| E shtune, 26.03.2016, 07:44 PM |
Në
Ditën Botërore të Poezisë
Nga Mehmetali Rexhepi
Miq të çmuar! Mësimdhënës, bashkë-edukatorë, arsimues e veprimtarë të çështjes kombëtare! Mirë se keni ardhur në këtë mjedis arsimor! Ardhja e juaj ka nderuar Ditën Botërore të Poezisë, mësimdhënësit, nxënësit dhe Drejtorinë e Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Të nderuar artdashës! Më keni respektuar mua, si letrar, edukator e veprimtar!
Nisma e këtij takimi përkon me përmbylljen e karrierës sime arsimore në korrikun e këtij viti mësimor.
U jam mirënjohës përjetë!
Kësisoj, bashkohen ndjesitë tona për të bukurën, për të madhërishmen e sublimit njerëzor. Secilin prej nesh e përshkojnë këto kategori estetike të së bukurës, por vetëm poeti arrin t`i kap maje penës disa nga fijet e ngërthyera, dhe me prekje refleksive shfaq përfytyrime, pamje, mozaik idesh, gjendje magjike për fisnikërimin e prozës së jetës përplot me gjemba stresesh.
Nuk e kuptoj dot jetën pa poezi dhe pa liri. Liria dhe poezia ishin dhe mbeten sinonime të papërmbushura për shqiptarët në kapërcej të shekujve të egër. Te ne, sapo e nxirrte kokën njëra tjetra mbyllej në guacën magjike... Kur na mungonte e para e gjakonim, të fshehur, prapa figurave të dytën... Ndonjëherë, nga trusnia e jashtme, aq shumë e rrudhnim shpalimin e saj, sa e lëndonim të lëngonte edhe në stinët mëkuese...
Tashmë kur jemi brenda sinonimeve të tyre, liria ia ka zgjatur dorën lektisjeve të poezisë... Andaj, të mos ia këpusim atë dorë delikate asaj... Nga ajo dorë prore flluskuese duam dhe përkëdheljet e saja lëndore...
Mësyjmë që liria dhe poezia përmes të gjitha ngjyrave, të dukshme e të padukshme, t`ia zgjerojë e kthjelltësojë shkëlqimin shikimit, t`ia hollojnë udhët frymëmarrjes për depërtime në zemra; mes drurësh frutorë të mendimit, mes vuajtjesh e shërimit të racës njerëzore, mes dhimbjes e lumturisë, mes hulumtimeve e kërkimit në të errëtat e ndërdymes, në enigmat brenda dhe jashtë nesh...
Me lejen tuaj, lexues të çmuar: i falem poezisë!