Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ariana Bytyçi: Mrekulli dashurie

| E marte, 22.03.2016, 08:28 PM |


Ariana Bytyçi

 

MREKULLI DASHURIE

 

Kur dashuria më buzëqeshi,

Në çast vetes befas i thashë:

Ç?është kjo pasqyrë,

Që fytyrën time të bardhë ma tregon?

Gjurmët e mia ku janë?

Nga erdha këtu?

Ky mall!

Kjo ndjenjë!

Ky zjarr,

Që trupin tim pushtuan!

Ku është shkëlqimi i syve të mi?

Ku është hija ime,

Që kisha në xhep?

Kur shkelja përpara

Me nxitim,

Prapë befas vetes i thashë:

Dashuria të merr sytë,

Nuk sheh gjë tjetër,

Vetëm sytë e tij!

 

EJA TË ZHYTEMI NË MËKAT

 

Nata nuk më lejon të t'ëndërroj

Ty të kërkon në shtatin e bardhë prej mbretëreshe

Ta zgjasësh dorën në kostumin tim prej mëndafshi

Zgjatu o natë, zgjatu, deshe a s’deshe

Trupin lakuar e të thyer në bel

Ma merr afër mos u bëj dembel

Më merr në ato hapa jete, mos më rri mbuluar,

Mbylli faqet e plagëve, o i dëshpëruar...

Në natën time magjike çastin zgjate prore

Se dashuria është e përjetshme

Kurse ndjenjat janë madhështore...

E në madhështinë e tyre, në epshet mjaltore

Ne ngrisim ndjenjën e përkushtimit

Eja të zhytemi në mëkat

Ku të na dërgojnë dallgët e erës

Ta zbrazim psalmin në natën e zhveshur

E fytyrat të na shëndrisin

Nga dhoma e gjumit le të dalë zjarri

Le të nxihen edhe qirinjtë ndezur

E në vend të hijes së mëngjesit

Shenja të dukshme dashurie, të mbeten

Që misionin e djegur për së gjalli dëshmojnë

Si gjërat pa shpirt në hapësirë që malit ia marrin...

 

TË DUA...

 

Të dua nën hijën e shpirtit.

Në mes rrjedhës së lumit,

Vala e tij më shpërlaftë...

Mbi vullkanin e trazuar,

U përvëlofsha për ty...

Të dua në këtë jetë, e plasur qoftë

Mungesa që me shpatë që na ndan...

Të dua me sytë e tu plotë qiell afshesh.

Yjet mbi mua duan të bien, e të më shkrijnë.

Të dua deri te shtegu i flautëve

E shrydhur me ëndërra, sheshit nudo..

Gjumë në sy mos vëfsha, në ëndërr pa ty.

Të dua edhe kur era si pupël ma përkëdhel

Fërshëllimën e xhelozinë - ”plumb i ngulur në eshtra”.

 

Të dua edhe kur muzika

Vjen ta derdhë zërin në sallë,

E dikush ta zgjat dorën: Eja të kërcejmë,

Portat e ferrit do i shkallmoj.

Të dua edhe mes brengave ku prehem,

Shpirtë/shkepur qofsha...

Te dua, edhepse më shumë je

Dashuria e dikujt dhe shpeshherë

Bëhesh e pamundur përsëri je

Kuptimi i jetës sime

Je pjesa ime që të ëndërroj

Çdo çast pa u ndalur...!

 

FAMILJA JASHARI

 

Sa i thyer është muaji Mars

I vitit 1998-të

Ku përkujtohet kjo familje

Që nuk harrohet përjetë...

Do të jetë gjithmon'e njohur

Si një shembull rezistence kreshnike

Për mbrojtjen e atdheut për liri..

Kurrë nuk do të harrojmë

Sakrificat e tyre, tashmë

Të shkruara në Histori...

 

THJESHT KËSHILLA

 

Më kujto,

Po deshe të ndjesh lumturi.

Më kujto,

Po deshe pak shpresë për vete.

Ma kujto zërin,

Po deshe të nxjerrësh zërin tënd.

Më kujto vetëm mua,

Që të ndjesh se po jeton.

 

STUHI

 

Bashkë me rrugët

Më ikin dhe gjurmët,

Kalldrëmi më përtyp mishin,

Zemra më merr thua në shpirt,

Bëhem stuhi në shtjellën time,

Për ty,

Dashuri e pashijuar!

 

VALË PËRMBI VARGJE

 

Shtigjeve të jetës sime,

Lashë shumë kujtime,

Udhëve të mia,

Lashë shumë shpresa,

Në rrugët që mora,

Çdo herë kënaqësi solla para vetes

E sa herë syshikimi im i mprehtë

Përkulte meshkuj për toke,

Hapeshin kthetrat e mia të padjallëzuara,

E harqet e ballukeve të mia

Në çengel zemrash përdridheshin.

Me buzëqeshjen e njomë që kisha,

Thonë se të gjitha lulet në luledielli i ktheja.

Për buzët e vizatuara,

Për zemrën që kisha,

Të gjithë mendjen pas e linin.

Kur shkëlqimi i syve të mi

Shponte zemrat shigjetë,

Hark shigjete trupin e bëja,

E kënga vinte

Valë përmbi vargje.

 

FEMRA, KY EKUILIBËR I BOTËS

 

Aty ku është thellësia e detit të paanë,

Aty ku bota e gjallë shuan etjen,

Aty ku nis kufiri i tokës,

Aty është mbretëria e krijesës Femër

Helenë e lashtë, simbol me këtë emër.

Shumë sakrifica në jetë për të u bënë,

Dikush u tret në mendime,

Dikush edhe vrau dikë,

Dikush vrau veten diku,

Dikush tjetër u tret në errësirë,

Duke shkruar copëza letre,

Me kandilin pranë.

Femra i dha jetë jetës,

E vdekje vetes,

Kur pranë saj është,

Bota për të përforcohet,

Që të mos rrëzohet...

 

BIOBIBLIOGRAFIA

Ariana Bytyçi u lind në vitin 1985, në Lipjan. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, po aty edhe gjimnazin e shkencave matematiko natyrore. Tash ndjek studimet në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Fakultetin e Filologjisë, Dega Letërsi Shqipe. Deri tani, poezitë e veta i ka botuar në “Lajm”, “Botapress”, “Dituria”, por edhe në emigracion, në Londër, Londër, në Galaktika Poetike “Atunis”, në Belgjikë, te “Fjala e lirë” në Britani të Madhe, te “Tribuna shqiptare” në Prishtinë“, te gazeta “Dielli” në SHBA etj. Poezitë e Ariana Bytyçit kanë zënë vend edhe në antologjinë e poezive “Malli poetik”, në të cilin janë prezantuar 87 poetë e poete nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Presheva, si dhe nga diaspora. Poetja Ariana Bytyçi ka marrë pjesë në shumë manifestimeve letrare e poetike, si në Festivalin Kombëtar të Letërsisë për të Rinj, pastaj në Takimet Tradicionale të Krijuesve nga Diaspora dhe në shumë takime të tjera, ku poezia e saj është shpërblyer me mirënjohje dhe çmime të ndryshme. Ariana Bytyçi ka të botuar përmbledhjet me poezi: “Më fal, moj lule!” dhe “Vargu i zemrës sime”, kurse ka gati për të botuar edhe monografinë për dëshmorët e kombit nga diaspora. Ndërkohë ka në dorëshkrim edhe vëllimin e tretë poetik.