Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Donika Dabishevci

| E hene, 15.02.2016, 11:58 AM |


Donika Dabishevci

 

Mall

 

S’muj me ia kuptu tana grishjet shpirtit

me tan’ kët’ mall mëngjesi.

Përplasma trupit lakuriqsinë

e çilma shpirtin,

n’natyrë tem asht’ me t’dashtë fort

me t’lakmue deri n’adhurim

pa mbarim

le t’derdhet fuqishëm edhe ky mall

ky mall i gjanave t’pamunduna

Se trupi çlirohet skllavnie pos me dekën!

 

N’atë t’përveçmen ditë

 

Nji ditë n’përveçmëninë e saj

papritueshëm kam me ta dhanë kumtin

se erdh koha me t’i shkye shtatë lkurat

si rrangalla t’vjetra me t’i thye,

e me t’i gjujtë edhe lëvozhgat e shpirtit

tuj gërmue me e gjetë palcën

e naj vishkull drite n’sy.

 

Nadje heret masi t’jen mpi gjymtyrtë

kam me t’pa zbuluet tan’ paqtim

qielli ka me dënesë prej gëzimit

shiu ka me gjallue edhe rrasat e vorreve

n’zogj t’hareshëm ka me i kthye

e sytë e gjelbër kanë me lulzue.

 

Nji ditë n’përveçmëninë e saj

 

Udhës kah ti

 

Nisem drejt teje

si drejt preje

me t’u vërsulë

me t’u dhanë

e me t’lanë.

 

Por, nisi me u qetu bisha

e zemra me ba t’veten

tu’ u gzu se je k’tu veç për mu

e jasht meje nuk ekziston.

 

E nisa me ta puth synin ngadal

me t’ba t’lumtun n’kët’ mëngjes

me t’marrë e me t’dhanë

e me pa dillin mbi kry tuj zdritë veç për ty.

 

T’i du sytë e qeshun

edhe kur qiell e tokë lutesh me t’nxanë

du me t’pa k’shtu

ose si trofe t’varrosi me ritual pagan

e shnoshna prej teje

njiherë e përgjithmonë.

 

Jo sonte

 

Me mun t’madh e mujta veten

me t’dashtë çmendunisht

përdit’ e ma shumë

frymë kam marrë prej teje

e kam rrnu për dakikat e mishnimit me ty

 

Tjetra ishte ni pritje e randë

ni harrim i madh ku dashja kthehej n’iri.

T’kam dashtë për ni jetë t’tan’

 

e për tan’ jetën du me e rrnu edhe sonte

zjermin, dhimtën e dekën bashkë

 

Me trup t’përvlum’ e t’ngim’

du me u shkund’ tani, me u shnoshë

si mas ni neme t’madhe që t’ka ra hise

 

Ndaç fol e ndaç hesht po sonte rri.

 

Mllefosun hana n’ty

 

Shih, hana është dhezë

shigjeta dhimte plot mllef

dëshprueshëm gjuen n’ty

oxhaktë e shpijave

s’lshojnë tym prej mërzie

za fmijsh s’nihet mrena aty

 

Ngo, britmën e shelgjeve

fërshllimë t’egër

gjethet kanë marrë

piskamë e erës

qiellin plasaritë

mos qëllofsh udhësh

o i mjerë shtegtar

 

T’bajnë za

me e nxerrë atë zemër miu

prej sëndukut t’vjetër

ku e ke mshefë

me dalë prej burgut

që ja ke maru vetes

me marrë ni udhë,

me rrnu a me dekë

 

Unë i rri dashjes teme patundun

s’ke me m’pshtue

n’metsh mas ksajna gjallë

kur t’qetohet ajri

n’dalsh prej ksaj terrine

ke me ndi gulçimën e trupit t’marrë.

 

Kryqzueme para tij

 

Jam krejt e brishtë

kur ftyrë e tij m’zen ninëzat

 

T’dridhmet trupit

ma zi se t’rrçethunat dimnave t’acartë

 

Krejt n’gjamë, plotë frymë,

humbun n’valë jam,

nji shej’, nji rreze, nji dritë tuj pritë

 

Fort u qindron tundimeve t’mija

ai i mbështjelluni me diell n’flokë

 

Prej syve, mollzash, poshtë buzve tan’ musht

kryqzueme e zbrapsun para shenjtnisë s’tij

 

S’jepet ai,

luftar mitik që s’njeh dorëzimin

 

Dashnia n’mu veç vjen e rritet

se e du fort e i falem veç t’pajepshmes.

 

Dashnisë së nji nate

 

Erën tande nuhas

trupi lehtë m’dridhet

zemra m’rreh ngadalë

prej tutës që s’ke me ardhë

mos gabo

se shpirti copë do t’mbahet

e ma e fortë se deka

asht’ dëshrimi jem për ty

***

Due me ba

tuj kanë

n’nji shkretinë të paanë

a n’nji ishull plot det

ku dallditë frymojnë

n’fillin e vet

n’zall e n’lloq

n’ujë e n’djersë

n’natë me yje e hanë

T’due si s’kam dashtë

kurrë

asnjiherë ma parë

dashni soji t’bajmë

pa fjalë e andrra

veç afsh

 

Kurrë s’t’kam thanë

se ti je hamshor

e unë harlisun jam

për gja tjetër n’kët’ jetë

zhig s’më mbet’

prekmë

pa fjalë

për net pa gjumë

ta bajmë

***

Due me iu dhanë natës

qysh i jepet nana fmisë

pa asnji fjalë

asnji peng

asnji kusht

 

Due me t’pas’ krejt,

t’zhveshun

dej n’asht

e me vlu

e me u shkri

me shpërthye

e me kanë e lumtun

veç që jam n’kët’ botë

veç që jam me ty

sall për kët’ çast

kam me luftue dej n’frymë t’fundit

***

Bash s’due me t’pa ma

me ndie dhimtën e ndamjes dej n’asht

me e pa lamshin e zanun n’fyt lak

frymën tuj m’u përbiru

e trupin tuj m’lshu

Bash du me çue dorë prej teje

 

BOX

Donika Dabishevci u lind në Prishtinë (1980). Fakultetin dhe Masterin në Letërsi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin  2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”. Është readaktore në RTK dhe profesoreshë e letërsisë në njërin nga universitetet private në Prishtinë. Ka botuar këto libra: “Krizantema të plasura” (1996)  “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar - F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015) dhe “Kam me ardhë si deka” (2015). Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës dhe e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës. Me punimet e saja ka marrë pjesë në dhjetëra seminare e konferenca të fushës së albanologjisë dhe gazetarisë.