Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Salihu: Lotë të vakët

| E hene, 29.02.2016, 12:09 PM |


LOT TË VAKËT NË KRAHNEZA DRITARESH

Nga Remzi Salihu

Vërshimi i ekstazës së madhe romantike, që sundon sot me kriter të brishtë nëpër ndjenjat e vetëkënaqësisë individuale të njëanshme, nuk ka fuqi nervi të na ndihmojë në këtë ardhje kohe të zhvilluar digjitale, po që se ne nuk jemi të disponuar e të gatshëm të kapim një fije veprimi të këtillë modern, të kohës dhe jetës së mistershme teknologjike, kryesisht për të praktikuar diçka më të mirë në jetën tonë nga përvoja universale e realiste e të tjerëve. Pasi ndikimi i novatores me shtytjen e saj prej trendi të kanonizuar sipas standardeve ekzistuese, bëhet stimuluese e ndodhive atraktive të teknologjisë së re, e cila teknologji sot imponohet detyrimisht me risitë e veta të shumta për ndryshimin dhe lehtësimin e situatës, që tanimë na dërgon neve mesazhe stimuluese kah metoda e përvojës së shkrimit kreativ, drejtë te vështrimet e imponuara të ‘’fenomenologjisë së besimit’’. Çdo aktivitet njerëzor që lejon t’i kalojë një mundësi e mirë e shkathtësisë ndikuese për ndryshim e gjendjes së tanishme nëpër kthinën e një ç’vendosje kulturore bashkëkohore, moderne, apo të një çasti a përvoje të këndshme praktike ditore, ndërton forcën sensacionale të haresë dhe të vetëbesimit real në opinion të gjerë vëzhgimi të përshtatshëm. Individi, madje më vonë shoqëria, me këto sprova të bluara doktrinash ndjeshmërie e atraktive njerëzore, që janë në transformim të vazhdueshëm për lirinë individuale të njeriut, duhet ta ndryshojë kursin e vetes në suaza të kritereve standarde. Atëherë qenia njerëzore do të ngacmohet dhe çlirohet përgjithësisht nga paragjykimet e shumta të komplekseve të mosnjohjes së vetes. Çdo thellësi e panjohur, që pretendon të njihet më vonë nga praktika e shijuar, në këtë ekosistem kohor modern, e që tani bazohet në luftën e përhershme të lirisë ekonomike, politike dhe të asaj jetës metafizike, intime shpirtërore, kërkon në çdo mënyrë investim të përgjegjshëm sistemor, shtetëror. Kjo luftë e nxitur brenda për brenda këtij rrethi vicioz të kërkuar pa fund, afron dyshime për të vërtetën dhe të pavërtetën e kohës sonë. Dhe çdo gjë enigmatike, e pazbuluar sa duhet, bëhet stimulim i natyrshëm për të interesuarit e vëmendshëm që kërkojnë alternativa tjera jetësore. Në këtë segment jete të komplikuar të shijes, turpi dhe brenga, shndërrohen në faktor qarkullues të akullt të një universi të panjohur  njerëzor, sidomos të veprimit dhe të mosveprimit individual të hapur, që radhiten si veti kulturore të dallueshme, kryesisht të kurdisura si probleme psikologjike e afatgjate në sistemin tonë shoqëror. Fenomenet e shëmtuara të shoqërisë sonë, tanimë, shndërrohen në fotografi tmerri ngacmues, që atakojnë në çdo moment qetësinë e qytetarit, mu për shkak të individëve të portretizuar keq në ngjarje. Ata bëjnë shërbimin dhe numërimin e ngutshëm të karrierës së shtrembëruar grupore dhe të endjes së tyre majtas- djathtas pa kriter, drejt imponimit jo profesional në opinion, të themi kështu nga këndi vlerësues e adekuat, nga të diturit që i bëjnë sfidë të përhershme epigonit dhe infeksionit patetik të patosit lirik tmerrues e mashtrues, kryesisht të përshtatur thjeshtë brenda kultivimit të përvojës së tyre të gjatë joprofesionale. Ne jetojmë në kohën e krizave të mëdha dhe kjo gjendje lënduar duket në të gjitha segmentet e jetës sonë. Veprimet e këtilla sundojnë kudo në kohën e sotme. Zemërimi i njerëzve është i madh, ndaj bëhen përpjekje për ta tejkaluar këtë sëmundje të tmerrshme të shekullit.

Gjatë këtyre viteve demokratike janë bërë shumë lëshime në vlerësimin e gjërave të involvuara padiktueshëm. Janë dhënë viza kaluese veprave dhe botimeve të shumta, që se kanë merituar daljen e tyre asnjëherë në skenë, për shkak të nivelit të dobët kreativ të qasjes dhe të ndikimit të tyre negativ te lexuesi i pa sprovuar. Bile ka pasur edhe prej atyre emrave profesionist të njohur që kanë vendosur e dhënë vizë kalimi për botimin e një vepre të pa standardizuar. Nga nevoja për të shtyrë në xhepin e tyre ca lekë të ardhur papritmas si honorar i ëmbël në kohë të hidhur ekonomike. Sot të gjitha këto botime na janë bërë sfinga të padurueshme, që ngarkojnë e trishtojnë standardin e kohës të pa nivelizuar.  Dhe sot kjo prurje veprash të derdhura kështu pa kriter, anembanë pranisë sonë, është bërë mugëtirë shumë e neveritshme dhe e pa durueshme për kohën dhe rrethin. Ky lirizëm shërben si shpërthim i shumëzuar ndjenjash të pista dhe bëhet pasojë sundimtare e  rrezikshme në lirinë e ç’thurur kreative. Ajo është ngatërruar keq në baltën e thellë të ideve dhe të motiveve të ngushtuara profesionale. Ndoshta kjo anomali vinë nga pamundësia jonë e investimit të shëndosh në të gjitha sferat e jetës. Sepse pa një sistem shkolle teorike adekuate, nuk mund të kemi suksese të lakmueshme afatgjate në kulturën e përgjithshme nacionale. Të vepruarit ashtu pa kriter njohjesh, kush çka mundën të jap kësaj shoqërie me mundësitë e veta të pa sistemuara sa duhet, krijomë ankthin letargjik të qenies sonë normale. Secili mund të ketë talent për diçka, por ky talent i dhuruar nëse nuk kultivohet dhe arsimohet si duhet do të jetë përherë i mangët në vendin ku vepron. Sot ne shfrytëzojmë kreativitetin e gatshëm të përvojave të huaja, ashtu siç na detyron e afron zhvillimi teknologjik i shoqërisë së kultivuar moderne e postmoderne, ( të themi kështu duke qenë shumë larg shollave profesionale, kreative, ashtu siç është shkolla e Leibzingut ose të ndonjë shkolle tjetër ekzistuese në botë, Writing). Forma e veprimit paushall që na ka mbërthyer keq, sipas kushteve tona të ngrira ekonomike në vend, hap vrima të zeza ndjenjash e të pa kontrolluara në kreativitet, që si dihet fillimi dhe fundi i tundimit artistik normal. Në mes të kësaj barbarie të keqe kreative qeniet e ndritura njerëzore kanë krijuara ca mesazhe të ngrohta e të ndriçuara nga dashuria për artin e mirëfilltë. E kanë bërë këtë për shkak të hapësirave të kufizuara të tyre politike, të mbyllura në vete, por ku mbretëron nga ana tjetër subjektiviteti dhe dashuria për krijim serioz afatgjatë. Nga ky aspekt shqetësues del edhe zëri alarmues i poetit, studiuesit, Agron Tufa, me tekstin’’Poezia duhet të shpëtoj gjuhën dhe përmes saj, veten’’ të botuar në gazetën ‘’Koha’’, të Maqedonisë. Studiuesi duke u bazuar në atë të thënien e vargut të poetit Bertold Brecht‘’ „Schlechte Zeit für Lyrik“ (Kohë e keqe për lirikën), autori me këtë varg emblematik, nxitë shqetësimin e tij në opinion, për zhbërsit e lirikës dhe se armiqtë e saj janë shtuar midis nesh dhe nga dita në ditë, me përhapjen e tyre të pa sistemuar kreative, ato të mjerë janë ‘’duke i topitur shqisat e qytetërimit tonë’’. Kështu me këtë hall kreativ renditen edhe shumë mendimtarë tjerë serioz, që nuk e durojnë këtë katandisje të mbrapsht të reflektimit të artit abuziv, siç është zvarritur e zvetënuar kultura jonë nëpër etapa, apo ‘’lirika në krizë’’, siç do të thotë studiuesi i lartpërmendur, nga keqbërësit e saj, që janë duke e nënçmuar e injoruar deri në përmasë tmerri lirikën, duke mbetur prapa kulturave tjera emancipuese botërore. Këto veprime kulturore të papërgjegjshme sjellin stihi neveritëse tek studiuesit serioz që duan kriter të shëndosh arti. Por ajo tanimë siç është përbaltur me ç’thurjen e saj të keqe, pa formën e saj të artikuluar mirë në përmbajtje, por kryesisht e pa kontrolluar, ashtu e derdhur në mënyrë stihie, duke u përhapur e lakuriqësuar me figurat e pagjetura stilistike. Ajo shëmtohet keq kur defilon në opinion gjerë me përdhosjen e saj tipike me vlera të dobëta, e të pa nivelizuara sa duhet, nëpër imazhe Hardcore-sexismi të brishtë. Imponohet ngutshëm në turmë sa për t’u avancuara me kriter të dobët në përzgjedhje vlerash, që madje kështu siç është e dobët përzierja artistike nga keqbërësit, reflekton mugëtirë të tmerrshme kreative afatgjate, e që përhapet si metil i keq murtaja e saj gjithandej nëpër kuluare e manifestime të inskenuara, kryesisht duke u zvarritur gjatë si klishe monoton nëpër portale e mjete sociale elektronike. Ngandonjëherë ne nga bota huazojmë atë më të keqen e imitimit naiv dhe këtë veprim masiv të shëmtuar, të huazimit të imazhit të keq, e praktikojmë shumë lehtë në jetën tonë të përditshme. Ky art i dobët, tanimë, i shtrinë krahët e grabitjes së lirisë së ç’thurur, si dimension historik e social i hapur nga të gjitha anët, dhe kështu futet fshehurazi mu në praninë e jetës sonë të përgjumur, që është lidhur nyje në interesat e caktuara të qëllimit përfitues të përkohshëm. Kësaj forme jetese të keqësuar, në hapësirë e kohë, i ndihmojmë ne të gjithë nga pak nga hatërmbetja. I ndihmojmë kësaj retorike të hapur e të shumëzuar me shpalime artesh vulgare, që paraqesin imazhin tonë të lakuriqësuar deri në neveri të gjatë tragjike. Kështu duke e lënë anësh me injorancë, qëndrimin konsekuent e serioz të vlerave të mirëfillta. Kjo prapavijë e keqe udhëhiqet nga hatri i pa përmbajtur i leverdisë së individëve dhe grupeve të mjerueshme, që kanë qëllimin e përkohshmërisë së përfitimit dhe afirmimit naiv klanor. Kjo natyrë interesi tanimë vepron masovikisht në turmë, si evolucion shoqëror i kësaj epoke, të ardhur me pasoja dhe e pa sistemuar sa duhet te ne. Ajo, tanimë, përhap në mënyrë më perverse konvencionin e artit të tejkaluar nga kriteri standard, duke e hedhur atë më të dobëtën skenë dhe në turmë të pa kontrolluar e arsimuar. Kjo bëhet nën diktatin e shoqërisë së përkulur në skamje, nga gjendja e rëndë ekonomike dhe bashkë me të i nënshtrohet ritmit banal imitimit të keq, të derdhura pa një kriter në media të shumta.

Përgjumja kulturore mbetet agoni e së ardhmes së dështuar. Ajo i ka të varura kthetrat e neglizhencës së madhe në përtaci e dije të cunguar, dhe sidomos të asaj dije të brishtë të vendosur brenda trupit të vet veprues intelektual. Çdo zgjatje e vogël e shpresës, vullnetit, dëshirës dhe guximit për zgjidhje të kësaj situate të rënduar të sistemit kulturor, mund të na përmbytë shpejtë nëpër këto gërmadha prapambeture të rënda, duke na përplasur neve të shkujdesur e të plagosur në një fatalizëm arti të stërzgjatur zhgënjimi. Pastaj shoqëria merr tatëpjetën e saj të keqe, mu në zbrazjen e saj të madhe nga mendimi i ri e alternativ koherent. E shëmtuara ndikuese, sot, është e rrezikshme për masën, ajo e shëmtuar bëhet ‘’karabiberë’’delirante, e futur si mëlmesë e stërpikur, pa shije, me shumicë ndikimi nëpër shumë gjella improvizuese sociale organizative. ‘’ Vendi u dorëzohet rrenave të mëdha’’ dhe në këto situata shoqërore të ç’thurura, e të rënda për kulturën dhe letërsinë, përmbyten jashtëzakonisht keq alternativat shoqërore vepruese, shpresëdhënëse afatgjate, që strehimin e këtillë e kanë të shtrirë në tabut politik tmerrshëm të kohës, me peshë radikale në përhumbje të gjatë shekullore.

Sa për ilustrim të fenomenit ekzistues, sidomos të keqësimit të standardit shoqëror në vendin tonë, nga mungesa e profesionalizmit të shëndoshë, në këtë rast do përmendja edhe Viktor Jerofejew-in, shkrimtarin rus, i cili duke dhënë një intervistë në gazetën prestigjioze ‘’Die Zeit’’ (Koha), për Rusinë, gjegjësisht për të ndryshuar e sulmuar politikën dhe kulturën e brishtë Putiniste, e cila kulturë hegjemone e rëndë, për çdo ditë, gënjen, ngufat, terrorizon, abuzon, vret me diktaturë perspektiva jetësore njerëzore dhe, sipas qëndrimit të tij të dhënë guximshëm në atë gazetë serioze, veçanërisht të mospërfilljes së një politike dhe kulture të tillë ruse, të padurueshme për qytetarin, shkrimtari opozitar i mirënjohur, kërkon që sa më shpejtë në këtë shoqëri të korruptuar, të ndizen‘’bombat atomike letrare’’, për të ndryshuar e lëçit rrënjësisht, njëherë e përgjithmonë, këtë lëmsh të ngatërruar politik e kulturor të imponuar keq. Kryesisht, ai, këtë mendim e jep për të shpëtuar gjendjen e mjerueshme që ka kapluar vendin.

Shoqëria që i beson rrenës, shtigjet e veta i ka të mbyllura e të kufizuara. Vendi shkatërrohet dhe vidhet për çdo ditë. Të duket se ky imazh i shëmtuar i rrenave na ka kapluar edhe neve. Atëherë si të kërkojmë kulturë, art, të standardizuar, kur i përqafojmë dhe pranojmë për çdo ditë këto nivele të ulëta shoqërore që na ngufatin? Strehimi kësaj turme të bezdisshme kulturore gënjeshtare, në këto rrethana jetësore që përjetojmë, rreth e rrotull Ballkanit, duke pranuar e stimuluar shijen e këndshme të kiçit konvencional të bastarduar me dekada, i cili ‘’Kisch’’ tanimë me veprimin e tij të gjithanshëm, ia ka kaluar vetes përmasën e saj dominuese të durueshmërisë normale në shoqëri. Madje në këtë stinë të pakuptueshme të vardisjes pa rend, të tipave, që dehen me injorancë krekosjesh intelektuale, rreth e përqark sofrës së shtruar të shijes së tyre vlerësuese mediokre, të pa kultivuar sa duhet, e mbanë peng situatën e rënduar edhe më shumë. Defektet e mëdha të këtyre anomalive të stërzgjatura kanë emër e mbiemër, e që duhet larguar sa më shpejtë. Shoqëria postmoderne kërkon mobilim të ri të jetës së integrimit individualist, me çdo kusht, për t’u riparuar drejtë situata dhe hapësira në mënyrë sa më akute. Politika bashkëkohore perëndimore nuk duron më, integrim kulturor fisnor e klanor, ajo, në gjirin e vet strehon vetëm individualizëm profesional, padyshim se kjo klimë individuale e përgjithësuar vjen e stimuluar nga sistemi i sotëm kapitalist, dhe si i tillë është ashtu duke vepruar. Më parë kjo frymë te ne nuk ekzistonte si vlerë, ngase individi konceptohej vetëm me rolin e tij shoqëror kolektiv. Sot pa njohjen e këtyre kritereve dhe standardeve të kërkuara të kohës, ne mund të përhumbemi në pesimizëm të pafund, prandaj mendoj se pa i kapur këto kërkesa e rrethana që ka vënë bota perëndimore, pra, të themi kështu pa rezerva: të mos jesh i varur prej askujt në jetë, duke krijuar lirinë individuale të të vepruarit dhe ekzistuarit, nuk do të ketë suksese. Ndaj nga këto rrethana të moskuptimit të standardit në shoqëri do të paraqiten shumë turbulenca të rënda politike refugjatësh, e viktimash të shkapërderdhur, gjithandej shtigjeve të botës së panjohur, kurse këto rrugëtime të pakontrolluara siç janë gjithandej botës,(Vëreni se çka ndodh për mbijetesë me refugjatët Avgan, Sirian dhe Irakian etj.) do të përballen me rreziqe që kushtojnë jeta njerëzish. Prandaj këto veprime ‘’të arratisjes masive’’ janë të pa pranueshme për kohën sotme. Ato individë të trullosur që e kanë sjellë, apo e ndërtojnë këtë gjendje kaotike të moskuptimit të drejtë të individualizmit, por që kanë mandat veprimi politik popullist, harrojnë t’i mbledhin të gjitha forcat muskulore të mendjes e të ndërgjegjes, për rrugëdalje afatgjate të njerëzve dhe për të kuptuar politikën globale të sotme, që vepron si kriter i standardizuar dhe i plotfuqishëm në kohë. Atëherë neve sipas rrethanave nuk na mbetet gjë tjetër e mundshme, pos të drejtës personale për të kontrolluar veten se ku jemi e kah shkojmë me veprimet tona ndikuese politike, dhe sa më shpejtë të shtrëngojmë muskujt e mundësive profesionale të detyrueshme kulturore, pa shikuar majtas djathtas politikisht, për t’i dalë të keqes përballë me vlera të shëndosha, për t’i gjetur të gjitha tingujt e fjalëve të rralla të gjuhës së bukur ekzistuese, që janë të fshehura si thërrmija diamantesh nëpër të gjitha vendet e rejonet ku frymon Shqipja e pasur dhe e mrekullueshme, për të na sjellë një ndriçim afatgjatë nga kjo tokë e vlefshme dhe e shtrenjtë, njëherë e përgjithmonë një ngritje të shëndoshë ekonomike e kulturore, një lindje të shëndosh dhe jo rilindje romantike, kryesisht me shprehje e ide të reja për qytetarinë tonë tashmë të lodhur e të rraskapitur nga varfëria. Unë e çmoj individualizmin e udhëheqësve që dinë ti koordinojnë gjërat, dhe që kanë guximin që qytetarëve tua mundësojë kushtet jetësore, që ta duan vendin e vet të mrekullueshëm. Kushtet gjeostrategjike për një jetë më të mirë janë të mundshme, por duhet një orientim mendor i shëndosh, që do të vepronte me perspektivë afatgjate, gjeostrategjike. Por ata tipa që janë në fokus të jetës së tyre të interesit personal, të burgosur e të ngatërruar tërësisht me veten, nuk kanë kurrgjë të mbarë, kurrgjë afatgjate, e alternative për këtë shoqëri, pos karrierës dhe përfitimit material të shpejtë, kryesisht për të plotësuar në vetëdijen e tyre oreksin e pasurimit të shpejtë e shkurtë pamës, si dhe të shërojnë mungesat shpirtërore intime, të devijuara kaherë nëpër mote rinore. Përdredhja e tyre arrogante e modestisë së rrejshme, siç duket tani gjithandej veprimit të keq, dhe nga zanati i tyre i brishtë, ta fut flirtin e fabrikimit fanatik frekuentues të formave kreative barbare të shkencës së rrudhosur, nëpër manifestime e institucione të shabllonizuar e shkallëzuara keq, që në arenën e vet politike të organizimit kolektiv, kurdisin dukjen e përhershme masnstrubimit epik mendor, të derdhur me hile në trup lirik të brishtë, duke përkrahur të njëjtët individ improvizues të artit të keq, me refren monoton të fundosur rëndë në shumëzim masiv margjinash shkencore neveritëse. Sikur bota pa prezencën e tyre do të kishte mbetur e varfër dhe pa perspektivë të shëndosh njerëzore. Mu kjo atmosferë e zymtë e përdhosjes kulturore, i shkëputë interesat e përgjithshme njerëzore të shëndosha, nga anomalia e tanishme mediatike e fundosur si e klisheizuar në sistem politik të njëanshëm. Por në këtë keqësim makthi kulturor, që shërben tani si shembull i keq në shoqëri, por që diktohet nga njerëzit ashiqare si e dobët, për të mirë e vetëdijesim njerëzor. Sidomos sot kjo anomali ua kthjellon trurin të gjitha atyre qenieve të zgjuara për dituri, nga mjegullnaja e rëndë që ka ngulfatur vendin nëpër labirintin e errët të kësaj kohe të pa sistemuar, ku bëhen fërkime e fabrikime të mëdha spirituale, midis së vërtetës dhe iluzionit ekzistues, kryesisht, për të mos i bezdisur të tjerët më, nëpër këto derexhe çastesh kulturore të brishta që jemi duke përjetuar si popullatë. Kjo gjendje, atyre të ‘’urtëve’’studiues të mirëfilltë, ua çel trurin për të mos lakmuar një situatë të tillë veprimi e afirmimit të mjerueshëm. Njerëzit e ndritur kërkojnë shteg alternativ të qasjes efektive, për rrugëdalje afatgjata nga rrëmuja improvizuese, kulturore shtetërore. Kërkojnë vlera të mirëfillta, ku dominon spontaniteti i shkencës së renditur me rend e standard cilësorë. Sepse shpërngulja e dhunshme në art të improvizuar shpejtë e shpejtë, për të gjetur oazën e afirmimit të dehjes momentale lirike, sidomos të shfrenimit kaotik të ndjesisë vulgare në trup, e futë njeriun e kohës sonë në strehimin e akullt të kësaj stine të acartë, për të derdhur lot të vakët në krahneza dritaresh të mbyllura perspektivash. Kjo atmosferë e mugët kulture sjell largim integrimi dhe krizë të komplikuar qytetarie të gjithëmbarshme. Pastaj të arratisurit, që marrin rrugën e kreativitetit të shëndosh, të vetëdijesimit, përherë vuajnë dhe keqtrajtohen më shumë se të tjerët, nëpër këtë lëmsh shtegtimi të panjohur kulturor, që nuk i dihet fillimi dhe mbarimi i nisjes së vërtetë. Këtu, në këto rrethana, me të padrejtë bëhet izolim njerëzor. Njerëzit përjetojnë më të keqen e madhe nga strukturat vepruese, që janë kurdisur në krye të odës për përfitime të dobëta dhe afatshkurta. Kurse vendi frytdhënës ka hapësirë e mundësi alternative ekonomike e kulturore të mjaftueshme, për të jetuar mirë e bukur.