

"Të gjitha këto që i shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përswritur me vetëveten, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave". Janë këto fjalët e poetit Havzi Nela, që të tregojnë më së miri kushtet dhe rrethanant e krijimit të poezisë së tij, e cila buronte thellë nga shpirti i sfilitur i tij. Është forma dhe metoda e të shkruarit poezi burgu, nëpër të cilat përplaset frymëzimi i poetit Nela, që ndrydhej e trishtohej në përplasje kohe. Me vite të tëra vazhdoi ky ankth, kjo metodë e të shkruarit. Laboratori poetik i Havzi Nelës ishte qelia dhe errësira e saj që ndriçohej nga farfuritjet e vargjeve që ndrydheshin e shtrydheshin në mendjen e tij. Ishte vetmia dhe jorgani që mbulonte kokën e poetit kur përswriste ato për të mos i harruar. Kjo ishte një metodë e imponuar nga kushtet e një burgu të rëndë, të paparamenduar nga mendja e njeriut. Është një metodë dhe formë krijimi, për të cilën duhet folur e shkruar më gjatë. Kështu krijuan edhe poetë të tjerë të Shqipërisë së asaj kohe si Visar Zhiti, Jorgo Blaci etj., të cilët provuan burgjet dhe "fajtor" për këtë ishte pikërisht poezia që ata shkruanin dhe letërsia që kultivonin, në të cilën rrugë ishin nisur dhe s`ktheheshin dot prej saj.

"Në këto ditë që mora guximin t`hedhja në letër, sigurisht që jam nxitue dhe për ma tepër duke hedhë sytë sa majtas - djathtas se mos kam tërhequr vëmendjen e shokëve që i kam fare pranë". Është edhe një tjetër anakronizëm. Poeti shkruan nxitueshem dhe frikohet nga "shokët" se mos tërhiqte vëmendjen e tyre. Athua pse e gjithë kjo frikë. Athua pse i gjithë ky nxitim. Pse kaq shumë frikë e nxitim përnjëherësh nga vështrimi dhe "zbulimi" nga shokët. Poeti ngutej për diçka dhe kishte frikë se nuk do ta kryente punën e tij të nisur tash e njëzet vite, punë e nisur dhe e fshehur brenda vetëvetës në mendje, duke e përswritur për të mos harruar. E tani kishte frikë nga shokët që mos ta vërenin që ta dënonconin, sepse prapë mund të binte në burg. Vargjet e ruajtura në vetëvete për njëzet vite, burgjeve dhe qelive ai dëshiron t`i hedhë në letër, në fletore, që një ditë t`i qesë në dritë. I shkruan ashtu pa respektuar dot gjuhën letrare, sepse për një gjë të tillë nuk ka kohë poeti, sepse "u lodha së mbajtuni në mendje", do të thoshte ai në fletoren e tij të parë.

Trishtimi nga mungesa e lirisë

Në libërthin "Asnjë çast lumnije" të Havzi Nelës, të përgatitur e të redaktuar nga studiuesi Petrit Palushi, lexuesi ka para vetes vetëm një tufëz poezish, nga të gjitha ato që kishte shkruar e që i kishte ruajtur plot sakrificë në vetëvete. Janë gjithësej nëntëmbëdhjetë krijime që përbëjnë një libërth dhe një shtegëtim letrar të poetit Havzi Nela në tehun e jetës e të vdekjes, që luftojnë për ta mundur njëra-tjetrën. E tillë është edhe poezia "Kur të vdes", një poezi me një titull ndjellakeq, por real. Poeti këtu e ndien vdekjen "para kohe", ndonëse një gjë e tillë i rrinte pranë:

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni:"Ndjesë pastë!"
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë ?

Është një poezi e tëra e mbështjellë me realitetin fiktiv që kishte shoqëruar poetin gjatë gjithë kohës. Një poezi që transmeton mesazhin poetik dhe jetësor të poetit që e deshi lirinë, që e deshi jetën, që deshi dritën dhe stinën më të bukur të jetës, por që kurrë s`i përjetoi vetë.

Thoni: Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy
Thoni: "Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi".

Janë këto vargje dhe të tjerat që shprehin më së miri angazhimin njerëzor të poetit që dergjej burgjeve plot vetmi dhe torturë, të poetit që kishte frikë nga "shokët" kur hidhte në letër vargjet e ruajtura në mendje. Poetit që provoi prangat dhe errësirën e qelive, duke lëshuar kushtrimin për të mjerët, nga të cilët dronte se edhe varrin do të kishin frikë t`ia preknin e t`ia vinin ndonjë lule.

Havzi Nela, që vuante nga mungesa e lirisë jo vetëm krijuese, nuk trembej dot nga vdekja për këtë liri. Ai nuk kishte shpirt robi që të bindej për gjithçka. Nuk duronte fjalët poshtëruese, fjalët fyese, të cilat mund të binin më tepër se mallkim. Këtë qëndrim poeti e shpreh në mëse një poezi. Prandaj, këtë mesazh ka edhe poezia "O liri, o vdekje", apo edhe poezia "Ma mirë le t`i mbylli sytë", në të cilat mospajtimi me fyerjen, poshtërimin, janë qëndrime të prera të poetit që më parë pranonte të thonin njerëzia se vdiq, por shkoi me nder, se i rrëzuem (kupto:poshtëruar) përgjithmonë. Këto vargje poeti i sajon në burgun e Burrelit më 1977, në ato momente kur përballej me torturat dhe poshtërimin që i bënin gardianët dhe komesarët e diktaturës.

Kur lëxon poezitë e burgut të poetit Havzi Nela të kapë trishtimi, një trishtim që të tronditë. Aty do të përballesh me një realitet që kishte ndodhur, me një përjetim të drejtpërdrejtë. Ndryshe nga poezia e burgut e Visar Zhitit, e cila është një poezi që e ndien burgun dhe peshën e rëndë e të tmerrshme të tij, por që shprehshmëria e saj është ndryshe, pa urrrejtje, në poezinë e Havzi Nelës ka më tepër urrejtje, më tepër mosdurim, më tepër drejtpërdrejtshmëri dhe kacafytje me realitetin brutal të jetës:

Jo or jo, njëzet vjet burg nuk u mjaftuen,
S`u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë,
Më ndoqën kamba-kambës, lakun m`a shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr
(Nuse më dhanë robninë)

Kjo poezi shpreh brengën e poetit për atë që ekzekutorët i dhuruan atij, duke e lënë fillikat vetëm, duke e sterilizuar dhe duke e lënë edhe pa fëmijë. Këto vargje poeti i shpalos në Arrën, ku pushteti e kishte dërguar për ta mbytur me vetmi, por që s`mund ta thyente dot:


M`hoqën përgjithmonë të shtrenjtën, lirinë,
M`i hoqën të gjitha, kot kam mbetur gjallë.
Shtëpinë m`a rrënuen, nuse më dhanë robninë,
Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.
(Nuse më dhanë robninë)

Ndonëse i mbytur vetmi dhe vuajtje të shumta shpirtërore e fizike, poeti, megjithatë jeton me të mirat, jeton me pathyeshmërinë e tij, e cila siç shihet i jep një trohë ngushëllim, sa për të mos thënë "një trohë dëshprim të përmbajtur". Liria tek ai ndihet vetëm atëherë kur e kujton vendlindjen, kur e kujton të kaluarën e lavdishme të vendlindjes. Duke i kënduar vendlindjes, në mes këngës dhe vajit dëshpërues, poeti mundohet të shprazë vrullin dhe flakën e ndezur të krenarisë që i ngjallë qëndresa dhe pathyeshmëria nëpër shekuj e vendlindjes dhe njerëzve të saj, tashmë të katandisur keq. Janë ato vende, ata emra të vendlindjes, si Kalaja e Dodës, Luma plakë, Gjallica dhe të gjithë ata shkrepa e male, ato lugina e gryka, ku nëpër kohë u zhvilluan beteja kundër pushtuesve në ato luftëra për identitet e integritet kombëtar e njerëzor, të cilat poetit në mes errësirës së qelisë, burgjeve të Spaçit, Rrëshenit, Burrelit, humbëtirave të Arrnit etj, i ngjallin një diçka të bukur, një diçka të dinjitetshme, siç është liria, për të cilat poeti përdor metaforat më të bukura, më të zgjedhura:

"Flamuj t`gjallë në lufta t`rrepta,
Hijerandë, simbol lirie !"

nga biligoa prej Mon Aug 11, 2008 11:30 am
Janë këto malet dhe shkrepat e vendlindjes së poetit, të cilat të kujtojnë vargjet e Naim Frashërit që i thurte atje larg në mërgim me atë shpirtin e mërguar. Po atëhere ishte një tjetër kohë, kohë e pushtimit, ndërsa poeti i këndonte të gjitha atyre, duke hymnizuar malet e kodrat, çukat etj., por tani në kohën e Havzi Nelës, cila kohë ishte që ai të mallëngjehej aq shumë. Kjo ishte një anakronizëm i llojit të vet, që është shpjeguar sa herë. Poezia e poetit bëhet më e fuqishme, kur dihet se n`çrrethana u krijua ajo. Poeti bëhet një hymnizues dhe i përmallshëm për një diçka të kaluar që i shëmbëllen me të bukurën, me madhështoren, e cila u mbyt nga grotesku dhe nga e shëmtuara e kohës "moderne". E kohës që po mbyste edhe atdheun e poetit, ku bëhej lufta e klasave, vrasja e njerëzve dhe e fjalës së lirë. Prangat e diktaturës shtërngoheshin e shtërngoheshin deri në këputje jete. Ndahej vëllau me vëlla dhe gjaku shprishej çdo ditë e vendi ishte dhe "po mbyllej me spiunë" që të përcjellin si hije të prapta. Dhe këtë poeti e shihte përditë, sepse edhe përballej atje në errësirën e qelisë. Andaj, në një moment ligësie e siç duket edhe humbje shprese për diçka të mirë që mund të ndodhte, poeti bën thirrje për vajtim:


Eni gjithë s`bashku le të shpallim zinë

Me gjamë e me kuje t`a vajtojmë Shqipërinë


(Eni të vajtojmë Shqipërinë)


Ky është kulmi i dëshprimit të poetit të dëshpëruar e të mbetur pa shpresë. Poezia e Havzi Nelës "Eni të vajtojmë Shqipërinë" të kujton poemthin e Pashko Vasës "O moj Shqypni" , të shkruar këtu e njëqind vjet më parë. Këtu duhet të bëjmë një paralele, për të shikuar Shqipërinë e atëhershme me të kohës së Havzi Nelës. Cili ishte ndryshimi i katandijes së Shqipërisë së atëhershme me të tanishmen dhe a kishte të drejtë poeti Nela ta bënte një ftesë të tillë për vajtim? Natyrisht që arsyet ishin të shumta që ai të bënte këtë ftesë: Nuk është vetëm ana personale e vujatjes dhe e persekutimit të poetit nga pushteti dikatorial, i cili vendit nuk i sillte asnjë të mirë, prandaj as poetit të syrgjynosur, por është edhe ana e përgjithshme që u pa më vonë me syrin e një realiteti krejt tjetër. Poezia ftesë për të vajtuar në Shqipërinë, e Havzi Nelës, është edhe një ftesë për të ngritur zërin dhe për të luftuar për dinjitetin e Shqipërisë "së rënë përdhe" e të thyer krahësh. Të Shqipërisë së përgjakur e të lidhur ndër pranga ashtu sikur vetë poeti. Kjo është një nga poezitë më të goditura, më të brumosura me atributet e një krijimi dinjitoz, pavarësisht nga klithmat dhe shprazjet e shumta të poetit mbi ata që i bënin këtë gjëmë Shqipërisë.

Por edhe në mes asaj errësire, në mes atyre klithmave e gjamës, poeti Havzi Nela në shpirtin e tij fanitte shpresën e fitores, kur dëgjonte për gjërat e madhërishme që ndodhnin. Është viti 1981. Ngjarjet në Kosovë atij i ngjallin asociacionin e fitores dhe të krenarisë, gati të humbur. Atë asociacionin e shikuar në vargjet për vendlindjen në të kaluarën e lavdishme të saj. Këtë e shpreh më së miri poezia "Nusja e flamurit", në të cilën poeti i këndon çikës kosovare që mbi tankun serb ngjitet sikur shqiponja duke valëvitur krahet pa asnjë frikë:


Lavdi çikës kosovare

Si një shqerrkë, si jë manare.

I del tankut, i thotë "Ndal!"

Rritet, ngrihet sa nji mal!

Poezia e Havzi Nelës pati fatin e vetë poetit. Një fat të ndrydhur, fatin e një poezie që ende vazhdon të "ruhet" duke pritur një kohë më të mirë. Këto pak poezi të mbledhura dhe të botuara nga studiuesi i përkushtuar, Petrit Palushi, janë një rast i mirë për të mësuar për një proces të zhvilluar brenda dramës jetësore të një njeriu që e deshi atdheun dhe lirinë e tij, një dramë jetësore që tregon fatin e keq të një kolektiviteti të tërë dhe përjetimet e tij brenda një periudhe të caktuar të quajtur diktaturë. Dalja në dritë, qoftë edhe në këtë formë dhe këtë sasi, të jep shpresë se rrugëtimi i nisur shumë kohë më parë i krijimeve të poetit Havzi Nela do të arrijë cakun. Vetëm kur të kemi para vetes tërë opusin e tij krijues, mund të flasim më shumë dhe të japim ndonjë vlerësim më të kompletuar për poezinë e kijuar nëpër vite të poetit fatkeq, Havzi Nela.

Tragjikja e jone eshte e pafund

Stafi qe denoi me varje Havzi Nelen me 10 gusht 1988

1. Fehmi Abdiu, kryetar i gjukates se larte 1988, aktualisht kryetar e gjukates kushtetuese

2. Agim Hoxha, kryetar i gjykates se rrethit Kukes viti 1988

3. Nikollaq Helmi, prokuror i rrethit Kukes ne vitin 1988

Ekzekutimi dhe procesi

15 qershor 1988, ora 5.30 e mengjesit arrestohet ne fshatin Brekije. Ora 9 e paradites te po kesaj date dergohet ne degen e puneve te brendshme ne Kukes dhe ne oren 12 nis procesi hetimor. Perfundon hetimi me 21 qershor1988. Me 22 qershor formulohet vendimi, denim kapital Me 25 qershor ben ankim prane gjykates se larte. Me 16 korrik1988 kjo e fundit le ne fuqi vendimin e gjykates se rrethit Kukes, denim kapital. 10 gusht 1988 pas mesnate ne oren 02, ekzekutohet. Trupi i tij i varur qendron deri ne oren 11 te dates 10 gusht ku pas kesaj ore mbyllet ne magazinat e policise. Me 11 gusht ora 1 pasmesnate, trupi i pajete futet ne toke.

Gruaja e Havzi Neles: Abdiu te varet si burri im

Milazim Halili Kukes - Lavdija ende rron me kujtimin e Havzi Neles. Bashkeshortja e poetit disident nga Kukesi te varur me vendim gjykate ne vitit 1988, vazhdon te gelltise vuajtjen qe i ka shkaktuar ngjarja e 14 viteve me pare. Nuk eshte per hakmarrje personale por thote se ata qe dhane vendimin ndaj tij per varje duhet te zhduken te pakten nga skena politike dhe publike. Ketu gruaja qe pervec humbjes te se shoqit mban mbi shipne edhe 15 vjet burg e ka fjalen per Fehmi Abdiun, kryetarin aktual te Gjykates Kushtetuese i cili firmosi varjen e tij si kryetar i Gjykates se Larte. Nuk pelqen ti permende emrin duke e quajtur "ai_, megjithate Lavdija kerkon prere te vetmin shpagim: te varet ashtu sic vari burrin tim Havziun. Per mua ai duhet te kaloje ne ndjekje penale. Me e pakta te shkarkohet dhe kete ia kame kerkuar edhe forumeve te ndryshme thote gruaja qe fati i keq e deshi te mos kishte asnje femije me burrin e dashur.

Kush eshte mesuesi dhe poeti Havzi Nela?

Lindi me 24 shkurt 1934 ne fshatin Kollovoz te rrethit Kukes. Mbaroi shkollen fillore dhe te mesme ne rrethin e lindjes ne nje varferi te tejskajshme per te vazhduar me vone institutin ne Shkoder ku perjashtohet me vize te kuqe. Per here te pare fillon punen si mesues ne Plan te Bardhe te Matit, ku dhe aty perjashtohet nga mesuesia per krijime letrare "te denueshme" ne ate kohe per te vazhduar dy vjet sherbimin ushtarak. Me vone mbaron Institutin e Larte ne Shkoder me korrespondence. Punon si mesues ne Krume, Lojme, Shishtavec deri ne fillim te vitit 1967 ku transferohet ne Topojan ku nga ky vend fillon pjesa me dramatike e Havzi Neles dhe familjes se tij. Me 20 prill 1967, ne prani te mijera veteve ne Shishtavec, kundershton hapur tre tezat e dala nga pushteti i atehershem per: kolektivizimin, prishjen e xhamive dhe nderrimin e veshjeve duke thene se "Populli eshte i semure, tre gjilpera menjehere nuk e sherojne por e shkaterrojne". Qe nga ajo kohe, Havzi Nela eshte ndjekur dhe persekutuar nga sigurimi i shtetit, pushteti popullor i asaj kohe qe shoqerohet me nje serial dosjesh voluminoze per 30 vjet me radhe duke nderruar pothuajse te gjitha burgjet e vendit ku gjithnje e me shume i shtuan urrejtjen dhe forcen e kundershtise ndaj diktatures, deri me 10 gusht 1988 ku denohet me varje ne mes te qytetit te Kukesit. Vendimi per ekzekutimin me varje te Havzi Neles eshte marre nga gjykata e rrethit Kukes ku me pas eshte pasuar nga gjykata e larte me kryetar Fehmi Abdiun dhe me vule perfundimtare nga Kryetari i Presidiumit te Kuvendit Popullor Ramiz Alia.

DOSJA E ZEZE

Dosjet 13532/1 dhe 13532/A, te cilave iu referuam, kur i hap te duket se brenda tyre fillon te levize lemshi i gjarperinjve. Dosje tmerri, vdekje. Me 24.6.1988 fillon gjyqi i trete i Havzi Neles. Kete here hetimi ka qene teper i shkurter, vetem 7 dite. Perse ky nxitim kur njerezit qendronin ne hetuesi deri ne 2 vjet?

Ne faqen 2 te dosjes 13532/A "Per ceshtjen penale 60", gjyqtari Agim Hoxha shkruan dy dite para gjykimit se "duke pare ceshtjen ne kompleks, interesin e partise ne rreth si dhe perhapjen e veprimtarise armiqesore ne rrethin e Kukesit, duhet te jepet denim kapital. Qe t'i sherbehet me mire parandalimit te veprimtarise armiqesore ne rreth, duhet t'i jepet si menyre ekzekutimi: vendimi me vdekje e varje, ku mund te ekspozohet i denuari.

Probleme organizative te gjykimit: Ceshtja do te gjykohet ne sallen e gjykates, pasi nuk ka interes te behet para popullit ne Topojan. i pandehuri, si armik i betuar, mund te agjitoje edhe ne gjyq".

Dosja 13532/A Gjyqtari

Agim Hoxha

Pas pretences se prokurorit Nikollaq Helmi ku kerkohet varje ne litar, i pyetur se c'ka per te thene, ai pergjigjet shkurt: Nuk kerkoj asgje nga gjykata, pretenca e prokurorit te zbatohet". Nderkohe te njejtin vendim kishte dhene edhe gjykata e shkalles se larte qe dretohej nga Fehmi Abdiu, pas apelimit ne kete gjykate nga Havzi Nela.

Ora 02 e dates 10 gusht 1988, ishte ora e tmerrshme qe ndali zemren e Havzi Neles. Deri ne oren 11.00 te 10 gushtit 1988 qendroi i varur ne sheshin prane agjensise se autobuzeve ku do te mbetej ne mendjen e njerezve si monument, simbol e kushtrim ne dy vitet qe pasojne ne ate zgjim madheshtor mbare popullore per te cilin 30 vjet me radhe e enderroi, luftoi martiri i demokracise Havzi Nela.

"Thoni: Desh kerkoi lirine

Si skifter ne fluturim

Provoi prangat, t'erret qeline,

Per te mjeret leshoi kushtrim".

Nderkohe pas viteve '90-te ne nje kujtese jo te larget nga vdekja e poetit disident Havzi Nela, figura e tij si poet, mesues, hero i kundershtise ndaj diktatures komuniste dhe idealeve per demokraci, iu dha shkolles se pergjithshme te qytetit emri i tij dhe u cilesua martir i demokracise. Nje merite te pazevendesueshme per kontributin e dhene ne lartesimin e merituar te Havzi Neles ka dhene studiuesi dhe shkrimtari kuksian Petrit Palushi, i cili me nje pune te palodhur nxori ne drite dosjet e zeza me fakte tronditese te persekutimit mesjetare te heroit dhe familjes se tij. Duke mbledhur me kujdes nga njerezit e familjes Nela krijimet, poezite dhe deshmi nga vete autori, Petrit Palushi i ka permblrdhur ne botimin me titull "pa nje dite lumnie",-te Havzi Neles qe eshte ribotuar ne shtator 2000 me fakte dhe deshmi te reja.

Drejtesia shqiptare ne duart e xhelatit

"Gjaku me gjak nuk lahet, pasi behet nje pellg gjaku. Drejtesia eshte ajo qe duhet te vendose",- shprehet per "Koha Jone" bashkeshortja e Havzi Neles, Lavdija, moter e vetme e pese vellezerve dhe qe mban mbi supe 15 vjet burg dhe internim. "Une kam jetuar dhe vazhdoj te jetoj ne cdo kohe, ne cdo cast me Havziun, shokun tim te jetes, te idealeve. Them keshtu sepse nga ai une mora nje diplome qe nuk mund ta merrje edhe po te mbaroje cdo universitet ne Shqiperi. Ajo cfare me mundon se tepermi eshte se Havziut vazhdon t'i behet denimi edhe pas vdekjes per faktin se drejtesia shqiptare ka rene ne dore te atij qe firmosi ne vitin 1988 per varjen e Havzi Neles dhe qe nuk ma ze goja t'ja artikuloj emrin. Kucedra nuk ngopet asnjehere dhe ushqimi i vetem per te eshte gjaku. Duhet te dale menjehere ne banken e te akuzuarve, te marre vendimin me varje ashtu si Havziu denim te cilin ai ia dha pa hezitim. Na nxiu jeten, me shemtoi bukurine, me mori rinine, me shoi enderren e nje nene per te patur nje femije. Eh.., mos u gezofte asnjehere me djale apo me vajze. Kur ia shoh surratin ne ekranet e TV-ve dhe per fat te keq keto kohet e fundit ka qene shpesh here ne fokusin e kamerave pasi i duket vetja se akoma e ka shpaten e mprehte, me trazon shpirtin, lendon plagen dhe me ben te mendoj se nje dite duhet te jem perballe me te per t'i treguar vendin qe meriton, qe njehere e mire te shpetoje drejtesia nga xhelati, nenat nga hakmarrja brezi nga urrejtja. Per kete une kam kerkuar disa here ne emer te forumit te gruas demokratike si dhe seksionit te PD-se per shkarkimin e tij nga detyra per hir te progresit dhe te se drejtes dhe mbrojtjes ligjore".

E nderkohe qe me 10 gusht 2002 mbushen 14 vjet nga koa kur eshte varur poeti dhe mesuesi disident Havzi Nela qe per kuksianet eshte gjithmone e fresket ne kujtese ngjarja e rralle mesjetare, po kaq te fresket mbeten edhe autoret e ketij krimi makabre urdheruar dhe ekzekutuar nga piramida ne kalbezim e diktatures komuniste.