Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Artemise helene, Diana romake, Zana iliro-shqiptare dhe festa e Ditës së Verës

| E diele, 06.03.2016, 04:07 PM |


ARTEMISE HELENE, DIANA ROMAKE, ZANA ILIRO – SHQIPTARE DHE FESTA E DITËS SË VERËS

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

Më 14 mars, në një atmosferë festive, populli shqiptar do të kremtoi Ditën e Verës, këtë ditë hiroshe dhe gazmore, që ishte dhe mbetet festa më e bukur popullore mbarë shqiptare.

Festa Dita e Verës e ka origjinën në antikitetin iliro-albanez, e ruajtur dhe e transmetuar me tërë bukurinë e saj deri në ditët tona, madje është shpallur dhe festë kombëtare.

Dita e Verës është festë e kaherëshme pagane, e cila ne antikitet kremtohej me 1 mars, dita që përkonte me fillimin e muajit të parë të vitit, pra me pranverën sipas kalendarit të asaj kohe.

Në kohët e lashta, njerëzia gezohej se po dilnin nga dimri, përjetonin shkrirjen e borës,  kaltërsinë e qiellit, ngrohtësinë e diellit, gjelbërimin e natyres, lulëzimin e pemëve, çeljen e luleve, daljen e bagëtise ne kullota, në veçanti gëzoheshin fëmijet që fillonin të luanin në mjediset e hapura, si dhe të rriturit që fillonin pergatitjet për të mbjellat. Fillimin e ndryshimeve te natyres dhe të jetes, iliro-albanezët, dikur e festonin më 1 mars, ditën e fillimit të pranverës.

Në lashtësi viti kishte 10 muaj me 304 ditë dhe fillonte me marsin pranveror, çka spjegon pse muaji i 7° quhet  shtator, i 8° tetor, i 9° nentor, i 10° dhjetor, madje ky emërtim sipas rradhës të këtyre muajve mbeti i pa ndryshuar dhe pasi romakët i shtuan vitit 2 muajt dimëror, janarin dhe shkurtin.

Muajit janar, emërin ia dhanë romakët, për nder të Ianuarius, Hyut Romak ruajtësi i portave dhe i urave, i përdorur në kuptimin, se muaji janar hapte portat për vitin e ri.

Kalendari romak ishte më i shkurtër se aktuali, kishte 304 ditë, deri kur mbreti i Romës Numa Pompilio (754 – 673 para Krishtit), i shtoi dhe dy muajt e dimrit - janarin dhe shkurtin, duke e bërë vitin kalendarik, të barabartë me vitin djellor.

Muajin e fundit të dimërit, iliro-albanezët e quajtën shkurti dhe fruri, si emërtim i muajit më të shkurtër me 28 ditë dhe per vitin e brishtë me 29 ditë. Emëri i këtij muaji është me origjinë nga latinishtia - februare (fruri – në shqip), emër, qe i u dha për nder të hyut etrusk Februus dhe hyjneshës romake Febris, qe e kishin kulmin e lidhjes dashurore më 14 shkurt, ditë, që disa shekuj më vonë, do të behej festa e Shen Valentinit – festa e të dashuruarve.

Muaji shkurt fillimisht kishte 29 ditë dhe 30 ditë në vitin e brishtë, por Augusti i a hoqi një dite dhe ia shtoi muajit gusht (August), që u bë jashtë rradhe me 31 ditë, në mënyrë, që ky muaj i dedikuar atij vetë, të mos ishte më i shkurtër se korriku (Julius), që mori emërin e Julius Çesarae.

Sipas kalendarit të vjetër Julian, i shpallur nga Jul Çesari në vitin 46 para Krishtit, i cili ka funksionuar deri në shekullin e XVI, dita e verës festohej më 1 mars, ndërsa pas 15 tetorit të vitit 1582, me aplikimin e kalendarit Gregorian, fillimisht viti u spostua me 10 ditë në vitin 1600, me 11 ditë në vitin 1700, me 12 ditë në vitin 1800, me 13 ditë në vitin 1900. Këto shtesa ditësh në çdo një shekull, u diktuan nga vitet e brishtë.

Duke filluar nga viti 1901, festa e fillimit të verës, nga albanezo-shqiptaret u festua më 14 mars, si resultat i spostimit 13 dite sipas kalendarit Gregorian. Dita e veres shqiptare perkon me 14 marsin, që është dhe festa e Hyut Mars, që i ka dhene emerin muajt të tretë të vitit dhe muajit të parë të pranverës.

Dita e Verës – Dita e Pranverës – Dita e Luleve, festohet në alegri popullore, me bukurinë e thjeshtësisë së saj, organizohet me kulturë, duke respektur ritet e rregullat e origjinës pagane, kremtohet me madhështi, me këngë e valle, me argëtime, me lojra dhe gara, duke përfshirë në gëzimin festiv të gjithë popullin.

Dita e Verës, ishte, mbetet dhe do të jetë perherë mbi të gjitha festat e tjera politike dhe fetare.

Është folur shpesh, duke e cilësuar si festa popullore e Elbasanit, ndërsa ne fakt nuk është festë lokale, sepse ishte, është e do te mbetet festa mbarë shqiptare, e kremtuar nga Vermoshi, Doklea dhe Kosova, deri në Kostur e Çamëri; nga Durrësi e Elbasani - deri në Shkup e Manastir.

Festohet në male e në fusha, në fshat e në qytet, kudo në trojet arberore, por dhe nga shqiptarët në mergim, madje e festojnë bukur dhe arbëreshët e Italise, të cilët e morën me vete dhe e vazhduan ta kremtojnë këtë festë tradicionale edhe në dhè të huaj.

Ndonëse diku festohet më pak e diku më shumë, rëndësi ka se kjo traditë e lashtë pagane vazhdon të kremtohet dhe Dita e Verës e rinovuar, është bërë festa më e bukur shqiptare, festa që shënon fundin e dimrit të acartë, rizgjimin, ripërtëritjen dhe plazmimin e natyrës, shënon fillimin e pranverës dhe çeljen e luleve, është festa e dashurisë për njeriun, për natyrën, për jetën.

Populli i Elbasanit, ka merita të pakontestueshme, se e ruajti besnikërisht këtë festë tradicionale shumë shekullore, e mbajti të pastër, e festoi me gjithë bukurinë e saj, me të gjitha ritet e lashta, i dha shpirtin e vet, duke shmangur çdo lloj tentative për t’i bashkangjitur elemente fetare dhe pa e ngatërruar me politikën.

Ndërkohë, që në shumë treva të tjera shqiptare kjo festë u zbeh e u “harrua”, elbasanasit vazhduan ta festojnë rregullisht, sepse e ndjenin në shpirt, si pjesë integrale e jetës, e ruajtën në kulturën e tyre, e perjetuan dhe e kremtuan me të gjithë bukurinë e saj dhe kësisoj Elbasani prej shumë dekadash, ose me saktë prej shumë shekuj, u ba zemra dhe Tempulli i Dites së Verës.

F. Konica dhe At B. Palaj për festën - Dita e Verës shqiptare.

Për festën Dita e Verëes, kemi shumë dëshmi të herëshme, që hedhin dritë se festohej në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët, nga veriu në jug, si dhe tregojnë për origjinën e lashtë, me zanafillë në vitet e largëta të paganizmit ilir dhe e ruajtur deri në ditët tona.

Për origjinën e lashtë te kësaj feste kanë shkruar shumë mentora shqiptarë e ndërmjet morisë të këtyre shkrimeve do të veçoj dy më të bukurat.

Eruditi Faik Konica, 105 vjet më parë, duke i u drejtuar “Miqëve dhe shokëve te Lidhjes Shqiptare Vatra”, me një letër të shkruar me stilin e tij elegant, plot art e kulturë, rrëfente si e festonin Ditën e Verës, shqiptarët e trojeve jugore:

“Është dita në të cilën gjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, bashkë me romakët e me grekët e vjetër, kremtonin perënditë e luleve dhe të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si ne pikturat e Botticeli, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’i u faleshin perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe, që e quajmë Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”.

Një përshkrim tjetër i dedikuar kremtimit të Ditës së Verës nga malësorët katolikë të veriut, na e ka dhënë At Bernardin Palaj, në një shkrim të vitit 1920, ku përshkruan me art tërësinë e riteve, që zhvilloheshin në festën e Ditës së Verës, pa asnjë medyshje, rite me origjinë në lashtësinë ilire:

"Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese: gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë laknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë, që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darke, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë: ‘Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shumë! Po lidhim shtringat’ etj. etj. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë".

I prezantova këto përshkrime plot ndjenja dhe art, pasi në mënyrë sintetike si Konica dhe At Palaj, rreth 100 vjet të shkuara, kanë shprehur thelbin e Ditës së Verës, kanë renditur të gjitha ritet, që zhvillohen në këtë festë dhe në veçanti kanë evokuar origjinën e lashtë të kësaj feste pagane iliro – albanezo – shqiptare.

Origjina e festës “Dita e Verës”.

Fillimi i pranverës kremtohej, që në periudhën parahelene, me ceremoni që zhvilloheshin në tempujt e Artemise.  Krahas mitologjisë, ku përmenden hyjnitë e pranverës, të ringjalljes dhe të mbrojtjes të natyrës dhe Homeri në Iliada e në Odisea, tregon për rite dhe sakrifica, që kryheshin në tempujt e kohëve antike, ku festohej fillimi i pranverës, madje Homeri e quan Artemise, padrone e kafshëve të egra (Potnia Theron).

Festa e pranverës, kremtohej dhe nga ilirët paganë, madje kulti i Ditës së Verës u ruajt gjatë tërë historisë ilire dhe shumë nga ritet e lashta ruhen ende në ditët tona, duke evokuar origjinën e herëshme, me zanafillë ne shekujt e largët të antikitetit parailir.

Në periudhën helene, Dita e Verës festohej më 11 mars në nderim të Artemise (???????, A???????? - e bija e Zeusit me hyjneshën Leto - Latona) dhe motra binjake e Apollonit.

Artemise, një ndër divinitet më të adhuruara të Olimpit, ishte hyjnesha e pyjeve, mbrojtëse e kafshëve të egra, hyjnesha e hënës, e virgjinitetit të përhershëm, e lindjes dhe e fertilitetit, e rinisë së përjetëshme, e hënës së re në rritje dhe përçuese e dritës së hënës, ishte personifikim i shpirtit indipendent femëror, hyjnesha ripërtritjes të natyres, e plazmimit të pranverës dhe mbrojtëse e arave te kultivuara.

Artemise, ishte Zonja e Efes-it, e prezantuar me shumë gjij, simboli gjysëmnjerëzor i pjellshmërisë, i mirëqenies dhe mbrojtëse e amazonave. Artemise ishte shëmbëlltyra e gruas, që në ecurinë e jetës, kishte fuqitë dhe kryente shumë role, dhunti këto, që shprehnin potencialin krijues femëror.

Sipas historianëve antikë, tempulli madhështor i Artemise në Efes (një ndër shtatë mrekullitë e botës), u dogj ditën kur lindi Aleksandri i Madh, pra në vitin 356 para Krishtit. Aleksandri i Madh e adhuronte hyjneshën Artemise, andaj e rindërtoj tempullin në vitet e më vonëshme. Në nderim të hyjneshës, që sillte e mbronte pranverën, banorët bënin peligrinazhe në tempullin e Artemise, fillimisht hynin vajzat e vogla, që vallëzonin të kapura për dore në rreth dhe me kurora lulesh në kokë, ndërkohë banorët linin dhuratat e dedikuara hyjeneshes dhe bënin kurban një cjap.

Festimet e Ditës së Verës, fillonin më 11 mars në Tempullin e Artemise dhe vazhdonin deri më 15 mars, ditën kur hëna bëhej e plotë.

Për nder të hyjneshës Artemise - mbrojtëse e natyrës, banorët antike i dhanë emërin Artemise, një barishte, që lulëzon në verë, e cila quhet Artemisa vulgaris. Këtë bimë, ashtu si në antikitetin ilir dhe në ditët e sotëme, populli ynë, e përdor për mjekimin e disa sëmundjeve.

Fiset ilire e adhuronin dhe e kremtonin festen e Artemise. Në veçanti, Artemise ishte hyjnesha e preferuar e Apollonisë, qyteti i themeluar në shekullin e VII para Krishtit, ku në pjesën qendrore të qytetit ngrihej tempulli arkaik i Artemise, ku apolloniatët nderonin hyjneshën, motren e Apollonit.

Ndërmjet zbulimeve arkeologjike në Apolloni, ështe një stelë, ku hyjnesha Artemise, prezantohet ulur në një stol, me modelin e flokëve dhe me veshje, me ngjashmëmri impresionuese me shtatoren e Artemise të ishullit Kos – Greqi. Arkeologët Leon Rei dhe Hasan Ceka, ndërmjet rrënojave të këtij tempulli të lashtë, kanë zbuluar dhe një bazorerliev të amazonave.

Diana: Në periudhën romake, hyjnesha Artemise u identifikua me hyjneshën Diana dhe kudo ku kishte tempuj të Artemise, romakët nuk i shkatërruan, por i ruajtën dhe ia përshtatën panteizmit romak duke i dhënë emërin e Diana, për nder të cilës bëheshin kremtimet e fillimit të verës.

Emëri Diana është latin, i formuar nga fjala Dius - dritë, me prejardhje nga Dies – që do të thotë drita e ditës, nga e cila u krijua emëri i formes arkaike Divios, çka sugjeron se emëri i sakte i hyjneshës, në zanafillë ishte Diviana dhe në formën e saj të shkurtuar Diva.

Diana ishte hyjnesha romake, por edhe e ilirëve, që e nderonin si zonja e pyjeve dhe e lëndinave, mbrojtëse e kafshëve të egra, e burimeve dhe e lumenjeve, mbrojtëse e grave, hyjnesha e drites, e fertilitetit të natyrës. Diana nderohej nga gratë romake dhe ilire, si hyjnesha e fekondimit dhe e lindjes, si e përshkruan Ovidio në veprën Fasti, pjesa III, faqe 397. Hyjnesha Diana, në kohën e Republikës Romake, njihej dhe me emërin Lucina, me origjinë nga emëri lucinus – bartëse e dritës, shpërndarëse e dritës mbi tokë.

Shkrimtarë dhe historianë romakë, kanë treguar për festën mbarëpopullore, për nder të hyjneshës Diana, ku gjejmë ngjashmëri impresionuese, me ritet që kryhen në festën shqiptare - Dita e Verës.

Një nga këto pershkrime po e prezantoj të plotë në vazhdim: “Në festë merrnin pjesë dhe skllevërit. Në mengjes, pronarët dhe skllevërit zgjohen herët, lahen dhe fillojnë përgatitjet për festimet. Gratë falen ne tempullin e hyjneshës, ku shenjtëronin veshjet e tyre të reja. Në këtë ditë, gratë i luteshin e i kërkonin ndihëm Dianës, në cilësinë e Luçina, mbrojtësja e lindjeve; gjuetarët i dedi-konin armët, i dhuronin dhëmbët e derrave e brirët e drerave. Pas ketij rituali, turma e popullit dilte nga tempulli dhe shkonte në pyllë. Të gjithë mbanin në duar pishtarë ...”

Në periudhën e gjatë të pushtimit romak, kulti i Dianës, u përvehtësua dhe nderohej nga të gjitha fiset ilire, të cilët për këte hyjneshë, kudo kishin ngritur tempujt e Dea Diana – Hyjnesha Diana.

Në shumë qytete Ilire ishin ngrijtur tempuj të hyjneshës Diana e ndërmjet yre, do të përmend dy më të famëshmit, tempullin e Diana në Doklea dhe tempullin e Diana në Kandavia – Kunavia, ku në muajin mars, kryheshin ceremonitë e kremtimit të ditës së verës.

Qyteti i Doklea (Mali i Zi), ishte qendra e fisit ilir të dokleateve dhe qyteti i lindjes i perandorit Romak Diokleciani (Munro J.A.R: The roman town of Doclea in Montenegro. Archaeologia 1896).

Në Doklea, romakët ndertuan shumë vepra publike dhe kulti, ndër të cilat dhe tempullin Diana.

Në Enciklopedinë Italiane (viti 1933), bazuar ne historine romake shkruhet: ”... Da una stazione militare ossia castello, sorto nel territorio della tribù illirica dei Doclati o Docleati, si sviluppò dapprima una comunità di diritto latino attribuita alla colonia di Scodra (Albania) e affidata a un principe indigeno, poi da Vespasiano fu fatta municipio regolare. ... Aaveva foro, basilica, templi, di cui uno dedicato a Diana. Fu distrutta dagli Avaro-Sloveni all'inizio del sec. VII”.

“... Ishte një stacion militar dhe kështjellë, e ngritur në territorin e fisit ilir Doklatet ose Dokleatet. U zhvillua fillimisht si komunitet i të drejtës latine dhe si pjesë e kolonisë së Shkodrës (Albania). Drejtimi i qytetit iu besua një princi vendas, por më pas Vespasiano e bëri municipio të rregullt. Kishte foro (qendra politike, fetare dhe tregetare), bazilikë e tempuj, nga të cilët njeri i dedikuar Dianës. Doklea u shkatërrua nga Avaro-Sllovenet ne fillim te shekullit VII” (sh. VII pas Krishtit).

Krijimi i kultit dhe rritja e hegjemonisë të hyjneshës Diana ndër fiset ilire, dëshmohet me tempullin e madh të kushtuar Dianae Candaviensis – Diana e Kandavias (Kunavia), që sipas disa burimeve historike romake, ky tempull ndodhej në verilindje të Skampës, pranë udhës Egnacia, që kalonte

nëpër malet Kandave në territorin tonë.

Disa studiues sugjerojnë, se ky tempull ishte në Çermenikë, pranë një stacioni të Rrugës Egnacia, por të tjerët mendojnë se ishte ndërtuar thellë në malësi, nga ku festimet për nder të kësaj hyjneshe u perhapën dhe në trevat e tjera, sidomos në Skampa - Elbasan.

Njoftimin e parë për këtë tempull e dha austriaku dr. Camillo Praschniker, i cili gjatë kërkimeve arkeologjike në Doklea, zbuloi mbishkrimin Add Diana Candaviensis, që do të thotë tempulli “i dedikuar Dianës të Kandavias”. Sipas mendimeve të Praschniker, ky tempull ka qenë ngritur në lartësitë e vendit, çka nënkupton në malet e larta të trevës së Kandavia - Kunavia.

Në tempullin e Diana të Kandavia, festohej Dita e Verës, që fillonte me pelegrinazhet e malësorëve, me lutje dhe sakrifikimet, njëlloj si në tempujt e Artemise. Me pas festa vazhdonte me argëtime, me këngë, valle dhe me lojra popullore.

Ashtu si objektet e tjera të kulteve pagane iliro-albanez dhe tempulli i Diana i Kandavia, ka lënë gjurmët në toponimet e trevës ku ishte ngritur, ashtu dhe në kulturën e banorëve, që ruajnë shumë rite të lashta, që shprehin nderimin për kultin e hyjneshës Diana.

Pas dyndjeve të barbarëve te Teodorikut (shek IV – VII pas Krishtit), tempulli Diana i Kandavia, u rrënua plotësisht, ashtu si avaret shkatërruan keshtjella, qytete e tempuj të tjerë.

Me gjithë shkaterrimet e barbarëve dhe pluhurin e pamëshirshëm të harresës shumë shekullore, malesorët kane ruajtur plot elemente toponomastike dhe legjenda, që na orientojnë të themi se, ky tempull ishte i ngritur në malet e larta të Martaneshit, si është shprehur Eqerem Bej Vlora, kur përshkruan bukuritë mahnitëse të pyjeve të kësaj treve.

Toponimet Lugu i Deas, Lucana, Kroi i Divave, Koliba, Delicia, Lugu i Shtyllës, Gurra e Lugut të Deas, Prroi i Shtrigës etj, janë emëra të lidhur me hyjneshën Diana dhe me tempullin Diana Candaviensis, që ishte i ngritur mes këtyre maleve.

Gjate kremtimit të Ditës së Verës - festa e luleve - festa e ripërtritjes të natyres, praktikohen shume rite te lashta, rite pagane, çka na nxisin të kërkojme gjurmët e këtij tempulli në këtë trevë.

Ashtu si tempujt e ketyre hyjneshave kishin shtatoret e Artemises dhe të Dianës dhe mjediset e brendëshme, ishin të zbukuruar me motive floreale dhe zoomorfe, që evokonin fuqinë e hyjneshave mbrojtëse të natyrës dhe të kafshëve.

Kësisoj ishte zbukuruar dhe tempulli i Diana në Kandavia, si dëshmon një bazoreliev guri, ku janë gdhendur dy shpendë dhe në brendësi të kokave të tyre janë dy miniatura antropomorfe, që ndofta pasqyrojnë Dianën, mbrojtëse e kafshëve dhe e shpendëve. Që ky bazoreliev eshte parakristina, nuk ka asnjë dyshim, pasi këto lloj veprash nuk viheshin në kisha, as në shtëpi banimi, as në xhami.

Fotografitë e bazorelievit dhe te eneve te qeramikes (llamba, tassa, vazo, lakrimore etj), m’i ka dhuruar Musa Kotja, djal i apasionuar në kerkimet për historinë e lashtë të vendlindjes, i cili i ka gjetur rastësisht në Grykën e Blishtës, në Kaptinë dhe ne lagjen e Kotajve, çka sugjeron se janë objekte të mbetura nga tempulli i Diana Candaviensis, që dikur ngrihej mes maleve të kësaj treve.

Ilirët, në periudhën e herëshme, kishin dhe nderonin perenditë e veta, hyjnitë ilire, që me pas ose u përzien me ato helene dhe romake, ose u zëvendësuan me ato të kulturave te tjera, sidomos me të panteizmit romak, por edhe romakët morën nga kultura ilire.

Ashtu si helenet nderonin Artemise dhe romakët Dianën, sipas shkencëtarit tonë të shquar Eqerem Çabej, iliro-albanezët nderonin hyjneshën Zana, mbrojtëse e pyjeve, e livadheve, e korijeve, e burimeve të ujit dhe e lumenjëve, ishte dhe hyjnesha e gjuetisë, e dritës së hënës, e kafshëve dhe e shpendëve të egra, pra mbrojtëse e gjithë natyrës dhe hyjnesha e pranverës.

Kulti pararomak i Zanës ka mbijetuar dhe është i pranishëm kudo në trojet shqiptare.

Sipas rrëfenjave të shumta dhe të bukura popullore, hyjnesha Zana, shetiste nëpër pyje dhe male, lahej në burimet e freskëta, pushonte nëpër korije e livadhet e gjelbëruara e plot lule e me fillimin e verës, shkonte në faltoren e vet, ku merrte dhuratat, që i blatonin banorët.

Artemisa – Diana – Zana (Thana).

Lexuesi mund të pyesi: Vallë a ka lidhje teonimike ndërmjet Artemises helene, Dianës romake dhe Zanës iliro - albaneze?

Natyrisht që ka vazhdimësi dhe ngjashmëri, të diktuara nga ndikimet, huazimet dhe shkëmbimet ndërmjet kulturave helene, romake dhe ilire. Lidhjet ndërmjet këtyre hyjneshave, ndeshen kur analizojmë përafrimet bindëse mes emrave të hyjneshave pagane dhe legjendave e rrëfenjave mistike, që tregohen rreth tyre.

Artemise helene quhet dhe TRIVIA, pasi adhurohej në tre format: Hëna në qiell, Artemise në tokë dhe Ekate në ferr, por theksoj se edhe Diana romake dhe Zana iliro - albaneze, adhurohen në të tria këto forma e në kete aspekt të tria hyjneshat jo vetëm ngjajne, por në thelbin e tyre janë të njejta si vazhdimësi e njera tjetrës, nga thellesitë e lashtësisë, deri në kohët e reja.

Kjo lidhje dhe ngjashmëri, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e studiusve etnografë, linguistë, etimiologë, historianë, mitologë, antropologë dhe teologë, pikerisht kjo afëri mes emrave Diana e Zana, e nxiti të madhin Eqerem Çabej, të vihet në kërkim të përputhmërisë të miteve me shkencën.

Si u tha me siper, romaket e zevendesuan Artemise me Dianën, andaj të dyja këto hyjnesha ishin të ngjashme mes tyre, ndërsa për lidhjen e hyjneshës Diana me Zanën iliro-albaneze, Eqerem Çabej ka dhënë përgjigjie shkencore bindëse: "Diana romake u shtri në Iliri, përmbi perëndeshën e vendit – Zana, e cila i përgjante asaj dhe i dha emërin e vet".

Pra, Diana e Romës, jo vetëm shkrihet me Zana - hyjnesha ilire pararomake, por gjatë procesit të romanizimit të ilirëve, ajo merr emërin e saj dhe nga Zana bëhet Diana, duke u mpiksur në shpirtin ilir, që e nderonin si hyjnesha e natyrës dhe e pranverës.

Në periudhen romake, iliret huazuan shumë elemente nga kultura romake, por dhe romakët morën nga ilirët, kësisoj morën hyjnitë dhe shume rite panteiste ilire dhe ky shkëmbim i ndërsjelltë fetar-kulturoro-shpirtëror, vazhdoi dhe në periudhën e krishtërimit, madje dihet e pranohet, se romakët morën dhe përvehtësuan shumë shenjëtorë të kishës ilire, si Shen Asti, Shen Lauri, Shen Flori etj.

Zana - Thana: Hyjnesha ilire Zana, u bë Diana romake dhe në vazhdim, kjo hyjneshë e re, u ngjiz në shpirtin vendas dhe kjo frymë u ruajt integrale, ose u ndryshua shumë pak nga mëparëshmja ilire, që ruhet në traditën tonë me mitet e Zanave, Orëve dhe Shtojzovalleve.

Ekzistencën e Zanës si hyjneshë ilire, na e deshmojnë rrefenjat tona të shumta popullore, që tregojnë për Zanën e Malit, çka nënkuptonte vendeqëndrimin e kësaj hyjnie në malet e larta, atje mes bjeshkëve, si shkruan i madhi At Gjergj Fishta, Zana e Veleçikut, Zana e Miliskaut etj.

Zana është një qenie mitologjike, ndërsa Ora eshtë shoqeruese me “detyra” të caktuara, ashtu si amazonat shoqërojnë Artemisën dhe si nimfat shoqërojnë Dianën.

Sipas studiuesit Tonin Çobani, në rrëfenjat popullore, kur përmendën Zanat dhe Orët, thuhet Shtojzovallet, ku Zanat dhe Orët janë mitologjike, ndërsa emëri “Shtojzovallet” (shtoi Zot vallet) vjen si eufemizëm për Zanat dhe Orët, ose për të dyja së bashku.

Zana përshkruhet shumë e bukur, si te gjitha hyjneshat, prandaj thuhet: e bukura si Zanë, ndersa Orët mund të jenë të bukura, por dhe të shëmtuara e këtu del miti i shtrigës (Artemise dhe Diana shtriga, qe i vrasin burrat, kur i shohin tinëzisht duke u larë në liqen, nën dritën e hënës), si e gjejmë në fshatin tim Vali, në toponimin “Përroji i Shtrigës”, ashtu si ndeshet si toponim i përhapur dhe në shumë treva te tjera.

Zana hyjneshë, ashtu dhe Orët, pra Shtojzovallet, zotërojnë edhe një fuqi të misterëshme: aftësinë për të shituar burrat, që guxojnë t’i shohin shtojzovallet tek lahen lakuriqe, ose duke vallëzuar nën dritën e hënës, pra i shitojnë burrat, që guxojne t’i trazojnë gjatë ekstazës së tyre të vallëzimit.

Në këtë këndvështrim, hyjnesha Zana iliro-albaneze, ngjanë me Artemisen helene, e cila i vriste me shigjetën e harkut të saj, ata burra që e vështronin, njëlloj si hyjnesha Diana i ndëshkonte burrat, kur e shikonin kur ajo lahej së bashku me nimfat, që e shoqëronin gjatë banjove.

Në kontekst të fuqisë të Artemises, Dianës dhe Zanës, për të ndëshkuar ata që cënonin mëvetësine dhe privacy-n e jetës së tyre hyjnore, populli ynë perdor mallkimin “të shitofshin Zanat”, njëlloj si forma e mallkimit “të vraftë Zoti”.

Sipas rrëfenjave popullore, folja “me shitue” shpreh një ndeshkim të mistershëm, që e zotëronte vetëm Zana hyjnesha, e cila kur zemërohet me burrat, i shitonte, i linte pa mend në kokë për tërë jetën, i bënte të paaftë t’i dilnin zot vetes; ose dhe më keq, i ngrinte në vend, i bënte kallkan.

Një tjetër ngjashmëri e Zanës iliro-albaneze, me mitin e Artemises është vallja e Orëve, vallja e Shtojzovalleve (shtoj-o-zot vallet), e cila kërcehet në rreth njëlloj si amazonat e Artemises kur vallëzonin në dritën e hënës, ashtu si vallëzonin nimfat e Dianës romake.

Shpesh shtrohet pyetja: A kemi ne shqiptarët legjenda të njëjta me ato te Artemise dhe Diana?

Në kulturën popullore të Martaneshit, tregohet një legjendë e lashtë, e ngjashme, ose më saktë një variant i mitit të Artemise – Diana – Zana.

Këtë legjende, e ka dokumentuar mësuesi i apasionuar Abdulla Keta, i cili, gjatë ekspeditave në vitin 1968, për mbledhen e folklorit në trevën e Martaneshit, e dëgjoi nga plakat e fshatit Val, dhe e shkruajti me hollësi dhe mjeshtëri, ashtu si ia treguan.

Legjenda e Zanës, apo e Perrisë, apo e vashës së bukur, që del nga liqeni i Valit dhe e huton djaloshin bari, tregohet nga valatosët, por dhe nga malësorët e fshatit Lena, e lidhur me Liqenin e Zi, ashtu si tregohet dhe në trevën e Matit, e lidhur me liqenin ne malin e Allamanit, ose Liqeni i Balgjajt. Në tre fshatrat tregohet e njëjta legjendë, që përmbanë të njëjtën ngjarje mistike.

“Një bari, çdo mengjes, kur kalonte buzë liqenit të fshatit, shihte një vajzë shumë të bukur, që dilte nga uji i liqenit dhe krihte flokët, duke vështruar veten në pasqyrën e ujit, por sapo konstatonte se e shikonte bariu, çdukej në ujin e liqenit.

Këtë ngjarje, bariu ia tregoi një plake dhe i kërkoi këshilla, si të vepronte ta kapte perrinë, para se të zhytej në ujin e liqenit. Plaka e instruktoi të qepte një këmishë të gjatë e pa grykë dhe ta linte buzë liqenit e ta priste kur vasha të dilte nga uji. Sapo vasha ta vishte këmishën e bardhe, ai ta kapte menjëherë. Kështu veproi. Qepi një këmishë të bardhë pa grykë dhe e la buzë liqenit.

Si çdo ditë, të nesërmen në mëngjes pa lindur dielli, perria doli nga liqeni dhe sapo e pa kemishën e mori dhe e veshi e në atë çast, bariu doli nga vendi ku ishte fshehur, e kapi dhe çoi në shtëpi. Vasha ishte shumë e bukur, por nuk fliste, megjithatë, bariu u martua dhe u lindi një djal i bukur. Kështu kaluan vite së bashku, por gruaja vazhdoi të mos fliste. Kjo situatë e mërziste bariun, i cili përsëri shkoi te plaka dhe i kërkoi ndihmë si të vepronte, që bashkëshortja e tij e bukur të fliste. Plaka, pasi e dëgjoi, i sugjero: Kur të kthehesh në shtëpi, merr një thikë dhe bëj sikur do ta therish djalin, kështu ajo do të trembet dhe do të flasi.

Bariu veproi si e prositi plaka. U kthye në shtëpi, mori thikën dhe ia vuri në grykë djalit. Gruaja kur e pa këtë skenë u tmerrua dhe thirri me zë të lartë: “Çfarë po bën mor burrë? Kështu nuk ke për të gëzuar as mua dhe as djalin tonë”. Keshtu foli gruaja e bukur dhe në çast ajo së bashku me djalin ranë në tokë të vdekur”.

Një legjendë shumë e lashtë, e transmetuar deri në ditët tona me mistikën antike, ku ndërthuren legjendat e hyjneshave Artemise, Diana dhe Zana, që lahen në ujin e liqenit; kulti i nimfës Eko dhe kulti i narçizit i shprehur me krehjen e flokëve duke u vështruar në pasqyrën e ujit të liqenit; plaka – shtriga; por cila shtrigë? Ajo e Borëbardhës, njerka shpirtkeqe e Hirushes, shtrigat e Kastratit, apo shtrigat e Salemit?

Në këtë legjendë është dhe miti i bariut të paaftë të gjej zgjidhje dhe mashtrohet nga plaka-shtriga, çka bariu e paguan me ndëshkim të rëndë nga Zanat, pra ndryshe nga bariu Gjeto Mujo i Jutbinës, të cilit Zana i dha të pijë qumësht nga gjiri i saj dhe e bëri një djal të fuqishem.

Kjo legjendë, shpreh qartë fuqinë e kultit të hyjneshës Zana, në popullatën iliro – albaneze.

Eqerem Çabej, duke e lidhur origjinën e emërit Zana ilire, me Dianën e romakëve, ka theksuar se “kulti i fortë i Dianës në Shqipëri e përveç këtij vendi, në mbarë Gadishullin e Ballkanit të kohës antike, sikundër shihet nga dëshmia e mbishkrimeve, na shtynë të pranojmë se me Diana kemi të bëjmë me një ‘interpretatio latina’ të hyjnisë epike vendase pararomake, pra të Zanës ilire.”

Në lidhje me hyjneshën Zana, thuhet se emëri i saj më i lashtë është Thana, madje rreth këtij argumenti ekziston dhe një shpjegim i A.Meyerit, i cili thotë se “Tek emëri ilir Thana, mund të ruhet një shkallë e vjetër shqipe e emërit Zana”. Kët mendim, Çabej e quan variant i pranueshëm. Ky version është bindës, si sugjerohet nga disa zbulime arkeologjike në trevat e banuara nga ilirët verior (në Kroacinë e sotme), ku jane gjetur disa mbishkrime me emërin e hyjneshës Thana, çka mbështesin opinionin e Mayer, se emëri Thana eshte forma arkaike e emërit Zana.

Rreth këtij argumenti, na vjen në ndihmë arkeologjia, e cila na dëshmon se në Bosnje dhe në Kroaci janë gjetur altarë votivë (blatues) me figura hyjnishë me mbishkrime ilire në trajtën: Thana patrono - Thana padrone, si dhe emërat e dy hyjnive Vidaso et Thana, në një kolonë mermeri.

Sipas ilirologut A. Stipçeviç, nga figurat e këtyre altarëve rezulton se Thana ilire përkon krejt me profilin e Dianës romake.

Kulti Thana – Zana, në lashtesi ishte i përhapur ngado në Iliri dhe i mbijetoi pushtimit romak, si dëshmon mbishkrimi në një gur altari kushtuar dy hyjnive ilire Vidaso e Thanae, i zbuluar në Topusko të Kroacisë, çka tregon se pas pushtimit romak, fiset ilire Oseriate vazhdonin të nderonin hyjneshën Thana.

Kulti i hyjneshës Thana ndeshet edhe tej detit, si  rezulton në gjetjet arkeologjike në Scala di Furno (Lecce - Itali), ku në një fragment vazo blatimi e shekullit VI para Krishtit, shihet një mbishkrim i kushtuar hyjneshës Thana, e cila nderohej prej fiseve mesape dhe ilire dhe që i ka shtyrë studiuesit të mendojnë se kjo zonë i ishte kushtuar dhe nderonte hyjneshën tonë Thana – Zana.

Nga këto që parashtrova me sipër, shihet ngjashmëria ndërmjet tre hyjneshave, pra Artemisa e ndjekur nga amazonat, Diana e shoqëruar nga nimfat dhe Zana me Orët (Shtojzovallet).

Me këtë aspekt të veçantë spjegohet përse Zana, shpesh herë në gjuhen shqipe na del në numër shumës si "Zanat" “Orët”, (Shtojzovallet), në shumes shfaqet dhe në disa toponime si:"Logu i Zanave", "Shpella e Zanave", "Pylli i Zanave", “Oret e Shales”, “Oret e Dukagjinit”, “Oret e Valit” etj.

Në të gjitha këto toponime, emëri Zana, përdoret në kuptimin hyjnesha mbrojtëse e Dukagjinit, e Shalës, e Valit, e pyllit, e shpellave, e livadheve etj, ashtu si Artemise ishte mbrojtese e Efesit etj.

Të tria hyjneshat, Artemisa helene, Diana romake dhe Zana iliro-albaneze, nga pikëpamja e rendit hyjnor, janë të njëjtës shkallë, pasi cilësohen hënore, pra në rendin tonë përkojnë me Hënën.

Duke vijuar kërkimet mbi paralelet mitologjike, rezulton se dhe në popujt e tjerë ekzistojne mitet e shoqëruesve të hyjneshave, si p.sh sardet kanë janas, keltët kane anwan-at, sllavet kane vila-t, italikët kane janara-t, të ashtuquajturat "ushtaret e Hanës", të cilat paraqiten me të njëtat atribute si dhe Orët shqiptare.

Në mitologjitë e vendeve të tjera, kur flitet për janas-et, apo janara-t, tregohet se ato dalin natën dhe rrezatojnë dritë të bardhë.

Të njëjtat elemente shquhen në folklorin tonë, se aty ku dalin orët – shtojzovallet, ndriçohet vendi.

Hyjnitë sarde, kelte, italike, si dhe Zanat iliro–albaneze, flatërojnë nëpër shpatet e maleve, nëpër pyje, livadhe, korije etj. Zanat iliro –albaneze, shkruan i madhi Eqerem Çabej:"sikurse Hermes ata flatërojnë me flatrat e tyre të arta prej majavet të malit teposhtë për të pare dyndjet e luftës, ose mundjen e dragonjve, te kulçedrave, a për t'e shtruar trimave bukën në bjeshkë".

Zanat mbrojnë dhe ata që kanë nevojë, si rasti i Gjeto Mujit të Jutbinës në eposin e Kreshnikëve.

Kjo ngjashmëri mitologjike me kulturat e popujve të tjerë, shoqërohet dhe me ngjashmëri ne toponime, madje ashtu si iliro-albanezët dhe popujt e tjere kane toponime te lidhura me emërat e miteve të veta, kësisoj ne Itali kemi: Grotta de Janare, Domusde Janas, Laguna de China, Monte des Genes; ne Spanje Las Cueva les Xanes, ne France Fleuve Sianna etj.

Në periudhën e krishtërimit, orët, janas, anwan-at, vila-t dhe janara-t, që dilnin jasht kritereve fetare, i shndërruan në shtriga.

Populli ynë e ka ruajtur mitin e Zanave, madje ata zënë vendin më të madh të lendës mitologjike ne folklorin tonë, ashtu si përbjnë lëndën themelore te “Lahuta e Malëcisë”, kryeveprës të At Gjergj Fishta, si e ka treguar studiuesi kompetent Tonin Çobani në disertacionin “Ngjizja mitologjike në Lahuta e Malëcisë”.

Zanave dhe Orëve, At Fishta i ka dhënë hapsirë të gjërë, sidomos Zanës të Frymëzimit, që na e shfaq të identifikuar si Zana e Veleçikut, pra na e prezanton si një alter autor, duke e bërë kështu një element funksional të strukturës përmbajtjesore dhe narrative të veprës.

Duhet thënë se Zanat dhe Orët (dhe figurat e tjera mitologjike) nuk vijnë në veprën e Fishtës si mite të gatëshme, si mund të mendohet sot kur etnolografët studiojnë mitologjinë shqiptare dhe kur e krahasojnë atë me mitologjinë ballkanike e më gjerë.

Në veprën e Fishtës, mitet nuk janë ndikim i modeleve të njohura letrare të penave të shquara, si janë shprehur me tendenciozitet disa autorë, kur kanë krahasuar poetin e Lahutës së Malëcise me Homerin, Virgjilin, Miltonin etj. Aq më pak, Zanat dhe Orët e Lahutës së Malëcise shëmbëllejnë me Vilat e mitologjisë të sllavëve të Ballkanit, për të cilat, ka pasur studiues, që pa u thelluar sa duhet, kanë tentuar të gjejnë ngjasi, që nuk ekzistojnë me mitet iliro - albaneze.

Në kohën kur jetonte At Fishta, Zanat dhe Orët ishin një realitet, ta quajmë, fantastik shqiptar. Ditën, malësorët gjallonin me pushkë në krah, natën mbylleshin në kullat e tyre për t’ua lëshuar trojet përreth në mbrojtje të qenieve mitike, të cilat kishin në dorë fatin e njerëzve, mbarëvajtjen e gjësë së gjallë, shtimin e bereqetit. Secili person, ose çdo gjë e gjallë kishte Orën e vet të bardhë ose të ligë, ashtu si çdo fis dhe trevë kishte Zanën e vet, që ishte e bukur “me të verbue”, trime “me të çartë” e egër me “te shitue” kur gaboje.

Edhe në qytete, sidomos në Shkodër, fantazia mitologjike ishte e gjallë, ku netëve me hënë të plotë, Zanat dhe Orët këndonin dhe hidhnin valle zabeleve buzë ujërave (kulti i Artemise dhe i Dianës), ashtu si ditën malësorët rrinin në log duke u argëtuar me këngë e valle.

Në ditët e fillimit të pranverës, pra në festën e Dita e Veres, Zanat dhe Orët, ishin pranë banorëve, për të festuar së bashku ripërtritjen e natyrës, për të gëzuar së bashku, madje e kerkon te ndihmoi. Këte force hyjnore te Zanave, At Fishta e bene realitet, andaj e thërret Zanën e Veleçikut për të kënduar së bashku Lahutën e Malcisë, duke evokuar bëmat dhe shpirtin e ndjeshëm te malësorit.

Po të mos kishte vepruar ashtu, pra po të mos e thërriste një Zanë Mali për të kënduar së bashku për jetën e malësorëve, zor se malësorët do ta pranonin këngën e tij, si u pranuan realisht vargjet e Lahutës së Malcisë, qe u mësuan përmendsh dhe nga njerëz, që nuk dinin shkrim e këndim.

Një meritë e Fishtës, në trajtimin e Zanave dhe Orëve në Lahutën e Malcisë, asht fakti se, ai ishte frat i shkolluar, që njihte mirë mitologjinë greko-romake dhe biblën, ashtu si njihte mirë letërsinë e shkruar të mbështetur në mitologji.

Thirrja e Zanave dhe Orëve në Lahutën e Malcise nuk ishte aplikim i atyre modeleve, qofshin edhe të mjeshtërve klasikë si Homeri e Virgjili, aq më pak të mendohet se Zanat dhe Orët e Fishtes janë muzat dhe nimfat e Olimpit, apo Zana e Fishtës është muza Kaliopi, e cila në mitologjinë greke, paraqitet me lahutë në dorë për të simbolizuar epikën.

At Fishta e krijoi figurën mitologjike të Zanës sipas lëndës mitologjike, që gjallonte në popullin tone. Zana e tij nuk është tërësisht Diana e romakëve e identifikuar me Artemisen e grekëve, sa do që në thelb kane përbashkësi, sepse dhe Zana simbolizon mbrojtjen e natyrës së virgjër.

Fishta këndon Zanat, Dragonjtë, Oret, Shtozovallet ... si një pasuri e rrallë e kulturës shqiptare, pasi kishte bërë të vetin parimin e Niçes që thotë: “Pa mitin, çdo kulturë e humbet karakterin e saj të gjallë krijues, humbet forcën e vet të natyrshme, sepse horizonti i artit hapet vetëm përmes mitit, është ai që e bën të jetë nje i vetem, te jete unik”.

Nga ana tjetër, At Fishta nuk kërkoi e nuk mori mite të njohura si Sibilat, që i mori Pieter Bogdani, i cili i albanizoi për t’i bërë sa më shqiptare e as nuk i shartoj mitet tona me të tjerëve, por i nisur nga një parimi i Niçes që thoshte: ”Nuk është e lehtë të shartosh një mit të huaj me tëndin, pa dëmtuar bimën amë...”, At Fishta e mbrujti Lahutën e Malcisë me lëndë mitologjike shqiptare, krejtësisht pagane, me atë mitologji iliro - albaneze, që ka ekzistuar paralel me mitologjinë helene, me mitologjine romake dhe biblike, ashtu si gjuha shqipe ka ekzistuar paralel me gjuhen greke dhe gjuhen latine dhe ruajti origjinalitetin.

Mitologjia shqiptare ka marre shume elemente nga mitologjia greko-romake dhe biblike, por dhe ka mbijetuar përgjithësisht e nuk eshte shuar, ashtu si malesorët mbijetuan në thellësitë e maleve, të organizuar dhe të vetëqeverisur me kodin e vet të drejtës shqiptare – Kanunin e Maleve dhe pse pushtuesit e huaj impononin ligjet e veta.

Në se do të përdorim formulimin e Krist Maloki, që përfaqëson këndvështrimin psikanalist në kritikën letrare shqiptare, atëhere konstatojme se poeti Gjergj Fishta, “ka hulumtue e gërmue ner minierat e shpirtit të kombit Shqiptar... ka zdypë fellë e ma fellë kah gurrat e fshehta të shpirtsisë natyrore arbërore, kah shpella e magjishme e Orëve, Zanave e Shtojzovalleve, të një mistike të përvëlueshme”.

Kesisoj, brenda realitetit dhe mitit nga e mori zanafillën, festa e Ditës së Verës – festa e luleve, festa e pranverës, ka arrijt deri në ditet tona ne formen e saj te zanafilles pagane  iliro-albaneze, e pastër dhe e gëzueshme mbarëshqiptare, ndër festat e rralla, për të mos thënë si e vetmja festë pagane masivisht popullore ndër popujt europianë.