Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shaip Grabovci: Dea e madhe

| E hene, 28.03.2016, 12:30 PM |


Përshtypje

Dea e madhe

Obligim i madh është të shkruash… E obligim edhe më i madh është të shkruash dhe të vlerësosh  punën e një tjetrit! E, në këtë pozitë gjendem unë momentalisht… Kur duhet ta jep vlerësimin tim për punën e Deas, respektivisht të them disa fjalë për librin e saj: ” Yjtë farfuritës”, promovimi i së cilës- shumë mirë i organizuar , u bë Ditën e Mësuesit në Teatrin Dodona, në Prishtinë.

Me këtë rast dua të them se para meje gjenden dy befasi: befasia e parë  është se autorja  e librit me tregime: :Yjtë farfuritës”, Dea Halimi është shumë, shumë e re dhe befasia e dytë është pjekuria me të cilën janë shkruar tregimet.

Çdo shkronjë ka tregimin e vet e çdo tregim e ka shkronjën e vet e cila aq shumë herë përsëritet në tregim dhe kështu së bashku bëjnë një tërësi jo vetëm artistike por edhe didaktike. E, edhe tregimet, respektivisht libri si tërësi  paraqet  një punë me vlerë sa artistike aq edhe didaktike, kështu mund të jetë shumë i mirëseardhur për nxënësit të cilët gjenden në fazën e përvetësimit të shkronjave.

Tregimet kanë një konstrukt të mirë,  kanë rrjedhë natyrale, nuk janë të “imponuara” dhe si të tilla shumë të përshtatshme për moshën e re.

Unë tani  u  përpoqa me një vështrim fare të shkurt ta prezantoj një libër shumë të kompletuar, për të cilin fjalën kryesore do ta thotë, më vonë, kritika, ndërsa unë po e përfundoj me një thënie popullore: “Dardha pikë nën dardhë”, e edhe Dea nuk mund t’i shmanget kësaj: nënën shkrimtare, babën shkrimtar e Dea…  gjykuar sipas librit do të jetë shkrimtare!

Për fund,  Dean, që deri në këtë çast e thërrisja të vogël, tash e tutje  do ta quaj  të madhe!

Shaip Grabovci

Shkrimtar-Gazetar