Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zyba Hysa: Në krah të majtë kam vendin

| E hene, 28.03.2016, 11:25 AM |


NË KRAH TË MAJTË KAM VENDIN TIM, DY GJYSMA BËRË DASHURIA…

(Refleksione nga një poezi)

NGA ZYBA HYSEN HYSA

Kam kohë që shkruaj vargje, (mbase që në ngjizje) saqë shpesh mendoj se linda me vargun, apo nëna më lindi për vargje… pak rëndësi ka kjo, ajo që më ngazëllen, është dëshira për të lexuar, se gjatë këtij rrugëtimi të pandalshëm takoj xhevahire të autorëve, xhevahire, ku vështron veten dhe shikon që s’ke arritur atje ku tjerët vallëzojnë me vargun, atëherë ti ndjen këngën e muzës, dehesh, frymëzohesh, ngrihesh dhe shkruan nën dritën e këtyre xhevahireve…

Që shpejt, nga viti 2011, më bie në dorë libri “Kasollja e Internimit” të autorit brilant, Dalan Luzaj dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, nëpër vargjet e tij ulërinte dhimbja e persekucionit komunist, persekucion që e përjetoi gjithë kombi ynë, por vetëm të diturit, të mençurit, e mbi të gjithë, poetët e ndjenë atë deri në palcën e shpirtit… bëra shkrimin: “Dalan Luzaj, poet i humbjes dhe dhimbjes” ndër të tjera shkrova: Kur kam lexuar poezitë e Dalan Luzaj, ndjeva në fillim ulërima  shpirtrash si në një kor rrëqethës me shpirtin e tij, ku bashkohej herë pas here dhe shpirti im që dilte dhe kthehej pa pushim tek unë, që vinin si nga një tunel i nëndheshëm pa dritë,  ku stalaktitet e akullit godisnin pa pushim, aq sa më pas ata heshtnin, nuk ndjeheshin më, mpiheshin, si një trup që gdhin nën dëborën e ngrirë, por vetëm thirrjet “kulak” “armik”, “...”, i zgjonin këta shpirtra edhe nga agonia dhe u jepnin dridhma si  kafshë të therura, në përpëlitjet e fundit të jetës.”

Poet s’quhesh se radhit vargje, “poet” është fjalë e madhe, që u shkon për shtat njerëzve të mëdhenj, atyre njerzve, që ku madhësia buron nga madhështia, jo nga forca e pompave për t’i fryrë si rrota makine, apo si tollumbace për të kënaqur foshnjet, por nga forca e mendjes për të pasqyruar dritën e shpirtit brenda vargjeve, si dhuratë për sytë e pa dritë të popullit...

Lexova së fundmi disa poezi të këtij poeti; të gjitha xhevahire,  radhitur e selitur nga një mendje e ndritur me shije të hollë, deri të paprekshme për një sy të zakonshëm. Renda pas vargjeve me vrapin e erës e ndala përballë stuhisë së vargut të poezisë “Atje dhe Këtu” e qëndrova gjatë në vorbullën e saj, u bëra pjesë e stuhisë dhe për të shpëtuar kthetrave të panoranës rrënqethëse që krijonin vargjet e kësaj poezie, fillova të shkruaj...

“Atje dhe Këtu” një titull që na shfaq para syshë një urë që lidh dy botë krejtësisht të ndryshme, botën e ndriçuar nga liria dhe botën e lënë në hijen e skllavërisë shekullore, në atë botë që shqiptarët e pafat lindën për të zgjedhur, kundër dëshirës, ashtu siç na ndodh në jetë, të braktisim dashurinë për hir të dashurisë...

Ne, shqiptarët e Konstadinit të Madh, jemi adhuruesit e diellit dhe rendim pas dritës, kur s’kemi mundësinë të çjerrim errësirën e lakuriqve të natës, ndaj historikisht kemi ikur bashkë me me dhimbjen që të sjell ikja, por ka qënë e vetmja zgjidhje, ndryshe do veniteshim si një lule që rritet në diell, burgosur brenda tuneleve të errta...

“Atje dhe Këtu” shekujt na e ndanë shpirtin në dy gjysma, shekujt na lindin për të na shfarosur, ne shfarosemi duke u ringjallur si Feniksi prej hirit të tij. Dhe ikja është ardhje përmes dëshirës, përmes ëndrrave që përherë i shikon me gjuhën tënde, përmes rikthimeve të herëpashershme, se pa prekur vatrën e të parëve, shpirti s’arrin të thithë as dritën e lirisë së ATJESHME. Kështu ura “Atje - Këtu” mbetet e përjetshme, por poeti më shumë është është këtu, se vargjet janë shkruar duke e ngjyer penën në llavën e nxehtë të shpirtit, vargjet janë “spiunët” e shpirtit, ata e nxjerrin shpirtin në dritë të diellit dhe ne e lexojmë qartas... ndaj edhe pse mes dritës së lirisë botrore, ndjen e përjeton dhimbjen e plagës së mëmëdheut...

Ai e paraqet “lirinë” komuniste, si një “muzg” që patjetër sjell natë, se po të thoshte “mugëtirë” sigurisht që do sillte dritën, e për ta thelluar këtë katastrofë, ai shkon më tej me fjalët “në zi”, “frikë”, “heshtje”...  Kish rënë muzgu, bërë natë,/ Qytet dhe njerëz, ranë në zi, / Ngjitej frika shkallëve lartë, / Heshtje, frikë në çdo shtëpi.”

Portret i komunizmit në katër vargje, i atij komunizmi të Zi që na nxiu deri në ankth “Ngjitej frika shkallëve lartë” një ankth që të mbyllte gojën për t’i shpëtuar vdekjes!

Poeti na zgjon dhe na thotë: “Mos harro!” Kujto atë kohë dhe kupto ndryshimin e sotëm, pavarësisht tymnajave të propagandës, përsëri mugëtirë, zi, frikë, e së fundmi, po vihen ligje për të heshtur, ndryshe çdo zë vret veten, vdes nga një aksident, apo nga ndonjë “infrakt” i një helmi me efekt të vonuar…

Kur them “zë” s’kam parasyshë zërin e kuçedrës që nxjerr këlyshët të veshrur me gëzof paqeje, si Kreshnik Spahiu, pjelle e qeverisë që iku dhe Ben Blushi i kuçedrës së “Rilindjes”, por zërat e dalë prej dhimbjes së popullit…

Një popull i mbajtur kaq gjatë në burgun e madh të terrorit komunist, nuk u lirua me hapjen e dyerve të burgjeve, ku mbaheshin të mencurit, se paisja e tyre me nga një pashaportë për të ikur, ishte kloni më i egër për këtë popull, jo klon telash me gjemba e korenti, por më i egër “klon errësire” për ta lënë këtë popull sërish nën kthetrat e kuçedrës, e cila hoqi kostumon e kuq dhe preu në rrobaqepësitë e botës po atë kostum, por ngjya - ngjyra, për të besuar se më në fund erdhi demokracia. Demokracia s’ka ngjyra, ajo është dritë, një dritë që ende s’po e shohim, ndaj “mugëtira”, “nata”, “frika”, “heshtja” mbizotëron dhe kuçedra kënaqet kur thotë: “S’ka shoqëri civile!” për të ka vetëm njerëz që u vilen taksa, për të paguar vasalët e tyre, për të pasuruar bankat e botës dhe për të mbajtur spiunët…

Populli mbeti i frikësuar përherë deri në angth e duke qënë i traumatizuar, kurrë s’është në gjendje të mendojë rrugëdalje pa le më të gjejë zhgjidhje, se siç e thotë poeti populli mbeti si një foshnjë i pakrahë, që e pse vitet shkojnë, ai s’rritet. “Sa foshnja kurrë s’u bë burrë” pra mbeti përsëri i nënshtruar… “S’shkarkohej lodhja me një natë, /S’shkarkohej frika njerëzve kurrë. /E shkreta frikë qe aq e gjatë, / Sa foshnja kurrë, s' u bë burrë… Në burg një popull i dënuar. /Kudo, të gjithë urrejnë me frikë. /Na fshihte gjumi i besuar, /Çdo ditë armik, çdo natë panik…”

Pa koment, një poet që flet më shumë se fjalët!

Një popull kur lihet në cakun e mbijetesës dhe kur mencuria shpërfillet, ai popull ka rënë në agoni, thjesht merr frymë se kuçedra e do të gjallë, ndryshe si do të ushqehet, ndaj “ka mëshirë” nuk ia heq “tubin e oksigjenit” që të japë shpirt, por e lë me shpirt pa shpirt…

Koha Luzjane, është e njëjtë me kohën Migjeniane dhe kohët që vijnë, të njëjta me kohët që shkojnë e të njëjta, i bën VARFËRIA, kjo pjellë e kuçedrës së pangopur që një zot e di se sa koka ka…

Dikur njihnim një kokë të kuçedrës, tani shumë koka, plot këlysh, që varfërinë e bëjnë edhe më të varfër… Dikur në kooperativa ishim si qen i lidhur në kolibe e ushqeheshim me thërrimet e kuçedrës, tani mbetëm si qen rruge, askush s’të fal thërrime, veç të pinë gjakun… “Aq varfëri sa na vjen turp. /S’na barazonte varfëria. /Ngelëm skllevërit më të urtë, / Në rresht, pas nesh vinte fëmija. Në rresht, për dy kooperativa. /Unë dhe lopata bënim dy. /Kështu rreshtohej republika, /Dy bukë hibridi për shtëpi.”

Dhe lotët më vërshojnë nga dëshira e lirisë, kur poeti thotë “Liri, mes plagëve të rrita.” I them se qe me fat se mundi ta rriste e t’i jepte forcë për të fluturuar drejt lirisë, për të shihuar pak liri të dhuruar, aqsa mund të shijohet një liri e dhuruar, se liria është e vërtetë, vetëm atëherë kur ke mundësi ta realizosh atje ku të do zemra, atje ku dhe toka është pjesë e lirisë tënde… t’i them se ne edhe plagët po na vdesin, edhe dhimbjet po shterojnë, as rënkima më nuk qesim… si për lirinë të mendojmë!?

Na gëzohemi atij xixëllim gëzimit të njerze tanë që prekin lirinë në botë dhe mbase ata do jenë shpresa e zgjimit të plagës sonë, e dhimbjes që kërkon ilaç lirinë! “Këtu s’ka muzg, ka dritë shkëlqim. / Na barazon kudo liria.” Dhe unë vazhdoj të lotoj, jo nga xhelozia, por nga fati ynë i pafat, por dy vargjet e fundit më japin shpresë “Në krah të majtë kam vendin tim, /

Dy gjysma, bërë dashuria.” Një shpresë që s’më lë të vdes, se janë pikërisht të ikurit që do ta stolisin kalin e lirisë si një pegasso i bardhë ardhur prej qiellit, me shpatën e drejtësisë hyjnore, ku çdo popull ka të drejtë të jetojë i lirë!

 

Tiranë, 17 mars 2016

 

ATJE DHE KËTU

 

Kish rënë muzgu, bërë natë,

Qytet dhe njerëz, ranë në zi,

Ngjitej frika shkallëve lartë,

Heshtje, frikë në çdo shtëpi.

 

S’shkarkohej lodhja me një natë,

S’shkarkohej frika njerëzve kurrë.

E shkreta frikë qe aq e gjatë,

Sa foshnja kurrë, s' u bë burrë.

 

Aq varfëri sa na vjen turp.

S’na barazonte varfëria.

Ngelëm skllevërit më të urtë,

Në rresht, pas nesh vinte fëmija.

 

Në rresht, për dy kooperativa.

Unë dhe lopata bënim dy.

Kështu rreshtohej republika,

Dy bukë hibridi për shtëpi.

 

Në burg një popull i dënuar.

Kudo, të gjithë urrejnë me frikë.

Na fshihte gjumi i besuar,

Çdo ditë armik, çdo natë panik.

 

Dy bukë, në mes qendronte frika.

Sa mijra ton dhe me lopatë.

Liri, mes plagëve të rrita.

Me Ty për jetë jam ndarë o fshat.

 

Këtu s’ka muzg, ka dritë shkëlqim.

Na barazon kudo liria.

Në krah të majtë kam vendin tim,

Dy gjysma, bërë dashuria.

 

(Dalan Luzaj)