Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isak Ahmeti: Vilson Culaj - I dëbuari

| E merkure, 09.03.2016, 09:06 PM |


VILSON CULAJ - I DËBUARI. . .

Nga Isak Ahmeti

Kohë më parë SHB "Rozafa" në Prishtinë, ka nxjerrë në dritë romanin më të ri: I dëbuari (2015), të autorit, tashmë të njohur,Vilson Culaj. Romanin në fjalë, që është shkruar me gjuhë dhe stil të zgjedjur, origjinl dhe modern, autori e ka strukturuar në katër pjesë : 1. Në kërkim të vetes, 2. Takimi me gjurmën e të parëve, 3.  Të ngadhënjesh mbi vuajtjen dhe  4. Eligji për kohën .  Romani fillon me një si parathëne që është diçka e veçantë në letërsinë tonë, e ku shkruan : " Mirëmengjesi, jeta ime dhe ju që bëni pjesë në lidhjen vëllazërore  të vetmitarëve dhe që vuajtja ju puthi në ballë ende pa filluar mirë jeten"(fq. 5). Romani ka Prologun ku shkruan: " Askush nuk më kishte folur se kishin mbërritur Letrat e Shën Palit në Kamenicë të Kosovës, askush nuk kishte folë më parë kush ishim ne, cila ishte historia jonë, si erdhëm në jetën baritore nga Shkodra  në Kosovë. . . Kjo është vetëm shenja e parë e kryqit tim . . . Unë endem brenda një makthi  të madh "(fq. 423).  Ç ' është e vërteta, autori që në fillim shpërfaq narratorin si kryepersonazh në veten e parë. Kryepersonazhi i romanit, Adem Keka, më vonë Gjon Keka,nga një fshat i Artanës që në rini të hershme përjeton skena të dhimbshme,përbuzje,ftohtësi familjare, ai në të vërtetë përjeton një dramë të vërtetë jetësore dhe shpirtërore.  Për më tepër, narratori, kryepersonazhi  i romanit në fjalë, është skalitur me mjeshtëri të rrallë, madje,siç është vërejtur,në tri dimensione dhe atë:

1. Si vetërrefimrar i mbërthyer nga mbijetesa,

2. Si rrëfimtar që shpërfaq  luftëtarin e pambrojtur përballë valëve të tërbuara të jetës, por që kurrë nuk dorëzohet  as në grahmat fundit të jetës dhe

3. Si rrëfimtar kur vëhet në pah dinjiteti, kërkimi i dritës dhe diturisë (M. Osnabaj) .

Romani në fjalë është një ndërtim letrar-artistik-filozofik mbi jetën reale të kryepesonazhit,që ne e njohim me emër dhe mbiemër,por që pëson transformime, metamorfozë shpirtërore, është ky kryepersonazhi,Adem Keka (Gjon Keka), i dhënë në dimensionin real- letrar që gëzon një ndihmë morale,do thoshim të pakursyer,nga personazhe, poashtu reale , që njihen me emër dhe mbiemër si: Dom Noshi, Sarë Gjergji, Nuni(Vilson Culaj), Isak Ahmeti, Florenti, Elbasani,Dauti,etj .  Vlen të theksohet se autori i romanit në fjalë, duke njohur për së afërmi jetën e kryeheroit të tij, por edhe traditën historike,kombëtare dhe biblike, na e ka përshkruar me mjeshtëri të rrallë artistike rrugën jetësore dhe shpirtërore të Adem Kekës, i cilin  të vetmen mbështetje, në jetën familjare, e pati hallën Fanë,një personazh strumbullar që ndërlidhet shkëlqimisht mr fabulën e romsnit. Hallë Fana që kishte besimin më të madh tek Adem Keka, para se ajo të kalojë në jetën e amshuar,do i rrëfejë historinë e  gjyshërve dhe stërgjyshërve dhe kjo e prek thellë në shpirt kryepesonazhin që ishte vazhdimisht në kërkim të identitetit. Hallë Fana dhe rrëfimet e saj para kryepwrsonazhit,tek i cili kishte një besim të madh,janë disa nga copëzat më të bukura,më të ndjeshme dhe më interesante të romanit në fjalë që përçon  ide,mesazhe të forta dhe sublime. . . Pas rrëfimeve të hallë Fanës, kryepersonazhi bën një kthesë të madhe në jetën e tij,  sidomos pas martesës së tij me Gjinën kur edhe ndryshon rrënjësisht jeta e tij. . . nga skenat e dhimbjes,përbuzjes, dëbimit,kalon në skena të suksesit,të dijes, të krijimit të pasurisë më të çmuar, të familjes. Kështu,prandaj, ky roman është edhe biografi e një njeriut që nga skëterra del në dritë ;është roman i triumfit të dritës mbi errësirën, është roman i triumfit  të së vërtetës, përballë gënjeshtrës,për identitetin . . . kryepersonazhi,që karakterizohet  nga qëndrueshmëria e pathyeshme në kërkim të së vërtetës dhe identitetit, është një fitues moral,fizik dhe shpirtëror -është model i njeriut që, pas aq shumë vuajtjeve dhe sfidave të jetës, arrin te e vërteta,triumfon  mbi gënjedhtrën jetësore dhe historike.

Krejt në fund le të theksojmë  se përmes dy kryepersonazheve (Adem Kekës dhe hallë Fanës, që janë bartës dhe përçues të idesë kryesore të romanit,  autori ka lidhur dy kohëra, atë të hallë Fanës dhe të Adem Kekës (Gjonit), në kërkim të identitetit  të të parëve,por edhe në kërkim të diturisë she dashurisë njerëzore për njerëzit dhe për Zotin. Mënyra e ndërtimit të rrëfimit, përshkrimi dhe skalitja e botës shpirtërore e kryepersonazheve, fjalët e urta,filozofike, që i ka vënë në funksion autori,përbëjnë substancën artistike të këtij romani që lexohet me shumë andje  dhe, si i tillë, të krijon një kënaqësi të veçantë estetike.