Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Kapiti: 12 Qershori 1999, Pavarësia de fakto

| E hene, 29.02.2016, 10:54 AM |


12 Qershori 1999, Pavarësia de fakto e Kosovës; 17 Shkurti 2008, njohja ndërkombëtare e saj

Nga Skënder S. KAPITI

Në historinë tonë kombëtare çdo datë kalendarike ka shënuar në Kosovë një ngjarje të madhe kombëtare, dhe çdo derë shqiptare kosovare ka dhënë dëshmorë për kombin. Me 12 Qersor 1999 forcat ushtarake të NATO-s hynë në Kosovë dhe kjo është Dita e Madhe e Lirisë së Kosovës, pasi u dëbuan forcat policoro-ushtarake serbe nga Kosova dhe njëkohësisht mori fund dhe sundimi administrativo-kolonialist i Serbisë mbi Kosovën. Popujt të cilët lirinë e kanë fituar me sakrifica dhe luftë, festën kombëtare e kanë Ditën e çlirimit. Pra festa kombëtare  Kosovës është de fakto 12 Qershori 1999, ndërsa 17 Shkurti 2008 është shpallja shumë e vonuar e Deklaratës së Pavarësisë që është pasojë e gabimit të faktorit politiko-ushtarak të Kosovës. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2008 ishte faktikisht më së realshmi Njohja Ndërkombëtare e Pavarësisë dhe e Shtetit të Kosovës që u çlirua dhe u pavarësua me 12 Qershor 1999.

Si Deklaratë Pavarësie apo si prelud i saj shërben edhe Deklarata e Pavarësisë që njihet si e tillë, Deklarata Kushtetuese e ishdelegatëve të Kuvëndit të Kosovës me 2 Korrik 1990 për Pavarësi shtetërore dhe territoriale nga Serbia, që ishte sakrifica dhe sfida më e guximshme politike e asaj kohe  kundër regjimit ushtarako-policor barbar serb, regjim i cili fshiu edhe Statusin e Kosovës si Krahinë Autonome. Ky akt heroik i deputetëve të Kosovës së asaj kohe ishte sa patriotik së pari aq edhe demokratik dhe vizionar, pasi shpërbërja e ngrehinës Jugosllavi ishte e pashmangshme dhe Statusi i Kosovës si shtet dhe Republikë automatikisht i jipte të drejtën e Pavarësisë Kosovës dhe shkëputjen si nga Serbia së pari por edhe nga Jugosllavia ashtu siç vepruan Sllovenia, Kroacia e Maqedonia. Pra Pavarësia e vitit 2008 ishte vijimësia dhe kurorëzimi i luftës një shekullore të popullit shqiptar të Kosovës kundër kolonizatorit serb; periudhë e cila ka brënda diapazonit kohor  saj edhe atë të  rezistencën paqësore rugoviane e  që kulmoi me Luftën e Lavdishme heroike të UçK-së si dhe me ndërhyrjen vendimtare ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA që e çliroi Kosovën me 12 Qershor 1999, Luftë   e cila pra e vulosi ndarjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia, dëbimin përfundimtar dhe dhënien fund të sundimit kolonialist serb mbi Kosovë, pra de fakto kjo është dhe vetë Pavarësia e Kosovës dhe ngjarje më e rëndësishme Kombëtare e saj.

Pikërisht, po atë ditë me 2 Korrik 1990 ndoshta dhe  jo rastësisht në Shqipëri ndodhi shpëthimi dhe dyndja e shqiptarëve të Shqipërisë nëpër Ambasadat e shteteve Europiane, akt i cili eklipsoi Shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe opinioni botëror e spostoi vëmëndjen me atë se çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe i la dorë të lirë regjimit serb të përdorte shtypjen dhe persekutimin mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe nuk është rastësi as  fakti tjetër që në kulmin e represionit serb mbi Kosovë, në Shqipëri ndodhën ngjarjet katastrofike e vitit 1997 dhe ato të vitit 1998 të gati të shpërthimit të një lufte qytetare në Shqipëri pikërisht në kohën kur në Kosovë regjimi i Millosheviçit kishte  8 vite që bënte genocidin dhe pastrimin etnik të  heshtur e “”paqësor”; dhe pikërisht në kohën kur në Kosovë  po shpërthente pashmangshmërisht Lufta çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Prej kesaj politike të pastrimit te heshtur etnik të Kosovës pati përfitues të mëdhenj kontrobanda dhe trafikantët e qënieve njerëzore te politikës dhe të pushtetit të atëhershëm në Shqipëri ashtu sikurse me kontrabandën dhe shkeljen e embargos së karburanteve , pra e marrëdhënieve të errëta  me Malin e Zi dhe me Serbinë ; ashtu sikurse dhe tërë periudha e regjimit komunist që gjithë “ndihmesa” për Kosovën dhe çështjen e saj ishin disa “kërcënime”e  shkrime “bombastike”në gazetën e Partisë Punës Shqipërisë, “Zëri i Popullit”. Patriotizmi  i periudhës së enverizmit ishte i burgosur brenda kornizës ideologjike marksist-leniniste; regjimit të internacionalizmit proletar dhe revolucionit internacionalist; regjim që harxhonte miliona dollarë për propagandë ideologjike dhe financime të parave të popullit të varfër të Shqipërisë për grupe dhe organizata botërore marksist-leniniste. Regjimi komunist në Shqipëri që i bëri gjëmën vetë Shqipërisë e si mund ta ndihmonte çështjen kombëtare të Kosovës kur ai e kishte shpallur armik të tij Perëndimin demokratik europian dhe SHBA-në të cilët e çliruan Kosovën me 12 Qershor të  vitit 1999?

Këto  fakte dhe shumë të tjera si keto ka akoma, po i përmënd këtu për të treguar madhështinë e rrallë të luftës dhe rezistencës së pashoqe të popullit martir shqiptar të Kosovës për Liri dhe Pavarësi, luftën gati një shekullore edhe për të bindur Europën fajtore për padrejtësitë që i kishte bërë edhe ajo Kosovës; luftë e përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës për Liri e Pavarësi edhe pse politika e Shtetit shqiptar nuk ka treguar interesimin, përkrahjen dhe vëmendjen e duhur për shqiptarët jasht Shqipërisë londineze ,pse jo në shumë raste e në vazhdimësi politika e Tiranës me indiferentizmin e saj dhe për interesa të ngushta politike, ideologjike dhe pushteti personal edhe i ka bërë dëme të mëdha çështjes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, dhe jo vetëm të Kosovës por edhe të vetë Shtetit shqiptar madje.

Me Deklaratë Pavarësie kuptohet sqarimi pse një komb shpall Pavarësinë ashtu siç bënë amerikanët me 4 Korrik të vitit 1776, dhe më pas meqenëse Britanikët nuk e pranuan Pavarësinë atëhere u zhvillua lufta për Pavarësi. Por, në Kosovë përderisa lufta çlirimare e UçK-së dhe e NATO-s e çliruan Kosovën nga pushtuesi dhe barbarizmi kriminal serb, nuk ishte aspak e nevojshme as të vonohej dhe as të pritej 9 vite që të shpallej formalisht Pavarësia, pasi vetë ndëkombëtarizimi dhe ndërhyrja vendimtare ushtarake e NATO-s e kishte “sqaruar”mirë   si Rusinë e atëhershme ashtu si edhe Serbinë shoviniste dhe miqtë e tjerë të saj se Serbia e  kishte humbur sovranitetin  mbi Kosovën, pasi me Kosovën Serbia ka qene në luftë pothuajse 100 vite, se  Serbia e kishte humbur edhe betejën paqësore të paraluftës me  Kosovën e udhëhequr nga I. Rugova.

Faktori ushtarak dhe politik i Kosovës po edhe i Shqipërisë duhej ta shfrytëzonin këtë shans të  artë historik që u erdhi nga përkrahja e SHBA dhe e Europës demokratike dhe ta shpallnin Pavarësinë e Kosovës menjëherë sapo Kosova u çlirua nga sundimi serb; faktori ushtarako-politik shqiptar ashtu siç veproi kompaktësisht në Rambuje duhej ta shfrytëzonte në maksimum faktin e rrënimit ushtarak, politik e diplomatik të Serbisë si dhe diskreditimin ndërkombëtar të saj si shtet terrorist, kriminal dhe genocidist dhe se Serbia akoma kishte atëhere në pushtet Milosheviçin; dhe shansi tjetër ishte fakti se në Rusi ishte në pushtet Boris Jelcin, një demokrat që nuk kishte marrëdhënie të mira me regjimin e Millosheviçit.

Politikanët shqiptarë në atë kohë nuk duhej t’i mbërthente euforia, as përçarja politike dhe as synimet e interesat e ngushta personale për pushtet, por duhej ta projektonin strategjinë e menjëherëshme  për shpalljen e Pavarësisë, pasi kishte potencialet edhe ushtareke ,edhe politike edhe diplomatike për ta ndërmarrë këtë veprim.Edhe poqese  ndërkombëtarët atëhere nuk do të ishin dakord, por e them me bindje se kjo për ata do të kishte qene e përkohshme dhe shumë shpejt do ta kishin pranuar edhe ata Shpalljen e Pavarësisë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, pasi Serbia e mundur dhe e dobësuar dhe shumë e diskredituar botërisht nuk kishte as besimin dhe as takatën për të kundërshtuar dhe jo më për të lobuar kundër Pavarësisë  së Kosovës. Bindja ime se edhe shtetet kryesore perëndimore  do ta njihnin Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës edhe sikur shqiptarët do ta shpallnin atë më vjen prej asaj se pas shpalljes formale të saj me 17 Shkurt 2008, menjëherë zinxhir dhe në një kohë rekord ajo u njoh nga pjesa më e madhe e shteteve të kombeve demokratike. Këtë mendim unë e kam pasur që atëhere dhe madje ua kam pasë thënë edhe shumë atyre që u bënë politikanë dhe pushtetarë karriere pastaj në Kosovën e çliruar të pas 12 Qershorit 1999.

Kosova për 9 vite ishte pjesë e administrimit ndërkombëtar, kështu pra, kryesisht për fajet, për paaftësinë dhe për papërgjegjshmërinë dhe për pa stratëgjinë kombëtare të politikës shqiptare në përgjithësi që nuk diti që ta shfrytëzojë si duhet këtë shans të madh historik , por i dha mundësinë dhe kohën Serbisë që të rikuperohet e të kalojë në ofensivë paqësore por siç a ka historikisht zakon me shpifje, intriga, me fabrikime e falsifikime akuzash kundër luftës dhe sakrificave të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me qëllim   për të penguar si shpalljen e pavarësisë ashtu dhe duke lobuar e penguar njohjet ndërkombëtare të saj.

Edhe ndërkombëtarët që e çliruan Kosovën gabuan rëndë dhe u vetëmashtruan se duke e vonuar dhe penguar Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës sapo u çlirua ajo me 12 Qershor 1999, pasi  ata shpresonin se do t’i mbushej mendja Serbisë për ta pranuar më pastaj Pavarësinë e Kosovës se demokratizuar. Por fajin kryesor për këtë gabim e kanë politikanët shqiptare se ata duhet të ishin më të  interesuar për interesin kombëtar shqiptar, për shpalljen në atë moment të Pavarësinë, pasi askush tjetër në Botë nuk i njeh mashtrimet, spekulimet, intrigat ,shtirjet, gënjeshtrat e serbëve ashtu si dhe krimet dhe barbarizmat e tyre më mirë se sa shqiptarët e Kosovës që e kanë pësuar nga kolonizatori serb që prej vitit 1912. Vonesat si në kryerjen e  veprimeve kombëtare dhe të reformave demokratike  edhe sot si në Shqipëri dhe në Kosovë  i kanë lënë shqiptarët jasht dyerve të integrimit europian akoma,dhe kjo  krejtesisht per fajet e politikaneve shqiptare.

Ja pse duhen zgjedhje të parakohshme në Kosovë ose nje formule tjeter qeverisjeje e konsensusi

Tjetra paaftësi dhe papërgjegjshmëri e politikës dhe politikanëve shqiptarë që jo vetëm që e vonuan shpalljen e Pavarësisë është dhe fakti i keqmenagjimit të shtetit dhe të demokracisë edhe pas shpalljes së vonuar së saj me 17 Shkurt të vitit 2008 si: në mos zbatimin e ligjit dhe të ngritjes së shtetit ligjor, në mosndërtimin e shtetit modern me standarte demokratike që po pengojnë liberalizimin e vizave; në mosefikasitetin e luftës kundër korrupsionit por të instalimit të korrupsionit institucional; në ngadalsimin dhe në mosnjohjet e reja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës; në rritjen e varfërisë dhe të papunësisë dhe si pasojë erdhi  rritja e numrit të shqiptarëve edhe sot që të largohen e të kërkojnë strehim e azil në perëndim; dhe kohët e fundit në mospranimin e Kosovës në UNESKO dhe të miratimit nga  KiE të rekomandimeve të Serbisë kundër Kosovës krejtësisht për fajet e politikanëve shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë, por kryesisht këto janë dështime që i faturohen qeverisë së sotme, Kryeministrit Mustafa dhe zëvëndësit të tij dhe që është edhe Ministër i Jashtëm i Kosovës H.Thaçi. Dhe a për këto merita Thaçi kërkon të bëhet edhe president? Apo kështu duhet te bëhet president edhe për “meritat” e tjera të mëdha kryesisht tij, si fakti i nënshkrimit të dy Marrëveshjeve antikushtetuese të Qeverisë së Kosovës  si për Demarkacionin me Malin e Zi dhe sidomos për atë mbi Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë, situatë kjo që ka krijuar një gjëndje amullie dhe krize të thellë politike në Kosovë.

Si është e mundur që për këto dështime, sjellje dhe negativizma të politikës së politikanëve të Kosovës të jenë një kopje kaq identike të marra nga ajo e politikës dhe e politikanëve të Shqipërisë si për nga injoranca, papërgjegjshmëria, korrupsioni, vjedhja dhe abuzivizmi me privatizimet, tenderimet, me pasuritë kombëtare, me paranë publike dhe me postet e detyrat shtetërorë, si dhe të spekullimit me to dhe me varfërinë e papunësinë. Jo vetëm që politika dhe politikanët shqiptarë nuk kanë strategji, por as interesin e duhur për prosperitetin, mirëqënien, konsolidimin e kombit, të demokracisë dhe të integrimin e dy shteteve shqiptare, por me veprime të tilla të tyre, rezultat i së cilës vjen dhe kjo gjëndje e rëndë gjë që përbën dhe i shërben të kundërtës së realizimit të demokracisë dhe të konsolidimit të shtetformimit modern të shtetit dhe të pavarësisë,   e që përbën kështu një kërcënim për Sovranitetin Kombëtar.

Fakti se dy kryeteparet e Kosoves  janë dy matrapazët  që po luajnë paturpësisht me demokracinë dhe me Pavarësinë e Kosovës që shkurtimisht i parashtrova më sipër, e tregon dhe trajtimi sikur ata të ishin pronarët edhe të dy partive të tyre, te  LDK dhe PDK, të cilët kontrobandojnë e spekullojnë dhe me trashëgimë e vyer dhe me meritën e sakrificën  historike e kombëtare të të tjerëve, si Mustafa me atë të Rugovës ashtu dhe Thaçi me luftën e luftëtarëve të UçK-së, ku deputetët e të dy atyre partive përdoren  prej dyshes Mustafa –Thaçi si vegla inteligjente servile dhe të blera për t’i shërbyer pushtetit të tyre: hajde tani se unë që të bëra kryeministër ty Mustafa, më jep votat  e kompanisë së korruptuar të deputetëve të tu që të bëhem unë Thaçi president tani. A nuk është ky një matrapazllëk i turpshëm politik? A nuk po qeveriset Kosova nga nje grup i ngushte interesi i cili ka kapur institucionet dhe shtetin?

Koha po veteton se kualicioni qverisës PDK-LDK ka dështuar pasi ai u ndërtua mbi baza pandershmërie dhe interesi të ngushtë personal të çiftit bashkëkryeministror dhe të një rrethi të ngushtë partiak rreth tyre, si një klan kualicioni kurrupsioni dhe tradhëtie të masës së antarësisë së të dy partive PDK-LDK , trajtuar si prona të tyre; si dhe kundër interesave publike dhe kombëtare; si një kualicion që mendonte ta asgjësonte e ta asfiksoje opozitën  në Kosovë ; dhe si një kualicion i cili shpresonte të bënte dhe antiligjin dhe antikushtetutshmërinë e pandëshkueshme dhe në dëm të interesave të Kosovës.

Edhe sikur ta zëmë se nuk paskan të drejtë Opozita, shoqëria intelektuale dhe ajo civile për protestat e tyre që po protestojnë kundër kësaj qeverie që e ka cuar korrupsioni dhe dështimi i saj në fakt dhe që prej kësaj qeverie ka degjeneruar dhe precipituar kjo gjëndje, dhe nëse i ka mbetur pak moral këtij pushteti të këtyre dy pushtetarëve, këta Mustafa dhe Thaçi duhej të bënin “sakrificën” më minimale të tyre dhe të pushtetit personal të tyre: atë të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme demokratike në Kosovë, duhet ta bënin këtë për interesin kombëtar, në shërbim të Pavarësisë , Demokracisë dhe të Integrimit Europian të Kosovës dhe jo të vazhdojnë me kokëfortësi  dhe me papërgjegjshmëri t’i pengojnë dhe t’i kërcënojnë ato. Askujt nuk i lejohet që të spekullojë me demokracinë dhe sidomos askujt nuk i lejohet që të spekullojë me gjakun , sakrificat dhe me  mundin e popullit të tij për interesin e vet personal të pushtetit për ta gllabëruar politikën , pushtetin dhe për të kapur shtetin. Prandaj them se ose duhen zgjedhje te reja ose nje formule tjeter qeverisjeje apo konsensusi institucional per te dale nga kjo krize.