Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Gjyshi i ëmbël Janaq

| E hene, 28.03.2016, 12:13 PM |


Kristaq Turtulli

Gjyshi i ëmbël Janaq

Mendime dhe përshtypje për krijimtarinë poetike në vite të poetit për fëmijë Janaq Pani.

-Takohemi nesër në stacionin e Finçit. Me sa di unë aty pranë ka dhe një mjedis të përshtatshëm për ne, për të pirë kafe dhe biseduar,- dëgjova në telefon një zë të ngrohtë dhe që më la përnjëherësh përshtypje të mirë.

-Detaje qysh dhe tek për tu njohur nuk ka shumë nevojë, shqiptarët e njohin me lehtësi njeri tjetrin kudo qe të ndodhen,- shtuam pothuajse në një gojë dhe qeshëm me përzemërsi.

Dhe  ditën e nesërme ne stacionin e Finçit e gjetëm shumë shpejt njeri tjetrin dhe u takuam. Burri me trup mesatar dhe energjik Janaq Pani shtrëngoi fort dorën me mua. U grindëm një çikë miqësisht, alla shqiptarçe se kush do të paguante kafen. Porositëm dy kafe të mesme një dabëll, dabëll e një pa sheqer vetëm me qumësht për Janaqin, për shkak të diabetit. Gjetëm një vend të qetë dhe shkëmbyem ‘Letrat kredenciale,’ pra librat tona që kishim botuar së fundi. Buzëqeshëm miqësisht  me ndjenjë modestie të hapur dhe më pas biseda jonë rrodhi e ngrohtë e rrjedhshme, e bukur, si dy krijues, sikur të ishim njohur dhe miqësuar shumë vite më parë. Përjashta qielli ish i ftohtë dhe rrugët Kanadasë qenë te mbuluara me dëborë.

Letërsia për fëmijë është shumë specifike dhe në vite janë evidentuar krijues të talentuar me profil të veçantë e që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në letërsinë shqiptare për fëmijë, si Odise Grillo, Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Naum Prifti, Bardhyl Xhama, Skënder Hasko, Dionis Bubani,Shpresa Vreto, etj. Letërsia për fëmijë është nga më të kërkuarat nëpër biblioteka dhe kjo është lehtësisht e provueshme, por  jo fort e lëvrueshme dhe cilësore në poetikë kohët e fundit. Letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj është në kulmin e lexueshmërisë së saj, ndryshe nga letërsia për të rritur që është në krizë për shumë arsye objektive dhe subjektive. Jo pa arsye shpesh flitet me zë të ulët, se ka më shumë që shkruajnë se lexues. Nejse...

Nuk e mohoj se ka vend edhe për kritika në letërsinë për fëmijë, se prurjet e një viti mund të jenë të pakta, se mosha e shkrimtarëve po shkon drejt pleqërisë. Një pjesë prej shkrimtarëve më në zë nuk janë mes nesh, ndërkohë nuk po hyjnë sa duhet në krijimtari forca të reja, dinjitoze, sepse letërsia për fëmijë të lë zbuluar... po të mos dish ta përdorësh siç duhet penën....detaje për të cilin duhet pasur parasysh e duhet trajtuar herë tjetër me përgjegjësi dhe kujdes të veçantë.

Këto po mendoja kur morra në dorë dhe fillova të shfletoja librat e dhuruara të mikut tim, Janaq Pani, të botuara me shije, paksa të ngucura në faqe, dhe jo fort të manovrueshme për botën e fëmijëve. Por këto elemente u sfumuan në çast kur fillova të lexoj, kur pashë, shkathtësinë e vargut qysh në poezitë e para:

Koshat na i mbush vjeshta,

plot me fruta lloje- lloje,

Gjyshi xhepat zbraz me vjersha,

Të ëmbla si mjalti me hoje,

dhe të bukura si ti doje.

Gjyshi poet Janar hapi shportat, çeli zemrat. Dera e larmishme e fëmijëve u hap lehtësisht përpara meje. Pa shumë ceremoni eca në të, por me thjeshtësi dhe bukuri, menjëherë përjetova një lirshmëri të bukur, të ëmbël dhe mu duk sikur mu hap përpara bota e gjerë e madhe e pafundme e fëmijëve:

Ç’është mirë dhe ç’është bukur?

Krahët kur i rreh një flutur,

kur flladit një fllad i hollë,

kur i çel lulet një mollë,

kur aromat i shpërndan bliri,

kur fëmijës i qesh syri,

kur këngën e ndez gjinkalla,

kur vjen gjumi mbi qepalla,

kur në krahë të merr nëna,

kur trokasin bashkë të dy zemra.

Apo  poezia e thënë aq me ndjeshmëri, sinqeritet dhe krenari e gjyshit, sepse si i thonë fjalës, nipi dhe mbesa është mjalti i mjaltit, kësaj thënie Janaqi e thotë me thjeshtësi dhe dashuri në poezinë duke depërtuar bërë më të kuptueshme për botën e fëmijëve:

/Kam një nip dhe kam një mbesë,/ më të bukur nuk i gjen,/ gjyshi për ta mund të vdesë,/ dhe ta dini, keq nuk i vjen./ Dhe ta dini miq një fjalë,/ kur qesh mbesa/ kur qesh nipi/ gjyshi,/ hop na behet djalë,/ lart më pemë mund të hipi./

Poezitë dhe poemat e ngrohta, të bukura, të rrjedhshme ndjekin njëra tjetrën, trokasin lehtë me sinqeritet në zemrat e brishta fëmijërore. Janaq Pani ka një krijimtari të  bollshme, poeti me aktivitetin e tij krijues është një ndër poetët më të spikatur të letërsisë për fëmijë.

Mua më vjen vetë ashtu natyrshëm në mendje vargu dhe rima, të cilat ndjekin njëra tjetrën, më tha Janaqi. Ndoshta ka të bëjë këtu dhe tradita jonë e hershme, shumëshekullore e polifonisë dhe e vargëzimit. Unë e dua shumë botën e fëmijëve, shton Janaqi, sepse është një mrekulli më vete, por jo vetëm kaq, krijuesin, autorin e bën ti rreh zemra në kah të çiltërsisë, thjeshtësisë dhe bukurisë.

Poeti Janaq Pani ka lindur në Qeparo të Himarës në vitin 1941, ku kreu edhe shkollën shtatëvjeçare. Shkollën e mesme e mbaroi në Tiranë për gjeologji, pas mbarimit të shkollës punoi gjeolog në ekspeditat e Kukësit, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Në rrugën e bukur e plot me vështirësi të letërsisë për fëmijë Janaqi ka nisur te merret qysh kur ishte nxënës dhe krijimet e para poetike i botoi në fillim të viteve 80, në revistat për fëmijë të asaj kohe si: revista ‘Ylli’, ‘ Fatosi’ e ‘Pionieri.’

Profesioni i gjeologut sigurisht mund të thuhet se është shumë larg prej pasionit letrar, poetik sidomos të letërsisë për fëmijë. Por ndoshta ky profesion i bukur i kërkimeve dhe zbulimeve është dhe shumë pranë, ngaqë je gjithnjë pranë natyrës së bukur shqiptare, ajrit të freskët dhe të fshehtave të nëntokës, njëlloj si bota e pasur e papërsëritshme e fëmijëve. Të gjithë ne e kemi kaluar fëmijërinë por pak janë ata krijues dhe artistë që i kthehen dhe e ngrenë në art.

Pra, krahas këtyre elementeve gërshetohet, natyra  si dhe bota e gjerë e ndjeshme, ëndërrimtare dhe me talent e Janaq Panit.

Librin e parë me titull: Yje mes yjesh’ e botoi në vitin 1980 (poemë), që u prit mirë nga kritika e asaj kohe. Më pas vijnë botimet e tjera poetike, me tematikë të pasur dhe të larmishme duke hyrë në brendësi të botës së pasur të fëmijëve, me temë nga lufta, heronjtë dhe temë të ditës, si: ‘Lajmëtari i pranverës’:(poemë). ‘Tufëza me lule.’( vjersha). ‘Baladë për njëmbëdhjetë heronjtë.’’ Shamiza e kuqe, ’ Përrallat e zogut Cërr (përrallë kjo në vargje).

Në krijimtarinë e këtij autori, bota shumëdimensionale e fëmijëve herë del duke buzëqeshur e ëndërrimtare e herë i shqetësuar e preokupuar aq sa ja u lejon mosha për problemet që mbart bota. Fëmija në poetikën e poetit nuk është thjesht një objekt, bota e fëmijëve është protagoniste dhe përjetuese në ngjarjet që kanë ndodhur dhe ndodhin. Vlera dhe rëndësia e poezive dhe poemave të Janaqit janë më të kapshme dhe aktuale.

Në vjershat e poemat e Janaqit vijnë me freski dhe origjinalitet tema të reja, me muzikalitetin e vargut, duke operuar me figura të gjetura e të komunikueshme për botën e fëmijëve. Gjithashtu autori mbështetet fuqimisht në traditën më të mirë dhe në folklorin popullor.

Poeti Janaq përjeton ngjarjet dhe momentet tronditëse që kaloi populli ynë, si eksodin e dhimbshëm, të paligjshëm dhe pasojat e lënguara të saj, si p sh tek poema e bukur dhe e dhimbshme: ‘Pse qan Otrantoja’:

‘Për ku nget kjo anije/ deti thellë hungëron./ Dallgë, o dallgë ku i shpie,/ atje tej vdekja përgjon./ Po mbi shpinë çfarë mbart?/ Dhimbje, lot e zemërim/ Ikin të kërkojnë fat,/ përtej detesh, në harrim./

Sa bukur e paraqet autori me vargje të kursyera, gjithë tension dhe njëherësh shumë komunikuese për botën e fëmijëve, shtegtimin e pasigurtë, të pashpresë, në mes të dallgëve të mëdha. Ikin të kërkojnë fat, me thjeshtësi dhe mallëngjim, të drithëron kjo fjalë, dhe më tej shkon në rrëqethje, përtej detesh në harrim.

Revolta e poetit është e pafundme ai bërtet me gjithë forcën e shpirtit dhe troket në botën e fëmijëve çiltërsisht për të lënë gjurmë dhe vërtetësi tronditese:

Eh, o det i Otrantos,

u thafsh e të daltë fundi,

nëm me zemër sot Sazani

nëm me zemër Karaburuni.

Më tej poeti shkruan:

Det, o det, pa shtroji dallgët,

vrullin tënd një grimëz ule,

për të dashurit e largët,

endëm një qilim me lule.

Janaq Pani ka një krijimtari të pasur,  të bollshme mbi tridhjetë vjeçare. Janaqi është autor i mbi njëzet tituj librash poetikë,  të cilat ndjekin njeri tjetrin me larmishmëri dhe cilësi të lavdërueshme.

Karakteristikë e krijimtarisë së këtij autori është sinqeriteti dhe bukuria e vargut, figuracioni poetik është spontan, lirizmi i të rrëfyerit, vlera, çka e kanë bërë këtë autor të jetë i shumë i dashur dhe mjaft i lexuar nga fëmijët e moshës parashkollore dhe cikli i ulët i shkollave. Por edhe ne të rriturit  kur marrim në dorë librat poetikë, i lexojmë dhe i shijojmë me kënaqësi krijimet e poetit, kjo gjë vlen për tu a transmetuar më bukur fëmijëve.

Janaq Pani përgjatë krijimtarisë së tij i ka kënduar dhe i këndon me bukuri vendlindjes, atdheut, trimërisë, festave të ndryshme. Miqësisë së sinqertë, shkollës, mësuesve. Dashurisë ndaj mamasë, babait, nënës dhe gjyshit. Vlerat e larta morale, patriotike, artistike, edukative përshkon pothuajse të gjithë krijimtarinë e Janaq Panit.

Zemra ime nuk ka krahë,

Por dhe mund të fluturojë,

apo poezia tjetër

Me gji dhe me këngë

mami më ka ritë,

Sa shpesh e ka trembë,

Gjumin nën qerpikë.

Janaqi në poezitë, poemat dhe librat e shumta poetike i ka kënduar me dashuri natyrës, jetës, pyllit.

Janaq Pani është fitues i disa çmimeve letrare artistike në vite për vlerat e tij të larta letrare. Vargjet e strofat e Janaq Panit me muzikalitetin e tyre të ndjerë, plot mesazhe e kumte dashurie na krijojnë neve të rriturve një ndjesi të bukur, gazmore dhe kënaqësi të veçantë

Në mbyllje të këtij shkrimi modest për krijimtarinë e  Janaq Panit i cili me artin e tij, luan një rol të rëndësishëm sot në letërsinë shqiptare për fëmijë dhe zë një vend të lavdëruar.

Suksese te metejshme poeti i ndjere Janaq Pani për respektin e merituar dhe titullin e  nderit që të akordon vendlindja juaj. A ka më lumturi, kënaqësi dhe gjë më me vlere për një shkrimtar poet, kur thinjat dhe vitet i rëndojnë por e bëjnë më fisnik?!