| E marte, 16.02.2016, 10:00 PM |
Mimoza
Erebara shkruan bukur
(Mbresa duke lexuar librin me tregime “Dry me qera”)
Nga Meri Lalaj
Thuajse nuk njihem fare me Mimoza Erebarën, madje nuk e mbaj mend edhe po ta takoj në rrugë (domethënë se nuk jam ulur ndonjëherë të bisedoj shtruar me të). I kam dhënë një herë dorën teksa qëndronte e ulur në kafene me disa shkrimtarë dhe e kam takuar për pak çaste te shkallët e Shtëpisë Botuese “EMAL”, ndërsa ky libër ndodhej në shtyp. E bëra këtë sqarim sepse në ditët që po jetojmë vlerësimet e mira bëhen me njohje, me rekomandime, me interesa e të tjera. Nëpër gazeta kam lexuar disi shkarazi ndonjë shkrim të Mimozës, por meqë u ndodha në një vend pushimi dhe rastësisht më ra në dorë libri “Dry me qera” i Mimoza Erebarës fillova ta lexoj. Dikur Lasgushi më thoshte “Unë e kuptoj që në vargun e parë nëse tingëllon poezi apo jo, ndërsa kur vargjet janë cërr-cërr, ajo nuk është më poezi, por janë vargje diarre...”
Që në tregimin e parë “Lotët
nuk e dinë nga dalin”, menjëherë e kuptova se kam të bëj me një shkrimtare
mirëfilli, e cila porsi një toreador i fortë ka dalë në arenë sulmon demin, e
kap për brirësh, e godet, e plagos dhe e plandos përtokë pa mëshirë. Personazhi
Nafari nuk është përgjithësuar thjesht
si një nënë hebreje, por mund të jetë cilado nënë dua të them se ka edhe nëna
të tilla. Tregimi “Udhëkryqi” është
tronditës në mënyrë tmerruese, tregim ku lexojmë sesi dhe sesa mizorisht vritet
bukuria e femrës, madje Marina e pafajshme si një engjëll duhet të hapë me
duart e saj varrin të shtrihet e të vdesë aty vetëm e vetëm sepse ka një bukuri
marramendëse, që i ka luajtur nga fiqiri djemtë e fshatit. A nuk dëgjojmë ditë
e përditë lajmet e këqija që shpërndahen si lumë nga kanalet televizive si edhe
nga faqet ogurzeza të gazetave. Sa shumë dhunë kundër së bukurës. Dhe kështu
shkruan Mimoza pa mëshirë pa fshehur asgjë
duke nxjerrë në shesh të vërtetat e jetës. Në tregimin “Xhelatina e vitrinës me diell”, veç të tjerash të shkundullon me
personazhin ministër dyqindkilogramësh, i cili çvirgjëron dhe i vdes në duar
një vogëlushe sybajame 13 vjeçare edhe këtë meshkujt e bëjnë kurban tek
themelet e betonta të një ndërtese. Kam mendimin se tregimi “Njeriufatiim”, ndonëse i fuqishëm me
përshkrime të bukura dhe i pajisur me figura letrare duhej të ishte pak më i
shkurtër përsa i përket përsiatjeve psikoanalitike. Po kështu mendoj se tregimi
i fundit i librit “E pakoha” mund të
hiqej, nuk e di sepse më shkaktoi një lloj zbrazëtie është diçka shumë e njohur
tek femrat e reja në ditët tona: nuk kanë kohë të lindin fëmijë, të ushqejnë
fëmijë, t’i rritin këta fëmijë e të tjera. Një ndër tregimet më të bukura është
“Llapuceri”, që zbulon katërcipërisht
imoralitetin e klasës politike, njerëz të veshur me pushtet që përballë epsheve
të tyre shtazarake lënë pasdore edhe detyrat shtetërore. Po ashtu edhe tregimi “Një mëngjes si gjithë të tjerët, me një
filxhan kafeje vetëm, krejt vetëm” mendoj se është një himn për dashurinë e
vërtetë e të pamundur, e cila u bie për pjesë fare pak të lumturve të kësaj
bote. Në tregimin “I pakalluri”
ndoshta i mbështjellë me pakëz realizëm magjik ose në të kundërt komisari i
policisë ka ikur nga varri dhe është bashkuar me bandat kriminale. Një rrëfim
me shumë art është edhe tregimi “Kokëpreri
Natan Zalter”, tregim që më kujton dhema sjell të freskët kohën e
diktaturës, kur u pritej koka artistëve atyre më të mirëve, më të mençurve, më
trimave. Tregimi “Maçoku Mica dhe
mustaqet e Stalinit” është një tregim pak a shumë me nota gazmore (na duket
në ditët e sotme) i ndërthurur me ironi therëse dhe sarkazmë, por është e
vërteta ajo që ka ndodhur në kohën që lamë pas dhe autorja me shumë guxim
rrëfen se si përfitojnë njerëzit duke zhvatur meritat e të tjerëve madje dhe të
një maçoku kur vjen rasti për shembull për t’u bërë deputet. Dy tregime nga të
vërtetat e përditshme janë “Qeni” dhe
“Bythëgudulisuri” në të parin vjehrra
ngre krye për të mbrojtur e shpëtuar nusen që e rreh i biri dhe në tjetrin
përshkruhet një homoseksual. Një nga tregimet e përmbledhur në këtë libër
shkruar me nerv dhe me shumë guxim është “Gjurmët
e çorapeve rozë me një lule të vogël krejt të gjelbër në njërën anë”,
përshkrimi i një dite përvëluese me diell të pazakontë (po një qiell i tillë pa diell, ditën me diell, me të vërtetë ishte i
frikshëm.) dhe me turmën fshatare që del për të pritur dhe dëgjuar fjalën e
kandidatit për deputet i cili kandidon përsëri. Ballë për ballë njëra tjetrës
vihen turma mjerane e pangrënë dhe kapadainjtë shoqërues të kandidat deputet që
bëjnë orgjira dhe vrasin ashtu kot dy vajza të pafajme.
Shkrimtares Mimoza Erebara i uroj suksese të mëtejshme.