| E merkure, 09.03.2016, 08:19 PM |
JETËT
E DYZUARA NË FAQET E NJË LIBRI
(Refleksione rreth librit “Jetë e dyzuar” të Vladimir Muçës)
Nga Agim Bajrami
Jetët e dyzuara shpesh u ngjajnë njerëzve në udhëkryqe. Vijnë nga diku por ende nuk dinë ku të shkojnë. Nga njëra anë i tërheq e shkuara dhe në anën tjetër e sotmja, një e sotme e egër, e sertë dhe e vrazhdë. Eshtë një dyzim që mund të shkoj deri në pasiguri dhe hutim shoqëror, sepse e sotmja jonë është një liri e abuzuar, një liri që shkon deri në anarki. Kjo është një nga arsyet që unë i jap të drejtë thënies të njërit prej personazheve të novelës “Mbijetesë” kur thote se:
“ Mëndjet e njerëzve të sotëm shpresëhumbur që po ua tollovit mendjet halli u ngjajnë lumenjve pa va.”
Të tilla imazhe na shoqërojnë ende edhe mbasi ke lexuar librin e fundit “Jetë e dyzuar” dhe mbrapa tyre të bashkangjitet si pandjerë dilema e vjetër hamletiane “ te rrosh apo të mos rrosh, kjo është çështja”.
E them pa ekuivoke se narracioni i këtij autori është i aftë që të marrë përdore, por dhe të të veshë si padashje me ajrin e ngrire të një kohe që i ka brenda të gjitha: ëndrrën, zhgjëndrrën, idealin dhe zhgënjimin, pranverën por me shume dimër. Eshtë një narracon që u ngjan korierëve të ardhur nga vatrat e nxehta të luftës edhe pse lajmet e tyre artikulohen nëpërmjet dihatjeve dhe ndërprerjeve të shpeshta, akti narrativ arrin të jepet i plotë.
Lexuesi arrin të hyjë më së miri në brendi të fabulave, por dhe në subkoshiencën e personazheve që i popullojn ato. Janë tregime të shkruara në vite të ndryshme por që konceptin bashkohorë e ka në “majë të gjuhës”. Që nga novela “Bashkëjetesë”, “Mbijetesa”, tregimet “Dashuri e dhimbje”, “Tundim dhe sinqeritet” e ndonjë tjetër, portretet dhe karakteret e personazheve autori ka arritur ti pasqyroj në një sfond dramash të forta përditore, ku konfliktet dhe përleshjet mes së mires dhe së keqes nuk përbëjnë më lajm.
Njerëzit zgjohen dhe flenë në një atmosferë që është pak ti thuash e rënduar, shpesh me ëndrrat e kthyera përmbysë, në një kohë kur prona private dhe ligji 7501 e ka kthyer këtë vend në një vatër sherri e tensionesh sociale, në një vend ku drejtësia dhe ligji janë kthyer në një koperturë ku fiton vetëm më i forti, vrasësi, krimineli, ku njerëz puntorë të ndershëm dhe idealist si Josifi i nënë Vjollcës dhe Usta Hasani i Gollobordës e ndjejnë veten të flakur tej. Në tërësi libri gëlon nga një narracion që më shumë se autori e kanë shkruar dhe e shkruajn përditë njerëzit tanë të zhgënjyer por me zemër të madhe, të cilët e kanë të vështirë të gjejnë vetveten në absurdin e ditëve të sotme. Në këtë libër kemi novela e tregime që janë ndërtuar mbi dritëhije dhe kontraste të thella, nëpërmjet të cilave autori nuk manifeston vetëm qëndrimin e tij, por dhe zërat e ndrojtur të një brezi të tërë.
1. Morali dhe prona
Në krijimtarinë e tij Vladimir Muça këto dy element qenësor, për një shoqëri të kulturiar, i ka pasur dhe i ka vazhdimisht si burim gjenerues. Ato në rrëfimtari vijnë si elementët qëndror që kur nuk shkojn krah njëri tjetrit me të njejtat valenca mund ti bëjnë gjëmën një shoqërie.
Në novelën “Bashkëjetesë” kemi një alternim të dukshëm mes tyre, aq sa ato nuk mund të kuptohen pa njeri tjetrin. Ismeti, një djalë fshati, kryen një flirt me Vjollcën nga i cili ngjizet një fëmi. Natyrisht për kushtet dhe moralin e atëhershëm, ngjizja e një fëmije jashtë kurore konsiderohet mëkat. Duke u përballur me një presion të tillë Ismeti e braktis të dashurën dhe fëmijën që në bark të nënës. Duke humbur lidhjet për një fare kohe, më pas martohet me një tjetër, duke krijuar familjen e tijë, larg vendlindjes. Vjollca nga ana e saj bën të kundërtën, e mban fëmijën ndonëse e braktisur nga familja dhe rrethi shoqëror. Tek ajo triumfon ndjenja e mëmësisë., e rrit fëmijën me halle dhe mundime. Më pas ndodh takimi mes dy ish të dashuruarve. Ky takim është pasqyruar me shumë dashuri nga autori. Me penën e tij ai arrin të pasqyroj poetikën e brendshme dhe ndjenjën e dashurisë që ende nuk është shuar tek këto dy personazhe. Kemi këtu një thyerje të traditës së vjetër, të normave dhe psikologjisë të dikurshme, por jo deri në fund. Ismeti ka bërë vetëm gjysëm hapi në drejtim të respektit të ndjenjave. Ai i afron Vjollcës dhe djalit pa kurorë strehë dhe tokë nga prona e tij. Deri këtu, gjithcka shkon mire. Konflikti i vërtetë i novelës ndodh më pas, në kohën e tranzicionit politiko- shoqëror.
Farefisi i Ismetit kërkon ti marrë Josifit pronën me pa të drejtë. Në këtë novelë autori përfiton nga rasti për të bërë rezymenë e prapaskenave dhe mashtrimeve të vërteta demoniake të organeve të drejtësisë, që kur është fjala për të mbushur xhepin s’e kanë për turp ti thonë ujkut dele. Eshtë një fakt i trisht i shoqërisë shqiptare gjatë këtyre 25 viteve të cilën asnjë reformë nuk po e sjellë në vijë.
Kthesa pozitive që mori jeta e Josifit për mendimin tim është një dëshirë e mire e autorit. Novela “Bashkëjetes” është një sprovë interesante e autorit për ti çjerrë maskën politikës së sotme të qeverive demagogjike shqiptare. Në të njëtën kohë, do ta vlersoja autorin për aftësitë e tij artistike për tu veshur personazheve petkun dhe ngjyrimet e aktualitetit shqiptar.
2. Aktualizim legjendash
Si njohës i mire i historisë dhe i folklorit të vendit të tij Vladimir Muça shpesh herë i drejtohet miteve dhe legjendave. Nëpërmjet tyre, autori krijon paralele shumë interesante, mes historisë legjendare dhe aktualitetit, mes miteve dhe ndodhive të sotme. Eshtë fakt që në letërsinë moderne kanë vërshuar dhe vazhdojnë të vërshojnë drama dhe tragjedi të tipit eskilian dhe të shumë epeve tragjike të popujve. Në të kundërt, autori ynë arrin, të nxjerrë tema e subjekte interesante nga eposi i vendit të tij. Tregimi “Legjenda e murimit” edhe pse e merr spunton nga legjenda e Rozafës, në të vërtetë shpërfaq elementë dhe mesazhe krejt të rinj, të zhveshur tërësisht nga psikologjitë dhe filozofia e të shkuarës. Me tregimin e sipërpërmendur autori shfrytëzoi për një qëllim tepër human: ruajtja e dinjitetit të një partizani nga shpërfytyrimi trupor prej armiqve. Shokët vendosën ta fshehin atë. Cila mund të ishte më e mira në ato kushte?...
Në këto çaste fantazia e gjen shpëtimin e saj tek miti duke u shpërfaqut me aktin e murimit, një akt sa njerëzor aq dhe ne kufijtë e pabesueshmërisë. Në këtë tregim kemi një atmosferë që noton mes jetës dhe vdekjes, jo vetëm fizike, por dhe moralo- zakonore, mes të shkuarës dhe të sotmes. Fantazia lëviz, zhvillohet dhe shkel edhe mbi standartet e gjithëpranuara, gjithmonë në emër të vazhdimësisë të jetës e të nocionit të vazhdueshmërisë. Tregimi të emocionon jo vetëm në frymën kohore që përcjell por dhe me mënyrën se si personazhet arrijnë të shpallin kredon e tyre shpirtërore.
3.Stilë dhe frymë bashkëkohësie
Nëpërmjet “ustakomandantit” një ish ushtaraku të dalë në pension, por që e gjen mbijetesën tek pasioni i vjetër i gdhëndjes së gurit dhe administratorit fudull të hotel “Beratit”, ku ndeshja e koncepteve mbi ndërtimin e jetës nuk është gjë tjetër veç se ndeshja e dy grupimeve shoqërore dale nga kjo kohë tranzicioni.
Me një stil të shkathët dhe elegant, duke depërtuar në karakteret e psikologjinë e këtyre dy grupimeve që përbëjnë substancialen e re kohore, autori na jep të konturuar qartazi dramacitetin social. Kush mund ta ndërtoj të ardhmen më mire, puna apo krimi?... Nëpërmjet kësaj ndeshjeje është e natyrshme që autori do të mbajë anën e atyre që e kanë gdhëndur portretin e tyre në dekada me daltën që gdhëndën gurin dhe jo me mashtrime dhe abuzime siç bëjnë mashturesit social.
Në këtë kontekst të bëjnë për vete psikologjitë e personazheve si gardiani i burgut të Burrelit, e burgosura, nënë Vjollca, Ismeti etj. Ato janë personazhe për të cilët liria e demokracia është hapsira për të shfaqur energjit dhe pasionet e tyre dhe jo për të abuzuar me to. Edhe pse në caste të vështira, uni i tyre njerëzor mbetet i pandryshuar, ndryshe siç ndodh me antipodet e tyre siç ndodh në këto novela dhe tregime. Ata manifestojnë aftësinë e kamaleonit, e shfrytzojnë ate në situate të ndryshme sociale.
Vladimir Muça është një shkrimtar me receptor të thellë ndjesorë. Ai nuk mund të rri indiferent përball thirrjeve të pa artikuluara të jetës dhe problematikave të saj. Eshtë ky shkak që në tregimtarinë e tij ka kaq shumë ritëm dhe puls aktualiteti, kaq zëra dhe llogjikë bashkëkohësie.
Prekja dhe intepretimi artistik i tyre e kanë bërë rrëfimin sa të ndjeshëm aq dhe realist, sa konkret aq dhe filozofikë. Në shuminë e tyre fantasia krijuese dhe përjetimi shkrihen ne një trup të përbashkët. Kjo është arsyja që duke lexuar këto rrëfime, krahas emocionit, na riprodhohen pasazhe ngarjesh dhe njerëzish, të cilat i kemi përjetuar dhe vetë. Rrëfime të tilla me një spektër kaq të gjerë shoqëror dhe vështrimor mund të lindit vetëm në kohëra të vështira dhe nga njerëz që i përjetojnë ato.
Peisazhe shoqërore me erëra hipokrizish dhe ankthe ekzistencialiste e kanë bërë mënyrën e të treguarit të veçantë, të drejtëpërdrejt dhe të sinqertë. Ngrohtësia e rrëfimit, shkrirja e autorit me personazhet, imtësitë deri në detajet e pasqyrmit. Shumia e mesazheve dhe gjuha e zhdërvjellët tregimtare e bëjnë këtë prozë të thjeshtë në të lexuar, por me peshë në mendimtari e ide. Jo më kot ky libër të mban të tendosur deri në mbarim të leximit duke të ushqyer me asosacione të një kohe pa emër me njerëz të dyzuar.
Proza e Vladimir Muçës duke u ushqyer vazhdimisht me ngjarje e ndodhira nga bashkëkohësia është një prozë në pasurim e sipër si për sa i përket tematikës, por dhe thellësisë psiko- analitike.
Mbas vëllimeve me tregime dhe romanit “ Në gjurmët e ëndrave” ky vëllim është treguesi më sinjifikativ i kësaj rritjeje në prozën e sotme bashkëkohore.