| E premte, 19.02.2016, 07:09 PM |
Qerim Raqi
SHPIRTI I FJALËS
Fjala nuk bie, si njerëzit
Nuk jep shpirt Fjala
Nganjëherë e shtrydhim
Fjalën e ndrydhim
Derisa gjak të pikojë
E pështyjmë e shtyjmë, shpirtin
Ia nxjerrim fjalës
Fjala nuk rrëshqet, kurrë
Nuk vdes Fjala
Ne e gjuajmë me gurë
Për fyti e kapim
E lidhim nyje
Pastaj e përtypim e kafshojmë
Me dhëmbë ujku duam ta hamë
Derisa në fyt na mbetet
Fjala –Fjalë
TI
Një ujvarë malli
Që ka ndaluar rrjedhën
Në puthje
Një prush dashurie
Që ndez
Të gjithë damarët e gjakut
Një lum i bardhë
Që ecën përpjetë
E lëshon llavë vullkanike…
Në mua
ZJARRI NË SYTË E TU
Është zjarri në sytë e tu
Që dua ta zë, ta prekë, të përvëlohem
Është drita e syrit tëndë
Që dua ta puth
Në verbimin e dritës sate
Të më erret nata
Është kroi i zjarrtë në sytë e tu
Ku dua të shuaj etjen time
Të pi etshëm cdo pikë zjarri
Që të mos mbetem
Ujvarë e zezë e dëshpërimit
Është lumi i bardhë vështrimit tëndë
Që dua më merr me vete
Duke dalë nga shtrati
Është shigjetë e ndezur syrit tëndë
Që dua të më ngulet në zemër
Të shpoj vrimë në shpirtin tim
Është loti në syrin tëndë
Ku më qanë dita ime…
NË SYTË E TU
Në sytë e tu
Kam lexuar më shumë
Se në tërë letërsinë botërore
Në shpirtin tënd
Luftërat e të gjitha luftërave
I kam ndjerë
Në heshtjen tënde
Të gjitha heshtjet e botës
Kanë rënë si perandorët
Në fjalën tënde
Të gjitha shpresat...
VITET PA TY
Vitet, padiktueshëm
Hanë vetveten, hyjnë
Në vrimën e zezë
Universi im tkurret
Në një pikë
Vetmia
Thika të dhembjes
Më hyjnë në asht
Kthetrat e mungesës sate
Gati sa nuk vdes
Nga malli
Pëlcas
TË RËNËT
Asnjë pikë loti asnjë
Fjalë dhembjeje
Asnjë gjamë burri, vajtim
Gruaje, britmë fëmije
Mos u vishni në zi
Asnjë kurorë, lule
Mbi barkun e tokës,
Trupat tanë të njomë
Ne vetëm sa hymë
Në thellësinë e kësaj toke
Mbi supe për ta mbajtur
MOSRËNIEN tuaj
TMERRËSIHT VONË TË NISEM
Tmerrësisht vonë të nisem
Të kthehem kah rrënja
Trungu im
Të di si nis emri im
Apo i paemër jam
Fillimet t´i harrojë
A fundet të më përkasin
Edhe nëse kam këmbë
Nuk di të ecën
Deri tek pragu i shtëpisë sime
Po edhe nëse shkoj zvarrë
Si ta hap derën me këtë celës të ndryshkur?
Ku të marrë atë zemë e të afrohem
Po nënës? Si t´rrëfehem nënës?
Me shpirt të huaj si t´I flasë?
Qortimit të gjakut si t´i shpetojë?
Jam vonuar tmerrësisht
Unë Konstantin i baladës sime të djegur
As gurë të varrit s´kam të udhëtojë
Nisja s´po më bindet, medet
Pritja po më plaket
Tmerrësisht
Vonë
Të nisem!
BIOGRAFIA
Qerim Raqi ka lindur më 22 mars 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliqi). Ka studjuar Letërsinë dhe gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Në Universitetin e Halmstadit në Suedi ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi, me orientim të ngushtë (Letërsi Komparative). Ka botuar librat me poezi: ”Gjak në mallin tim” , (”Era”, Prishtinë, 2010),”The Orpheus:s Broken Lyre”, (Marin Barleti, Tiranë, 2011).
Jeton në Halmstad të Suedisë. Punon mësimdhënës.