| E hene, 29.02.2016, 01:17 PM |
UNË,
"DEMKA" I VAQARRIT
Nga Kadri Kadiu
Pas 10 viteve punë si Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë Agrare të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, në vitin 1981, pikërisht në atë kohë kur unë kisha arritur të bëhem vërtet pedagog, më larguan nga Fakulteti. Arsyet e mosarsyeve, që t'i bie shkurt, lidheshin me luftën e klasave, ku akuzohesha se në disa raste kisha patur shfaqje të zbutjes së kësaj lufte. Mu qep keq një njeri i keq, njëfarë Koço Luarasi i cili në atë kohë ishte Sekretar Organizativ i Komitetit të Partisë të Rrethit Tiranë. Erdhi në Organizatën Bazë të Partisë të Fakultetit tonë ku bëri raprezalje, presione e kërcënime për pesë ditë me radhë në mbledhjet e Organizatës të cilat fillonin në orën 3 pasdite dhe përfundonin në orën 12 të natës. Kërkonte nga Organizata e Partisë që për mua të merreshin këto masa: Përjashtim nga Partia, largim nga detyra e Pedagogut dhe largim nga Tirana. Meqenëse nuk ia doli dot në Organizatën e Partisë, atëhere më thirri të jepja llogari në Byronë e Partisë së Rrethit Tiranë. Shkova në Byronë e Partisë së Rrethit ku Sekretar i Parë në atë kohë ishte Gaqo Nesho. Çfar shpifjesh e poshtërsish nuk bëri ndaj meje në atë mbledhje Koço Luarasi. Kurrë nuk do të më hiqen nga mendja, edhe varrit do t'ia tregoj ato që kam hequr nga ai njeri, atë tension nervor, atë tronditje shpirtërore që më shkaktoi në ato kohë.
Mirëpo më në fund ma dhanë fjalën edhe mua që të mbrohem në Byronë e Partisë. Me shumë kujdes, me shumë drojtje, mund të them edhe me shumë frikë, i mora një për një akuzat e Koço Luarasit dhe i argumentova se ishin të tëra gënjeshtra e shpifje. Më dëgjuam në heshtje anëtarët e Byrosë së Partisë, Koçua u nxi në fytyrë e nuk foli më. Por dhe anëtarët e Byrosë nuk kërkuan sqarime prej tij për akuzat ndaj meje. Përfundoi mbledhja, unë e kisha fituar davanë por edhe Sekretarin Organizativ ata nuk do ta poshtëronin në sy tim, kështu që Sekretari i Parë në fund dha një vendim oportunist: " Ti shoku Kadri, më tha mua, qënke djalë i mirë dhe komunist me kurajo por më mirë për ty do të jetë që të largohesh nga Fakulteti, ne do të të sistemojmë me punë në Fermën e Kamzës ose në ndonjë kooperatvë këtu afër, në mënyrë që të vazhdosh të japësh mësim si pedagog i jashtëm".
Pas një jave unë fillova punën në Kooperativën e Vaqarrit. Bëja detyrën e Shefit të Planit por emërimin e kisha "ekonomist" pasi Koçua nuk lejoi të më emëronin Shef Plani. Pas nja 7-8 muajve ky Koçua thyevi qafën, e shkarkuan, kështu që mua më emëruan zyrtarisht Shef Plani, madje pas ca kohësh më bënë edhe Kryetar Kooperative.
Nejse, qëllimin e këtij shkrimi unë e kam gjetkë: Duke qenë pedagog i lëndëve ekonomiko-shoqërore, unë kisha fituar njëfarë "talenti" për të shkruar raporte. Këtë talentin tim ma zbuloi shpejt Kryetari i Kooperativës së Vaqarrit, Ismail Bitri, kështu që për çdo raport që ai do të mbante para Kryesisë së Kooperativës apo para Mbledhjes së Përgjithshme të Kooperativistëve, si dhe për çdo raportim apo diskutim që do të bënte në organet e Partisë e të Pushtetit në Rreth, më ngarkonte mua që t'ia përgatisja materialin. Unë i kërkoja vetëm që të më thoshte se sa faqe e do materialin dhe datën kur i duhej, se të tjerat i kisha merak vetë.
Sekretari i Organizatës së Partisë të Fshatit Vaqarr ku unë bëja pjesë, Musa Taku, mua më ngarkonte që të bëja raportet që mbaheshin në çdo mbledhje mujore të Organizatës.
Sekretari i Byrosë së Partisë së Kooperativës, Avdulla Duke, të cilin e kisha shok të mirë, edhe ai mua më ngarkonte për të përgatitur raportet që mbante në mbledhje të ndryshme. " I bëj edhe vetë mo Kadri, më thoshte, por ato që shkruan ti më pëlqejnë më shumë se i qëndis mirë ti".
Kryetare e Organizatës së Gruas për Kooperativën ishte Kadime Taku. Zonjë e mirë ishte dhe brigadiere e zonja ishte Kadimeja, por nuk kishte laps për të shkruar raporte. Epo ç'të bëja unë i shkreti, duhej ndihmuar edhe Kadimeja kështu që pasi i merrja Kadimesë disa të dhëna për numrin e grave të organizatës si dhe për disa nga aktivitetet që kishin kryer, ulesha dhe e hartoja edhe Raportin që do të lexonte Kryetare Kadimeja para grave.
Mirëpo më doli shpejt nami si "Demkë Raportesh" kështu që mu qep edhe Drejtori i Shtëpisë së Kulturës së Kooperativës Hafiz Spaho. Hafizin gjithashtu e kisha shumë shok, e kisha edhe devollit prej Bitincke kështu që nuk ia prishja dot qejfin edhe atij. Hafizi raportonte për çdo 2-3 muaj para Byrosë së Kooperativës por edhe në Seksionin e Arsim-Kulturës së Rrethit Tiranë për aktivitetet kulturore-artistike e sportive që zhvilloheshin në Kooperativë. Ia mora dorën edhe raporteve të Hafizit unë dhe, të them të drejtën, Hafizin e nxirrja gjithnjë të dalluar, pasi ato lëvdata që shkruaja nëpër raporte për kulturën e sportin në Kooperativë nuk mateshin as me kuintalë e as me metro kub kështu që e kisha dorën më të lirë për të shkruar pa doganë e për të nxjerrë në pah sukseset e Hafizit. ........
Mu kujtuan këto gjëra sot pasi lexova ne "Zemra Shqiptare" një shkrim të bukur të Ndue Dedajt, botuar më 24 shkurt 2016, që i kushtohej Romanit humoristik-satirik të Dritëro Agollit " Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo". Në këtë roman, siç e thotë edhe Ndue, Dritëroi ka vënë në qendër personazhin komik, Shefin Zylo, i cili është një burokrat fodull, delirant e gjysëm Don Kishot, si dhe personazhin tragjik, shkrimtarin Demkë, i cili është katandisur në një kalemxhi robot për të shkruar raporte për shefat.
Këta shokët dhe miqtë e mij të Vaqarrit, që unë i kam ndihmuar nëpër raporte, natyrisht nuk janë të kallëpit të Zylos por në fund të fundit, deri sa ata gjetën një Demkë vullnetar si puna ime, pse të mos e shfrytëzonin?
Unë prandaj edhe i kam përmendur ata me emra pasi e di që edhe po ta lexojnë këtë shkrim nuk do të më zemërohen por përkundrazi do të qeshin me ato që kemi bërë.