Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Muharrem Sfarqa: Fati dhe fatkeqësia e mjekut gjerman, Dr. Wolf- Dieter Mueller

| E diele, 10.08.2008, 08:58 PM |


Muharrem Sfarqa

Fati dhe fatkeqësia e mjekut gjerman, Dr. Wolf- Dieter Mueller

E veçanta njerëzore shqiptare nga një udhëtim tragjik i dy të rinjve gjermanë

Nga Muharrem Sfarqa

Se fati është mbret i botës tashmë është thënë dhe vërtetuar shumë herë, mirëpo ajo që i kishte ndodhur personazhit të këtij rrëfimi, mjekut gjerman nga Aacheni, Dr. Mueller është mbi fatet në fatkeqësitë e ndodhura rrugëve të Kosovës. Është fjala për vitin e largët 1971, pikërisht në korrikun e atij viti kur studentët e mjekësisë Wolf-Dieter Mueller dhe Adam Baresag, që të dy nga 21 vjeçar, do të marrin rrugën e Adriatikut për të kaluar pushimet verore. Pas disa ditëve të qëndrimit në Dubrovnik ata do të marrin rrugën drejt Kosovës për të vazhduar në Greqi. Qyteti Larisa i Greqisë dhe tezja e tij, Melanie Karanzis ishin caku i fundit, mirëpo një fatkeqësi komunikacioni në kilometrin e tretë, në dalje të Gjakovës për në Prizren, do ta ndërpresë përjetësisht rrugën e tyre. Siç kujton sot Dr. Mueller, atë ditë të kobshme në terrin e natës makina e tyre që po përpinte rrugën sigurt deri në ato momente, papritmas do të ndeshet me një qerre kuajsh që ishte e ngarkuar me drurë për djegie. "Nga goditja mbetet i vdekur në vend miku im, Adam Baresag, ndërsa unë morra plagë aq të shumta e të rënda sa që copëza mishi nga trupi im kam lënë në Kosovë dhe vetëm falur shqiptarëve që erdhën nga dy drejtimet e rrugës dhe më dhanë ndihmën e parë, unë jam sot në mesin e të gjallëve. E them këtë se po të ishte pritur ndihma e shpejtë unë do të vdisja nga gjakderdhja. E kujtoj edhe sot fytyrën e disa djemve të rinj shqiptarë që më futën në makinën e tyre dhe më dërguan në spital, në makinën e cila aq shumë u ndot nga gjaku sa që edhe sot mendoj se diçka të tillë nuk do të bënin pjesëtarë të popujve të tjerë që e quajnë veten pjesëtarë popujsh të përparuar." Tashti mjeku Mueller tregon se mjekimi i tij i atëhershëm në Prishtinë ishte mu si sot mjekimi në Gjermani, siç thotë ai, sepse ai në këtë vit të largët i nënshtrohet një operacioni të komplikuar plastik në sy që në atë kohë nuk bëhej në Gjermani. Humanizmi shqiptar që ai e përjetoi në ato momente të rënda i mbisundoi ndjenjat e tij dhe gjatë gjykimit në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë dhe pas deklaratës së ngasësit të qerres me kuaj të një fshatari të leckosur – siç thotë ai se nuk kishte pasur para për të blerë një dritë ndriçuese si sinjal për qerren e tij, e detyrojnë studentin e atëhershëm Mueller të heqë dorë nga ndjekja e mëtejme ligjore. Ai heq dorë nga të gjitha kompensimet që nuk do të ishin të vogla dhe me trenin e natës, me një valixhe të vogël merr rrugën e kthimit bashkë me kujtimet e hidhura të humbjes së mikut, me kujtimet e pashlyera të ngrohtësisë shqiptare, të cilat, - siç thotë ai, në dramën e fundit të luftës së Kosovës, s’kishin se si të mos i kujtoheshin e në të njëjtën kohë dhimbjen e Kosovës e përjetonte pothuajse si çdo banor i Kosovës.

Dr. Mueller
Që nga ajo kohë e rinisë ai thotë se kishte ndjekur me pasion çdo gjë që kishte ndodhur në Kosovë dhe rreth saj dhe ishte shndërruar në një mik të madh të saj. Madje ai tregon edhe një rast kur me një grup kolegesh e miqsh gjermanë kishin dëgjuar për prejardhjen shqiptare të Nënës Tereze, (prejardhje kjo që kontestohej atëherë nga qarqe të ndryshme antishqiptare) isha pikërisht unë - thotë ai që, sado pa e ditur mirë të vërtetën, mbrojta këtë tezë, sepse nga humanizmi saj i njohur dhe nga humanizmi shqiptar që e përjetova në lëkurën time s’kisha as një dyshim se diçka e tillë e veçantë njerëzore dhe humane mund të gjendet vetëm te shqiptarët.
Sot Dr. Mueller ka një përvojë të gjatë pune dhe si mjekë i mjekësisë familjare në ordinancën e tij, të cilën e ka hapur tash e njëzetë vjet, ka edhe një numër të madh pacientesh shqiptarë, të cilëve, siç thotë ai - mundohet t’u ndihmojë dhe në një mënyrë t’ua kthejë borxhet. Madje, me ndonjërin prej tyre ndërron edhe ndonjë fjalë për Kosovën dhe Shqiptarët, mirëpo biseda bëhet pikëlluese kur ai sot, nga një numër jo i vogël pacientësh shqiptarë merr aso informacione se mjekësia kosovare gjendet para kolapsit tragjik, diçka që mjeku Mueller e thotë me dhimbje njerëzore.
Miq të Kosovës gjenden kudo nëpër botë, mungon vetëm përpjekja jonë e vogël për t’i zbuluar dhe për t’i njohur në mënyrë që të shndërrohen në aleatë të njëmendtë të Kosovës dhe t’i bëjnë jehonë zërit të saj gjithandej.