| E diele, 24.01.2016, 11:33 AM |
NEBI DRAGOTI
DASHURI JETE
Kam dashuri për lëndinat valëzore,
për arat me dallgë ngjyrë flori;
kthehem i qeshur mbrëmjeve hënore,
oborreve kuajt ngopen me qetësi.
Zbriti hareja këtu tek ne,
ja, tek ne ne lumturia erdhi,
këngën fëshfërim gruri s’e le,
me ëmbëlsi hëna fushat veli.
Kurorën e bardhë dardha e hapi
me këngën e zoçkave në gji;
ja, kështu Dumre më kapi,
më kapi për ty e zjarrta dashuri.
Ti mbytna me gëzime jete,
toka jonë,mëmë e dashur…
Këtë qiell e diell plot rreze
ne, e mbajmë ne mbi shpatull.
Veç gëzime paçi, ju vise blu,
vitet stoli Shqipërisë i ngrenë;
ulem një çast mbi dhe në gju
ndëgjojë token ç’melodi shpërthen.
Këngë shqipesh ti më kumbo,
viseve krifëgjelbërt thurju ti,
jepna krah e zemër e jeho
ëndrrat tona t’i kthejmë në lumturi!
Dehna, pra, me gëzime jete ti,
Atdhe, me rreze drite shpëlarë;
Atdhe martir,ke bukuri e pasuri,
ngjatjeton këtu kombi im shqiptar.
PASTORALE
Moj pastorale,
po pastorale më ngele ti
me qumështin e syskave e bejkave,
me këmborë e zile në qafë
kullotave verore vërri më vërri,
tund këmborë e zile në qafë.
Netëve malore me hënë mbi bri,
hëna në vedër zgjat kryet e pi
dhe fletorkën time me poezi,
dhe kulloshtrën tënde të bardhë
të ëmbël, të ëmbël si mjaltë,
hëna netëve në vedër ç’u zbardh!
Pastaj, pastaj unë lutem si poet:
-Dele leshartë, na lind një qingj,-
hënës i them,-
dhe gjirin tend lëshoje mbi stan!
Hapsira të mbushura me blegërimë të bardhë,
nëpër kullota shqiptare verore u mburrem poetëve
me fyellin e blirtë poetik që më dhatë.
ERÊ DIMRI
I bie morsit,rrugët i fshin,
zgërdhuin a kuis dimrit në xham,
dallgët e ujrave me jele shkume i rrit;
me jele shkume pulbardha u zbardh…
BISEDÊ ME BLIRIN
-Në erë, në fllade, në acar
si ka ardhë jetën kemi bërë;
ne na ka ngarë jeta si kale,
jetës kuaj të urtë i kemi qënë.
Veç klimë tjetër ka në bregdet,
pra, t’i shtrijmë rrënjët dhe këtu.
Belkëputura durrësake mos të qeshë,
mos të na përgojojë keq nën buzë.
Ti mik bli,o i dashur,bli,
ma ke veshur lirikën me vjeshtë;
ah, dikur, në të qeshurën rini
kam kënduar për ty e për të tjerë.
Ke lëshuar rrënjët ndanë bulevardit
dhe erëzon e pastron ajrin në qytet,
teksa sjell ndërmend korijet e fshatit,
ku lirikën e parë hodha në fletë.
Hapsirat e lira, të buta fshatare
me ditët e netët veshur qelibar
me sy kërkojnë, pyesin kureshtare:
-Tani Nebiu dhe bliri ku janë?!
Kush lëviz, për keq nuk lëviz
dhe nga kjo pendim s’kam aspak,
dhe qoftë sistem i ri demokratik
për Shqipërinë rrugë më e begatë!
Këto qytetare me minifund
nga kemi ardhur, jo, nuk e dinë,
veç na tunden gjithë naze me parfumm,
e kjo ne aspak nuk na gudulis.
Përcillmi fjalët nëpër stinë
me aromën e luleve që përhap…
Këtu për poet s’ e njohin Nebin,
tërë jetës do këndoj si fshatar.
1998.
HÊNA DHE POETI
Hënë e Pozhokut në dhjetor
si vajzë përralle në qiell,
fjongon e Devollit në kokë
lidhe si vashat e Dumresë!
Me vete ç’këndoj nuk e di,
s’di as kjo erë ç’më flet,
kësaj nate që kullon flori,
o, më paske ti mua poet!
Zilka gjethesh tringëllin
ti apo era përmbi fushë?!
Ç’të bëj?Kacavirrem në një rimë,
tek një burim të puth ty në gushë.
Zile gjethesh më bëhen muzikë,
unaza tingujsh në një pellg;
eh, ç’më rrëshqet jetë e mirë,
dalëngadalë burrërohem si poet.
Hënë e Pozhokut në dhjetor,
vozit si pëllumb në qiell;
në iki unë nga kjo botë,
bota nuk mbetet pa poet!
PÊR VETEN
I pasur nuk bëhem me ty poezi
sikur edhe të bëhem me fame;
dëshirë: siç thur vargun tani,
kam nisur udhën për larg…
Ç’iku, ç’ka vjen me ritmikë
është më mirë se ç’ shkon rrëmujë;
kënga e shpirtit tim lirik,
po s’ ndriti, do të mbetet gjurmë.
Njeri, ndodhka në jetë dhe kështu
vetes t’i këndosh se kush je;
mos qofsha vetëtim në qiellin blu,
shterpësi vetëtima qiellit pa re.
Me ty poezi,jo, s’bëhem i pasur,
(i varfër mbetem sikur të bëhem me fame).
Të mbjell për popullin tim kam dashur,
farë gëzimesh e shpresash me art!
PIKTURÊ DETI
O det, s’u plakëke ti, det,
përdridhesh,shtiqesh, buçet.
Flet me jele, flet me dallgë;
dëgjomë, mua poetit,një varg:
Mëngjeseve me gishta magjish
me diellin lahesh lakuriq.
Mbrëmjeve gjithë hir poezie
pikturon pikturë perëndie.