Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Prindër, kujdes fëmijët!

| E diele, 28.02.2016, 11:31 AM |


Entela Binjaku: Shantazhet dhe kërcënimet online, prindër kujdes fëmijët!

Nga Blerina Goce - Revista Shije

Përveç të mirave që mbart, interneti është tashmë shqetësimi i kohëve moderne. Nëse dekada më parë, prindërit shqetësoheshin për fëmijët e tyre se mos i përplaste ndonjë makinë, apo se mos ua rrëmbenin, në kohët që jetojmë duhet të përballen edhe me frikën nga kërcënimi apo dhunimi online. Sipas “i-Safe Foundation”, më shumë se gjysma e adoleshentëve janë vënë në lojë përmes internetit dhe po kaq kanë qenë autorë të talljeve në internet. Ky është një kërcënim real, që mund të ketë pasoja dhe i vështirë për t’u vënë re, pasi prindërit dhe mësuesit nuk arrijnë shpesh t’i marrin vesh. Rreth 75 për qind e adoleshentëve kanë një celular, gjysma e të cilëve janë smartfonë që u lejon hyrjen në internet. Kjo do të thotë që si asnjëherë tjetër adoleshentët mund të bien pre e “grabitqarëve” online, duke përfshirë këtu dhe talljen në rrjet dhe dëmtimin e reputacionit të tyre në periudhë afatgjatë. Por sa të kërcënuar janë fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë nga tallja dhe kërcënimi online? Sociologia Entela Binjaku vë theksin te nevoja e studimeve dhe masave mbrojtëse, që duhen kryer në këtë drejtim. Pikërisht komunikimi online duket se reflekton së shumti edhe për problemin që shoqëria shqiptare dhe individët kanë me lirinë, ndaj sfida më e madhe e prindërve dhe të rriturve duhet të jetë së pari me veten, që të tejkalojnë një problem të tillë…

-Çfarë është ajo që njihet si tallja kibernetike dhe cilët janë më të prekur prej saj në Shqipëri?

Ndërkohë që për “mashtrimin kibernetik” kemi nisur të flasim në këto dy apo tri vitet e fundit, për talljen kibernetike nuk kemi treguar dhe aq vëmendje, për aq kohë sa nuk i kemi vlerësuar pasojat e tyre. Në përgjithësi, për rreziqet që vijnë nga bota virtuale ne si shoqëri kemi folur dhe ende flasim pak, për shkak se kemi qenë edhe të papërgatitur, edhe turpi prej paragjykimit nga të tjerët nuk na ka lejuar të tregohemi të sinqertë, në rast se kemi ndjerë shqetësim, kemi neglizhuar ndaj pasojave që mund të sjellin në vazhdën e një mungese vlerësimi, që kemi ende për botën psiko-emocionale tonën etj.  Për të kuptuar sesa të papërgatitur gjendeshim për shembull ndaj  një rreziku të ri që vinte nga bota kibernetike, mjaft të pohojmë se për shembull edhe kur për krimin kibernetik u institucionalizua përmes krijimit të njësive të posaçme kundër tyre, edhe kur qytetarët nisën të denonconin hapur në instanca shtetërore, sërish kishim mungesa specialistësh  që të merren me zgjidhjen e tyre.  “Tallja kibernetike” ka të bëjë me atë formë të komunikimit ku shfryëzohet një detaj, një element i dikujt, i gjuhës së folur, i imazhit, ndonjë tipar i personalitetit që vihet në lojë nga të tjerë, që bëhet objekt i stigmës, ku shpesh një formë e shprehur e humorit degjenoron në një formë lënduese etj.

-Sa të cenuar janë fëmijët dhe adoleshentët nga diçka e tillë? Janë ata kryesisht viktima të kësaj talljeje apo dhe autorë të saj?

Fëmijët janë përherë të rrezikuar, ndaj ata duhet të jenë rreptësisht nën kujdesin dhe dijeninë e prindërve. Fëmijët mund të bien pre e talljes kibernetike nga ana e bashkëmoshatarëve të tyre, të cilët mund të shpërndajnë fotografi apo mesazhe që vënë në lojë apo i shqetësojnë, që i lëndojnë. Në po të njëjtën situatë të brishtë qëndrojnë edhe adoleshentët, pasi tek ta merr një vlerë tjetër shqetësimi, që lidhet edhe me identitetin e tyre të individit që po i largohet fëmijërisë, duke shkuar drejt të rriturve.  Si fëmijët, po ashtu edhe adoleshentët janë sa subjekte po aq edhe objekte të talljes kibernetike.   Shqetësimi që ata përjetojnë apo që iu krijojnë të tjerëve me këto tallje mund të lerë gjurmë të rëndësishme në personalitetin e tyre, në ulje të vetëbesimit, në mosbesimin tek solidariteti me bashkëmoshtarët, mund të krijojnë ndarje të mëdha mes tyre që vështirë të rikuperohen etj.

-Janë të shumta rastet kur vajza adoleshente apo të reja janë “goditur” online publikisht, duke publikuar foto të tyre private apo të dhëna nga jeta intime (të vërteta ose jo), të cilat cenojnë integritetin e tyre moral. A mund të cilësohet kjo tallje kibernetike? Cilat janë pasojat e saj në psikologjinë e adoleshenteve të përfolura?

Nga momenti që një fotografi publikohet në rrjet, ajo nuk është më pronësi e autorit të saj, por për shkak të specifikës që paraqet rrjeti ku ajo bëhët pjesë, i krijon mundësinë edhe të tjerëve të “merren” me të. Për shkak të veçantisë që paraqet adoleshenca si moshë delikate, mund të ndodhë që kjo privatësi tashmë e bërë publike të shpërdorohet, duke krijuar konflikte që përshkallëzohen  emocionalisht deri në atë masë sa kanë përfunduar, jashtë mjedisit virtual në sjellje deviante dhe krim.  Por edhe në ato raste kur shpërdorimi nuk ka degjeneruar në konflikt fizik, sërish ato kanë pasur viktimat e veta, që kanë qenë vajza apo djem, të cilët në rrugë e sipër të formimit të identitetit të tyre mund të ndjehen të mënjanuar, inferiorë, ndjehen të tradhtuar në besim, që duke u vënë në lojë humbin besimin tek ndjenjat pozitive sociale, tek humanizmi, solidariteti, vetëpërmbajtja etj.

-Ka ndonjë studim që është bërë në këtë fushë në vendin tonë dhe sa të nevojshëm e shihni të ndërmerret një hap i tillë?

Në dijeninë time, studime që të lidhen posaçërisht me talljen kibernetike nuk di të ketë, edhe pse nevoja qëndron dhe domosdoshmëria ka ardhur në rritje. Por janë kryer studime që kanë në fokus të rinjtë e që flasin për një lidhje të fortë me internetin, gjë e cila të nxit të mendosh se studimet që kanë në qendër pasojat e sjelljes virtuale, apo ndikimin e mjedisit virtual tek zhvillimi i tyre, tashmë janë domosdoshmëri.

-Sa ndikon pasja e një celulari, i-padi apo kompjuteri personal, që fëmijët tanë të jenë viktima të sulmeve kibernetike apo dhe autorë të tyre? Çfarë do t’u sugjeronit prindërve në këtë drejtim?

Ipadi dhe telefoni apo kompjuteri i lëvizshëm janë tundime të mëdha për fëmijët dhe adoleshentët dhe shpesh herë prindërit e gjejnë veten në vështirësi sa i takon pajisjes së fëmijëve me këto mjete të komunikimit. Edhe ata prindër që janë të ndërgjegjshëm për rreziqet që mbart komunikimi virtual, sërish e kanë të vështirë t’i bëjnë ballë presionit të kërkesave të fëmijëve për t’i pasur ato. Kjo bën që shpesh herë të “dorëzohen”, t’ua plotësojnë këto dëshira por duke mbetur vigjilentë ndaj asaj çfarë ndodh me komunikimin virtual të fëmijëve.  Më e mira do të ishte që t’ua shtyjnë sa të munden kënaqësinë që sjell përdorimi i tyre.  Një kategori tjetër prindërish është ajo e atyre që krenohen me mundësitë që iu kanë krijuar fëmijëve, duke i pajisur me këto mjete. Këta zakonisht e kanë eklipsuar tërësisht shqetësimin për rreziqet që mund t’u kanosen.  Ka një kategori tjetër prindërish, të cilët në pamundësi për t’iu përkushtuar kohë  fëmijëve, gjejnë që këto mjete të zënies së kohës, duke mos u treguar të kujdesshëm  ndaj rreziqeve.  Në çdo rast, është në detyrimin e të rriturve që merren me edukimin e fëmijëve apo të adoleshentëve që të flasin me ta për shqetësimet që përjetojnë, të racionalizojnë kohën dhe mënyrën e përdorimit të tyre dhe të jenë përherë të kujdesshëm.

-Mendoni se adoleshentët dhe të rinjtë e njohin atë që mund ta cilësojmë si hapësirë private dhe e respektojnë atë kur bëhet fjalë për realitetin virtual dhe komunikimin online?

Hapësira private apo personale është një koncept  i panjohur mirë edhe nga të rriturit, të cilët kanë dëtyrimin të shërbejnë si modele për më të vegjëlit e në raste kur edhe ata nuk respektojnë konceptin e lirisë individuale dhe të lirisë së tjetrit, bëhet e vështire për të rinjtë e adoleshentët respektimi i këtij koncepti. Megjithatë, ky është detyrim i cilësdo agjencie që merret me edukimin e tyre, për të shërbyer si model edukimi ndaj vlerave të tilla, siç është komunikimi i lirë, civil dhe qytetar brenda një platforme tjetër, siç është ajo virtuale. Të mos harrojmë se liria individuale e shprehjes qëndron në thelbin e kësaj platforme kaq demokratike, siç është virtualiteti, por mënyra sesi përdoret reflekton mjaft probleme, që në thelb flasin edhe për kulturën e ulët të komunikimit apo perceptime të çrregulluara, që në themel mund të kenë edhe talljen kibernetike në një çast të caktuar të jetës.

Për më tepër: http://www.shije.al/article/2220/entela-binjaku-shantazhet-dhe-kercenimet-online-prinder-kujdes-femijet/#ixzz41U8fnBmo