| E diele, 13.03.2016, 09:02 PM |
7 Marsi - shenjtërim moteve
Nga Hazir Mehmeti, Vjenë
Shpirt Rilindësi shndriti në vargun e mijërave, dje e sot. “Vramëni, po mblidhmani gjakun se do t’u duhet nipërve për të shkruar gjuhën shqipe” Negovani i Madh u shenjtërua në qenien tonë Kuq e Zi deri në Mosvdekje.
Bashkë me shqipen në luftën kohëve për ruajtën e kombit të lashtë sa vet Gadishulli Ilirik.
Shkronjat flasin për sot e nesër, me rrënjë Lirie, rrënjë Epike e Legjendare. Liri! Që s’ka mbarim, s’ka çmim, ka vetëm shenjtërim.
Legjendat jetuan deri në Fjalën e Gurit, gju më gju me gjarprin në vatrën e djegur e të etur lirie.
Dhe, sërish vjen Marsi, Kuq e Zi me Gjuhën e Besimit në Komb e Abetare të Fishtës, Naimit, At Pyllit, të rilulëzuar gjithë shqiptarisë.
Dhe, sërish vjen Marsi i Ushtrisë Çlirimtare, sërish Prekazi Legjendar. Aty Adem Jashari mbi abetaren e të et: Detyrat, vëllezër, nesër është vonë!
Kreshnikët gurapesh nga Bjeshkëqyeqja në themele të Dardanisë roje moteve mbi përplasjet tona hileqare.
Mësuesit mbëltojnë shkronja gjithandej globit, dhe atje ku abetarja është copë Atdheu. Mërgata e halleve, e mallit të Madh për Atdhe e brengës për te “Jam mirë, kur është mirë Shipnija”.
Shkronjat e arta, shkronjat e kuqe gjak, porosi kohe gjeneratave kudo në Globin Shqiptar. Fjalët gurkyç Epokë e Rilindësve aktuale gjithmonë “ç’e bukur dhe e lirë, si gjuhë perëndie”. Dhe mallkimi i Homeri Shqiptar bie mbi injorantët e gjuhës së shenjtë shqipe kudo në botë. “Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis', trashigim, që na la i Pari, trashigim s'ia len ai fmis”.
Rilindësit e Kohës dhe sot flasin auditorëve me Abetaren e shenjtë sa vetë jeta jonë.
Urime 7 Marsi – Dita e Mësuesit!
Shenjtëri moteve shqiptare!