Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: Përkime të çuditshme

| E shtune, 20.02.2016, 04:07 PM |


Përkime të çuditshme...

Kujtimit të Uan Janos (Kakanit)

Tregim

Nga Përparim Hysi

Nuk ka patur fierak, të brezit tim po se po, por dhe brezit para meje që mos e njihte Uan Janon. Qe njeriu më me humor dhe më karizmatiku në qytetin tonë. I zgjuar  si ai dhe, veç zgjuarsisë, dhe një gojë që, kur fliste, nuk kishe si mos e shpije buzën vesh më vesh. Tri të katërtat e kohës rrinte i dehur xurxull dhe, tek shetiste nga  një klub tek tjetri, zbrazte shpoti njëra pas tjetrës,  sikur t'i kishte në xhep. Për kohën ( flas për pasçlirimin e deri në vitet '80-të). Të gjithë  e njihnin dhe, po të gjithë, e qerasnin pa të keq.  Me profesion qe kuzhinier- mjeshtër, po  rallë e soste një punë që fillonte. Jepej pas pijes dhe, sakaq, frymën sa në një klub tek tjetri. Këtë "huq" të tij e dinin dhe në pushtet dhe jepnin porosi që,atje, ku fillonte punë, të mbahej nën kontroll që mos pinte. Por qe mundim fare i kotë. Kur shkruaj për këtë porosi, si një "as nën mëngë" të pushtetit për ndërmarrjen ku fillonte punë, nuk e shkruaj me apriori, por mbështetem në fakte.

Ndodhi që  xha Uani të fillonte punën si kuzhinier në sektorin Mbrostar-Ura dhe, po këtu, imeëmë, punoi si ndihmëse. Ndërsa po bëhej dreka, në kuzhinë hyjnë dy traktoristë dhe fillojnë, "take-tuket" me xha Uanin.  Aq qe dhe nuk kishte njeri që ia shkëpuste bodilen nga dora.  Natyrisht, krahas pijes, dhe shpotitë. Ndërkaq, hyn përgjegjësi i sektorit (ky kish marrë dhe porosinë), i drejtohet:- Ç'bën kështu, xha  Uan? A nuk të kam thënë që nuk duhet të pish?

Po ku duronte bodec xha Uani? Ashtu siç qe (sarhoshët, vetvetiu, bëhen gazmorë), e ktheu"eks", sikur kish frikë mos ia rrëmbenin nga dora, dhe i tha: - Unë nuk kam pyetur për buaj pa kapistra dhe jo për një përgjegjës si ti me kanistra!!! Hoqi bluzën e kuzhinierit, e ktheu dhe njëherë nga një prej gotave të njërit prej traktoristëve dhe u vu në ikje për qytet. Sektori ynë është tri-katër km larg qytetit. Por këtë punë e bënte kudo dhe kishte një të mirë që ia  bënte faqen më të bardhë se ç' e kishte:- Kudo që punonte, kurrë nuk merrte para në dorë. E dinte që mund t'i bënte rrush e kumbulla dhe thoshte:- Paratë që më takojnë për punën që kam bërë, vjen i merr imeshoqe. Dhe kishte një grua zonjë që, jo vetëm e kish pranuar kështu siç ish, por e mbante si një kalli misër. Kurrë nuk u ankua dhe rriti fëmijë që u bënë kuadro dhe me emër në detyrat që patën.

*     *    *

Sot hyri tek  klubi më i madh:"Partizani". Sa hyri, e lëshoi kushtrimin:- Dëgjoni, milet! Natyrisht, të gjithë çuam kokën dhe, një nga të njohurit, i thotë:- Çfarë  të dgjojmë?

-Aha,- tha "tellalli",- dorë e thatë, nuk ka uratë. Tjetri e kuptoi ku shponte bodeci i "tellallit" dhe ia mbushi një dopio. E ktheu "eks" dhe, si orë që kurdiset, pasi i vajis ingranazhet, e filloi:

"... vranë një burrë në Portëz. Lartmadhnia e tij ( kur tha këtë, nderoi alla-lartmadhni dhe kjo ia bënte praninë më të nxehtë), dërgoi telegram: "  Kapni kriminelin dhe pres haberin!!!". Dikush që mund të  kish dëgjuar dhe më parë, pas i ia mbushi gotën, i tha:- Po, hë! E zunë kriminelin apo jo? Dhe xha Uani, sikur vërtet të punonte në zyrë, deklamoi:".., gjegje telegramit tuaj mbretnor, ju njoftojmë se: " viktimën e kapëm dhe krimineli ka ikur!!! Merreni me mend atë atmosferë shpotie që mbuloi tërë klubin...

Eh, sikur të mbaronte me kaq, ky kumt i këtij "tellalli".

*     *    *

Aty mesviteve '70-të qëlloi që erdhi për darkë një i afërt yni që, në atë kohë, qe gjeneral major në Ministrinë e Mbrëndshme. Qe kushëri yni dhe, pothuaj, moshatar me  babanë tim, me të cilin kishte shkuarje shumë.  Natyrisht që unë u gëzova veçanërisht, se duke e ditur të kaluarën e tij, më duhej për një orë mësimi (bisedë letrare) ku në qendër ishte Kryengritja e Fierit në vitin 1935. Ai jo vetëm qe pjesëmarrës aktiv në këtë kryengritje, por dhe ish dënuar me vite të gjatë burg.

Fjeta me "mysafirin" dhe,sado që e dija që ai "përtonte" të fliste për "bëmat" e tij, unë mezalla se iu ndava. Po për ta zbërthyer, e pyeta:- Ore ju  ekonimikisht ishit birnxhi nga ekonomia, ç't'u desh Fieri që në ato vite?

Dhe sikur filloi... " Erdha në Fier (vinte nga Vërzhezha e Skraparit) me porosi të Riza Cerovës. Ka ndodhur në vitin 1933. Po me porosi të Rizait, hyra si punëtor në ndërmarjen "Botore". Kjo punë shërbente si për të vënë  në gjumë xhandarmërinë e Zogut. Për të fjetur, shkoja në Portëz (fshat as tri km nga Fieri,kur shkon për Patos) se aty kishte skraparlinj. Rrija tek Ndrizka apo Idriz Mëlova. Vërtet gjasme punoja dhe merresha me punë ilegale, por, duhet thënë, se edhe xhandarmëria sikur nuk e hante bukën thatë. Në punë shkoja me një biçikletë "Bianka" dhe, kur vija afër fshatit, biçikletën e merrja si në krah se nuk kishte rrugë për biçikletë. Tek hyra  në fshat me biçikletën, gati, nën sqetull, pashë që m'u lëshua një  qen çobanësh. Lashë biçikletën dhe, sa u ula që të rrëmbeja  ndonjë gur për t'i rënë qenit, befas dikush ma dha me një hu, sa fuqi pati dhe, tek u palosa për tokë, pashë çobanin si një lis në këmbë. E mata me sy dhe, sipas llogarive, më dolën eksiq. Nuk e haja dot. Unë gjithmonë mbaja një "Berretë" në xhep, por këtë herë nuk e kisha marrë me vete. U ngrita  me mundime dhe, po kështu, sosa tek shtëpia e Ndrizkës. Dajakun që hëngra, as  që e zura me gojë. Por, kur po hamendësoja për atë që më ndodhi, thashë:- Në ka dalë rastësisht çobani, shkoi  e  vate kjo punë. Jo,jo, në më ka vënë Mestani i xhandarëmërisë, është punë tjetër. Të nesërmen, siç bëja zakonisht, dola nga shtëpia (këtë radhë atë"Beretën" e vogël e kisha fshehur në xhep) dhe frymën e mbajta tek klubi ku pija kafenë e mëngjesit. Sa u futa atje, porosita kafenë dhe pashë dhe Mestani jo vetëm kish zënë vend atje, por, tek i hidhja sytë skiç, pashë që më hidhte sytë si me shpoti. Siç duket, thoshte:- Hë, po si ma ke kurrizin? E ke ndopak më të butë se barku apo jo? As që e bëra qejfin qeder, po frymën në punë.

Kur po perëndonte dielli, iu afrova Portzës dhe zakonin: biçikletën në krah dhe, pa bërë as dy çapa, ia behu qeni në fillim, por këtë radhë, para qenit çobani me hu në dorë. Ai hapi krahun për të marrë fuqi dhe, tek u mat të më godiste, unë e nxora "Beretën" dhe ia zbraza mu në gojë.  Sa e pashë që ra shakull, futa "Beretën" në strehën e së parës shtëpi në fshat dhe, kur sosa atje ku rrija, i them Ndrizkës:- O burra të shkojmë tek Novruzi ( një skraparli tjetër) dhe, pasi  u bëmë ca burra si në gosti, unë nuk lashë radhë pa kërcyer. Se ashtu m'i donte mushka drutë. Nuk kish kaluar as dy orë, kur ia behu Mestani me taborr. Sytë i kishin tek unë, por alibia e skraparëlinjëve më shpëtoi. Më vonë, në vitin 1935, mora pjesë në kryengritjen e Fierit dhe më dënuan me burg të gjatë. Në burg, mjeku i bashkisë, më jepte një "ilaç" për të mjekuar plagët që më ishin hapur nga torturat. Bashkë me mua qe dhe një  mjek italian. Ai më tha:" Lartmadhnia më ka prangosur, por nuk më heq licencën e mjekut. Mos e përdor "ilaçin, se, po e përdore, do vdesësh." Kuptohet që nuk e përdora. Kur filloi lufta N/ÇL,isha me brigadën  e shtatë sulmuese dhe kisha detyrën e zvkomandantit të brigadës. Komandant qe Gjin Marku. Komisar Kadri Hoxha. Zvëndës komisar Adil Çarçani dhe sekretar për rininë Ramiz Alia. Luftuam deri në Vishegrad. Me Kongresin e Përmetit m'u dha grada major. Sa u çlirua vendi, fillova në ministrinë e mbrendshme. Një ditë më thotë ministri:- Do inspektosh burgun e Tiranës. Shkova atje dhe, për çudinë time, si drejtor burgu me gradën kapiten gjej pikërisht atë Mestanin nga Mati që ishte në Fier komandant xhandarmërie. Natyrisht, tash i plakur dhe as i binte në mend se kush ishte ky, majori, që kish ardhur për inspektim. Mbasi bëra kontrollin, e ftova kapitenin për një kafe. E pyeta për të shkuarën dhe më tregoi fill e për pe se si kish shërbyer në Fier. Aty dhe ndërhyra:- More, shoku kapiten,- i them,- atje në Portëz të Fierit kam ca njerëz të mi nga Skrapari dhe më kanë thënë që dikur është bërë një vrasje e një çobani dhe nuk u zbulua kush e vrau.

- Dëgjo, shoku major,- foli kapiteni. Ai, çobani, ka qenë i vumë prej  meje dhe,aso kohe, ndiqte një nga ata "komunistët" të lidhur me Riza  Cerovën. Të vetmin krim që nuk zbulova sa qeshë me shërbim në Fier dhe më ka mbetë peng.

Dhe unë:- Shoku kapiten, ja tek është "krimineli?!!!". Ai mend u hodh përpjetë nga ky zbulim dhe bërtiti:" Ah, sikur ta dija, besa kishte pas një major më pak...

Tani, tek mbaroi rrëfimin  e tij, më tha:- Mos më çaj më kokën dhe bjerë e fli.

* gjenarali është Neshat Hysi.

Tiranë, 15 shkurt 2016