| E diele, 20.03.2016, 07:50 PM |
Albert HABAZAJ
Dashuria sublime për Nënën në dy poezi:
1- KËNGË E VJETËR PËR NËNËN
Dhembja e plakur me këngë,
Shpirt i shtrenjtë, sa shenjtëria,
Më ke rritu me mundime,
Nëpër hallet që s’t’i dija…
Më vështroje ti në sy,
Kur s’kishe gjë në sepete.
Unë ngopesha aty,
Dritë syri ti më jepje…
Moj e pakta nga fiziku,
Loti i patharë në bukë,
Hall i sofrës si nuk iku:
Sos na e prure në futë?!
2- NËNAVE U FALET VLORA
Si bekim nga Perëndia,
si drit' e bukur hyjnore,
energji nga mirësia
shpërthejnë sot lule Vlore.
Janë lulet e urimit
për nënat tona të mira,
janë gonxhet e gëzimit
për motrat tona të dëlira.
Dëlirësi e bardhë si bora
në majën e lart' të Çikës,
u falet nënave Vlora,
se nëna ësht' motër e dritës.
E dritës që na mbush jetën
dhe dritëron dashuri;
nën' e dhembshur, si ti tjetër
nuk gjej dot në Gjithësi.
Ësht' e vogël galaktika,
s'e mban dot zemrën e nënës,
bëhet më fisnike dita
me nënën - thelbin e këngës.
Nga një vallëzim ëndrrash dehem
kur përkundet dashuria,
kur në gji të nënës kthehem
në gji më merr shenjtëria.
Mjalt - e bardha nënë - flori,
nga ti qofshim të bekuar,
kur veprojmë për Shqipëri
ballin tënd kemi nderuar!