Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Nderim për këngëtarin Dervish Shaqa

| E enjte, 17.03.2016, 07:20 PM |


NDERIM PËR  KËNGËTARIN AQ TË NJOHUR DHE TË PAHARRUAR, DERVISH SHAQA…

Nga Prof. Murat Gecaj - publicist e studiues

1.

Në takimet e bisedat, që kam zhvilluar me mikun tim të mirë Bajram Gashi, ish-mësues dhe drejtues  i arsimit në rrethin e Durrësit, kanë zënë vend edhe ato për këngëtarin e njohur dhe të paharruar popullor, Dervish Shaqa. Kështu, unë kam risjellë  në kujtesë njohjen e bisedat e këndshme me të. Me kapuçin e bardhë në kokë, me mustaqet e gjata e paksa të përdredhura, me buzëqeshje të ëmbël e sytë  vezullues,-ja, kështu më del përpara fytyra e atij burri vigan, këngëtar aq i njohur dhe me aq vlera për këngët popullore të Kosovës dhe të Shqipërisë së Veriut. Nuk e di mirë arsyen, por që në njohjen e parë me të  dhe në vitet pasardhëse, ai gjithnjë më ka sjellë ndërmend babain tim. Gjithashtu, ky mbante kapuç të bardhë në kokë, kishte mustaqe të gjata dhe i dallohej mirë buzëqeshja në fytyrë, si kur kuvendonte më të tjerët, por dhe kur këndonte, sidomos, “këngë të gryta” (dashurie).

Në vitet 1968-1973 shërbeva kryeinspektor i kulturës, në vendlindje, pra në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Natyra e punës e kërkonte që të shkoja edhe në qytete e rrethe të tjerë dhe të merrja pjesë në veprimtari të ndyshme kulturore-artisatike, sidomos në ato me karakter popullor. Kjo bëri që të takohesha e të bisedoja edhe me këngëtarin aq brilant e të papërsëritshëm, Dervish Shaqja. Ishte dhe një arsye tjetër, se përse pata rastin të afrohesha me këtë njeri fisnik e këngëtar mjaft i njohur popullor. Kur ai ishte në kulmin e shfaqjes së talentit të tij, në sektorin Xhafzotaj të Ndërmarrjes Bujqësore të Sukthit, banonte vëllai ynë i madh, Xhema, bashkë me familjen. Pra, ndodheshin me vandbanim fare afër Rrashbuallit, ku jetonte Dervish Shaqja. Po aty ishte dhe këngëtari tjetër, i rrallë me talentin e tij, Demush Neziri.  Në këngët popullore, bashkë ata ishin si dy “vëllezër binjakë” dhe ashtu janë ruajtur në kujtesën e atyre, që i kanë njohur dhe që i kanë parë në skenat e shfaqjeve të shumta të tyre. Kur ata këndonin me zërin e tyre “tiskë”, edhe zogjtë  sikur e ndalnin fluturimin e i dëgjonin me vëmëndje ata të dy!

Tani, nuk mund t’i riprodhoj besnikërisht takimet as bisedat e mia me Dervish Shaqjen, se kanë kaluar shumë vite. Por më kujtohet mirë se ai fliste me mall të pashuar për Kosovën, edhe sepse e dinte që isha nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Herën e fundit, jam takuar me këtë këngëtar të pasionuar të rapsodive të Veriut, në Shkozet të Durrësit. Sa më pa nga larg, buzëqeshi dhe i përdrodhi pak mustaqet. Kur u afruam, ma zgjati dorën dhe u përshëndet me mua, sipas zakonit të malësive të Veriut: “A je burrë, si je?” Ndërkaq, m’u duk se po përqafoja babain tim dhe ia thashë atij këtë gjë, që sigurisht i ngjalli emocione. Pastaj, duke pirë nga një gotë birrë, në një lokal aty afër, folëm më tepër për krahinën time, që ai e quante dhe të veten, por dhe për Kosovën e mallin e madh, që kishte për njerëzit e tij të dashur atje.

Kur kam shkuar për vizitë, pas luftës  e fitores mbi serbët në Kosovë, në korrik 2000, por dhe më vonë në krahinën e Junikut, Deçanit, Gjakovës e Pejës ose dhe kur jam ndalur te Verrat e Llukës, përpara sikur më ka dalë figura kreshnike e këngëtarit të shquar Dervish Shaqja. Po kështu, sikur kam dëgjuar tingujt e këngëve të tij aq të njohura, për trimat e Atdheut tonë, për komandantët e njohur popullorë, si Bajram Curri, Isa Boletini, Azem Galica e tjerë.  Por në mendje kam sjellë edhe këngët e interpretuara aq bukur prej tij, kushtuar Ahmet Delisë, Haxhi Gashit, Cen Maxhunit, Rexhës…Por ai të kënaqte me zërin e tij edhe kur këndonte këngët  e dashurisë ose “të gryta”, siç quhen në Malësi e në Kosovë.

Si Dervish Shaqa dhe miku i tij, Demush Neziri, këngën e kishin pasion të veçantë, u dilte nga shpirti dhe kurrë nuk e interpretuan për të fituar prej saj, sado që kishin dhe nevoja jetësore të  periudhës, që kaluan në ato vite të vështira në Shqipëri.

2.

Dervish Shaqa lindi në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në Kosovë, në vitin 1912 dhe u nda përgjithnjë nga jeta, në Rrashbull të Durrësit, më 11 prill 1985. Në jetën e tij 73-vjeçare, ky rapsod i shquar popullor u njoh mirë në të gjitha trevat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Si pasojë e gjendjes së krijuar nga rregjimi shtypës serb dhe veçanërisht nga UDB-ja, gjatë aksionit të “mbledhjes së armëve”, në vitin 1956, ai u detyrua të largohej me dhimbje të madhe nga vendlindja e tij e dashur. Kështu, erdhi në Shqipëri, për të cilën kishte nderim e adhurim të veçantë. Por shpejt u zhgënjye nga rregjimi monist i kohs, i cili në përgjithësi e shihte me dyshim çdo person, që vinte atëherë nga ish-Jugosllavia, pra edhe nga Kosova.

Bashkë me mikun e tij kosovar, këngëtarin Demush Neziri, u vendosën në fshatin Rrashbull, jo larg nga qyteti i Durrësit. Shpirtin e tij të trazuar, mallin e pashuar për vendlindjen dhe ndjenjat e pastra atdhetare, nisi t’i shprehte vrullshëm përmes këngëve popullore, të cilat sikur i sillnin qetësi e ngushëllim. Një ndër ato këngë, të cilën ai e pëlqente shumë, ishte ajo me vargjet domethënës: “Kur ta kthyem, Kosovë, shpinën,/ e lamë borë e gjetëm dimër!...”.

Në gojën e Dervish Shaqjes, me zërin e tij brilant, jehoi historia shumëshekullore shqiptare, gjëmuan luftërat për liri e pavarësi. Ai  thuri himne për heroizmin e treguar nga sa e sa prinjës popullorë dhe luftëtarë trima, të cilët nuk kursyen asgjë për Atdheun e robëruar e të copëtuar. Nëper vargjet e këngëve të tij, që i shoqëronte me çifteli e sharki, si në ekranin e një kinemaje me ngjyra dilnin kullat e gurta të malësorëve të Rrafshit të Dukagjinit, figurat e shquara për liri, pavarësi dhe përparim të gjithanshëm shoqëror.

Me punën dhe përkushtimin e Dervisha Shaqjes, u bë e mundur që ai të formonte e drejtonte grupin e rapsodëve popullorë të Rrashbuallit, i cili u bë mjaft i njohur në atë kohë. Kështu, për herë të parë, ai grup mori pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, në vitin 1968. Që nga ajo kohë, së bashku me mikun e tij, rapsodin tjetër Kosovar Demush Neziri, paraqitën para publikut mjaft këngë të bukura. Përveç këngëve, që përmendëm më lart, Dervishi e Demushi interpretuan këngët, që kanë mbetur të pashlyera në kujtesën e brezeve: “Ç’janë këto gjamë, që po i bjen era?”, “Prej Prokuplje e deri n’ Nish”, “Moj e mira, posi bora”, këngët për Azem e Shote Galicën dhe të tjera.

Po të kërkosh tani në arkivin muzikor të Radio-Tiranës, sigurisht, do të gjeshë dhe një pjesë të madhe të regjistrimeve të këngëve, që kanë insterpretuar me aq mjeshtëri, Dervish Shaqa e  Demush Neziri. Por ato ndodhen edhe duke klikuar në adresat e ndryshme të Internetit dhe janë e do të mbeten një thesar i paçmuar i kulturës kombëtare shqiptare. Këngë të tilla janë: “Të shtatë krajlat e rrehin telin”, “Isa Begi po t’thrret nana” ose “Pyet Kosova për një çikë”, disa këngë kushtuar vendlindjes, si p.sh.“Kurrë Kosovë s’tu da gazepi”. Mjaft të njohura janë dhe këngët “e gryta”(lirike për dashurinë), që kndoi Dervish Shaqa, si: “Moj e mira n’derë të stanit”, “N’drrasë të vekit kush po kan(qan)” etj.

Përveç këngëve popullore dhe të përpunuara nga ai vetë, për Dervish Shaqen ka krijuar edhe kompozitori i njohur Tish Daija. E tillë është kënga, tashmë shumë e njohur dhe e përhapur në mbar trevat shqiptare, “Festë të madhe, ka sot Shqipëria”, jehona e të cilës ka ardhur deri në ditët e sotme.

Në mbyllje të këtyre radhëve, në kujtim të rapsodit popullor e këngëtarit të shquar e mjeshtër i rrallë i këngës popullore shqiptare, Dervish Shaqa, përulemi me respekt para kujtimit të tij. Ndërsa, sa herë e dëgjojmë zërin e tij, urojmë nga zemra: “Hej, të lumtë goja, o Dervish Shaqa!

Tiranë, 16 mars 2016