Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Babamusta: "Frame In" Fiton Dy Çmime nga Adidas

| E marte, 26.01.2016, 08:16 PM |


Fituesit e Adidas Almedin Ismaili, Arben Fejzullau dhe  Erman Memedi

Produksioni Shqiptar nga Maqedonia "Frame In" Fiton Dy Çmime nga Adidas

Nga Ermira Babamusta

Produksioni shqiptar në Maqedoni “Frame In Production” fitoi dy çmime nga firma e njohur botërore Adidas në garën e fotove. Në këtë garë, zhvilluar në Belgjikë, morën pjesë mbi 3,500 produksione nga e gjithë bota ku kompania shqiptare Frame In u përzgjodh fituese në kategorinë A. Midis tyre morën pjesë edhe Vipa, modelë, sportistë dhe artistë të famshëm si Rita Ora dhe Messi. Frame In Production fitoi çmimin e veçantë “Special Price 2015” ndërsa modeli dhe sportisti shqiptar Almedin Ismaili fitoi çmimin “Artistic Face 2015” (Fytyra Artisike e Vitit).

Pjesë e ekipit të këtij projekti të Adidas ishin dy fotografët e Frame In, Arben Fejzullau dhe Erman Memedi; si dhe dy modelët shqiptarë Almedin Ismaili dhe Islami Drita.

“Pjesëmarrjen në këtë projekt e konsideroj një nga eksperiencat më të mira që kam përjetuar ndonjëherë dhe çmimet e fituara ishin sikur ëndrra u bë realitet. Që në fillim të projektit në ekip ka dominuar entuziazmi dhe me këtë nivel të energjisë kemi arrit të ndajmë maksimumin nga vetja, duke e pasur parasysh konkurencën e fortë si p.sh. Rita Ora, Messi etj. Ky rast i yni mund të përshkruhet vetëm me këtë fjali të urtë "thuhet një këlysh luan u vra nga një koloni e vetme e milingonave",” tha Erman Memedi, regjisor dhe montazher filmi.

Erman Memedi shpreson se ky projekt të  motivojë  njerëzit të  jenë    aktiv dhe të kujdesen më  mirë për shëndetin e tyre: “Jam i lumtur që nga një juri profesionale e nivelit të lartë n’a u është vlerësuar koncepti dhe qasja e fotografive të cilët i kemi krijuar bashkë me Arben Fejzullaun. Dhe shpresoj që ky lloj arti që e kemi krijuar t’i shërbej njerzimit si motiv dhe inspirim për t’u marr me sport apo të kenë një shëndet të mirë,” shtoi Erman Memedi.

Seti fotografik u realizua me datën 27 Prill, 2015 në Shkup. Arben Fejzullau, drejtori i Frame In është i kënaqur me rezultatin profesional dhe artistik të fotografive në bashkëpunim me Adidas. “Jemi tepër të lumtur me arritjen tonë dhe për çmimet e fituara. Vitin e kaluar realizuam një foto sesion profesional me brendin botëror "Adidas" në bashkëpunim me kryeqendrën në Belgjikë. Kjo ishte një kënaqësi e madhe dhe përvojë e veçantë për ne që të punojmë me këtë kompani të madhe,” tha Arben Fejzullau, regjizor, producent dhe drejtor i Frame In Production.

Modeli Almedin Ismaili ndjehet krenar që bashkë më produksionin Frame In sollën suksesin për të gjithë shqiptarët: “Jam krenar që juria ndërkombëtare e Adidas vlerësoi këtë projekt tonin me vlera artistike. Si në aspektin profesional gjithashtu në aspektin moral jemi Shqiptarët e parë që i sollëm këta 2 çmime vendit tonë.”

“Për çdo model apo produksion këto dy çmime janë një ëndërr për t’i fituar sepse janë çmime që fitohen në një garë shumë të fortë dhe çmimet ndahen nga një brend botëror. Dhe ne patëm fatin si Shqiptarët e parë t’i fitojmë dhe t’a bëjmë një popull krenar, suksesin që arritëm ta korrim në një garë kaq të madhe. I uroj çdo modeli dhe produksioni sepse unë nuk di si ta përshkruaj atë ndjenjë, thjesht briliante, ku dhe lotët e gëzimit na shoqëruan atë natë,” u shpreh Ismaili, fitues i çmimit “Fytyra Artistike Adidas”.

Frame In Production u themelua në vitin 2009 nga drejtori dhe producenti Arben Fejzullau dhe Erman Memedi, regjizor filmi dhe editor. Frame In Production që në fillimet e saj ka vepruar në fushën e filmit. Gjatë 5 viteve të fundit pas çdo filmi që ka qëndruar "Frame In" suksesi i tyre nuk ka të ndalur dhe për këtë sukses dëshmojnë çmimet e fituara në shumë festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Filmografia e tyre tani është e njohur sidomos për çmimet fituar në festivalet e ndryshme për filmat me tituj: “Between paradise and hell”, “The Bloody Money”, “Last Confession” dhe “My City Screams”.

Ismaili Drita dhe Almedin Ismaili. Foto nga Arben  Fejzullau dhe Erman Memedi