Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Kronikë që rindërton historinë

| E merkure, 16.03.2016, 08:22 PM |


KRONIKË QË RINDËRTON HISTORINË

“Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin 99” nga Sulejman Dida

NGA NDUE DEDAJ

Librat shkruhen me penë, por ka dhe libra të shkruar me shpirt. “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin 99” i autorit Sulejman Dida, botuar dy vitet e fundit, është një i tillë, si një poemë e dhimbjes për një ndër motet më dramatike të shqiptarëve gjatë gjithë historisë së tyre. Mund ta shkruanin një libër për shpërnguljen zhbimëse kosovare të fundshekullit XX dhe të tjerë publicistë me përvojë, por askush si një autor kuksian, hasian, lumian, që e ka përjetuar tragjedinë çdo çast, ku jo vetëm ka raportuar si gazetar ngjarjen e madhe në media, por ka hapur dhe shtëpinë e tij për të pritur njerëzit e ardhur nga matanë. Kësisoj libri i ka të gjitha, karvanet e të dëbuarve që kapërcejnë Morinin në kufijtë e mbijetesës, emrat e shumtë njerëzore, adresat e djegura, shifrat e të vrarëve dhe të lënduarve nga lufta, lotët e patharë, plagët e shtatit, si një enciklopedi e gjallë e pazakontë, ku jo rastësisht autori ka shënuar në kopertinë “dëshmi, përjetime, refleksione”. E para gjë që thua, pas një kronikë të tillë unikale, është: Ah, sikur t’i kishim të shkruara kështu, të plota, kronikat e dëbimit të shqiptarëve prej dy shekujsh drejt theqafjes, shkombëtarizimit, tokave të Anadollit etj. dhe t’ia bashkangjisnim ato kronika aktit të Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008.

Në parantezë, nuk mund të mos jesh i vëmendshëm ndaj publikimeve të autorëve të atyre trevave verilindore, që ua adhuron pafund Gjallicën e Pashtrikun, dy Drinat, Rrugën e Kombit e tunelin, punimet artizanale e rapsoditë, Urën e Vezirit dhe kanunin, natyrën turistike e baritore, si dhe fjalën e shkruar e pikturën. Ndoshta se Kukësi (me Lumën e Hasin) gjithnjë ka patur një klas poetësh, si Agim Spahiu, Bajazit Cahani, Izet Duraku, Rexhep Shahu, Sulejman Dida, Nermin Spahiu, apo prozatorë modernë si Petrit Palushi, pasues i Ferhat Cakajt me romane për gjeologët etj., apo studiues të njohur si Shefqet Hoxha. Disa prej shkrimtarëve kuksianë tani rrojnë e krijojnë në Tiranë, por gjendet ende në vendlindje, gjithnjë në kërkim të lajmeve si gazetar, Sulejman Dida, njëherësh poet, lëvrues i esesë, kronikës etj. Kërkimet në terren, në Kukës, Has, Tropojë, Mirditë, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, apo përjetimet nga emigracioni në Greqi si vizitor, e kanë pasuruar me fabula interesante dhe detaje ngjethëse atelienë e tij prej shkrimtari. Ai shquhet për esetë e tij filozofike, etnografike të shkruara me mjeshtri, mbi be-në e malësorëve, profilin e piktorit të shquar mendimtar, Rexhep Ferri, në Prishtinë etj. Dida është kryeredaktor i Radio-Kukësit, reporter i Radio-Televizionit Shqiptar, gazetës “Shqip”, shtypit të Kosovës etj.

“Dëbimi” është një skanrim i imtë i çdo lëvizjeje njerëzore të mundimshme, gjer frymëmarrjes në të sosur, aty ndërthuret koloriti gjuhësor i të gjitha trevave shqiptare, veçmas e folmja e zonës. Është një libër që përçon emocion faqe pas faqeje dhe nuk do që t’i mungojë asnjëherë bibliotekës tënde, pasi nesër do të jetë dhe më i vlefshëm, për ata që vijnë e do të duan të dijnë se si pati ndodhur, si në Eposin e Kreshnikëve, zhbimja e madhe e Kosovës atë mot ’99. Jo rastësisht, publicisti Rexhep Shahu, në parathënien e librit, krijon atmosferë duke sjell një këngë “muhaxhirësh”, të dëbuarish nga trojet e veta, me përjetime të forta, sa tokësore, aq dhe qiellore, pasi as dielli nuk ban dritë, se nuk dijnë o se nga shkojnë!...

Autori Dida, me një ka stil të përvijuar qartë dhe të drejtpërdrejtë rrëfimtar, shkruan: “Dëbimi i fundit nga Kosova vazhdon të xhirohet e të shfaqet në sytë tanë të mendjes si një film gjigand në qiell të hapur. Aktorët e spektatorët jemi të gjithë shqiptarët...” Merret me mend që ai i ka blloqet e shënimeve plot nga ajo kohë, por dhe një kujtesë të pagabueshme, që e përcjell fatin e të dëbuarve nga çasti i parë tek i fundit, pa i kaluar asgjë. Në këtë mënyrë libri i tij fiton tiparet e një romani kronikë, nga më dramatikët, ku përkundën e lëkundën fatet njerëzore, në kërkim të shpëtimit. Edhe vetë autori është njëri nga personazhet e kësaj drame, që ka përshkuar Kukësin e gjithë Shqipërinë atë pranverë, kur regjimi represiv i Millosheviçit e ktheu Kosovën në një kamp të madh përqendimi, ku pritej gjithçka e mund të ndodhte çdo gjë. Ajo që ata kryen mbi shqiptarët etnikë quhet genocid me termat zyrtarë dhe shfarosje në gjuhën popullore. “Dëbimi” i Sulejman Didës është dëshmia e shkruar e kësaj ploje të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shifrat thonë se kanë qenë disaqind mijë të dëbuar në Shqipëri. Kukësi brenda pak ditësh u tetë-nëntëfishua, nga 20 mijë banorë, në 170 mijë. Një nga kronikat e fillimit: “U banë plot 35 njerëz në një hapsinë prej vetëm 60 metrash katrorë”. Kjo ishte java e parë e shpërnguljes, por “në krye të javës mbërriti karvani i dytë tepër i gjatë me rreth 70 mijë njerëz, një valë e paimagjinueshme”. Qyteti nuk mbante më, si një enë që rrasej e rrasej. Diku autori shkruan se Kukësi tash kishte “ma shumë se gjysmë milioni njerëz”. Asnjë qytet ballkanik nuk do të mund ta shumëfishonte veten në ato përmasa, por ishte thirrja e gjakut, vëllazërimit, solidaritetit, humanizmit, tipare sa historike, aq dhe të shoqërisë moderne. Një prozë me episode të pazakonta që vetëm lufta t’i “dhuron” e asnjëherë paqja. Një minierë e tërë e trishtë e fatit njerëzor. Mjaft të kujtosh që me 26 mars ishte masakruar i gjithë fshati Krusha e Madhe etj. Me gjithë kronikën “biblike”, ka qenë e pamundur të rregjistrohet e raportohet gjithë çka ndodhur mbi kosovarët gjatë natës kriminale apokaliptike të regjimit të Beogradit. Historia mbante shënim rezistencën e paepur të shqiptarëve, në trojet e veta etnike, në UÇK-në e Adem Jasharit e martirëve të Reçakut, në Rambuje etj., duke patur mbështetjen politike dhe luftarake të Amerikës dhe Europës.

Autori nuk mund t’i shmanget faktit se dhe shtëpia e tij shndërrohet sakaq në një bujtinë mikpritëse dhe se ai, bashkëshortja, vajzat nuk kanë më as krevatet e tyre për të fjetur. Rrëfimtari nuk ka kohë të na thotë se kjo është tradita, fjala mikpritje i duket e pavend, por rend atje ku plagët dhembin pa prâ, në Morin ku zbarkohet pareshtur mes dallgëve të genocidit serb. Është ndër rastet e rralla kur gazetari nuk ka nevojë të kaloje pragun e shtëpisë për të mësuar lajmet e kronikës, që i duhet t’ua thotë shqip mediave të Tiranës dhe në anglisht reporterëve të huaj që ikin e vijnë nga Kukësi. E ka brenda shtëpisë së tij “Kosovën”. Atë mars çdo shtëpi shqiptare u shndërrua në një bujtinë e historisë. “Na asht lidh buka në fyt”, thoshin të dëbuarit, që nuk mund ta dinin sa mund të zgjaste ai kalvar, tre muaj, tre vjet a kushedi se sa. Ngjarje si kjo i frymojnë personazhet, nga njeriu më i thjeshtë - te Ibrahim Rugova. Ata janë Ahmeti, Myfaili, gjeneral Lama, baba Dem, Bajram Hasani, Luani, dy vogëlueshet nga Gjakova Elvira dhe Mimoza, Ismet Krasniqi, gazetari i famshëm i ROJTER-it Kurt Shcork, ministra, kryeministra, presidentë që ikin e vijnë - të vendit dhe të huaj, etj. Ema Bonino, ministre, komisionare e lartë për refugjatët shprehet e shokuar se këtu po ndodh një holokaust. Ajo qan kur sheh në Kukës një grua shtatzanë të lindë, e cila mezi iu kishte mbijetuar plagëve militare. I pari i dëbuar që Dida interviston është bujtësi i shtëpisë së tij, një plak 82-vjeçar, Shaipi, i familjes Bytyçi nga Suhareka. Është një bisedë në mesnatë, që njeriu nuk mund të rrijë pa e bërë me të sapoardhurin, në ato rrethana kritike-historike. Duket sikur duhet dëshmuar patjetër sonte, pasi nesër është vonë edhe për të rrëfyer. Kishte qenë diçka e jashtëzakonshme. Në orën tetë të mëngjesit të asaj dite serbët i kishin shkuar në derë dhe i kishin lënë dy orë kohë që të dyndej me të madh e me të vogël, ndryshe s’kishte më dëbim, por napalm. Dhe plaku, teksa tregonte odisenë e asaj dite të zezë, befas “u mek e i dolën djersë të ftohta dhe lotët nuk i prajshnin”. Të dëbuarit thonin se ushtarakët serbë silleshin me ta si Hitlerë, shprehje e vetë atyre. Dhunimi nuk ka cak. Të tjerë i kanë sh’nderuar, ua kanë marrë vajzat dhe ua kanë çuar ushtarëve nëpër posta, ua kanë heq nga duart unazat dhe varëset nga qafa. Morekuje! I kanë lënë djemtë në luftë me UÇK-në dhe nuk e dinë i kanë gjallë apo vdekur. Ata rrëfejnë dhe autori i sinkronizon dëshmitë e tyre, me kamera e pa kamera, me një gjuhë të thukët, që nuk i fsheh tonet e forta të alarmit njerëzor, por jo të panikut. Fijëzat e shpresët vetojnë dhe në atë vorbull rrenqethëse.

Merita e autorit është se e ka ruajtur autenticitetin e shënimeve dhe kujtimeve dhe kësaj ia ka arritur nga shqisa profesionale e krijuesit e raportuesit, si dhe nga përjetimi njerëzor i situatës në dinamikën e vet të ditënatshme. Ato bjeshkë të namuna i kishin të gjitha në emërtimet e tyre popullore, edhe gjamët, edhe pikëllimën, por nuk kishin ndjerë namë më të forta mbi vete se këto. Janë rrëfime të shpejta, si grafikat e një piktori në ecje. Episode tronditëse deri në kufijtë e skapjes. Por dhe fshikullim pa dorashka i gjerave negative të “brendshme”, si rasti kur disa bashkëqytetarë të autorit i rrisin qeratë e banesave për kosovarët deri në dyqind dollarë në ditë për person, duke apeluar institucionet. Dida do t’i shkoje deri në fund të vërtetës, sido të jetë ajo. Tre-katër muaj pas dëbimit në Morin vazhdon zhvatja e vëllezërve. “Aty vërejta me trishtim se ishte e vështirë me gjetë nji polic, qoftë dhe nji të vetëm që zbaton ligjin ose kodin e udhëtarit. Silleshin jo si nëpunës shteti por si gjahtarë. Kush të sigurojë rryshfet ma të madh përmes kërcënimit me gjobë ose formave të tjera”. O tempora, o mores! - kishte për të thënë latini për këso marrëzish “kolektive”, vese që uniformat e shtetit tek ne nuk i kanë hequr as sot e kësaj dite. Njëlloj si të jesh duke lexuar ardhjen e Konicës në Durrësin feudal të fillimeve të shekullit XX me policë anadollakë. Ka dhe një humor fin që gelon mes asaj situate dramatike, si ajo me gjeneralët e pas Luftës së Dytë, që janë si personazhet e Taras Bulbës apo Remarkut të etur për lavdi e fronte, por pa iu ndritur ylli luftarak, pasi, siç thotë autori, “lufta e tyre kishte qënë më shumë me armikun brenda radhëve”.

Libri përmes kronikës, ditarit, raportimeve për Radio-Tiranën i shkon deri në fund epopesë, që tani ka nisur të buzëqeshë, me rikthimin i të dëbuarve në shtëpitë e tyre. Kanë qenë vetëm tre - katër muaj, kur e gjithë bota është zgjuar e ngrysur me Kosovën në sy. Autokolonat kthehen drejt tokës së djegur, në Morin digjet flamuri serb mbi doganën e shkalafitur, në Prizren bie busti i Stefan Dushanit. Shtëpia e Lidhjes pret e përcjëll të kthyerit që ndalen aty sa për një fotografi. Trupat ndërkombëtare prijnë shqiptarët drejt trojeve të veta gjithkund Kosovës së dërmuar. Sa dimë, “Dëbimi” i Sulejman Didës deri më sot është i vetmi libër i këtij lloji për këtë ngjarje, aspak në llojin e kujtimeve folklorizante të veteranëve që kanë mbushur “tregun”, por i shkruar me një stil të përzier letraro-publicistik, më saktë i shkruar si publicistikë letrare. Nga një njeri fjalëpakët, gjithnjë i menduar, që është dhe vetë pjesë aktive e historisë me atë rast, shpesh si vetëpersonazh i rrëfimeve të tij mjeshtrore. Ai shpalos gjithkund ndjeshmërinë dhe kredon e tij për t’i parë shqiptarët NJË si komb, si ideal, si përballje me të keqen, për çka refuzonte që kufirin në Morin ta quante kufi me Serbinë. Kukësi nuk e mori Çmimin Nobël të paqes, edhe pse i vlente ky çmim solidaritetit shqiptar të pakufishëm, por nuk dimë të ketë patur as dekorata për protagonistët e kohës, gjeneralët dhe menaxhuesit e krizës, ku personalisht do të veçoja gazetarët, që paten një rol të dorës së parë në atë histori, pa thënë se ndër ta mund të ketë dhe të papunë, në Tiranë etj. Ky është çmimi i sakrificës në këtë vend.

Së fundi, libra të tillë nuk përfundojnë asnjëherë, pasi shumëkush mund t’iu rikthehet atyre, jo vetëm për të parë shqiptarinë e një kohe, por dhe për fabulat që mund të zhvillohen në ese, drama, tregime, filma, pikturë etj. E bash për këtë mision të pakryer, do t’i propozonim Bashkisë së Kukësit që këtë libër emblemë ta ribotonte pas dy vitesh, kur është dhe njëzetvjetori i 99-s, me cilësi më të lartë tipografike, mundësisht shoqëruar dhe me një album fotografik.