Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ermira Babamusta: Moda Shqiptare në New York

| E diele, 28.02.2016, 12:29 PM |


Mrika Krasniqi organizatorja e Albanian Fashion Week NY

Java e Modës Shqiptare në New York sjell ikonat me emër të industrisë

Nga Ermira Babamusta

New York, Sh.B.A. - Producentja dhe regjizorja e njohur Mrika Krasniqi pasi arriti suksesin në botën e filmit, tashmë vjen me një surprizë të re në fushën e biznesit. Me 25-30 mars 2016 Mrika Krasniqi prezanton Javën e Modës Shqiptare 2016 në New York, organizuar nga Agjencia e Modës Shqiptare (Albanian Fashion Agency). Në kuadrin e Javës së Modës Shqiptare New York, është “Albanian Fashion Show” që do mbahet me datën 27 mars 2016. Mrika Krasniqi pohon se do sjellë dizajnerët më të mirë shqiptarë nga disa treva shqiptare për tregun europian dhe amerikan të veshjeve dhe fustaneve.

“Agjencia e Modës Shqiptare ka angazhur 20 modele të komuniteteve të ndryshme, jo vetëm shqiptare, të cilat do të prezantojnë kreacionet e disajnerëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe atyre që jetojnë jashtë këtyre trojeve,” tha Mrika Krasniqi, themeluesja e Agjencisë së Modës Shqiptare në New York.

“Është një mundësi shumë e mirë për të gjithë dizajnerët shqiptar të cilët duke prezantuar kreacionet e tyre para blerësve potencial që do të marrin pjesë në Albanian Fashion Week New York, do të kenë mundësi në prezantimin dhe shitjen e koleksionit të tyre dhe depërtimin në tregun amerikan,” shtoi drejtoresha dhe artistja e shquar Mrika Krasniqi.

Ikonat e modës shqiptare më të famshmet në botë do prezantojnë koleksionet e tyre të fundit modern dhe klasik në shfaqen madhështore të Javës së Modës Shqiptare në New York. Një emër i madh shqiptar në botën e sfilatave është Valdrin Sahiti, që konsiderohet si “Mbreti i Industrisë” në Kosovë. Sahiti sjell një stil tepër elegant të modës së lartë.

“Stilistët e famshëm shqiptarë do nxjerrin në pah karakterin e tyre shqiptar në veshjet që do prezantohen në natën e Albanian Fashion Show në Amerikë. Valdrin Sahiti është ndër dizajnerët më të mirë shqiptar i cili do sjellë veshje tepër elegante tek Java e Modës Shqiptare në New York,” tregon Mrika Krasniqi.

Një tjetër ikonë e modës shqiptare e pranishme në Javën e Modës Shqipare në New York është Blerina Kllokoqi-Rugova, një ndër dizajneret më të njohura shqiptare. Blerina Kllokoqi-Rugova arriti suksesin ndërkombëtar duke u kujdesur për veshjet e yjeve botërore si Rita Ora dhe Jon Mack në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscars 2015”.

Dy stilistë të tjerë shqiptarë tepër të njohur në botë janë Sellma & Kaci të cilët adhurohen dhe janë më të preferuarit për veshjet dhe stilin e tyre në Ballkan dhe Europë. Sellma Kasumoviq konsiderohet si “Mbretëresha e Grimit” duke hapur një nga studiot e para në Kosovë eklusivisht për grim “Studio Sellma”. Klientela e saj ka tërhequr vëmendjen e yjeve shqiptare të botës së artit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, dhe jo vetëm. Në 2010 Sellma Kasumoviq -Spahiu në bashkëpunim me dizajnerin Valdrin Sahiti dhe stilistin e njohur Kastriot Lleshi (KACI) themeluan studion e re që e cila kujdeset për publikun dhe për artistët.

Stilistë të tjerë të dëgjuar për veshje shqiptare të pranishëm në këtë sfilatë të Albanian Fashion Show në New York janë: Tatjana Ljara, Lexy Spaci, Flora Krasniqi, Bora Balaj dhe Arbnor Shkupolli.

Përfaqësues zyrtar i pjesës së grimit dhe stilit të flokëve është mjeshtri me emër Nazim Salihu, themelues i “Noli’s Hair Salon” në Sh.B.A.. Mjeshtri Nazim Salihu do mar pjesë në Javën e Modës Shqiptare në New York bashkë me ekipin e tij të talentuar, kryesisht:  Shqipe Namani, Shqipe Gjocaj, Sonia Santavenere, Fitore Ahmeti, Blerta Ejupi, Valentina Salihu, Besiana Hoti dhe Lindita Gjini. Lindur në Maqedoni, Nazim Salihu arriti një triumf të madh në botën e bukurisë dhe stilit duke fituar disa çmime dhe medalje me show botërore si në Milan, Zvicër, Budapest, Istanbul, Berlin, Minesota, Kënektikët, Suedi, Maqedoni, etj. Në portofolin e tij përfshihen yje të Hollivudidt dhe Shqiptarë si Jennifer Aniston, Owen Wilson, Kenny Rogers, ekipi i basketbollit Minnesota Timberwolves, Xhevat Limani, etj.

Java e Modës Shqiptare New York (Albanian Fashion Week NY) do mbahet me datat 25-30 mars 2016 në kryeqendrën botërore të modës – New York. Albanian Fashion show fillon me datën 27 mars, e cila do hapet me natën e Tapetit të Kuq me yjet shqiptare, amerikane dhe botërore. Nata e sfilatës (Albanian Fashion Show) e datës 27 mars 2016 është e hapur për publikun. Katër ditët e tjera janë evente private vetëm me ftesë. Datat 25,26,28,29 dhe 30 nuk janë të hapura për publikun; janë të rezervuara për prova të fustaneve nga modelet, takime private me blerësit amerikanë dhe europianë, ekspozita të krjimeve shqiptare, si dhe evente speciale të cilat janë vetëm me ftesë. Organizatorja Mrika Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen zyrtare të 10 dizajnerëve shqiptarë deri tani.

“Tek Albanian Fashion Week 2016 në New York do prezantohen koleksionet e reja të dizajnerëve shqiptar që janë ndër më të njohurit në Europë. Deri tani kemi pesë dizajnerë fustanesh, dy dizajerë bizhuterish, një dizajner për sandale dhe çanta, një dizajner për shalla e kapele, një dizajner me veshje kombëtare, edhe të tjerët kanë artistët hairstilistët dhe makeup,” pohoi organizatorja e Albanian Fashion Week 2016 në New York.

Programi i Fashion Show përveç sfilatës dhe tapetit të kuq me yjet dhe ikonat e modës, përfshin edhe pjesën artistike, siç është prezantimi i performancanve të ndryshme, vallëzim, muzikë, show, etj. Organizatorja Mrika Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen e Princit Italian të Pop Rokut Matteo Brento, i cili e fitoi famën në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni me pjesëmarrjen në X-Factor Albania në 2015 (www.matteobrento.com).

“Ndjehem tepër i nderuar për ftesën dhe pjesëmarrjen në Albanian Fashion Week 2016 në New York. Ky është deputimi im i parë në New York dhe sërish gjej ngrohtësinë dhe dashurinë nga komuniteti shqiptar, kësaj rradhe në Amerikë. Dua të falenderoj nga zemra organizatoren e mrekullueshme Mrika Krasniqi për përkrahjen e saj dhe realizimin e ëndërrës time. Nëpërmjet muzikës po krijojmë ura të forta lidhëse të miqësisë dhe artit midis Shqipërisë-Italisë-Kosovës-Amerikës,” tha artisti i njohur italian Matteo Brento.

“Për performancën time kam përzgjedhur këngë italiane dhe shqiptare enkas për publikun shqiptar dhe amerikan. Për herë të parë sjell në New York një këngë të re timen që quhet #21 (Goodbye my Love) “Mirupafshim Dashuria Ime”, me tekst dhe kompozim të artistit italian me famë Michele Bisceglia,” shtoi Matteo Brento.

Java e Modës Shqiptare 2016 në New York është një  shfaqe historike për industrinë  shqiptare të  modës. Për herë të  parë në  Amerikë  do prezantohen yjet dhe ikonat e modës shqiptare që  vijnë  nga krahina të  ndryshme shqiptare dhe të  tjera. Po ashtu për herë të  parë  kjo show sjell në  një  shkallë    madhe ndërkombëtare jo vetëm krijimet e modës së  lartë  po edhe veshje tradicionale shqiptare. Krijuesit dhe stilistët shqiptar me më  emër do jenë  prezent me markat e njohura shqiptare dhe internacionale (www.albanianfashionagency.com).

Veshje nga dizajnerja Blerina Kllokoqi Rugova