Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Syrja Kurti: Letër të vetmuarve

| E merkure, 03.02.2016, 07:40 PM |


SYRJA  KURTI

 

LETËR TË VETMUARVE

 

Cikël poetik

 

Ofertë punësimi.

 

Kërkohet të punësohet një person

që të dërgojë të gjitha buqetat e luleve

në ceremonitë dhe rastet kur ato munguan,

të dijë të heqë trishtimin e pacientëve të spitaleve

tek shohin më kot dorezën e derës kur rrotullohet

në pritje të njerëzve që kurrë s'i vizituan.

 

Kërkohet të punësohet një person

të mbushë zbrazëtinë e pleqve te vetmuar

bashkë me ushqimin tu servirë për cdo vakt

dhe nga një buzëqeshje prej kohësh të munguar,

për të ngrohur dhomat bosh të shtëpive e azileve

ku janë ngujuar nga bota të harruar.

 

Kërkohet të punësohet një person

që të mbledhë dashuritë e paplotësuara

dhe bashkë me dëshirat e pathëna ti kthejë ne vargje,

ti cojë tek të gjithë ata të cilët dot nuk i thanë

dhe ikën nga këtu të pezmatuar

ti marrë dhe si epitafe tua shkruajë në varre.

 

Personi që i plotëson kërkesat e mësipërme

të paraqitet për të marrë pagesën e shpirtit...

 

 

Tallje

(Vdekja e idiotit)

 

Për vdekjen e tij të heshtur,s'u tha asnjë fjalë askund

fundja le të thonin se na iku edhe një torollak,

të gjithë ata që ishin tallur me të mjerin pafund

tani kishin për të qeshur me një idiot më pak.

 

E pështynë , e goditën, me fjalë dhe me duar

nuk lanë rast pa ngacmuar dhe pa u zgërdhirë,

se gjithë boshllëkun që jeta në ballë ia kish shkruar

tek një fatkeq i shkretë e gjetën për ta shfryrë.

 

Ai iku pa e kuptuar se nuk e kishin me atë

se kur talleshin , ndjeheshin si dëshironin të ishin,

se më në fund kishin shansin të kishin nën vete dikë

dhe tek dkush tjetër mund të përcillnin poshtërimin.

 

E harruan se po kërkonin për të qeshur me një tjetër

si e vetmja kënaqësi për të mbushur ditët dhe jetën,

nën poshtërimin qesëndisës të qytetit të vjetër

që tallej rrugëve me ta ,duke përqeshur dhe veten.

 

 

Dua të gjej

 

Nga këmbanaret e shpirtrave tinguj s'shpërndahen më

përvec krakërimës te sorrave nuk ke çfarë të dëgjosh,

erërat e forta që frynë shkatërruan çdo gjë,

mbeten vetëm këmbana pa gjuhëz dhe tingujt e tyre bosh.

 

Pasi llumëbaltën e saj mbuloi në skutat e errëta

e veshur shik krekoset në sheshe gënjeshtra,

shpirtzbrazur qëndroj i vetmuar fushash të shkreta

duke kërkuar më kot jehonën e të vërtetave të vjetra.

 

 

Kufijtë e të keqes

 

Ndonjëherë nisja është më e mirë se sa duhet

sa një fillim të tillë nuk e pret as njeriu vetë

por dhe në rrugën më të lehtë e keqja thellë struket

dhe me patjetër do ta ngrejë diku një të përpjetë.

 

Nuk dimë se cfarë të rezervon ajo pas kësaj

se mund të të kthejë edhe në më të mjerin e turmës

askush nuk e di se deri ku shkojnë kufijtë e saj

bashkëudhëtares së përjetshme në të fshehtat e rrugës.

Askush nuk i ka matur dot hapësirat e saj asnjëherë....

 

 

Letër të vetmuarve.

 

Dua të dini që motra ime ju ka gënjyer

me zhurmën e valëve të detit

me qiellin që ndrin

kur hëna atje lart flet me yjet,

me lehjen e qenit

me gjethet e pemëve që fëshfërijnë

me sirenat e anijeve që bien

me vajzën që këndon në dritare

me takat në trotuar

me kërcitjen e shkallëve

me një qeshje të shkujdesur larg.

Dua të dini që motra ime ju ka gënjjyer

se me te gjitha këto që thashë

ajo do ju largonte mërzinë

dhe me cdo gjë tjetër të saj,

se vetëm s'do ishit në errësirë

por unë s'e kam ditur

prandaj mos më bëni me faj.

...Nënshkruar nga unë dita,

motra e madhe e natës.