Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Çuni i besëlidhjes së lirisë

| E hene, 18.01.2016, 08:50 PM |


TREGIMI I SË SHTUNËS:

ÇUNI I BESËLIDHJES SË LIRISË

(takimi im i parë me Heroin e Popullit - AGIM RAMADANI, në vitin 1983)

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Na kishte ftuar Rama, ta kalojmë një natë karadakçe, në Zhegër – në odën e tij, në Lagjen e Madhe të Seferëve. Mbas përshëndetjeve tradicionale dhe pyetjeve të zakonshme për mirëqenien reciproke, sipas traditës malësore, ndërruam cigaret dhe sapo erdhën kafetë – filloi muhabeti:

- O pashaTokë e Qiell - betohej IsakSeferi - shkau s'na ka ardhë këtu mysafir, por ka ardhë me na i marrë këto troje.

- Më falni burra, që po kcej si mazi para pelës, sepse jam ndër më të rinjtë këtu, veç s'pomund të durohem pa folë – tha Agimi, i cili ishte ulur afër derës.

- Prit pak, bre bac! – ia tërhoqi vërejtjen Mixha Bajram.

- Mos ia nxirr fundin Bajram! – ndërhyri Xha Isaku - ani pse janë të ri, edhe këta kanë të drejtë me folë. Fol biro, fol dhe hiç syri të mos trembet bile! - e inkurajoi Agimin.

Agimi, që dukej qartë se i vlonte diç në shpirt dhe nga sytë i dilte zjarr, filloi:

- Edhe një herë po ju kërkoj falje! Na lejoni edhe neve ta shkrepim ndoj fjalë, se – edhepse jemi të rinj, dhuna e shkaut na ka pjekur para kohe, prandaj mund të kemi ide të frytshme. Pra, siç tha edhe Baci Isak, shkau këtu s'ka ardhë mysafir. Sa më shumë që ta durojmë këtupari, aq më shumë telashe do të kemi. Prandaj, lëvizni pak o burra, se ne rinia jemi të gatshëm, në çdo kohë dhe në çdo mënyrë të përballemi me shkaun e zi!

- O ty t'lumtë goja more bir, por nuk e kemi edhe lehtë të lëvizim - thotë Mixha Rrustë.

- E dijmë të gjithë që s'është lehtë o Baci Rrustë, por – pa ia filluar nuk bëhet gjë. Mandej – siç thoshte Baba Lok - dasmë pa mish nuk ka! E dijmë edhe këtë punë, por nuk duhet ta kursejmë as djersën, as gjakun për Lirinë, sepse pa liri s'kemi jetë!

- O t'lumtë more bir, po trim dhe i mençur na qenke! Të lutem më fal, që të ndërpreva në fillim, se pak jam plakur, pak jam rralluar... i tha Mixha Bajram Agimit, duke e përqafuar.

- O ty t'lumtë o Bajram Seferi! - uroi Axha Mark, që kishte ardhur me mua në muhabet.

- Po a e din ti o Mark, se nga odat e Seferëve janë nisur kryengritjet vendimtare në luftërat tona çlirimtare - ia priti Mixha Tade.

- Po more burra! Idriz Seferi, në odën e tij, bashkë me Engj Koliqin, vendosën me i ra turkut. Mandej shkuan në Stubëll, e bënë planin me Dom Mikelin dhe me Jak Munishin, i mblodhën trimat dhe u nisën. Ishin marrë vesh me Isë Boletinin, i cili ishte nisur me trimat nga Carraleva. I kishin bashkuar trupat në Stagovë dhe i kanë dërmuar hordhitë e xhonturqëve, në Grykën e Kaçanikut. Ajo ishte beteja vendimtare, që i priu Luftës Çlirimtare dyvjeçare, deri në dëbimin e pushtuesve nga tokat tona – rrëfente Mixha Bajram.

- Po vallah, Bajram! Edhe Mixha Engj, bash kështu si ti na tregonte – ia vërtetoi Axha Mark.

- Ju lumtë goja të gjithëve e na rrnofshi! Janë shumë të vlefshme këto tregime tuajat, që i japin një vulë të pashlyeshme historisë sonë! Mirëpo, historia po ecën bashkë me kohën, dhe – nëse lejojmë që koha jonë të kohojë pa ne, atëherë mbetemi jashtë historisë sonë dhe... ndërhyri sërish Agimi.

- Heu Ty t'lumtë goja o Agim Ramadani - bërtiti me zjarr Ramë Seferi, dhe – pa një, pa dy – nxorri revolen dhe e zbrazi një rafal, duke e shpuar tavanin e odës.

Dikush e përqafoi fort Ramën, dikush qeshi me të madhe, dikush aplaudoi, kurse Mixha Rrustë tërhoqi vërejtjen:

- Kadalë more bir! Mos i merrni punët kështu ngutas, se...

- Çka se, o Mixhë?! - ndërhyri Petriti.

- Se këtu rrethit kemi plot këlyshë të atij qenit - Dushk Ristiqit.

- Tëhhuuu he nënën bushtër ia bëfshin e ia rrotullofshin krejt dreqërit dhe ujqit e Karpateve, atij qeni!... shfrei plot nervozizëm Rama.

- Ramush! Të lutem, mos u ngut! Një sabër i ka njëqind selamete - thonë pleqt tanë të urtë e të artë. Punët e mira bëhen ngadalë e me sabër! Tash - ne bashkë, edhe me Engjëllin, po e këndojmë këngën e Luftës së Kaçanikut, por të lutem - revolen mos e nxirr më nga brezi! Armët do t'i shkrepim, njëherë në mushkëritë e pushtuesve e pasi ta çlirojmë vendin, atëherë mund t'i shkrepim, edhe për shfrime gëzimesh - i tha, arbitrarisht Agimi dhe njërën dorë ia mbështolli supeve Ramës e tjetrën - mua, dhe që të tre ia filluam dhe e mbaruam këngën:

Heeeu   Krisën pushkët e disa topa

Deri n'Shkup o se ç'na u dridh toka

Dërgut Pasha o me taborre

Ia kish mësy o trollit t'Kosovës

o trollit t'Kosovës

 

Heeeu   Idriz Seferi na ish mendue

Deri n'Stubëll - tha - due me shkue

Deri n'Stubëll o Ai ka shkue

Ka mbledhë trimat o kanë t’fillue

o kanë t’fillue

 

Heeeu   Pesëdhetë trima aty ishin mbledhë

E po shkojshin tuj dhanë haber

N'katër anët haber kanë dhanë

Na janë mbledhun shumë vullnetarë

o shumëvullnetarë

 

Heeeu   Dolën trimat o prej Kabashit

Prej Lubishtës e prej Vërbanit

Kur kanë dalë o mor te Stagova

I pritshin vëllaznit nga mbarë Kosova

nga mbarë Kosova

 

Heeeu   Isë Boletini e Idriz Seferi

E kanë bashkue n'Stagovë krejt askerin

Krejt askerin e kanë bashkue

Udhës 'hekrit o janë t'fillue

o janë t'fillue

 

Heeeu   N'Kaçanik o mor kur kanë mbërri-e

N'të dy shpatet kanë zanë pusinë-e

Mirë pusinë o e kishin zanë

Askerin Pashës o ia kanë ndalë

o po ia kanë ndalë

 

Heeeu   Luftë e madhe o aty krisi

Seç na u dridh o fort Kaçaniku

Kaçaniku e krejt Kosova

Thoshte Pasha - sot mbarova

o sot mbarova

Kaçaniku e krejt Kosova

Thoshte Pasha - sot mbarova

o sot mbarova

 

Gjatë këndimit të këngës, te të gjithë mbretëronte një qetësi absolute, kurse me të përfunduar - fuqishëm shpërthyen emocionet, me duartrokitje, me përqafime dhe me urime: O ju lumtë goja! Këndofshi gjithmonë! Bashkë ishalla gjithmonë! Zemra ju këndoftë! etj. etj.....

 

Muhabet në odë

- A po m'i dëgjoni edhe dy-tri fjalë, mua plak matufit o burra?! - tha Mixha Bajram.

- Fol o plak i urtë e trim - ia kthei Mixha Tade. Të gjithë ranë në qetësi, për ta dëgjuar Mixhën Bajram:

- Agimi na tha - të mos e lejojmë kohën tonë të kohojë pa ne. Unë, qysh tash, po ju them se koha jonë - me Agimin dhe me këta trima, po kohon me ne e për ne. Siç po i shoh unë, këta trima të vendosur po na e rikthejnë lavdinë e Idriz Seferit, Isë Boletinit, Dedë Gjo' Lulit, Ismail Qemalit... Këta trima paskan filluar rrugën dhe së shpejti do t'ia sjellin Lirinë Kosovës! Secili le ta bëjmë pjesën tonë, që na takon, me përgjegjësinë më të madhe, se Koha paska ardhur! Përpara o burra, deri në Fitore!!!

- Përpara, përpara, përpara !!! - ushtoi oda nga Kushtrimi i përbashkët. Përqafimet dhe shtrëngimet e duarve zgjatën, mbi pesë minuta. Pastaj fjalën e rimori Agimi:

- E tash po ju tregoj, o burra. Nuk është kjo Besëlidhje, në këtë odë të Karadakut - as e para, as e vetmja. Besëlidhjet për Liri po bëhen në shumë oda dhe kulla tona shekullore – anembanë Kosovës!

- Me Zotin përpara, deri në Fitore dhe në amshim! – uroi MixhaTade.

- Me ndihmën e Zotit! Me Zotin përpara! - u përsëritën urimet, edhe nga të tjerët.

Dhe, muhabeti - përralla, rrëfime, anekdota, me këngë e me lojëra popullore të traditës – vazhdoi deri në mëngjes, pa frikën nga spiunët e nga këlyshët e qenit Dushk Ristiqit. Në muhabet ishte edhe komandanti i punktit të policisë së Zhegrës - Avdiu. Edhe Ai – në Besëlidhjen për Liri!

Agim Ramadanin e kam takuar edhe nja dy-tri herë të tjera, por – në rrethana, në të cilat nuk kemi pasur mundësitë bisedojmë për detajet konkrete të Besëlidhjes së Lirisë, së cilës Ai i ka shërbyer, shumë më tepër dhe më mirë se unë. I qoftë i lehtë Dheu i Kosovës Nënë!

Pleqt e asaj Besëlidhjeje (Xha Isaku, Xha Bajrami, Xha Rrusta, Xha Marku e Xha Tadeja) nuk e pritën ta përjetojnë Ditën e Madhe të Lirisë! Shpresojmë se e përjetojnë në amshim - bashkë me Heronjt dhe Dëshmorët e Kosovës - pra, edhe me Heroin Agim Ramadani!

Stubëll, janar 2013